POETI BASRI ÇAPRIQI - LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

pres
Fitues i çmimit të madh "Naim Frashëri" i Edicionit XIX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit" është poeti I njohur shqiptar, Basri Çapriqi. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga poeti dhe studjuesi Salajdin Salihu (kryetar), poetët Ndue Ukaj(anëtar) dhe Haxhi Shabani (anëtar). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpall laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 15 – 18 tetor 2015, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 22 shtator në Qendrën Kulturore në Tetovë, nga drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit", Shaip Emërllahu dhe kryetari i Jurisë së Festivalit, Salajdin Salihu. Në fillim, drejtori Emërllahu tha se, Çmimi i madh letrar "Naim Frashëri", jepet me motivacionin "Për vlera të larta artistike" poetëve nga mbarë bota. Këtë çmim më herët e kanë marrë emra të njohur të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA), Athanase Vantcev de Thracy, Sebastiano Grasso (Itali) etj.

Drejtori i Festivalit, në vazhdim lexoi deklaratën, të cilën laureati Çapriqi, ia dërgoi Drejtorisë, me rastin e marrjes së çmimit letrar "Naim Frashëri". "I dashur Shaip, jam shumë i nderuar që juria profesionale ka vendosur që çmimin kryesor të Festivalit, "Naim Frasheri" për këtë vit të ma japin mua. Falenderoj Jurinë, si dhe Drejtorinë e Festivalit për këtë nder që më bëhet, duke më futur në një shoqëri emrash të respektuar laureatësh të këtij Festivali. Uroj që ky edicion të ketë sukses. Mirupafshim në hapjen e Festivalit, Basri Çapriqi".


Kryetari i Jurisë së Festivalit, Salajdin Salihu, paraqiti motivimin e dhënies së çimimit letrar "Naim Frashëri" të FNP "Ditët e Naimit". "Basri Çapriqi është zë i veçantë dhe origjinal në poezinë e sotme shqipe. Ai është poet i vetëdijes postmoderniste dhe i diskursit urban. Poezia e tij është shumështresore, e shumëkuptimshme dhe shumëdimensionale, e cila na shpalos përmasa të ndryshme ekzistenciale dhe gërsheton motive që ndërlidhen me aktualen, mitiken, intimën njerëzore dhe përfiton dimensione universale. Basri Çapriqi është njër ndër poetët më cilësorë të sistemit poetik shqiptar".

Ai më pas lexoi një biografi të shkurtër të fituesit, ku theksoi se, Basri Çapriqi ka lindur në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishrinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988. Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në  Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punon profesor  në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frengjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Është Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 është anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Shkruan poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: "Ulli me dymijë unaza", "Ma qet gjuhën", "Frutat bizare", "Zbutja e gjarprit", "Përkryrja e shiut". Librat me kritikë: "Mikrostruktura e tekstit", "Simboli dhe rivalët e tij", "Paradigma kadareane" etj.

Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin,  Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendët, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europeenne Des Arts, Bruksel (2007)

Në fund të Konferencës, drejtori Shaip Emërllahu, theksoi se, në edicionin e sivjetëm të Festivalit kanë konfirmuar ardhjen 36 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Kolumbi, Meksikë, Kanada, Japoni, Angli, Danimarkë, Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Izrael, Greqi, Armeni, Maroko, Slloveni, Bullgari dhe poetë shqiptare nga Diaspora, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Programin e këtij edicioni pritet ta karakterizojë një përmbajtje e larmishme kulturore e letrare. Kështu,  në kuadër të tij, do të mbahet disa lexime poetike, do të hapet një ekspozitë pikturash, do të promovohen libra, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike etj.


Artan Arsllani

Tetovë, 22 shtator 2015