Në revistën rumune për kulturë “Cronica” botohet një shkrim për librin e Shaip Emërllahut

lajme

 
lajmi
Andej nga vjen Arbëria Marius QELARU (eseist rumun) Poeti, eseisti dhe gazetari Shaip Emërllahu u lind më 13 prill 1962 në Trebosh të Tetovës, Republika e Maqedonisë. Ka kryer Fakultetin e Filologjisë në kuadrin e Universitetit të Prishtinës në Kosovë, është i konsideruar si një poet i rëndësishëm në vendin e tij, ish-redaktor i Departamentit të Kulturës në gazetën Flaka të Shkupit, president i Festivalit Internacional të Poezisë Ditët e Naimit* që mbahet për çdo vjet në Tetovë. Ka botuar vëllimet: Pagëzimi i viteve, Editura Naim Frashëri, Tiranë, 1994, Projekt i thyer, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, Shkup, 1997, Vdekje e paktë, Editura Flaka, Shkup, 2001. Libri i tij më i ri mban titullin Putina moarte/ Vdekje e paktë (vëllim bilingv: rumanisht-shqip, edicion i përkujdesur nga Dumitru M. Joni, Editura e Akademisë Internacionale Orient-Oksident), është i përkthyer në gjuhën rumune nga Luan Topçiu. Libri e pa dritën e botimit në Bukuresht përgjatë vitit 2002, dhe strukturohet në disa cikle: Putina moarte/Vdekje e paktë, Generatia mea/Brezi im, Merele din Tetova/Mollat e Tetovës, Trezirea amintirii/Zgjimi i kujtimit, Masa dragostei/Sofra e dashurisë. Vëllimi relievon një poet fuqimisht i prekur nga konfliktet e realitetit që e përjeton, në një botë në të cilën, për bashkëkombasit e tij, „jetëorgjie kishte çelur” dhe „hija e kishte përmbysur jetën” (Noapte murdara/ Natë e pistë) dhe jeta e bukur „si në gjirin e Zotit” në Tetovë qe flakur porsi „lulet e plumbave” që „lulëzonin në qiell” (Luleplumbash çelte qielli). Përndryshe gjithçka duket se ndërlidhet në vargjet e Shaip Emërllahut me vendet ku e përjeton jetën, elemente të toponimisë/onomastikës (shpeshherë në lidhje me evenimentet e përgjakshme) duke qenë prezente në mënyrë frekuente (Jasharajt e vrarë, Kosova, Maja e Azem Galicës, Tetova, Arbëria, Rruga e Drenicës, Vardari etj.). Mund të themi pa drojë se kemi bërë ndonjë gabim të pamatur, se Shaip Emërllahu intencionon të përfaqësojë, në këtë vëllim, një gjeneratë për të cilën, në një hershmëri të madhe, për shkak të padrejtësive që shkaktuan një konflikt të armatosur, „floku/ ka filluar të zbardhet”, dhe për të cilën një nga pyetjet me përgjigje të bezdisshme është „deri ku bien hijet/…/deri atje janë varret tona” (Vetëflijim). Është një botë në të cilën rezultati nuk mund të jetë veçse absurd, ngase atëherë „kur vrasësi vajton/ në kryet e viktimës/ ti i falënderon/ ç’konkluzion idiot/ troket në portë” (Udhë pa krye). As në pjesën e fundit të vëllimit, Sofra e Dashurisë (Masa Dragostei), ngjyrat e qiellit nuk janë të qarta. Edhepse Sofra e Dashurisë është „parajsë para hunde/ parajsë prapa diellit”, hithërat e urrejtjes përplasen thuajs kahmos dhe duket „terri i njerëzve në fytyrë” (Sofra e Dashurisë) në një botë në të cilën gjithçka transformohet, madje edhe „gjeli i mëngjezeve të zbrazëta” duke u bërë i padobishëm ngase, a s’është ashtu, „dolën orët me zile” (Kohë tjetër). Vëllimi i Shaip Emërllahut inkuadrohet ndër ata, po qe se duam t’ua diskutojmë cilësinë, duhet të kemi parasysh edhe faktin se kemi të bëjmë me një poezi, nëse jo e angazhuar, e ndërlidhur pashkëputshmërisht me evenimente / ngjarje, vende, fakte që shënojnë jo vetëm jetën personale të poetit, por edhe atë të komunitetit shqiptar ku jeton. Po shtojmë me këtë rast faktin se idoli i tij, Naim Frashëri, ishte lideri i lëvizjes së njohur në histori si Rilindja Kombëtare Shqiptare (Renasterea Nationala Albaneza), poet i famshëm që ka botuar në Stamboll dhe Bukuresht, veprën e mirëfilltë që do të përbëjë për shqiptarët një kryevepër: Historia e Skënderbeut”. Botuar në revistën autoritative Cronica (Kronika), Jash, Rumani (Nr. 8/2005). (Përktheu nga rumanishtja:Baki Ymeri)