Edicioni XX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

laureat

POETI TAIVANEZ, LEE KUEI-SHIEN – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”


laureatFitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit jubilar, të 20-in me rradhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti i famshëm taivanez Lee Kuei-Shien, kandidatë për disa vite për çmimin Nobël. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studuesi Prof. Dr. Ymer Çiraku (Shqipëri), Ndue Ukaj (Kosovë) dhe Xhelal Zejneli (Maqedoni). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpalle Anëtar Nderi të Festivalit shkrimtarin dhe studuesin e njohur shqiptar, Akademik Rexhep Qosja.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20 – 24 tetor 2016.

Kjo u bë e njohur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 21 shtator në Qendrën kulturore në Tetovë, nga drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, si dhe anëtarët e Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Laureatë të mëhershëm të këtij festivali janë emrat e njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Athanase de Thracy (Bullgari), Lionel Ray(Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA) Sebastiano Grasso (Itali) etj.

Në edicionin e sivjetëm, i cili përkon me 20 vjetorin e Festivalit dhe 170 vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, Naim Frashëri, janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Meksikë, Taivan, Japoni, Danimarkë, Norvegji, Gjermani, Francë, Avganistan, Itali, Poloni, Lituani, Izrael, Rusi, Turqi, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poete nga mbarë hapsira shqiptare e nga diaspora.

Në vazhdim konferencës së shtypi, anëtari i Jurisë së Festivalit, Ndue Ukaj, lexoi arsyetimin e Jurisë për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”, ku thuhet se ” Kuie shien Lee u lind më vitin 1937, në Taipe. Aty mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Teknologjisë.  Më 1976 u bë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Poezisë në Angli.  Më 1987, iu bashkua PEN-it tajvanez dhe u zgjodh zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i tij. Për një kohë ishte kryetar i Fondacioni Kombëtar për Kulturë dhe Art ne Taivan. Momentalisht është zëvendëskryetari i Lëvizjes Poetët e Botës (Movimiento Poetas del Mundo).

Filloi të shkruaj poezi më vitin 1953. Veprat e tij të botuar përfshijnë “Poezi të përmbledhura” në gjashtë vëllime2001, “Ese të përmbledhura” në dhjetë vëllime2002, “Poezi të përkthyera” në tetë vëllime2003, ”Antologjia e poezisë evropiane” në 25 vëllime2001-2005, ”Koleksioni Poezi elite” (në 22 vëllime) dhe të tjera, duke përfshirë “Thesar i artë i poezisë moderne indiane” (2005), që përmban poezitë nga presidenti A.P.J. Abdul Kalam.

Poezitë e tij u përkthyen dhe u botuan në Japoni, Kore, Kanada, Zelandën e Re, Holandë, Rumani, Indi, Greqi, Spanjë, Rusi, Mongoli etj.

U shpërblye me çmime të ndryshmetë rëndësishme si, çmimi “Poet Meritor Aziatik”, Kore1994, me çmimin tajvanez të poezisë “Rong-hou”1997, çmimi “Poeti botëror i vitit 1997”, çmimi “Poeti ndërkombëtarë”, Indi1998, çmimin “Poeti i mijëvjeçarit”, i Akademisë Ndërkombëtare e Poetëve , Indi2000, çmimin e letërsisë “Lai Ho” dhe çmimin kulturor “Premier”, të dy në Tajvan (2001). Ka marrë edhe çmimin “Michael Madhusudan” nga Akademia “Michael Madhusudan”2002, çmimin “Wu San-lien” për letërsi2004dhe Medaljen e Poetit nga Fondacioni Mongol i Kulturës2005.

Tri herë nominohet kandidat për çmimin Nobel për letërsi nga Akademia Ndërkombëtare e Poetëve, Indi (2002, 2004, 2006).

Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare poezie në vende të ndryshme të botës, si në SHBA, Japoni, Kore, Indi, Turqi, Mongoli, El Salvador, Nikaragua etj.

Toka, qielli, deti, përbëjnë një trekëndësh metaforik mjaft frekuent tek poezia e këtij poeti tajvanez, ku ndihen pesha e mallit dhe e dramës së vendlindjes – me fluturimet e endërrta të shpresave ngazllyese. Kjo poezi e ka fort të pranishme botëperceptimin filozofik mbi jetën, ku ndërthurren kultura e qytetërime të lashta, të ardhura prej popujve të lindjes së largët. Metafora e vendlindjes shndërrit në poezinë e tij në një pafundësi ndjesish, që nga ato më të brishtat e deri ato më sublimet e më dramatiket. Për të, vendlindja – Taivani, është imazhi i ishullit mitik, të mbështjellë nga dallgët e mëndafshit të bardhë dhe poetit, ia ka ënda ta sodisë nga syri i një zogu në qiell, tërë atë dantellë të endur prej puthje guackash të panumurta. Vendlindja është për të Itaka e paharruar, në sado udhëtime të pafundme që mund të endet njeriu larg saj. Prej kritikës është vlerësuar veçmas tek kjo poezi dikotonimia e ikjes dhe kthimit, ku vatra dhe bota, ndërthurren jo në kundërshti, por funksionojnë në filozofinë e harmonisë dhe bashkëjetesës.

Akordimi i çmimit “Naim Frashëri” të Edicionit të XX, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Ditët e Naimit – për poetin e shquar bashkëkohës Lee Kuei-Shien, është vlerësim dhe nderim për magjinë e artit të poezisë, në çdo gjuhë e në çdo shpirt populli që ajo krijohet. Seicila prej tyre, bën pjesë në thesarin e kulturës botërore dhe që përcjellin vlera të humanizmit dhe të bashkëjetesës së ndërsjelltë mes popujve e mes kulturave”.

Në fund, anëtari tjetër i Jurisë, Xhelal Zejneli, lexoi edhe deklaraten qe laureati e dergoi me rastin e marrjes se çmimit “Naim Frashëri”, në të cilën, thotë se,

Jam thellësisht i nderuar të shpallem laureat i Edicionit të XX të FNP “Ditët e Naimit”. Naim Frashëri është poeti më i madh shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të madh duke ngritur gjuhën shqipe, ruajtur dinjitetin shqiptar dhe duke vepruar për të afirmuar më shumë personalitetin e pavarur dhe autonom ndërkombëtar të popullit shqiptar. Kur lexoj poezitë e Naim Frashërit, jam thellësisht i inkurajuar nga vullneti i pashueshëm i mbushur me entuziazëm, që shprehet në poezinë e tij. Kam përkthyer në kinezisht poezinë e tij përfaqësuese “Fjalët e Qiririt”, ku strofa vijuese

Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,…
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë

tregon qart një ndjenjë madhështore për ta përqafuar botën, nga e përceptoj edhe shpirtin e popullit shqiptar. Procesi i mundimshëm i Shqipërisë ka vlerë si një mësim i vlefshëm nga mund të mësojë populli tajvanez. Fatkeqësisht, prej shumë kohe, për shkak të ndarjes historike dhe gjeografike, populli tajvanez di mjaft pak për shqiptarët, si dhe për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën. Vendosi ta zë lirinë, do të mundohem për të zbatuar komunikimin e poezisë midis Shqipërisë dhe Tajvanit për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe miqësinë në bazë të njeriut për njeriun“.

A. Arsllani

Tetovë, 21 shtator 2016