lajme

 
lajmi
Prishtinë, 22 shkurt - Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova priti sot drejtuesin e shtëpisë botuese "Arbi", Skënder Blakaj dhe studiuesin Dr.Musa Ahmeti. Me këtë rast ata ia dorëzuan Presidentit Rugova ekzemplarin e parë të ribotimit në nëntë vëllime të veprës "Illyricum Sacrum" që sapo doli nga shtypi nga kjo shtëpi botuese. Presidenti Rugova e çmoi si një moment me rëndësi botimin e kësaj vepre të madhe për historinë e kulturën e Kosovës dhe të shqiptarëve. Me këtë botim, tha Presidenti, ky libër po kthehet në vendin e vet, në Ilirinë qendrore, duke shtuar se studiuesit do të kenë mundësi ta kenë në dorë këtë vepër të madhe, si dhe brezat e rinj të studiuesve. Ai përgëzoi botuesin për punën e vyeshme që ka bërë, duke thënë se ky është një kujdes i vogël i shtetit për botimin e veprave kapitale për gjuhën dhe kulturën tonë. Zoti Blakaj e falenderoi Presidentin për kujdesin e treguar dhe për mbështetjen që kjo vepër kapitale të shohë dritën për historikun e Ilirisë. Ai uroi që kjo vepër tash e tutje ta kryejë misionin e vet në duart e historianëve. Kjo vepër, tha ai, është pak e njohur nga studiuesit tanë, duke bërë të ditur se kjo shtëpi botuese ka edhe projekte të tjera që pritet ta shohin dritën. Studiuesi Dr. Musa Ahmeti tha se, në emër të intelektualëve, historianëve dhe studiuesve, e falenderon Presidentin Rugova për kujdesin e treguar për albanologjinë, kulturën, traditën dhe veçanërisht për historinë kombëtare shqiptare, duke thënë se vepra "Ilyricum Sacrum" mund të quhet edhe një enciklpedi ilirike që mund t'u shërbejë historianëve shqiptarë dhe të huaj.