TË ENJTEN FILLON EDICIONI XXVI I FNP “DITËT E NAIMIT”

Konferencë shtypi e Drejtorisë së FNP “Ditët e Naimit”

Prej 20-23 tetor 2022, në Tetovë do të mbahet Edicioni i 26-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Atë do ta karakterizoj një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. Në te do të mbahen disa lexime letrare, do të ndahet çmime të ndryshme letrare, si dhe do të bëhen vizita në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës dhe Prizrenit. Kjo u bë e ditur sot, në një Konferencë shtypi të mbajtur në Tetovë, nga drejtori dhe anëtarët tjerë të FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, Bujar Plloshtani dhe Xhelal Zejneli.

Në Edicionin e 26-të të FNP “Ditët e Naimit” marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: (Reme Alverez Diaz (SPAIN), Waqas Khwaja (PAKISTAN/USA), Dalila Hiaoui (MOROCCO/ITALY), Anton Gojcaj (MONTENEGRO), Lali Michaeli (ISRAEL), Kristoffer Leandoer (SWEDEN), Malak Mustafa (SYRIA/SPAIN) ), Borce Panov (NORTH MACEDONIA), Lucila Trapazo (SWITZERLAND), Aleksy Wrobel (POLAND/UK), (NORTH MACEDONIA), Dimitris P. Kraniotis (GREECE), Remzi Salihu (NORTH MACEDONIA), Sema Gyler (TURKEY), Ndue Ukaj (KOSOVO), Daniela Andonovska Trajkovska (NORTH MACEDONIA), Mara Venuto (ITALY), Arjan Kallço (ALBANIA), Nurie Emrulai (NORTH MACEDONIA), Sofija Mileva (BULGARIA), Ekrem Aruli (NORTH MACEDONIA), Jasmina Salija (SLOVAKIA)

Kështu, hapja e ceremonisë së Edicionit të XXVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të bëhet të enjten në orën 19.30, përmes një performance fishekzjaresh para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati suedez Kristoffer Leandoer dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqete lulesh para shtatores së poetit te madh “Naim Frashëri”. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje do t’iu dhurohet Antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të Festivalit.

Më pas në Sallën e Madhe do të bëhet hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 26-të FNP “Ditët e Naimit”, ku hapjen do ta bëj drejtori i Festivalit z. Shaip Emërllahu.

Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano, gitare dhe në flautë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” dhe do t’i jepet titulli Anëtar Nderi, laureatit suedez Kristoffer Leandoer, te cilin juria e Festivalit e perbere nga prof. dr. Ymer Çiraku (Shqiperi), Mr. Ndue Ukaj (Kosove) dhe prof. Xhelal Zejneli (Maqedonia e Veriut), ja ndane kohë më parë. Çmimin e madh letrar “Naim Frashëri” dhe titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare dhe Fatos Arapi (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan), Beat Brehbuhl (Zvicër), Visar Zhiti (Shqipëri), Xhorxh Uallas (SHBA), Fiona Sampson (Angli) etj .

Në ditën e dytë të Programit, poetët do ti vizitojnë monumetet kulturore dhe historike në qytetin e Tetovës kurse në orën 18.00 në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” do të mbahet ora letrare “Poetë dhe vargje” dhe do të ndahet çmimi letrar Silke/Lirie Blumbach.

Në ditën e tretë poetët do të shkojnë në Prizren, ku përveç vizitave që do tiu bëjnë monumenteve kulturore dhe historike të Prizrenit ata do te mbajne edhe orën letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre do ti lexojnë poetët pjesëmarrës.

Aty do të ndahet edhe katër çmimet letrare, Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi” dhe “Qiriu i Naimit”

Nderkaq, ne mbremje do te mbahet ora e madhe letrare “Meridianet poetike”, ku do te lexojne poezite e tyre poete te shumte te huaj dhe shqiptare, si dhe do të ndahen katër çmimet tjera letrare të Festivalit.

Ne fund do te behet mbyllja e Edicionit te 26 te FNP “Ditet e Naimit”.

Festivali këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, Komuna e Prizrenit si dhe sponzorët restorant “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

Tetovë, 18. X. 2022