lajme

 
lajmi
Shaban Sinani: Bomba e denoncimeve është çaktivizuar. Nuk është sjellë një armë tjetër, por një instrument kulture për t’u ndarë nga e kaluara. Elsa Demo Nuk është bomba e komentuar, sepse nuk është armë e drejtuar ndaj dikujt a shumëkujt. Eshtë një instrument kulture për t’u ndarë nga e kaluara. Libri “Një dosje për Kadarenë” i studiuesit të letërsisë dhe drejtorit aktual të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është shpërndarë dje pasdite në libraritë e kryeqytetit. Intervista e drejtorit Sinani, për botimin në fjalë, është pjesë e një interviste për rënien së pari në gjurmë të të quajturave “arkiva dhe dosje të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë”, pas zhdukjes, dhe së dyti për hapjen e tyre. Në librin “Një dosje për Kadarenë” ndryshe nga ç’pritej dhe pjesërisht nga ç’është lënë të kuptohej deri tani, është një sprovë e letërsisë dokumentare, një këndvështrim profesional i dr.Sinanit që nuk merret me “denoncimet ndaj personit”, por ndaj shkrimtarit Kadare dhe letërsisë së tij. Një denoncim dhe survejim hap pas hapi i bërë që nga fillimet e deri me rënien e regjimit komunist. Në këtë botim ky është gati-gati një survejim dhe një kontroll 35-vjeçar. Sinani thekson edhe një herë se ka bërë një klasifikim të dokumenteve duke respektuar etikën ndaj protagonistëve të asaj kohe që sot vazhdojnë të jenë në proces letrar ose të gjallë dhe se nuk nxit aspak zellin e denoncimeve “thashetheme”, por dëshmon se si regjimi në formë të prerë e të padiskutueshme ka ushtruar dhunë të frikshme psikologjike ndaj letërsisë dhe shkrimtarit Ismail Kadare. Sot pasdite (dje) pritet të hidhet në qarkullim libri aq shumë i komentuar në shtyp, për denoncimet bërë Kadaresë dhe letërsisë së tij. Mund të na shuani kuriozitetin, a do të kemi në duar po atë libër që keni premtuar? Pjesa më e rëndësishme e librit është koleksioni i dokumenteve që përmban afërsisht 40 dokumente. I takojnë një periudhe prej vitit 58-83. Dokumente kundër letërsisë së Kadaresë ka edhe mbas këtij viti, deri në 1990. Janë dokumente që nuk janë publikuar më parë, ose në formën e fragmenteve në shtypin shqiptar. Janë dokumente që bëjnë të ditur mbulimin e fshehtë të Ismail Kadaresë hap pas hapi, ku preken të gjitha stacionet e saj. Libri ka gjithashtu një trajtesë shkencore që nuk ka lidhje drejtpërdrejt me koleksionin e dokumenteve dhe është një sprovë se si mund të shihen ndryshe veprat e Ismail Kadaresë. Pra kemi një mënyrë të të shkruarit fshehtaz të kritikës dhe këtë parashtresë që unë jam përpjekur t’i jap karakter shkencor, për një mënyrë ndryshe të trajtimit të veprës së Ismail Kadaresë. Dhe një shtesë tjetër që lidhet me dokumentet: letërsia si çështje shtetërore, raportet mes letërsisë dhe politikës në periudhën komuniste, liria e shoqërisë dhe liria e letërsisë në veprën e Ismail Kadaresë. Ka një përpjekje për t’i klasifikuar tipologjikisht llojet e dokumenteve të përfshira në libër. Mendoj se është një dritare për të vështruar sa më realisht të kaluarën. Ka qenë një libër i mundimshëm dhe shumë i vështirë, sepse është një libër i lidhur me njerëz që për një kohë të gjatë kanë qenë protagonistë të procesit letrar, dhe sot në mos qofshin protagonistë janë pjesë e procesit letrar. Më është