Përfundoi Edicioni Jubilar i FNP “Ditët e Naimit”

image001

POEZIA DHE NAIMI, BASHKUAN TETOVËN DHE PRISHTINËN

Për të njëzetën herë me radhë, poetët nga mbarë bota, si dhe poetë shqiptarë nderuan gjuhën shqipe, Naimin, shqiptarët… Edicioni i XX i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili u mbajt prej 20-24 tetor 2016, ishte një festë, një ngjarje e madhe kulturore. Ky projektshenjues kulturor me karakter ndërkombëtar programin e tij e zhvilloi në kryeqendat e shqiptarëve: në Tetovë dhe në Prishtinë/Prizren. Ate e karakterizoi një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. U mbajtën tri lexime letrare, u zhvillua një konferencë shkencore, u hap një ekspozitë fotografish të Festivalit dhe të Naim Frashërit, si dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës, Prishtinës dhe të Prizrenit.

image001

Në këtë Edicion jubilar morrën pjesë afro 30 poetë me një shtrirje të gjerë gjeografike, si: Kuei-shien Lee (Taivan), Nicole Barriere (Francë), Ricardo Rubio (Argjentinë), Carla Cristopher (SHBA), Gabriela Elisha (Izrael), Dalila Hiaoui (Marok), Alicia Minjarez (Meksikë), Laus Strandby Nielsen (Belgjikë) Giuseppe Napolitano (Itali), Anton Baev (Bullgari), Sadik Bejko (Shqipëri), Kamran Mir Hazar(Hazaristan/Norvegji), Alla Polosina (Rusi), Chen Hsiu Chen (Taivan), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Laure Cambau (Francë) Olivera Docevska dhe Dragana Evtimova (Maqedoni), Ragip Sylaj dhe Ndue Ukaj (Kosovë, Puntorie Muça Ziba (Maqedoni), Ilir Levonja (Shqipëri / SHBA), Riza Braholi dhe Odise Kote (Shqipëri) etj.

Në këtë Edicion jubilar morrën pjesë poetë me një shtrirje të gjerë gjeografike, si: Kuei-shien Lee (Taivan), Nicole Barriere (Francë), Ricardo Rubio (Argjentinë), Carla Cristopher (SHBA), Gabriela Elisha (Izrael), Dalila Hiaoui (Marok), Alicia Minjarez (Meksikë), Laus Strandby Nielsen (Belgjikë) Giuseppe Napolitano (Itali), Anton Baev (Bullgari), Sadik Bejko (Shqipëri), Kamran Mir Hazar(Hazaristan/Norvegji), Alla Polosina (Rusi), Chen Hsiu Chen (Taivan), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Laure Cambau (Francë) Olivera Docevska dhe Dragana Evtimova (Maqedoni), Ragip Sylaj dhe Ndue Ukaj (Kosovë, Puntorie Muça Ziba (Maqedoni), Ilir Levonja (Shqipëri / SHBA), Riza Braholi dhe Odise Kote (Shqipëri).

image002

Kështu, hapja e ceremonisë festive e Edicionit jubilar, të 20-it me rradhë, të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance mahnitëse fishekzjaresh, para Qendrës së Kulturës  “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati taivanez Kuei-shien Lee, dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”, i cili ndodhet në qendër të Tetovës (shtatorja e Naimit është ngritur nga Drejtoria e Festivalit, në 100 vjetorin e vdekjes).

image003

Më pas, në foajenë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita “Pelikani”, me fotografi, botime të shtëpisë botuese të Festivalit, pllakate, programe e ftesa të festivalit, si dhe shkrime të botuara nëpër gazeta dhe revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ate të huaj. Publikut në këtë hapje iu dhurua antologjia e këtij edicioni dhe botime të tjera të Festivalit.

