EvaLipska_laur1
EvaLipska_laur2

Ewa LIPSKA (POLONI)

 

Eva Lipska  është poetja më e  shquar e letërsisë bashkëkohore polake në botë krahas nobelistes polake, Visllava Shimborska. U lind më 1945 në Krakov. Poete, romanciere, fejtoniste, historiane e artit dhe redaktore. Në Universitetin e famshëm  të Jagiellonëve në Krakov kreu filozofinë dhe historinë e arteve.

Debutoi më 1961 në  gazetën e Krakovit “Gazeta Krakowska”, pastaj  në „Życie literackie”, „Dziennik Polski” etj., ku botoi krijimet e para poetike (1964). Më 1968 u bë anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Polonisë. Në vitet 1970-1980) punoi si redaktore e artit dhe kulturës në Shtëpinë Botuese “Wydawnictwo Literackie” në Krakov. Në vitet 1975-1976 ishte bursiste  e “International Writing Program” në Iowa City në SHBA. Më 1978 u bë anëtare e PEN Club –it të Polonisë dhe më 1991 anëtare e PEN Club-it të Austrisë.

Më 1983 qëndroi në Berlin Perëndimor si bursiste  e Deutscher Adademischer Austauschdienst. Më 1989 u bë anëtare – themeluese e Shoqatës së Shkrimtarëve të Polonisë. Që nga viti 1991 – 2002 punoi si drejtoreshë në Institutin  e Kultures Polake pranë Ambasadës  së Polonisë në Vjenë të Austrisë. Sot jeton dhe krijon në mes të Krakovit dhe Vjenës. Laureate e shumë  çmimëve prestigjioze në Poloni dhe në botën e jashtme.

Eva Lipska është laureate e shumë shpërblimeve kombëtare në vend  si  ai me emrin “Andrzej Bursa” (Krakov,1971), “Koscielski” (Gjenevë,1978), të Fondacionit POLCUL (Australi,1988), të PEN Club-it të Polonisë nga Fondacioni i Buchnerit(Varshavë,1992), të Fondacionit “A. Jurzykowski” (Nju-Jork, 1993),  të Qytetit te Krakovit si anëtare e Nderit (Krakov,1995), çmimin prestigjioz për librin me poezi “Dyqanet zoologjike” (Krakov,2001), çmimin e revistës së njohur letrare “Odra”(Vrocllav,2004).

Ajo është fituese e shpërblimit letrar “NIKE” 2004 për librin më të mirë të vitit (2004) “Unë”, libër i përkthyer edhe ne gjuhën shqipe nga poeti dhe përkthyesi Mazllum Saneja.

Eva Lipska është një nga emrat më të mëdhenj në poezinë evropiane. E përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe e prezantuar me vëllime të veçanta poetike në SHBA, Angli, Francë, Gjermani, Itali, Austri,  Spanjë, Portugali, Kataloni, Danimarkë, Suedi, Norvegji, Finlandë, Rusi, Ukrainë, Hungari, Rumani, Bullgari, Izrael, Kroaci, Serbi, Kosovë etj.

Deri më tani  shkroi dhe botoi më se 25 libra me përmbajtje poetike dhe dramatike. Në mes tjerash  botoi këto  libra me poezi:

“Poezi”(1967), “Vëllimi i parë i poezive”(1969), “Vëllimi i dytë i poezive”(1970), “Vëllimi i tretë i poezive”(1972), “Vëllimi i katërt i poezive”(1974), “Vëllimi i pestë i poezive”(1978), “Vdekja e gjallë”(1079),

“Nuk bëhet fjalë për vdekjen po për kordelën e bardhë”(1982), “Gardëroba e errësirës”(1985), “Zona e stacionit të kufizuar”(1990),

“Pushimet e mizantropit”(1993), “Bursistët e kohës”(1994), “Njerëzit fillestarë”(1996,1999,2001), “Dyqanet zoologjike” (2002), “Kujdes, shkallët”(2002),  “Sekwens” (2003), “Unë”(2003), “Poezi për këngë”(2004), “Diku gjetiu”(2005), “E çara” (2006),  “Portokalli i Newtonit” (2007), “Kohë të tilla” (2009) etj.

