POETI SUEDEZ KRISTOFFER LEANDOER – FITUES i ÇMIMIT LETRAR “NAIM FRASHËRI”

Poeti suedez Kristoffer Leandoer është fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit të 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili jepet “Për vlera të larta estetike dhe artistike”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), Mr. Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli (anëtarë). Drejtoria e Festivalit, ia ka akorduar Laureatit të sivjetëm edhe titullin Anëtar Nderi të Festivalit, “për ndihmesën e tij të veçantë në letërsi” .

Më herët, me çmimin letrar “Naim Frashëri” janë lauruar emra të njohur të letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), Visar Zhiti (Shqipëri), George Wallace (SHBA), Fiona Sampson (Britani e Madhe) etj.

Në arsyetimin e Jurisë së Festivalit, për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”, thuhet se, “Kristoffer Leandoer është një figurë e njohur e botës letrare e kulturore në Suedi. Ai ka një aktivitet dhe krijimtari të begatë në disa fusha. Qysh me librin e tij të parë me poezi “Këmbanat e zhytësit” (1987), tërhoqi vëmendjen e lexuesit për ligjërimin e pasur poetik, të gërshetuar me një stil realist, të endur me trajta të përditshmërisë. Viteve të mëpasme, krijimtaria e tij, u ndoq nga nëntë përmbledhje të tjera poetike. Ndërkohë, K. Leandoer është dhe një përkthyes i suksesshëm në gjuhën suedeze, i disa prej veprave të autorëve të shquar, sidomos prej atyre nga letërsia franceze dhe ajo angleze si: Simone de Beauvoir, Michel Houellebecq etj. Ai është po ashtu, një eseist letrar, me shkrime të botuara kohë pas kohe në shtypin periodik vendas. Për vlerat e krijimeve të tij, është nominuar dy herë për Çmimin suedez “August”.

Po ashtu, ai është i njohur për kontributin e tij prej disa vitesh si kritik letrar, në gazetën suedeze të mëngjesit “Svenska Dagbladet”, duke përcjellë në rubrikat e saj, opininione mbi botimet e ndryshme nga letërsia.

Në karrierën e tij të gjatë letrare dhe intelektuale, shënohet edhe statusi si ish anëtar i Komitetit të Çmimit Nobel.

Aktualisht, K. Leandoer jeton në Shqipëri, në Tiranë, pasi bashkëshortja e tij është ambasadore e Mbretërisë së Suedisë në këtë vend.

Kohëve të fundit, përmbledhja me poezi, e titulluar “Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit”, i është përkthyer në shqip nga Entela Tabaku dhe i është botuar në Tiranë.

Ngjitja e malit, është një metaforë domethënëse e travajeve të njeriut për t`u tërhequr përherë drejt të arriturave, drejt progresit. Kjo metaforë, mbartet qëllimshëm si një mision substancial humanist dhe që haset dendur në vargjet e poetit. Sipas ligjësive universale të natyrës, çdo natë, dielli ulet e bie nën tokë, por është heroi lirik i kësaj poezie, ai që e nxjerr sërish atë s`andejmi dhe e merr me vete përpjetë malit. Këtu, kemi të kristalizuar një larghedhje mjaft të gjetur poetike, në përmasat e përfytyrimit mitologjik – për të dëshmuar fuqinë e epërme të vullneteve të njeriut, për të sfiduar e larguar errësirën dhe për t`i hapur udhën veç dritës e përparimit.

Malet janë simbol i lartësive, duke qënë pikërisht ata, që realizojnë lidhjen e ngushtë të tokës me qiellin. Kjo është një fashë metaforike, që në fakt, e ndeshim të endet në trajtë ciklike, në shumë prej këtyre poezive. Kjo rimarrje e motivit të malit, që e ka strehën e vet në qiell, nuk krijon monotoni, por fiton vlerat e një lloj refreni artistik, që thekson dhe ndërlidh sëbrendshmi – motivet e ndryshme të trajtuara. Kësisoj, poezia arrin që të realizohet dhe përcillet brenda një stili specifik, origjinal, çka përbën dhe një vlerë të spikatur të saj.

Për tërë kontributin si personalitet i njohur letrar në fushën e përkthimeve nga letërsia botërore, në atë të kritikës dhe eseistikës letrare, si dhe të lëvrimit prej shumë vitesh të poezisë, ku ai është autor i disa përmbledhjeve poetike, është gjykuar nga Juria e Festivali, që Kristoffer Leandoer të fitojë për vitin 2022, çmimin e madh letrar “Naim Frashëri” të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.

Laureati i këti edicioni, poeti suedez, Kristofer Leandoer me rastin e shpalljes fitues të çmimit të madh letrar “Naim Frashëri” përmes një letre është shprehur, “Faleminderit për këtë lajm të mrekullueshëm dhe të papritur. Jam i tronditur dhe ndihem shumë krenar që kam marrë këtë vlerësim! Tani pres me kënaqësi edhe më të madhe të vij në Festivalin tuaj në Tetovë!”

FNP “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20 – 23 tetor 2022, në qytetin e Tetovës dhe ate të Prizrenit.

D. Hadri

Tetovë, 14 tetor 2022