KAMA SYWOR KAMANDA (KONGO/LUKSEMBURG)

Kama Sywor KAMANDA është shkrimtar, poet, romancier, dramaturg, orator, eseist dhe tregimtar kongolez, që zotëron gjuhën frënge. Ai është gjithashtu intelektual i përkushtuar që kontribuon në evolucionin e ideve dhe historinë e Afrikës. Është lindur në Luebo, në provincën Kasaï Occidental në Kongo-Kinshasaon, më 11 nëntor 1952. Botimi i tij i parë, “Les Contes des veillées africaines” (Tregime të vigjiljeve afrikane,) ishte një sukses i menjëhershëm. Që në fillim të karrierës, vepra e tij letrare ka spikatur për origjinalitetin, stilin unik dhe tematikë e saj. Siç shkruan “Babelio” në biografinë e tij për autorin: Kamanda ia detyron një pjesë të madhe të famës së tij botërore si shkrimtar “Përrallave të Kamandës”, siç duhet të quhen për fuqinë e tyre evokuese dhe cilësinë letrare, të cilat e renditin këtë shkrimtar afrikan, midis autorëve më të mëdhenj klasikë si: Andersen, Grimm, Perrault dhe Maupassant.

Përmes tregimit të tij, Kamanda ka qenë në gjendje të kombinojë kujtimet personale, traditën dhe imagjinatën. Nuk është një përmbledhje tregimesh, por një vepër letrare më vete, e ushqyer nga tema popullore me bazë legjendat vendase. Dramaturg, tregimtar, poet dhe romancier, Kamanda ka krijuar një vepër letrare të madhe dhe të njohur në mbarë botën. Që nga botimi i librit të tij të parë, në vitin 1967, ai ka shkruar një duzinë librash me një mijë poezi, 12 drama, dy ese dhe disa koleksione, që sjellin histori të pafund.
Në veprën e tij letrare përfshihen edhe disa romane. Kamanda i ka dhënë jetë të re poezisë bashkëkohore dhe ka rikthyer madhështinë e saj, falë gjuhës së pasur dhe zotërimit të metaforave. Kritikët dhe disa nga poetët më të mëdhenj të kohës së tij, duke përfshirë Mario Luzin dhe Léopold Sédar Senghor, kanë theksuar fuqinë e vargjeve dhe pasurinë e imazheve të tij.
Sipas Bulletin Critique du Livre Français thirrja poetike e Kamandës na prek dhe na pushton të gjithëve, sepse është vërtet poetike. Vuajtjet e jetëve të shpërngulura dhe dualizmave, kërkimi i dashurisë dhe shpresë. Poezia elegjike, ku padia e merr fjalën, si një burim riprodhues, për të folur për tokën e thatë, indiferencën e tjetrit, qorrsokakun etj. Por klithmat më zemërthyese, pikërisht përmes kësaj tradite afrikane, marrin ngjyra plot shkëlqim të fëmijërisë, të së kaluarës që poeti i dëbuar, i gjen brenda vetes. Jasemini, shkurrja, këta “fëmijë të ëmbël si errësira e Eboni-së”, shpërthejnë me një shije për të cilën ne nuk ishim në gjendje të bëheshim kujdestarë, apo të dashuruar.
Lufta e poetit është shumë thelbësore, zgjedhja e fjalëve të tij aq e dukshme, saqë e renditin atë ndër këngëtarët më të mëdhenj të mjerimit dhe dhembshurisë. I dhunshëm si Hygo, i aftë të përdorë lutjet si Peguy, po aq lirik sa Eluard, puna e tij merr të gjitha format e zhurmës universale, e cila, nga fillimi deri në fund, i flet vazhdimisht veshit të vëmendshëm. Kamanda ka marrë shumë çmime, duke përfshirë këtu Çmimin Heredia të Akademisë Franceze, për botimin e plotë të veprave të tij poetike në vitin 2009.

 

RITUAL I SHENJTË

Do ta marr me vete shpirtin tënd

Përmes erës me dhuratën e ëndrrave

Dhe unë do të drejtoj hapat e tua midis shpresës dhe fjalëve.

Fjalët e mia do të shoqërojnë

Gjëmimin që oshtin brenda teje.

E ti do të pushosh mbi supet e mia.

Dashuria, si një zjarr fillestar

U jep krahë pasioneve tona dhe vizioneve utopike.

Unë do të mishëroj çdo dëshirën tënde të çmendur, deri në ekstazë,

Do ta ndjek progresin e përqafimeve të tua

Përmes jehonave të himneve

Dhe shenjave të lumturisë.