 

ASGJË NUK ËSHTË E SIGURT

 

 

Mund të bëhesh i çmendur

Valutën e çmendurisë mund ta këmbesh me gjeniun

 

Asgjë nuk është e sigurt

 

Prej dhjetë dëshmitarëve

Të pranishëm në sallë

I njëmbëdhjeti dëshmon

Se është fajtor

 

Mund ta sjellin në valixhe popullin

Mund ta dashurosh nga frika

Apo nga dashuria

 

Mund të kultivosh zarzavate

Të cilat të helmojnë

 

Koleksioni i armëve tua

Mund të të qëllojë

 

Ndoshta e nesërmja vjen fatlume

Ndonëse do të jetë e martë

 

Asgjë nuk është e sigurt

 

Kanceri në indin tim

Madje nuk është i sigurt

 

 

 

 

NJOFTIM

 

 

Zotat e gjithë botës bashkohuni!

Themeloni një parti mbi zemrën e përbashkët dhe mëlçinë

Lironi shpërndarësin e qumështit

I cili në orën pesë të mëngjesit

Davarit mjegullën e mëngjesit

Dhe këndon këngë për lirinë

 

 

TESTAMENTI

 

Pas vdekjes së Zotit

Hapim testamentin

Që të marrim vesh

Se kujt i përket bota

Dhe

Ajo kurthë e madhe

Për njerëz

 

 

 

 

MËSOHU ME VDEKJEN

 

Mësohu me vdekjen. Përmendsh

Sipas ortografisë

Të shprehjeve të të vdekurve

 

Shkruaj gjithsej

Si republika apo gojë-luani

 

Mos e ndaj

Ndërmjet të vdekurve

 

Je i zgjedhuri i perëndive

Mësohu herët me vdekjen

 

Dashuria ndaj atdheut

Po ashtu është vdekjeprurëse

 

Mësohu me vdekjen

Në dashuri

 

Mësohu me vdekjen jo vetëm

Për humbjen e kohës

 

Koha është vetëvrasëse

Dhe orë të tëra varet në drunj.

 

Pyete vetveten

Pyete drejtpërdrejt

 

 

 

 

DY LETRA

 

 

Ti shkon në San Francisko

Unë vdes

 

Greva Vestern Lines sa filloi

Ndërkohë shtrihem në dhomë e gazetën lexoj

Mora letër prej Zet.

 

Jam një mijë kilometra larg vendit

Në spitalin më të mirë të botës

Mjekët shtrijnë duart

Në kotësinë e ëmbël.

 

Zet  shkruan se si bota po merr fund

Dërgomë poezitë e reja

Më pëlqeu shumë kafeja Maxvell House

 

Ti shkon në San Francisko

Në mua rrjedhin retë

Sigurisht nuk e mbarojmë këtë bisedë.

 

Letrat tona kanë përshkuar

Diku në mes të Evropës

Përqeshet me ne hapësira

 

Ndreq në varrin tënd

Dredhkën e thyer

Me jakën e zhubravitur prej gëzofi

Mbërthej qafën.

 

 

 

 

NJË GJERMAN I RI NË TAKIMIN LETRAR

 

 