image004

Hapjen e Edicionit jubilar e bëri, drejtori i Festivalit, z. Shaip Emërllahu, i cili tha se, “Letërsia ndër vite ka njohur modele dhe tipe të ndryshme ndërkomunikimi. Në vazhdimësi këto stereotipe dialogimi, të cilat kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, kanë bartur peshën e zhvillimit dhe afirmimit letrar. Një nga ta është edhe modeli i festivaleve, i cili është mjaft i përhapur në botën kulturore. Festivalet ndërkombëtare letrare e kulturore, gjithandej nëpër botë, paraqesin stereotipe të veçanta komunikimesh. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një arenë, ku dialogohet nga afër në nivel subjekti letrar dhe kulturor, në nivel prodhimi letrar, gjuhësor, si dhe të atij etnik.

image005

Kualiteti i qytetërimit, i njerëzimit, mvaret nga performanca e ndërtimit të një bashkëbisedimi, pra ‘nga dialogimi shpirtëror dhe frymor’. ‘Shpirti i një populli pasqyrohet në poezinë e tij, më mirë se, në çdo formë tjetër të artit’ – thotë Alen Boske. Kështu, ky dialogim eksperiencash letrare të etnive përmes këtyre takimeve letrare shpërfaq ngecjet dhe ecuritë përkatëse.

Në fjalët tona të hapjes së edicioneve të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’ (Tetovë), vazhdimisht kemi izoluar dhe afirmuar vlerat e ndërkomunikimeve bashkëkohore letrare e kulturore që kanë reflektuar 19 edicionet e këtij shënjuesi kulturor, i cili çuditërisht flet nga cepi i gjeokulturës sonë. Mbase, kjo është edhe një tregues se, aty ku ndodh ndeshja e diversiteteve, kjo formë komunikimi favorizon shkëputjen nga ‘rrethi vicioz i provincializmit dhe izolimit kulturor,’ rimburson rrjedhjet dhjetravjeçare në këtë drejtim, si dhe paraqet formën e vetëdijes sonë globaliste për të komunikuar, ruajtur dhe afirmuar identitetin kulturor e shoqëror.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ‘Ditët e Naimit’, përveç dialogimit nëpërmjet leximeve letrare, debateve letrare ajo komunikon edhe përmes përkthimit të letërsisë së huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Këto përkthime vijnë nëpërmjet publikimeve të veçanta, si dhe përmes botimit të antologjive të poezisë së poetëve pjesëmarrës. Botimet elektronike janë një tjetër menyrë komunikimi e poezisë së poetëve, ashtu siç janë edhe përurimet e botimeve të ndryshme të edicionit të Festivalit.

Nën dritën e një formatimi të ri global këtyre modeleve të interkomunikimit iu nevojitet një rishikim, pra një kod që do t’iu përgjigjet kërkesave që i dikton kjo epokë unifikuese.

Sa ekziston gadishmëria, cila është vetëdija dhe sa arrijmë ta akceptojmë nevojën e modifikimit të këtyre modeleve ndërkomunikuese, kur sa vjen e dëshmohet edhe përmes këtyre festivaleve letrare se, ‘poezia është një mjet interkomunikues dhe interkulturor që mund të shfrytëzohet racionalisht dhe praktikisht edhe në këto kushte moderne, kur flitet për një frymë globale’..

Më pas, artisti Zeqir Mehmeti i dorëzoi punimet artistike: logon e Festivalit dhe emrin e poetit kombëtar, Naim Frashëri, drejtorit të Festivalit për kontributin e tij 20 vjeçar.

image006

Edicionin e XX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e përshëndeti edhe kryetarja e komunës së Tetovës,  zonj. Teuta Arifi. Ajo, në fjalën e saj, në mes tjerash theksoi se, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” për 20 vjet ka luajtur një rol të madh në afirmimin e kulturës dhe letërsisë shqipe, në afirmimin e qytetit tonë… kështu, që ajo kërkoi nga institucionet që t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe këtij Festivali.

image007

Në hapje të Edicionit, aktori Arsim Kaleci, recitoi poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa një pikë muzikore me violinë  ekzekutoi, violinisti Shkëlzen Pajaziti.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët nga vendet e ndryshme lexuan poezitë e tyre, ndërkaq kryetari i Jurisë, prof. dr.Ymer Çiraku, lexoi motivacionin. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi laureatit çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ që jepet për “Vlera të larta estetike dhe artistike”, si dhe ia akordoi titullin Anëtar Nderi të Festivalit, poetit të famshëm nga Taivani, Kuei – shien Lee.