Sytë e tu, dy yje në thellësinë e natës,

Do të më udhëheqin përmes hijeve

Drejt së vërtetës së zemrave të dashura.

Unë dua që pasionet e tua të më përqafojnë,

Të më shtrëngojnë dhe magjepsin,

Përtej së pamundurës,

Përtej së zakonshmes.

 

MREKULLIA E DASHURISË

Do të jem atje me ty ditë e natë,

Përmes sprovave dhe vuajtjeve të fatit

Që të të shoqëroj gjithë jetën.

Do të jem me ty në të njëjtën mbretëri ëndrrash

Për ta ushqyer zemrën tënde

Me të gjitha virtytet jetike të zemrës sime.

Do të jem atje që të të dashuroj në pafundësi

Dhe gjaku im do të rrjedhë pa zhurmë dhe forcë,

Si një pranverë e pashtershme,

Në ethet e tua më intime,

Në dëshirat dhe dehjet e tua të dashurisë.

 

DASHURIA VJEN DUKE TROKITUR

O zemër e butë! O shpirt bujar!

Dashuria për ty më jep krahë

Që të fluturoj në vendin e mrekullive!

Ëndrrat e mia janë po aq të panumërta

Sa dhe yjet në qiellin e natës.

Do të doja të flisja fjalë dashurie

Që ta ndriçoj zemrën tënde si rrezet e diellit.

Do t’i ujit lulet që lulëzojnë brenda teje

Dhe qetësojnë vuajtjet e mia,

Unë do të kënaqem, duke përçuar esencat e ekzistencës

Në kohë dhe pastaj në zemrën tënde,

Do t’ia bashkëngjis qetësinë buzëqeshjes

Dhe kënaqësinë e ngushëllimit.

 

VIRTYTET E DASHURISË

Shpesh ekstaza e trupit

Përzihet me heshtjen e meditimit,

Kur fluturat e brishta lëvizin gjatë natës,

Vallëzon mes yjeve të qiellit,

Ngarkuar me aromat e të dashuruarve,

Përfshirë ndër ëndrra të ethshme.

Dhe kështu burrat kthehen në atdheun e tyre të origjinës,

Gjaku i derdhur që t’i krijojmë legjendat

Dhe lindim utopitë tona heroike.

Pra, kush mbeti ta dëshmojë mashtrimin e Perëndive?

As përçmimi për fabulat tona të dashurisë,

As energjia e hajmalive tona në trupin e stinëve,

Nuk mund t’i stampojë fjalët në majën e hijes,

Dhe ajo që është thënë në anën tjetër të ideve,

Pasqyron fundin e kohës.

Pra, ne duhet të mposhtim shkrirjen kalimtare

Të identiteteve të komprometuara.

 

ZEMËR E MBETUR PENG

Kam një flakë të ndezur dashurie

Në heshtjen e pakuptueshme të shpirtit tim.

Një pasion i turbullt ka shkaktuar trazira

Në gjithë qenien time.

Sa do të doja të shihja një diell rrezatues të lindë

Në thellësinë e zemrës tënde

Që t’i ndriçojë hijet e jetës sime.

Lotët e mi mbytën murmuritjet e tua

Por emocionet ndikuan tek unë,

Dyshimet e agimit frenuan

Mbretërimin e besimit mes nesh në muzg.

Por, nga ana tjetër e fjalëve

Erërat e malit u ngritën.

Një pranverë e re në vazhdën e hapit tënd

Dhe xixëllonjat e mrekulluara

Fluturojnë që ta joshin flladin,

Njëlloj si ndjenjat, njëlloj si simbolet.

 

AFRIKA

Afrikë! O Afrikë!

Ja që u çrrënjose nga vetëvetja

Fëmijët tu shpronsuar indentiteti

Fshehen në pluhurin përbindësh jete!

Përqafimi mëngjesor do kujdeset vallë

Për përtëritjen e gjakut tënd ?

Suimangat këndojnë

Përzier në gjethnajë

Që dielli përflakshëm

Ledhaton me llaburitje

Për të gjetur burimin

Si ne, fjalën e origjinës!

Retë lodruese

Si shpirtërat tanë me dashuri

Në qiell vijëzojnë

Rënduar mbi savanën pafund,

Format e gjalla t’shqetësimeve tona.

Larg horizonti padurim i heshtjeve tona

Prehet dhe deti me pafundësi

Në styë e mi ngashnjyes

Mirëpo në brigjet e rrëpirëta, të sheshtë,

Qëndisur me laguna

Dhe penguar me jehona

Përthyen shpresat e mia.

