Një pikturë e rrallë me Kupën e Shenjtë të Jezu Krishtit ekspozohet ne Tirane

lajme

 
lajmi
Një pikturë e rrallë e shekullit XVII-XVIII-të me titull “Shën Gral”, me figurën e Kupës së Shenjtë të Jezu Krishtit u ekspozua sot ( e Martë) për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Piktura,që ruhej nga koleksionisti elbasanas,Vangjel Kapedani nuk ka qenë e kornizuar apo vendosur në formë ikone në ritualin e kishave. Ajo i është ofruar muzeut për blerje nga koleksionisti, i cili pohoi ta ketë gjetur pikturën në gjendje mjaft të dëmtuar në shtëpinë e prindërve të tij në Elbasan. “Eshtë një vepër unike dhe ka një subjekt ikonografik ndryshe nga teknika shumëshekullore e ikonës, që bëhet mbi dru dhe nga teknika e afreskut, që është pikturë murale të cilat përbëjnë traditën kryesore të kishave lindore e perëndimore” tha drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Moikom Zeqo. Sipas tij, “motivi i Shën Gralit nuk njihet në ikonografinë shqiptare por fakti që kemi një vepër të tillë mund të vërtetojë ndikimin prej subjekteve ikonografike të Evropës Perëndimore”. Në këtë vepër me vlera të veçanta artistike paraqitet në kupa e verës së Krishtit, në anë të së cilës gjendet ëngjëlli Mihal dhe kryeëngjëlli Gabriel. Sipër kupës jendet figura hyjnore e Krishtit, mbi kokën e të cilit qëndrojnë katër kerubinë me krahë, që janë elementë figurativë të hirearkisë qiellore. Në figurë dallohet një mbishkrim në gjuhën greke që përkthehet “Kupa e shenjtë”. Pikturimi është realizuar mbi një lëkurë keci ose disa copa lëkure të bashkuara në një sipërfaqe 145 cm X 99 cm. Kuptimi i emrit Shën Gralit lidhet me një traditë gnostike, sipas së cilës Kupa e Shenjtë është kupa të cilën përdori në darkën e fundit Jezu Krishti me apostujt e tij.