lajme

 
lajmi
Katër shkrimtarë shqiptarë dhe katër romane janë përfshirë në 20 emra të letërsisë botërore. Mund të duket e ekzagjeruar, por nuk është. Letërsia e servirur me këtë lloj grafikash e hit paradash ka edhe një të vërtetë politike, politikën e botimit. Eshtë fare e natyrshme dhe e shumëpritur që një e përditshme si Gazeta “Koha Ditore” e Prishtinës, në bashkëpunim me shtëpinë botuese spanjolle “Mediasat Group S.A”, t’i sjellë lexuesit një herë në javë, gjatë 20 javëve, jo vetëm informacionin e përditshëm, por edhe atë informacion konsekuent të letërsisë dhe librit klasik të bibliotekës. Të dyja këto subjekte kanë bërë të mundur të zbatojnë në Kosovë një projekt ambicioz i quajtur “Shekulli i XX në 20 romane”, që një ditë do donim ta preknim edhe ne këtu në Shqipëri. Në këtë kolanë me shkrimtarë nga më të shquarit e shekullit XX, përfshihen katër shkrimtarët shqiptarë Vath Koreshi, Fatos Kongoli, Zija Çela, Ismail Kadare. Libri i parë i kësaj kolane, me të cilën ajo nisi rrugën në 2 shkurt të këtij viti, ishte romani “Emri i trëndafilit” i Umberto Ekos, ndërsa më 9 shkurt doli në qarkullim libri “Ulku dhe Uilli” i shkrimtarit shqiptar Vath Koreshi. Kolana “Shekulli i XX në 20 romane” do të publikojë çdo të mërkurë për 20 javë rresht nga një roman të ri. Ky koleksion i cilësisë së lartë, ndryshe nga të gjithë ata të përpunuar deri tani, përbëhet nga veprat e 20 autorëve të shekullit XX : Umberto Eko, Emri i trëndafilit”; Mihail Bulgakov, “Mjeshtri dhe margarita”; Vath Koreshi, “Ulku dhe Uilli” ; Çarls Bukovski, «Zonja vdekje» ; Zhan Pol Sartër, “Muri”; Franc Kafka, “Procesi”; Henri Miler, “Ditë të qeta në Klishi”; Marsel Prust, “Kur dashuronte Suani” ; Fatos Kongoli, “I humburi”; Herman Hese, “Siddart’ha”; Vladimir Nabokov, “Lolita”; Margëritë Jursënar, “Kujtimet e Adrianit”; Ulliam Folkner, “Këlthitja dhe mllefi”; Margëritë Dyras, “Dashnori” ; Zija Cela, “Gjaku i dallëndyshes” Alberto Moravia, “Gruaja Leopard”; Ismail Kadare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Xhon Stainbek, “Vitet e zëmërimit”; Albert Kamy, “I huaji” dhe Jukio Mishima me “Tempulli i pavionit të artë”. Në fletëpalosjen e entit botues, ku prezantohen 20 veprat e sipërcituara, për romanin “Ulku dhe Uilli” bëhet ky shënim: “Në periudhën e pashpresë të tranzicionit, Vath Koreshi i solli letërsisë shqiptare një roman mbi luftën mes mëkatit dhe mirësisë, mbështetur në jetën shqiptare. Romani “Ulku dhe Uilli” është krahasuar me vepra të mëdha të Ismail Kadaresë si “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”. Ndonëse në pak më shumë se 100 faqe, autori përmbledh me mjeshtëri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e fshehtë mes moralit fetar dhe mëkatit njerëzor, gjurmon mbi dëshirën e njeriut për të kërkuar diçka, përshkruan dramën dhe ndjenjën e njeriut të braktisur, të harruar, numëron sfidat e jetës, ndriçon fatalitetin në jetën e njeriut dhe paralajmëron ringjalljen shpirtërore. Koreshi është një njohës brilant i gjuhës shqipe, një përparësi e madhe në krahasim me shumë autorë shqiptarë. Lehtësia e durueshme, me të cilën ai si një magjistar kalon nga dialekti në dialekt dhe shkrirja e tyre e natyrshme është dëshmi për madhështinë e shprehjes dhe ndeshjen e dy botëve të ndryshme: Ulku – egërsia përballë Uillit – dritës, amëshimit”. Me botimin e autorëve shqiptarë në Kosovë një tjetër lidhje e fortë krijohet mes botëve shqiptare gjysmë të ndara, gjuhës, kulturës dhe letërsisë. Romani i Vath Koreshit, edhe pse në Shqipëri është botuar disa vjet më parë, ka pasur jehonën e premierës në Prishtinë. “Me romanin “Ulku dhe Uilli” do të jemi më pranë rrënjëve tona, më pranë mësimit të së vërtetës së shpirtit tonë, traditës, kundërthënieve etj. Koreshi na ka dhënë në dorë një çelës të çmueshëm të hulumtojmë në historinë tonë, në pjesën e panjohur dhe të errët, në atë mënyrë që nuk e kemi njohur më parë. Një derë për në mesjetën shqiptare, një dritare në shpirtin që po dvarej. Krisjet e para në rendin e kulturës fetare, ndërskamcat, lajthitjet, shpirtërat e epur dhe ata idealë, amullia dhe frika që u rri mbi kokë njerëzve është trungu i romanit “Ulku dhe Uilli”, shkruan Adem Abazi në shënimin e tij kritik “Një derë për në mesjetën shqiptare”. Vath Koreshi u lind në vitin 1936 në Lushnje. Studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Eshtë autor i disa romaneve, novelave e vëllimeve me tregime si “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi kënetë”, “Requiem për një grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Konomea”. Ai është skenarist i së paku 20 filmave si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Liri a vdekje”, “Balada e Kurbinit”. E. Demo 26/02/2005 KATEGORIA: Kulture