Quhem Albrecht Durer

Po unë nuk jam piktor

Nuk shkrova librin mbi fortifikimin e kështjellave

As mbi proporcionet njerëzore

13 tipa meshkuj 13 tipa femra

Banoj  në qytezën Marburg në Augustinergasse

Fantazma e Gottfried Bennit tani këtu shet sallame

I përkas partisë së të gjelbërve Kam 35 vjet

Shkova në Osviencim

Me briskun e konservave

Shfletova të kaluarën

Nuk dëshiroj të anuloj historinë

Ndonëse jam jurist

Nuk dëshiroj të jem gjithnjë fajtor

Se jam Gjerman

Nganjëherë ëndërroj depo të mbeturinave të metaleve

Parmaqe  mbi humnera

Kam parë së afërmi komunizmin

Yje të kuq në qiellin e mykur

Në drurë në vend të gjetheve

Janë tundur pallto bojë hiri

Stërvita pëllumba paqe

A  thua mendoni se njerëzimi është i çmendur

Sepse të çmendurit janë të pakuptueshëm

 

 

 

SYRI I PETRITIT

 

 

Përjetova 75 vjet

Dhe mbaj mend vetëm një çast

Në qytezën Vejer de la Frontera

Gjatë së cilës asgjë nuk ka ndodhur

Përveç jetës

Lexova mijëra libra

Dhe mbajta mend vetëm një mendim:

“Këtu pyes a thua mos është një marrëzi

nga frika para vdekjes të vdesësh?”

Admirova piktorët e mëdhenj

Dhe para syve kortezhi i varrimit  përplot tym

Në tapetën e zbehtë të qiellit

U fashitën orkestrat e mëdha

Nga ora jo hermetike

Ikën koha

Gjithnjë më shpesh kredhem në mendime

mbi asgjënë

Në restorantin e zbrazët

Kamerieri ma sjell

Syrin e petritit.

 

 

BURSISTËT E KOHËS

 

Bursisët e tatueshëm të kohës

Kryengritësit e fshehur në vullkanet e shuara

Të filozofisë.

Duke rendur nëpër shkallë kundër zjarrit

Në rrafshina të bardha të letrës.

Zotërinj të zgjedhur duke u zvarritur me vete

Heronj të zëshëm plot britma:

Vrasës  të vajzave të mitura. Eksbicioniste.

Nimfomanka. Dashnorë të braktisur.

Romane të shkruara

Me pseudonim psikik

Edukatori Torless. Jozef K. Leopold Bloom.

Të gjithë jemi të ngjashëm njëri me tjetrin

Dhe dukemi si aksione të rëna

Apo telegrami vdekjeprurës

 

 

 

ERICSSON, BIRI IM

 

 

Sëmuremi në fund të shekullit.

Na shpëtojnë akoma vargmalet e antibiotikëve

Të degëzuara me barin metalik.

 

Luginat rriten me rrëmujë.

Unë të flas diç ty

Juve. Askujt.

 

Rrëfen përmes telefonit

Dashurinë tënde ndaj meje

Gjithnjë më zhurmshëm na rrethon

Përreth

Përroi

 

 

E lidhim në rrjet

Fëmijën tonë të mrekullueshëm

 

Ericsson, biri im

Lutju satelitit

 

Po çfarë mund të bësh më shumë

Gjatë transitit të shkurtër

Nëpër planete. Rrafshuar me tokën.

 

 

 

KLITHMA E MODËS

 

 

Vdesim gjithnjë më bukur

Në koleksionin e Gianno Versace

Eleganca është fidanishte e estetikës

 

Vrapojmë pas kishave të modës

Duke besuar se e portokallta na shkon për fytyrë.

 

Më puth në dhomën e provës

Shiko, në të blertë thjesht disfata e Romës

 

Zgjidhim rebusa të arketipeve tona.

I ndërrojmë beretat në gjuhë të huaja.

 

Në mbrëmje na ftojnë

Në vernisazhin e Gjyqit të Fundit

 

Hyjmë pa bileta.

Sot hyrja është e vdekur.

 

 

 

KALVIN

 

I hollë. I druajtur.

Ëndërr e shkurtër. Dhembje koke.

Frikësohet.

 

Jetoi në kohën e turizmit të krimit

Lista e të dyshimtëve. Arrestime.Ekzekutime.