E mbi valët e argjendta

Shoh fatin time t’venitet

Ënderrat e mia si albatros,

Që shoqërojnë oqeanet hapur.

Peshkatarë të gëzuar që lundrojnë

Me ritëm valësh e me këngë,

Ikën vrik në kujtesë ere,

E rëra ma përmbyti shpirtin

Dhe më bëri shkretëtirë

 

O EGJIPT, TOKA IME E ORIGJINËS!

Syrgjynosja në shpirt më sjell zjarr vullkanesh!

Po ec mes hijeve plot histori

Mbi tokën e zezë t’origjinës time.

Nën piramidë, kam gjetur të kaluarën.

Nëpër kujtesën e rërës shëtitur kam

Dhe lemerinë e tajfunit kam mposhtur ndë kohë.

O Amon! Enigmën e kam fjalë,

E misterin të vërtet pa flakë

O Stërgjyshër! Shtjellat e valëve

Lidhin burimet e mia me transin e amshuar.

Tani, qytetin po e marr si jastëk

Dhe njeriun e emëroj jehonë këngësh t’moçme

Që më lidh me rrënjët e Kozmosit të Zotit.

 

NATË E ZBEHTË

Kongon e pllakosi zezona

Rrugët janë të zymta

Plot ushtarë të pamëshirshëm e të padënuar

Që përdhunojnë, vrasin

E i kërkojnë shpërblesë popullit të frikësuar.

Poetët, gratë e kalamajtë të terrorizuar

Sillen të hutuar të dëshpëruar krejt përulje

Ku trupat e rrahur e të vrarë shkapërdreshur rrinë mbi dhe.

Çdo mbrëmje nis një natë helm e frikë.

Terrori mizor gjëmon e përhapet gjithandej

Në vendin e lënë shkretë hijeve.

Kongoja u vesh si ndonjë shkencëtarë i çoroditur

Me çekan korrupcioni dhe shtypjeje.

Sadikët dhe gjakpirësit

Torturojnë partizanët e LIRISË.

Mjerim, dhunë e vuajtje

Përzihen me shtrëngatat

E qiellit plot re në shpirtrat e hutur.

Bota u përgjak!

Tani në zemrën time

Njerëzimi u mëshon tam-tameve të rrezistencës

Dhe këndon melodrama!

 

STËRGJYSHËRIT

Një lutje shenjtërore ma pushton mendimin

Ndërsa shetësimi gjakun ma trazon

Dhe përvijon n’ëndërr një kumt perëndish.

Ku i kam stërgjyshërit, Faraonët?

O popull Bantu! E fortë është kujtesa

E fjalët e kanë bjerrë trupin e miteve tua.

Rëra e shkretëtirës t’i fshinë gjurmët nga e kaluara.

Poeti jep e merr në këto legjenda

Kur enigma rraskapitet së bredhuri.

Piramidat tona fortë jehuan në erë!

Mjeshtrit magjikë ia heqin heshtjes

Frymën e fjalës së fshehur

Ndër rërishtë shkretëtire.

O yje që vite qytetrimesh ju shndërisin,

Endrrat tona janë rrënoja,

E kujtimet rruzuj të thellë!

O këngë që shpërthen nga fundi skëterrës!

O klithmë e çrrënjosurish në hiçe pa kthim!

Provë digash në shtrëngatë

Gjaku i të rënëve tonë mbulon lapidorë

Që gjëmojnë si bjeshkë.

 

OBELISKË

(Sheikut Anta Diop)

 

Fytyrat tona nën rrudhat mijëvjeçare

Imitonë hiret e pavdekshme të Perëndive.

Fëmijët tanë e mbajnë mend vallë, Egjiptin e zi?

Obeliskët e shenjtë të qytetit të Diellit

Dhe stelat e Nybisë? O tokë Egjipti!

Tokë bantu ku Perëndia Amon

E bëri hapin e vetëm n’dheun njerëzor!

Sa një det rëra, sa një qiell,

Retë e të cilit janë ogur i keq

Kaplon mbi qytetet tona, fatet tona

Me detyrë të na i falsifiojnë gjurmët,

Piramidat, tempujt dhe kujtesën.

Dija jonë i ka ndriçuar grekët,

Romakët dhe arabët.

Obeliskët tanë ndrisin.

Perëndimin dhe lindjen: Romë e Vatikan,

Stamboll e Londër, Paris e Uashington

O natë frike, o natë harrese!

Ç’hajmali u metet fëmijëve tanë

Për t’i larguar forcat ndjellakeqe

Kush i sjell erërat makth

Lugetër të pamshirshëm drejt n’Afrikë?