NË TETOVË DHE PRIZREN U MBAJT EDICIONI I XXVI I FNP “DITËT E NAIMIT”

Prej 20–23 tetor 2022, në Tetovë dhe në Prizren u mbajt Edicioni i 26-të Jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore.

Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kristoffer Leandoer (Suedi), Remedeos Alverez Diaz (SPAIN), Waqas Khawaja (Pakistan/SHBA), Dalila Hiaoui (Marok/Itali), Anton Gojcaj (Mali i Zi), Lali Michaeli (Izrael), Lucila Trapazo (Zvicër), Daniela Andonovska Trajkovska (Maqedoni e Veriut), Aleksy Wrobel (Poloni/BM), Shqiptar Oseku (Kosovë), Entela Tabaku (Shqipëri), Dimitris P. Kraniotis (Greqi), Mara Venuto (Itali), Remzi Salihu (Maqedoni e Veriut), Sema Gyler (Turqi), Ndue Ukaj (Kosovë), Malak Mustafa (Siri/Spanjë), Sofija Mileva (Bullgari). Ekrem Ajruli (Maqedoni e Veriut), Arjan Kallço (Shqipëri) etj.

Hapja festive e Edicionit të 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati suedez, Kristoffer Leandoe,r vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minute heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.

Edicionin e 26-të të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, “Ky vit pas atij të pandemisë, na shfaqet mjaft i errët për njerëzimin. Kemi një përmbysje të sistemit dhe kodit të jetuarit. Është rritur paqartësia e të tashmes dhe e së ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Gjithnjë e më të ashpra shfaqen kërcënimet në verilindje të kontinentit tone, që kanë tendencë të ndezin konfliktin e kaosit apokaliptik.

Një fotografi e tillë është mjaft frikësuese dhe shqetësuese. Ajo ka nevojë për vepra kundërshtuese nga të githë shtresat. Pra, edhe prej neve të races së letrave. Në të kundërt, dërgjegjja e gjithkujt, por edhe e jona do të ngarkohet me përgjegjësi. Të dashur poetë, Ju sot ndodheni në Tetovën e Poezisë, ku FNP “Ditët e Naimit” si një operator letrar dhe kulturor, për një çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën, poetin tone kombëtar, Naim Frashëri, ka afirmuar qytetin dhe shtetin tone, por edhe gjuhën, letërsinë dhe vendin e tjetrit. Kjo ka bërë që duket më mire dhe të kuptohet diversiteti, si një vlerë, një vlerë, që na garanton të ardhme të ëndrruar. Ditët e Naimit është një shenjues i urave që janë ngritur dhe që do të ngriten në vazhdimësi…

Pra, komunikimet e ngritura mes poetëve, mes letërsive, por edhe ato të poetëve me artdashësit vendës në festën e poezisë kanë kthyer Tetovën në emblemën e një ure gjithnjë e më domethënëse.

Të qenurit arkitekt i këtyre urave të bën të ndjehesh i plotësuar.

Ju falenderoj të gjithë ju që bëtë hapsirë për këtë rrugëtim…

Aty, në atë skenë të bukur, të mbushur me public artdashës, laureatit Kristoffer Leandoer, iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri”, dhe iu akordua titulli i lartë Anëtar Nderi, nga ana e drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Laureati me këtë rast falenderoj për ketë nder që iu bë poezisë, veprës së tij duke thënë se, ndjehet i nderuar dhe i vlerësuar, si dhe falenderoi Drejtorinë e Festivalit. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli.

Në ditën e dytë të Programit, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” u mbajtë ora letrare “Poetë dhe vargje” ku poetët pjesëmarrës dhe shqiptarë (në mesin e tyre edhe dy poetet e reja, Valdeta Dulahi dhe Saranda Osmani) lexuan poezitë e tyre. Në këtë mbrëmje u nda edhe çmimi letrar “Silke/Liria Blumbach. Ky çmim, sipas Jurisë i takoi poetes zvicerane, Lucilla Trapazzo.

Në ditën e tretë të Festivalit, sipas Programit, poetët shkuan në Prizren, ku vizituan monumentet historike dhe kulturore, (në mesin e të cilëve edhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit). Në mbrëmje, në sallën e bukur të librarisë, “Altera”, u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, e cila u zhvillua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj. Kryetari i Prizrenit, në fjalën e hapjes, pasi i përshëndeti dhe iu uroi mirëseardhje poetëve në qytetin e Prizrenit, në mes tjerash nënvizoi se, ishte kënaqësi dhe privilegj, që ta mbështesë këtë Festival të rëndësishëm Ndërkombëtar të Poezisë për shkak të peshës specifike dhe rolit të madh që ka ky Festival, në afirmimit e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Më pas poetët pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe poetë shqiptarë, lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit amerikan, Whaqas Khwaja (çmimin ia dorëzoi kryetari i Komunës së Prizrenit), çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit polak Aleksy Wrobel (çmimin e dorëzoi drejtori i Festivait), çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetit nga Mali i Zi, Anton Gojçajn (çmimin e dorëzoi Laureati i këtij Edicioni) dhe çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja shqiptare, Entela Tabaku (çmimin e dorëzoi anëtari i Jurisë).

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan violinistja, Hana Abdullahu dhe virtuozët e muzikës klasike nga Prizreni. Ndëkaq, leximin e poezive në shqipe të poetëve pjesëmarrës i përcolli me kitarë, profesori Naser Dula.

Drejtoria e Festivalit, si çdo herë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Mali e ka strehën në qiell”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu.

I ftuar nderi në këtë hapje të këtij ediciomi ishte edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Mbrëmjet Strugane”, z. Todorçe Tasevski.

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prizrenit, ndërsa e sponzorizuan libraria “Altera”, restorantet “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

Tetovë, 24 tetor 2022