 

Për zjarrvënësit kohë të mira. Gjatë procesionit

Në gjashtë vende të përsiatjeve

Turre drush për të dënuarit.

 

Bulevarde të pafundme të tradhtisë.

 

 

Viti 1535. Në Paris.

Hollësisht ia bastisën dhomën.

Dukumentet ia konfiskuan. Korrespondencën

 

Është autor i traktatit mbi ëndrrën e shpirtit.

 

Në katolikët vërehet paturpësia e djallit

Dhe murtaja. Fatkeqësia e urisë.

 

Viti 1541. Kthimi ne Gjenevë.

Provokime të ndërsjella.

Urrejtje fanatike.

 

 

Terror i llahtarshëm në rrugë.

 

 

Nuk e shpëton dot religjioni.

Vizioni utopist i përjetësisë.

Dobësohet.

Gjithnjë më shumë dobësohet.

 

 

Peizazh i thatë. Rrëkezë e kuqe e dritës

Jehonë e së keqes.

 

 

Dobësohet.

Gjithnjë më shumë dobësohet.

Vdes

I shndërruar në mëkat.

 

 

 

KËTU

 

Këtu humbi jetën gruaja ime.

Këtu lindi Kerubini.

Këtu e vranë Kerubinin.

 

 

Këtu pres në asgjë më shumë

Këtu bora e shkrirë.

 

 

Këtu gjuha e Goethes hi dhe pluhur

Këtu askush nuk kthehet kur jeta vazhdon.

 

 

Këtu koha dhe fati

Lidhur me zinxhir.

 

 

Faleminderit, mandarina nuk ha

 

 

 

 

 

 

SHTYPE ENTER

 

 

Në jetë të jetëve Enter

( nga shtypi)

 

 

 

Krematori më modern në Evropë

Berlin Treptow. Arkadia e përzishme.

 

Rradhitja kompjuterike me krepin e zbehtë të bebëzës

Rrjeti i qetësisë. Vetëm fëshfërima e gjetheve artificiale.

 

Përtej varri Pentium

Kujtesa e pavdekshme.

 

Koincidenca e dy ditëve në një ditë.

 

Për të vdekurit berberi. Ndërhyrjet kozmetike.

Laboratori fotografik. Ngjyra e zezë e ngrohtë.

 

Rojet e anitvirusit në çdo kat.

Prapa dritares përmbajtje e rrëmbyeshme.

 

Në diskun e fortë arkivole etui

Gjendemi në indeksin e emrave.

 

Një bulëz uji në skaj të buzëve.

Lagështirë e dashurisë së vdekur.

Kemi qenë të dashuruar atëbotë kur kjo ka ndodhur.

 

Tashmë vetëm pliku i lidhur me qiellin.

Baza e mbyllur e të dhënave.

Nga oxhaku reja e shkretë.

 

A thua dëshiron me siguri

Të fillosh operacionin e anulimit ?

 

 

Shtype Enter

 

 

 

 

DYQANET ZOOLOGJIKE

 

 

 

 

Dyqanet zoologjike

Kamp i internimit

I fëmijërisë sime.

 

 

Derra indie. Papagaj. Kanarina.

Aroma e neveritshme e skllavërisë.

Tallashe ngjarjesh.

 

 

Në shtëpi pështyj depresionin

Macja e Antigonës nuk u duk më

Çark minjsh që poshtë Verdunit

Dhe pastaj vazhdimi deri në Auschwitz

 

 

Nuk dita si do të mbaroj

Kur u paraqita

Për vullnetar.

 

 

 

 

ASKUSH

 

 

 

Pajtohem me këtë peizazh

Që nuk ekziston.

 

 

Babai mban në duar violinën

Fëmijët i lëpijnë tingujt.

 

 

Rryma ajri

Tundin petalet e trëndafilit.

 

 

Pastaj lufta. Humbasim nga sytë.

Në mendime të tëra fshihen fjalët.

 

 

Dhoma e zbrazët

E vendosur në errësirë

Të ndërtesës.

