lajme

 
lajmi
rizaMë 23 shtator, ditën e parë të hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Librit dhe të Bibliotekave në Gëteborg shkrimtari Rizah Sheqiri prezentoi librin e tij më të ri dy gjuhësh shqip e suedisht ”Zemër krejt dashuri”- ”Ett hjärta fullt av kärlek” kushtuar nënës së madhe shqiptare Nënë Terezës. Ai foli për krijimtarinë e tij letrare me theks të veçantë për librin e tij të fundit dhe mesazhin e dashurisë gjithënjerëzore që sjellë ky libër. Rizah Sheqiri prezentimin e tij e ilustroi edhe me disa poezi, e midis tyre recitoi edhe një nga poezitë e tij në gjuhën shqipe. Prezentimi i librit të tij u bë në Nya scenen (skenën e re) të Panairit nën organizimit e Författarcentrum (Qendrës së Shkrimtarëve) të Suedisë. Nën këtë aranzhim, po në të njëjtën skenë, krijimtarinë e tyre e prezentuan mëse 20 shkrimtarë nga më të njohurit e Suedisë që krijojnë kryesisht letërsi për fëmijë e të rinj. Ndërsa, në historinë e këtij panairi është hera e parë që prezentohet edhe një shkrimtar shqiptar në mesin e programeve të shumta zyrtare të këtij panairi të njohur të librit që për më tepër sivjet ishte jubilar - i njëzeti me radhë. Përveç kësaj në Panairin e sivjem u ekspozua dhe u tregtua edhe libri shqip. Nga Shqipëria, si rëndom, me botimet e veta mori pjesë Shtëpia Botuese ”Toena” në bashkëpunim me Bok Export Import ”Daja”. Gjatë këtij panairi që zgjati deri më 28 shtator, në fokus ishte letërsia angleze, por si rëndom u mbajtën edhe shumë aktivitete të rëndësishme, paraqitje librash e shkrimtarësh, seminare, ligjërata, takime, etj.