dashur të merrem me një lëndë e cila së paku në pikëpamje etike kishte shumë gjëra të botueshme dhe duke e zbardhur këtë lëndë vetë mbaja një qëndrim etik ndaj të gjithë atyre që përmendeshin në libër. Shpresoj të jem sjellë në mënyrë shumë teknokratike ndaj dokumentit. Pra gjithë ajo lëndë që përmbante libri mund të shërbente edhe si një “bombë”, në kuptimin figurativ, unë jam përpjekur që atë lëndë ta sjell tek lexuesi duke e çaktivizuar, në mënyrë që njerëzit të mësojnë prej së vërtetës, qoftë dhe prej të vërtetave që dhëmbin, sepse çdo e vërtetë e fshehur është një e vërtetë e mistifikuar, është më e keqe se sa një e vërtetë e ditur dhe e dhimbshme. Por njëkohësisht duke u njohur me këtë të vërtetë të mos kemi një armë në dorë, të kemi një instrument kulturor, për t’u hedhur hapa që janë të domosdoshëm për t’u ndarë nga e shkuara. Botimi i këtij libri përkon me rrëzimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve dhe ringjalljen e debateve për ekzistencën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si një institucion me memorje të zhdukur, arkivat e saj. Eshtë ky një inkurajim për të hetuar të kaluarën? Unë mendoj që nëse ia kam arritur qëllimit me këtë libër, kam lënë historinë të flasë me gojën e vet, pa u përpjekur që të ndërhyj për ta interpretuar. Kjo asnjëherë nuk është e sigurtë për një autor që bën një libër, sepse çdo njeri ka veten e tij brenda librit, po të paktën ka qenë qëllim imi që lexuesi të mos merret as me të mirë, po as të mos lëndohet, duke përfshirë dhe lexuesin që është vetë protagonist dhe të ruajë paanësinë ndaj të gjithë faktorëve që janë të pranishëm në jetën kulturore në Shqipëri ku ka shumë ngatërresa dhe shumë dëshirë për ngatërresa. Shpresoj se ky libër do të jetë një inkurajim për të hetuar edhe mbi ngjarje dhe personalitete të tjerë të historisë së letërsisë shqipe në gjysmëshekullin e dytë të shek.20, sepse ka mjaft për të kërkuar. Vetë libri është një përgënjeshtrim i një teze absurde që sundon në opinion se të gjitha gjurmët e procesit letrar dhe të kontrollit të politikës mbi letërsinë janë zhdukur, përkundrazi është një kundërpohim. Jo vetëm që nuk janë zhdukur gjurmët e raportit të politikës me letërsinë, por do të thoshja me shumë durim, me shumë impenjim për të zbuluar të reja të cilat janë tronditëse në përmbajtjet që kanë, por është më mirë që të kemi një proces të certifikuar, të dimë çfarë ka ndodhur dhe pastaj të diskutojmë. Sepse të gjitha diskutimet aprioristike, pa pasur një bazë të dhënash përpara, janë të rrezikuara për të çuar në përfundime të dështuara. Në parim dija shkon prej burimeve te historia. Burimologjia i paraprin historisë. Nuk mund të bësh histori, duke përfshirë dhe histori letërsie, pa pasur në dorë burimet. Atëherë ky libër u bë pikërisht për të manifestuar këtë fakt që burime ka, por duhet zell për të kërkuar. Në një arkiv nuk mund të gjenden aq lehtë burimet sa mund të gjenden në një bibliotekë. Në arkiv rendimenti është shumë më i ulët, duhet të kërkosh me qindra dosje për të mbërritur deri tek burimi që mund të vlejë për t’u paraqitur në një libër. Mendoni që një nga arsyet që nuk e ka lënë të qetë Kadarenë me qëndrimin e tij në këto 15 vjet, aq sa ka dominuar opinioni ndaj tij: “nuk i mjafton që është