Ne Pallatin e Kulturës në Tetovë Filloi manifestimi letrar ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”

lajme

 
lajmi
-Manifestimin e hapi drejtori i Drejtorisë së Manifestimit “Ditët e Naimit 2000”, Shaip Emërllahu, kurse të pranishmit i përshëndeti kryetari i komunës së Tetovës prof.dr. Murtezan Ismaili.-Shtatorja e Naim Frashërit u përurua provizorisht në aulën hyrëse të Pallatit të kulturës në prani të të gjithë pjesëmarrësve të Akademisë solemne Tetovë, 19 tetor 2000 – Në Pallatin e kulturës sot me intonimin e himnit kombëtar nga korri i përzier i Tetovës e nën dirigjimin e Arifiknet Xhemailit filloi manifestimi i katërt letrar ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”. Në këtë manifestim marrin pjesë më shumë shkrimtarë, hulumtues e njohës të mirë të veprës së Naimit, ndërsa në Akademinë solemne që është duke u mbajtur në këtë moment marrinp jesë intelektualë nga të gjitha hapësirat shqiptare, udhëheqës shtetëror, partiakë të institucioneve të ndryshme etj. Këtë manifestim e hapi drejtori i Drejtorisë së Manifestimit “Ditët e Naimit 2000”, Shaip Emërllahu, i cili tha: “Jemi takuar për të katërtën herë me radhë në qytetin e Tetovës, ku Naimi ka ardhur dhe është vendosur në shtëpi. Ka ardhur në 100 vjetorin e vdekjes, i lartë, ashti siç ishte i lartë me dije, atdhetari, dashuri, urtësi …” “Prania jonë këtu dëshmon se klima e Sharrit për mushkëritë e tij të sëmura nga tuberkulozi, është i mirë. Nga maja e këtij mali ilir, mesazhi i tij bartet pa penguar në gjithë hapësirën shqiptare, të cilës ai me tërë qenien i këndoi me atdhedashuri dhe mall. Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin Shqipëtar.”. Vendbanimi i tij i ri, Tetova, për çdo vit e më shumë merr profil pelegrinazhi. Takohen pasardhës të tij të letrave dhe ai në mes digjet si qiri. Që t’u ndinj mir’ e të shihni. Njëri tjatrin të njihni.-pëshpërit zëshëm në këtë kohë, ku na mungojnë rrugët për bashkim, mirëkuptim, mirësi. Në këtë orë qëndrimi, në këtë orë ku gjeografia jonë e goditur po merr sinjale drite, le të vazhdojmë t’i kuptojmë vlerat e Naimit tonë të Madh një ndihmesë për të ardhmen. Të nderuar mysafir, Drejtoria e Manifestimit Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” ka punuar për 9 muaj rresht që një përvjetor i rëndësishëm siç është ky, të dalë me tërë portretin që thotë vlerësimin dinjitoz për figurën e madhe kombëtare, Naim Frashëri dhe organizimin e mirë të Manifestimit Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”. Shtatorja që patë në hyrje të Pallatit e që do të vendoset në qytetin e Naimit, e punuar nga vëlezërit Lokaj, është njëri segment, ndërsa kjo akademi solemne dhe aktivitetet tjera letrare, shkencore, artistike e muzikore që do të zhvillohen në vazhdim, përbëjnë tërësinë vlerësuese të Drejtorisë. Ashtu siç e përbëjnë edhe numri e gjeografia e pjesëmarrësve dhe ju të pranishëm në sallë e në ekranet televizive. Pastaj të pranishmit i përshëndeti kryetari i komunës së Tetovës prof. dr. Murtezan Ismaili, i cili pos tjerash tha: Se 100 vjetori i vdekjes të këtij kolosi të rilindjes tonë, paraqet një rast të volitshëm për takime të këtilla kulturore, të cilët ka rëndësi të madhe dhe vlerë shumë dimensionale, si për popullin shqiptar ashtu edhe për mbarë kulturën e rajonit. Manifestimet e këtilla paraqesin momente festive, si për organizatorët pjesëmarrësit në to, po ashtu edhe për mbarë popullatën e vendit ku ata mbahen. Ky nder tani tre ditë do t’i takojë Tetovës dhe tetovarëve, për çka jemi krenar dhe me këtë rast do të më lejoni që të shpreh kënaqësinë time, duke u përshëndetur të gjithëve dhe duke u dëshiruar punë të mbarë. Manifestimi “Ditët e Naimit” i katërti me radhë nëqytetin tonë ku marrin pjesë shumë emra të kulturës, shkencës dhe artit shqiptar, por edhe të tjerë tregon rëndësinë e kësaj figure të shquar të historisë sonë, por njëkohësisht edhe garanci se ky tubim do të jep kontribut të veçantë në qarqet komplementare të studimeve të deritashme, të koncepteve dhe dimensioneve të reja që do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shkencës, kulturës dhe artit shqiptar dhe atij mbarë njerëzor, tha Murtezan Ismaili. Pastaj me pikë muzikore të pranishmit i argëtoi pianistja Lule Elezi dhe sopranja Dëshira Ahmeti. Më vonë filloi ora letrare në të cilën lexuan poezitë e tyre Fatos Arapi, Din Mehmeti, Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, Dhumitër Majon etj. REcitim nga “Bagëtia e bujqësi” bëri Rikard Larja, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo etj. Derisa po raportojmë pritet që të pranishmëve t’iu drejtohet prof. dr. Aurel Plasari, i cili ka përgatitur referatin në temë: “Naimi si Shqipëri bërës”. Ky manifestim nesër do të vazhdojë me sesionin shkencor “Naim Frashëri-bektashizmi dhe kombëtarizmi”, që do të mbahet në një nga lokalet e Pallatit të Kulturës në Tetovë. Pasdite do të shkohet në Kodrën e Diellit ku të gjithë pjesëmarrësit do t’i argëtojë SHKA “Xheladin Zeqiri”. Surpriza e këtij manifestimi pritet të mbahet nesër në mitingun e poezisë në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë në orën 19,00 ku do të marrin pjesë të gjithë poetët e ftuar nga të gjitha viset shqiptare. Me këtë rast do të ndahen çmimet “Naim Frashëri” dhe çmimi “Qiriri i Naimit”. Parashihet që anëtar nderi i këtij manifestimi të shpallen dr. Aurel Plasari, Rexhep Ismaili, Aleksandër Zoto dhe Robert Elsie. Njëqind pjesëmarrësit e manifestimit të katërt të “Ditët e Naimit” pritet t’i përfundojnë punimet pasnesër. Sa i përket shtatores të Naim Frashërit ajo sot u përurua provizorisht në aulën hyrëse të Pallatit të Kulturës në prani të të gjithë pjesëmarrësve të Akademisë solemne. Çështja e vendosjes së shtatores është e hapur dhe për të do të vendosin organet kompetente në ditën e ardhshme. Enver Shala