lajme

 
lajmi
0941Për pesë ditë të mbajtjes së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit 2003", Tetova ishte një qytet peligrinazhi të poetëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Kishin ardhur mbi 40 poetë nga Italia, Zvicra, Tunizia, Gjermania, Martinike (Karaibet), Bullgaria, Kroacia, Greqia, Estonia, Gjeorgjia, Serbia, Mali i Zi, Paraguaj, Shqipëria, Libani, Rumania, Kosova, Suedia, Polonia etj. Për here të pare në te merrnin pjesë edhe dy poetë arbëreshë të Italisë. Brenda këtyre ditëve sa zgjati festivali u zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore, letrare, artistike, muzikore…, si dhe u organizuan vizita objekteve kulturore në qytetin e Tetovës dhe atyre në Tiranë dhe në Krujë (Shqipëri). Para hapjes së festivalit në breshërinë e fishekzjarreve dhe tingujve e valleve të Ansamblit "Iliria" të Korçës, para Pallatit të Kulturës u bë inaugurimi i shtatores së poetit kombëtar Naim Frashëri, e cila qe ngritur në 100 vjetorin e lindjes së tij nga ana e Drejtorisë së Festivalit, ndërkaq, në foajenë e Pallatit të Kulturës u hap ekspozita e piktorëve shqiptarë dhe të huaj. Hapjen e festivalit e bëri drejtori i MLN "Ditët e Naimit" Shaip Emërllahu, ndërsa fjalë përshëndetëse lexuan zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi dhe prefekti i Tetovës, Murtezan Ismaili. Referatin për jetën dhe vdekjen e Naim Frashërit e mbajti Akadmeik Jorgo Bulo. Pjesë nga poezia e Naim Frashërit dhe poetëve të tjerë të traditës dhe atyre bashkëkohorë recitoi aktori Dhimitër Orgocka. Artistë korçarë ekzekutuan pika muzikore në flautë dhe luajtën valle të ndryshme shqiptare. Në këtë edicion u promovua vëllimi voluminoz "Poezia" e poetit Murat Isaku, ndërsa për vlerat letrare e artistike foli kritiku Ahmet Selmani. Fitues i çmimit të madh letrar "Naim Frashëri" u shpall poeti Murat Isaku. Çmimi "Menada" iu dha poetit kroat, Drazhen Katunariq, çmimin "Oeneumi" e mori poeti zviceran Gilberto Isella, ndërsa çmimin letrar "Qiriu i Naimit", iu dha poetes arbëreshe Kate Xukaro. Drejtoria sivjet shpall edhe dy Anëtarë Nderi: poetët Din Mehmeti dhe Abdylazis Islami. Edhe këtë vit, Drejtoria nxori antologjinë voluminoze në gjuhën shqipe të poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni. Ky festival për here të dytë gjatë historisë së saj u transmetua drejtëpërsëdrejti në televizionin shtetëror të Shkupit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" tani më kanë bërë një traditë të karakterit ndërkombëtar. "Ditët e Naimit 2003" tregoi edhe njëherë përmes pjesëmarrjes masive, vlerësimin që din t'i bëjë publiku shqiptar fjalës së shkruar artistike, poetëve të shumtë të huaj dhe atyre shqiptar, artit pamor, atij muzikor… Ai dëshmoi edhe njëherë vendosmërinë e organizatorëve për t'i dhënë një profil serioziteti këtij festivali të vetëm ndërkombëtar ndër shqiptarë që tashmë ka ngritur relacione të shumta bashkëpunimi me festivale ndërkombëtare të poezisë.