shkrimtari më i madh shqiptar?”, ka qenë dokumentimi i atij raporti të letërsië me regjimin? Sa e kam ndjekur unë mendimin e Kadaresë, për informacionin që ai kishte në të shkuarën për shqetësimet që atij i vinin në mënyrë të herëpashershme publikisht ose fshehtaz prej politikës mendoj se ai ka ditur vetëm të vërteta gojore, të thëna në konfidencë prej miqsh të tij të cilët shpesh ishin dhe afër pushtetit ose ka mësuar prej nënteksteve që kishin fjalimet e njerëzve që drejtonin politikën në Shqipëri, në shumicën e rasteve kur kishin aluzione dhe nëntekste, kur kishin aluzione dhe kritika për Kadarenë. Por vetë Kadare nuk e ka njohur këtë raport që shpall ky libër. Mund ta ketë ditur intuitivisht qoftë dhe prej një sjelljeje të zakonshme të kolegëve të tij me të, prej ftohtësisë apo ngrohtësisë në një mbledhje pune. Ka ditur të kuptojë se nuk ka qenë shkrimtar i dëshiruar, për këtë arsye ai dhe në ato autokritikat e tij e thotë në një mënyrë, gati si një luks: “unë jam armik, kam shkruar një vepër kundër diktaturës proletariatit, kundër komunizmit, kundër Partisë së Punës”, nuk është shumë e lehtë të thuash këto gjëra në mesin e viteve 70, por prapë është gjë tjetër t’i dish të vërtetat prej dëshmisë së shkruar. Gjithsesi mendoj se Kadare ka qenë në dijeni të opinionit që e rrethonte, të ftohtësisë, të qëndrimeve kritike, qoftë dhe për faktin se disa herë ka debate të drejtpërdrejta me shtëpitë botuese, brenda në Lidhjen e Shkrimtarëve, me aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, kryesisht me sektorin e shtypit, sektorin e edukimit, sektorin e kulturës, por jo deri tek kjo e vërtetë që dëshmohet prej librit. Mendoj se një shkrimtar i madh duhet të trajtohet dhe të pranohet në përmasat e veta jo vetëm në vlerat që i jep një kulture. Edhe në sjelljet e tij. Nuk mund të pritej që Ismail Kadare të ishte i kënaqur me lirinë që një shkrimtari mesatar i mjaftonte, nuk mund të pritej të ishte i kënaqur që në një kongres Lidhjeje që një udhëheqës i partisë e përshëndeste me kokë, gjë që do të ishte luks për një shkrimtar mesatar. Duhet të ketë qenë një prej faktorëve që e ka nxitur në rrugën që mori. I jeni referuar ndonjë modelit të letërsisë dokumentare për këtë libër, a ka një model të tillë për një vepër apo shkrimtar të Lindjes që ka shkruar nën presionion e regjimit? Me sa kam kërkuar, sepse më është dashur të kërkoj se si shkruhet një libër i tillë, në vendet e Lindjes nuk ekziston një lloj modeli, edhe pse nuk mund ta quaj model, por një letërsi e tillë dokumentare. Nëse do të merrnim vendin më të madh komunist të periudhës komuniste, Bashkimin Sovjetik, të paktën pas vdekjes së Stalinit, BS zbatonte politikën e përjashtimit në letërsi, jo politikën e kufizimit. Pra gjithsesi kishte një alternativë dhe ishte po ajo alternativë që ka ekzistuar që në letërsinë antike greke dhe romake. Një shkrimtar sovjetik nuk kishte vetëm alternativën të botonte ose të mos botonte. Kishte dhe një alternativë tjetër: të linte vendin, të pranonte ostracizmin i cili është i njohur që në peridhën helenike. Viktima e parë e ostracizmit është vetë Sokrati. Atij iu ofruan dy zgjidhje: njëra që të qëndronte në vendin e tij dhe t’i nënshtrohej gjyqit dhe vendimit të tij dhe tjetra të linte Greqinë, të shkonte