 

 

Të lutem lëre lajmin

Thotë askushi.

 

 

 

 

 

QYTEZA BOTA

 

 

 

 

Gjithnjë më vështirë është t’i mbledhësh në tryezë

Tashmë hera e tretë bie gongu. Supa me panxhar zë të ftohet.

 

 

Më të përpiktë janë të vdekurit

Pastaj fëmijët që pyesin a ka ëmbëlsira. E ne ?

 

 

Parkuam kujtesën

Në vendin e palejueshëm

Dhe tani presim në ardhjen e orëndreqësit.

Policin e pensionuar

Në qytezën tonë Bota.

 

 

KRAKOVI

 

 

 

Çfarë di  për vendin tim?

Re e paaftë

Më vjen rrotull

Kur kaloj kufirin

Dhe ndez radion në automobil.

Fashistin djathtist e merr malli për Hitlerin

Lutja mëkatare në listën e hiteve.

 

 

Admiroj peshqirin e fushës.

Tipare semite të maleve.

Jeta e rëndomtë e qytezave.

Veti shprese të perëndimit të diellit.

 

 

Çfarë di për vendin tim?

Valëvisin kambanat

dhe alarmojnë.

Vjen rrotull  mbrëmja

Kur arrij në qytet.

 

Në qytetin

Për të cilin më merr malli

Derisa miqt e mi më thonë:

Në lumturi është lumturia

Dhe këtu mund të jetosh.

 

 

 

 

PLACEBO

 

 

 

Ajo thotë se kjo është jeta

Ai thotë se ky është placebo

 

 

Dhe ngatërron goditjet e qukapikut

Me goditjet e zemrës

 

 

Sepse nuk e dashuroi tërthorazi

Po me tërë mendimin

 

 

I takonte sektit të fjalëve të tij

Deri në orët ilegale

 

 

Sherbime të veçanta ushqenin pellgje

Atëbotë kur lundruan me barkë

 

 

Kur vdiqën:

Ajo tha se kjo është vdekja

Ai tha se ky është internimi

 

 

 

LLAFAZANIA E BOTËS

 

 

Në llafazaninë e madhe të botës

Jam vetëm një pëshpëritje e mbytur

Në fortissimo akustike.

 

Qyteza qytete vende

Bëjnë zhurmë

Kur afrohem në kufijt e tyre.

 

Makina kositëse e barit

Primadona e operetës

E oborrit tonë

Prish qetësinë e mëngjesit

Me një libretto të keq.

 

Mediokritete të zëshme përreth.

Zëra të ngritur lart.

Forca plot britma të stadiumeve.

Britma çjerrëse politike.

 

Madje sekonda e dashurisë

Shkëputet nga klithma.

 

Dhe britmat bëhen.

edhe më të zëshme.

Më të zëshme.

 

Deri në çastin kur qetësia e vdekur godet

Me tonin e vet të ngritur.

 

Historia si gjithnjë

I jep publicitet

Që të fashit

Thirrjet e dikujt për ndihmë.

 

 

 

 

DIKU GJETIU

 

 

Dëshiroj  të jetoj Diku Gjetiu

Në qyteza të zbukuruara me dorë.

 

Të takohem me ata

Të cilët nuk vijnë në botë.

 

Më në fund do të ishim të vetmuar të lumtur.

Dhe asnjë stacion nuk do të na priste.

 

Asnjë ardhje.Asnjë vajtje.

Ikën koha në muze.

 

Asnjë luftë nuk do ta bëjnë për ne

Asnjë njeri.Asnjë ushtri. Asnjë armë.

 

Vdekja në dehje. Gjithë gaz

Në bibliotekë kohë e pafund.

 

Dashuria. Kapitull i papërqëndruar.

Që do të na kthente me pëshpëritje kartat në zemra.

 

 

( Zgjodhi dhe përktheu nga polonishtja:

MAZLLUM  SANEJA)