image008

Me këtët rast, laureati taivanez Lee, pasi falenderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit, theksoi se, Është një nder i madh për mua të nderohem me këtë çmim letrar. Është një nderim edhe më i madh, pasi çmimi bart emrin e poetit kombëtar, Naim Frashëri. Unë, vazhdoi më tej ai, kam vullnetin e madh ta ndaj këtë çmim me popullin e Taivanit. Gjeografikisht, Maqedonia dhe Taivani janë larg njëri-tjetrit, por poezia mund t’i bashkojë.”

image009

Të kujtojme se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray,  (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali) etj .

Në ditën e dytë të Programit, poetët vizituan Xhaminë e Larme dhe Teqen Arabati Baba, ku u në një nga ambientet e saj mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”.

image010

Pasdite pjesëmarrësit u ngjitën në pikën turistike Kodra e Diellit, ku në hotelin “Scardus” u mbajt konferenca shkencore me temë: “Ndërkomunikimet kulture-Ditët e Naimit dhe poeti kombëtar Naim Frashëri”. Në këtë konferencë e cila u drejtua nga prof. dr. Ymer Çiraku, u lexuan mbi 20 studime shkencore nga poetë dhe studjues të huaj dhe shqiptar, që ishin pjesë e këtij edicioni. Kështu, me kumtesat e tyre u paraqitën dr. Kuei-shien Lee, Nicole Barriere, Giuseppe Napolitano, Kamran Mir Hazar, Laure Cambau, Anton Baev, Olivera Docevska, Dragana Evtimova, Dinos Kubatis, Niels Hav, Ymer Çiraku, Ilir Levonja, Remzi Salihu, Xhelal Zejneli, Riza Braholi dhe Shaip Emërllahu.

image011

Në ditën e tretë poetë pjesëmarrës me autobus u nisën për në Prishtinë, ku vizituan disa monumente kultuore dhe historike.

image012

Festivali u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit. Çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetes franceze Nicole Barriere”. 

image013

Çmimi ‘Ditët e Naimit’, që jepet për karrierë letrare iu nda poetes shqiptare, Puntorie Ziba.

image014

  Çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poeti bullgar, Anton Baev.

image015

Çmimin letrar  ‘Qiriu i Naimit’ për poezinë më të mirë iu dha poetit argjentinas, Ricardo Rubio.  

image016

Ndërkaq, çmimin letrar për shprehjen poetike me emrin e poetes “Silke/Liria” e mori poetja maqedone, Dragana Evtimova.

image017

Ditën e katërt të Festivalit, poetët shkuan në qytetin e njohur historik në Prizren, ku vizituan disa monumente kulturore dhe historike, si shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qytetin e vjetër.

image018

Drejtoria e Festivalit edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës, ‘Ti shfaqesh si ishull”, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.

Në 20 vjetorin e Festivalit, Drejtoria ndau disa Mirënjohje. Kështu, për kontributin e tij 20 vjeçar në ngritjen e Festivalit mirënjohje iu dha piktorit, Savash Veliu, për afirmimin e Festivalit, mirënjohje iu nda profesorit Xhelal Zejneli dhe poetit  Ekrem Ajruli. Gjithashtu, një mirënjohje iu nda edhe artistit, Hysen Berisha, si një ndjekës i apasionuar i edicioneve të Festivalit.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Alketa Fazliu. Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me kitarë i shoqëroi Naser Dula. Skenën e ideoi piktori, Savash Veliu.

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Tetovës dhe Komuna e Zhelinës. Sponzorë të këtij edicioni ishin kompanitë “Renova”, “JUSM”, “Arbi”, “Scardus”,”Muratori” “Hit Oil”, “Zgjimi” dhe “Euro Turist”.

A. Arsllani