Edhe 100 vjet pas vdekjes Shqiptarët nderojnë Naim Frashërin

lajme

 
lajmi
Në tri qendrat kryesore shqiptare Tiranë-Tetovë-Prishtinë shënohet denjësisht përvjetori i Naim Frashërit. Ky vit është shpallur viti i Naimit të Madh, ndërkaq që muaji tetor është emëruar si Muaji i Naimit – Tërë këto aktivitete që do të zhvillohen në këto qendra kryesore të kulturës shqiptare flasin për përgjegjësinë dhe respektin që tregojnë shqiptarët ndaj figurës madhore të rilindasit, humanistit dhe poetit të madh Naim Frashëri Shkrimtari i njohur shqiptar i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri do të përkujtohet në 100 vjetorin e vdekjes përmes aktiviteteve të shumta kulturore, shkencore, letrare e muzikore në mbarë hapësirën shqiptare. Ky vit është shpallur viti i Naimit të Madh, ndërkaq që muaji tetor është emëruar si Muaji i Naimit. Kjo ndjehet në trekëndëshin Tiranë-Tetovë-Prishtinë, ku zhvillohen veprimtaritë qendrore. Kështu tash një kohë të gjatë në qytetin e Tetovës, nga Drejtoria e Manifestimit Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” po bëhen përgatitjet rreth shënimit të këtij jubileu dhe mbajtjes së Manifestimit tradicional Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”. Siç është publikuar në këtë përvjetor në Tetovë do të bëhet zbulimi i shtatores së Naim Frashërit, vepër kjo e vëllezërve skulptorë nga Prishtina Asim dhe Xhavit Lokaj. Kjo është paraparë të bëhet në ditën e parë të Ditëve të Naimit 2000. Ndër veprimtaritë letrare artistike janë Akademia solemne dhe ora e madhe letrare që do të mbahen në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës. REferatin kryesor për jetën dhe veprën e këtij kolosi të romantizmit shqiptar do ta mbajë studiuesi i njohur nga Tirana prof. dr. Aurel Plasari. Në orën qendrore poetike, pritet që poetët më të njohur shqiptarë të vendit dhe të huaj do të lexojnë krijimet e tyre. Ky përvjetor sjell përpara dashamirëve të artit letrar katalogun e poetëve pjesëmarrës në dy gjuhë (shqip-anglisht). Në kuadër të “Ditëve të Naimit 2000” do të mbahet edhe sesioni shkencor me temë “Naim Frashëri: bektashizmi dhe kombëtarizmi”, ku studiues të njohur pjesa më e madhe e të cilëve kanë konfirmuar titujt e kumtesave, do të ndriçojnë edhe më thellë veprën e Naimit. Sesioni shkencor do të zhvillohet në dy seanca. Këto kumtesa Drejtoria më vonë ka paraparë që t’i botojë në një libër të veçantë. Gjithashtu, do të zhvillohet edhe një orë tjetër poetike, do të shfaqet një program recital me pjesë nga vepra e Naimit, që do të interpretohen nga aktorë të njohur shqiptarë në regji të Bujar Lumës, si dhe do të ndahen çmimet “Naim Frashëri” për vepër më të mirë të botuar brenda dy manifestimeve në prozë dhe në poezi, çmim që ka vlerën 1.000 DM gjermane. Përkujtimi i veprës së Naimit siç thamë edhe në fillim do të përkujtohet edhe në kryeqytetin shqiptar Tiranë dhe në Prishtinë. Kështu në Tiranë ky aktivitet do të drejtohet nga Komisioni i ngritur për këtë rast nën udhëheqjen e ministrit të shtetit, Ndre Legisit. Burime nga ky komision kanë bërë të ditur për ATSH-në se, “Aktivitetet do të nisin më 5 tetor me një takim jubilar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës”. Në këtë takim do të jenë të pranishëm personalitete të larta të shtetit. Ndërsa, aktorë të njohur të skenës shqiptare do të recitojnë pjesë nga krijimtaria poetike e Naim Frashërit. Në këtë kuadër, Akademia e Shkencave do të organizojë më 20 tetor konferencën “Naimi dhe kultura shqiptare”, ku do të marrin pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, etj. Referatin kryesor do ta mbajë prof. dr. Rexhep Qosja. Në konkursin për vepër shkencore dhe artistike më të mirë, shkruar për Naim Frashërin në dhjetë vitet e fundit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka shpallur konkurs letrar. Ndërkohë, në Tiranë do të bëhet rehabilitimi i 3 busteve të vëllezërve Frashëri. Për rehabilitimin e tyre është dhënë një fond i veçantë nga Qeveria shqiptare. Ky komision ka propozuar që një nga sheshet e Tiranës të marrë emrin e poetit, si dhe shpalljen e konkursit për punimin e një monumenti të madh, kushtuar Naim Frashërit. Programet kushtuar poetit nuk do të mungojnë edhe në Televizionin Publik. Mbrëmja e fjalës naimiane, emisione si dhe shfaqja e një filmi të ri dokumentar kushtuar poetit kombëtar Naim Frashëri, janë disa prej programeve të planifikuara. Naim Frashëri është poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimar i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Prishtinë në organizim të Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës më 14 dhe 15 tetor do të mbahet Konferenca shkencore “Naim Frashëri-100 vjet pas”. Tërë këto aktivitete që do të zhvillohen në këto qendra kryesore të kulturës shqiptaer flasin për përgjegjësinë dhe respektin që tregojnë shqiptarët ndaj figurës madhore të rilindasit, humanistit dhe poetit të madh Naim Frashëri. Nexhbedin Shaqiri