Prej 20-23 tetor në Tetovë u mbajt Edicioni IX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.

lajme

 
lajmi
Prej 20-23 tetor në Tetovë u mbajt Edicioni IX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, ku morrën pjesë poetë nga dhjetëra vende të ndryshme të botës si: Uruguaji, Suedia, Italia, Skocia, Franca, Danimarka, SHBA, Palestina, Turqia, Greqia, Norvegjia, Hungaria, India, Lituania, Japonia, Izraeli, Kroacia, Irlanda, Islanda, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Botcuana, Irlanda, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedonia etj. Festivali filloi me vendosjen e luleve në shtatoren e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashërit para Qendrës Kulturore të Tetovës nga ana e laureatit të Edicionit të nëntë Thomas Tidholm dhe drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Më pas fishekzjarret dhe flakadanët çelën siparin e festivalit. Në foajenë e Qendrës kulturore u hap ekspozita e artit pamor me piktura të artistëve shqiptarë nga Maqedonia dhe Shqipëria me titull “Pelikani”. Festivalin e hapi drejtori festivalit Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash tha se “Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” është një nga urat, ku komunikojnë letërsitë, ku poetët tubohen dhe copëza fisnikrimi shpërndajnë njëherit. Këto ura festivali janë të rrënjës shpirtërore dhe kanë qëndrueshmëri. Në murin e saj siç e shihni murosen pjesëmarrje të krijuesve të ardhur nga brendia cepeve të ndryshme të botës siç është i këtij edicioni Uruguaj – Japoni dhe Islande-Botcuanë. Kjo na ben të lumtur, që raca jonë e poetëve se bashku arrin te ngrejë kulmin e intimitetit të gjuhës shpirtërore. Të dashur poetë, uroj që brenda këtyre ditëve të festivalit të merrni emocione që do t’iu kujtojnë vazhdimisht Tetovën e poezisë” Në pesë orët letrare të festivalit u prezentuan poetët Thomas Tidholm (Suedi), Martha Canfield (Uruguaj), Alessio Brandolini dhe arbëreshi Mario Bellici (Itali), Stewart Conn (Skoci), Cecile Oumhani (Francë), Erik Stinus, Niels Hav dhe Thomas Boberg (Danimarkë), Allicia Stallings (SHBA), Sara Mathai Stinus (Indi), Nathalie Handal (Palestinë), Adnan Ozer dhe Alper Çeker (Turqi), Elena Psarilidou (Greqi), Gabor Mandi dhe Otila Hana Blerta (Hungari), Ludvikas Jakimaviciaus (Lituani), Tono oka Hide aki (Japoni), Rami Saari (Izrael), Drago Shtambuk dhe Zharko Mileniç (Kroaci), Ren Powell (Norvegji), Elaine Murphy (Irlandë), Birgitta Jonsdottir (Islandë), Peter Semoliç dhe Jana Putrle Srdiç (Slloveni), Anna Boyannova dhe Roman Kissiev (Bullgari), Tiro Sebina (Botcuanë), Silke Blumbach (Gjermani), Visar Zhiti, Halit Shamata, Fatbardh Rustemi, Ylli Xhaferri, Dhimitër Pojanaku dhe Kujtim Morina (Shqipëri), Ibrahim Kadriu dhe Agim Deva (Kosovë) dhe Remzi Salihu, Lulëzim Haziri, Adem Abdullahu dhe Gordana Mihaillova Boshnakova (Maqedoni). Në Universitetin e Tetovës, ku ka përshëndetur rektori Dr. Nexhbedin Beadini është bërë prezentimi i laureatit të sivjetëm “Naim Frashëri”, poeti suedez Thomas Tidholm. Dhjetë poetët që janë njëherit edhe profesorë janë prezentuar para studenteve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Karavani i poetëve ka vizituar pikën turistike të Kodrës së Diellit. Atje është mbajtur ora letare, ndërsa sekretari shtetëror i kulturës Kastriot Abdyli ka shtruar për poetët një koktej. Në kuadër të programit të festivalit janë promovuar edhe librat me poezi “Edhe lakuriqët janë zogj të atdheut të pakënduar” të poetit kroat Drago Shatmbuk dhe “Muri i gjallë” i poetit Ahmet Selmani. Për këto libra kanë folur kritiku Xhelal Zejneli dhe poeti Visar Zhiti. Gjithënjë në kuadër të programit poetët kanë vizituar Arabati Baba Teqe dhe objektin e Xhamisë së Larme në Tetovë. Në orën e madhe letrare “Meridiane poetike” janë ndarë çmimet letrare të festivalit dhe janë shpallur Anëtarët e Nderit. Juria e përbërë nga poeti irlandez Desmond Egan, kritikja Moon Choung Hee nga Koreja Jugore dhe kritiku Ahmet Selmani kan vendosur që çmimi letrar Naim Frashëri t’i jepet poetit suedez Thomas Tidholm nga Suedia. Fitues i çmimit letrar “Menada” është shpallë poetja palestineze Nathalie Handal, çmimi letrar “Oeneumi” iu dha poetit Drago Shtambuk, kurse çmimi “Qiriu i Naimit” iu nda poetit arbëresh Mario Bellici. Ndërkaq, përveç laureatit Thomas Tidholm, Anëtarë Nderi të festivalit u shpallën edhe poetët Erik Stinus nga Danimarka (fitues i çmimit letrar “Menada” më 2002), Visar Zhiti nga Shqipëria (fitues i çmimit letrar “Naim Frashëri” më 2001) dhe poetja Martha Canfield nga Uruguaji. Edhe sivjet festivali botoi antologjinë e poetëve pjesëmarrës të përgatitur nga Ahmet Selmani dhe Shaip Emërllahu dhe të përkthyer në gjuhën shqipe nga poetja Silke Liria Blumbach me titull “Kur të digjem”. Hapja dhe mbyllja e Festivalit drejtëpërsëdrejti u transmetua në TVM-Programi në gjuhë shqipe. Festivalin e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Komuna e Zhelinës, Posta e Maqedonisë, hotel “Liraku” dhe ferma “Vezë Sharri”. Skenën mjaft të qëlluar e ka ideuar piktori Savash Veliu, ndërsa e ka realizuar firma “EuroGips” nga Uzurmishti. A. Arsllani