ku të donte, dhe të krijonte sipas dëshirës së tij. Sokrati vetë ishte akuzuar se kishte trazuar shpirtrat e rinisë. Duke pasur besim se gjyqi do të ishte pro tij, ai nuk e la vendin e vet dhe gjyqi e dënoi që ai të pinte kupën e helmit. E kundërta ka ndodhur me Ovidin, në letërsinë romake, i cili vdiq në ostracizëm, në territorin e sotëm të Rumanisë dhe sot e kësaj dite nuk ka një dosje se në ç’kushte u dënua Ovidi prej perandorisë romake dhe si vdiq në ekzil. Ostracizmi ka ndodhur në periudhën e krishtërimit të hershëm. Shën Gjon Gojarti, një prej katër reformatorëve më të mëdhenj në 20 shekuj krishtërim, ka qenë i dëbuar nga Kostandinopoja dhe i internuar në Egjipt. Pikërisht kjo politikë, politika e dëbimit jashtë, është ndjekur me shkrimtarët sovjetikë. Kjo alternativë iu la Pasternakut, kur iu dha çmimi Nobel. Ai kishte mundësinë që ta refuzonte çmimin dhe të vazhdonte të jetonte në Rusi ose ta merrte këtë çmim dhe të mos kthehej më në BS. Pak a shumë, të njëjtat rrethana, për të mos thënë më liberale, kanë qenë dhe në pjesën tjetër të kampit komunist. Çekia kishte një kartë të shpallur të një letërsie tjetër që në vitin 1977. Akti final i Helsinkit bëri një efekt të padiskutueshëm në liberalizimin e mendimit edhe në Hungari, Poloni, Rumani. Për shembull në Rumani ka pasur një letërsi të çuditshme, një letërsi mëse brohoritëse, pro komunizmit, por duke qenë një letërsi e tillë ajo kthehej në letërsi joserioze, humoristike. Mirëpo shkrimtari ishte krejtësisht në rregull me atë që shkruante, shkonte më në skaj se vetë pikëpamja e pushtetit. Në njëfarë mënyrë e hyjnizonte konduktorin e komunizmit më shumë se sa ai vetë e dëshironte dhe kështu prej efektit zmadhues vepra kthehej në një humor të fshehtë, në një lloj disidence, në një tallje me sistemin komunist. Kam pasur rastin të takoj një prej shkrimtarëve të dënuar që më pas u bë president i Hungarisë Harpard Gënz, që mund të krahasohet me Pjetër Arbnorin në Shqipëri, por Gënz nuk kishte bërë 28 vjet burg. Kishte bërë një dënim shumë të shkurtër, sepse nuk kishte qenë i dashur për partinë komuniste të Hungarisë. Pra kanë qenë kushte të pakrahasueshme me kushtet në të cilat është zhvilluar letërsia në Shqipëri. Letërsia në Shqipëri ka qenë shumë më e kontrolluar dhe ajo që ndodhi këtu, nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Lindjes. Letërsia quhej letërsi e realizmit socialist dhe kjo do të thotë se duhej të ishte së pari letërsi realiste dhe pastaj më frymëzim socialist. Por në Shqipëri ndodhi e kundërta së pari duhej një letërsi socialiste dhe pastaj vinte realizmi. Madje në momente të caktuara realizmi edhe u zhvlerësua, sepse nga veprat kërkohej të kishte optimizëm, optimizëm edhe të fabrikuar, të pabesueshëm që shkonte larg së vërtetës, mburrje të vlerave komuniste në Shqipëri, mundësisht paraqitjen e Shqipërisë si një qendër ndërkombëtare të lëvizjes komuniste. Realizmi është një drejtim letrar që u zhvillua për tre shekuj, ka pasur realizëm kritik po së pari ishte realizëm, ka pasur neorealizëm po së pari ishte realizëm. Ka pasur edhe libra të realizmit socialist tek të cilat ka peshuar më shumë realizmi se sa frymëzimi socialist. Kurse në Shqipëri për fat të keq epiteti mori peshë më të madhe se sa termi. 22/02/2005