Kuei shien Lee

U lind më vitin 1937, në Taipe. Aty mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Teknologjisë.  Më 1976 u bë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Poezisë në Angli.  Më 1987, iu bashkua PEN-it tajvanez dhe u zgjodh zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i tij. Për një kohë ishte kryetar i Fondacioni Kombëtar për Kulturë dhe Art ne Taivan. Momentalisht është zëvendëskryetari i Lëvizjes Poetët e Botës (Movimiento Poetas del Mundo).

Filloi të shkruaj poezi më vitin 1953. Veprat e tij të botuar përfshijnë "Poezi të përmbledhura” në gjashtë vëllime(2001, “Ese të përmbledhura” në dhjetë vëllime(2002, “Poezi të përkthyera” në tetë vëllime(2003, ”Antologjia e poezisë evropiane” në 25 vëllime(2001~2005), ”Koleksioni Poezi elite” (në 22 vëllime) dhe të tjera, duke përfshirë “Thesar i artë i poezisë moderne indiane” (2005), që përmban poezitë nga presidenti A.P.J. Abdul Kalam.

Poezitë e tij u përkthyen dhe u botuan në Japoni, Kore, Kanada, Zelandën e Re, Holandë, Rumani, Indi, Greqi, Spanjë, Rusi, Mongoli etj.

U shpërblye me çmime të ndryshmetë rëndësishme si, çmimi "Poet Meritor Aziatik", Kore(1994, me çmimin tajvanez të poezisë "Rong-hou"(1997, çmimi "Poeti botëror i vitit 1997", çmimi "Poeti ndërkombëtarë", Indi(1998, çmimin "Poeti i mijëvjeçarit", i Akademisë Ndërkombëtare e Poetëve , Indi(2000, çmimin e letërsisë "Lai Ho" dhe çmimin kulturor "Premier", të dy në Tajvan (2001). Ka marrë edhe çmimin "Michael Madhusudan" nga Akademia "Michael Madhusudan"(2002, çmimin "Wu San-lien" për letërsi(2004)dhe Medaljen e Poetit nga Fondacioni Mongol i Kulturës(2005.

Tri herë nominohet kandidat për çmimin Nobel për letërsi nga Akademia Ndërkombëtare e Poetëve, Indi (2002, 2004, 2006).

Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare poezie në vende të ndryshme të botës, si në SHBA, Japoni, Kore, Indi, Turqi, Mongoli, El Salvador, Nikaragua etj.

 

  PAPAGALLI

 

"Zoti im është i dashur me mua!"

Zoti im më mëson vetëm këto fjalë

 

"Zoti im është i dashur me mua!"

Këto fjalë i ushtroj ditë e natë

 

Po të vijë ndonjë mysafir

Bërtas

"Zoti im është i dashur me mua!"

 

Zoti im është aq i kënaqur

që më jep ushqime dhe pije të mira

dhe fton shumë mysafirë që vlerësojnë

mençurinë dhe zgjuarsinë time

 

Nganjëherë zoti im

i mbushur me gëzim më thotë

"Fol si të shkon mendja!"

 

Gjithsesi vazhdoj të përsëris

"Zoti im është i dashur me mua!"

 

1972

 

 

 

 TRANSFUZION

 

Gjak tërhiqet nga trupi im

dhe i transfuzohet diellit të një tjetri

për t'u bërë një rrjedhë e re plot harmoni

 

Gjaku im fillon të qarkullohet në një tjetër trup

brenda trupit të ndonjë të panjohuri

diku në ndonjë vend të panjohur

 

Ashtu si lulet e freskëta

që lulëzojnë në kodrinën e fshehur

një bukuri e papërshkrueshme lulëzon në zemrën time

 

Diku në ndonjë vend të panjohur

ka edhe një transfuzion në shkallë të madhe

nga trupat e masakrës kolektive

 

Të transfuzosh gjak në dhe të shkretë

në vend pa dritë dielli është kot

për të ngjyrosur hartën e fragmentuar në të kuqe

 

Nga Azia, Lindja e Mesme, Afrika deri në Amerikën Latine

një pikë gjaku e spërkatur

paraqet një petale të ikur në erë

 

1983

 

 

 

 ISHULLI I TAIWAN-IT

 

Ti shfaqesh si ishull

nga dallgët e mëndafshit të bardhë

 

Pylli i dendur prej flokësh të zinj

zhvendoset me nostalgji të përmalluar

Plazi prej rëre të bardhë të butë

mban mbresat e puthjeve të panumërta guackash

 

Nga pamja e syrit të një zogu në qiell

bukuria e teksturës sate është aq tërheqëse

saqë ulem mbi trupin tënd i etur

 

Ti je një sirenë

në Oqeanin Paqësor

sinori i vendlindjes sime të përhershme

 

1992

 

 

 

 

KËMBANA E PAVARËSISË NË PHILADELPHIA

 

 

Këmbana e bronztë u thye

Në Filadelfia

këmbana e lirisë

është pikaloshe në historinë

e braktisur.

 

Po mendoj se kur

do të kumbojë

liria jote

nga larg

 

Po pres

dashurinë tënde ta kumbojë këmbanën

historia jehuese e lirisë

të gjejë jehonë

në secilën qoshe të botës

 

                           1985

 

 

 

JETA THËRRET NË EGËRSI

 

 

Ai hedh thikën me dhunë

prapë e prapë,

gradualisht duke iu afruar qendrës

 

Vështron verën e dhunshme

në një ushtrim të tillë

derisa ta marrin mendtë.

 

Jeta thërret në egërsi

çdo herë që ulet dora e tij

jeta thërret në egërsi

 

E përqëndron veten sikur thikë

hedh shigjetën e fundit me fuqi të plotë

drejt qendrës së nxehtë mbi mur

                                   1969

 

 

 

ZOGJ KALOJNË FLUTURIMTHI

 

 

Fëmija gjashtëvjeçare

përsërit në makinën time

ki kujdes nga

zogjtë që kalojnë fluturimthi

 

Pas ca kohe thotë përsëri

ka flutura

ki kujdes nga fluturat

mos u përplas me to

 

Përgjigjem mos ki merak

edhe unë i vë re milingonat

do ta ndal makinën

t'i lë të kalojnë dalëngadalë

 

Po bakteret

pëshpërit me ankth

po bakteret

si t'u shmangemi

 

                           2005

 

 

 

LIQENI NË VJESHTË

 

 

Kur fryn era

peshku fluturon verbërisht

në liqen

 

Peshku ngjyrashumë

pluskon mbi ujë

duke vështruar qiellin

 

Në fund të fundit

a duhet të hedhë poshtë

formën në botë

 

që lë

damarët e hollë të gjetheve

në një model halash

 

si historia

e vendosur tejdukshmërisht

në fund të liqenit

 

                           2003

 

 

 

 

RITMI I DETIT

 

 

Duke biseduar në telefon

dëgjoj dallgët që papritmas llokoçiten

dhe thyhen mbi mua

 

                           2000

 

 

DUKE PYETUR QIELLIN

 

 

Pasi që shemben shtëpitë

ka çadra

ç'do të jetë pas çadrave

 

Pasi që plagosen dhe vdesin të rriturit

ka fëmijë

ç'do të jetë pas fëmijëve

 

Pasi që fajësohet qeveria

ka partinë e opozitës

ç'do të jetë pas opozitës

 

Pas katastrofës nga tërmeti

ka tajfun

ç'do të jetë pas tajfunit

 

                           1999

 

 

 

    KUNDËRSHTIM

 

 

Njerëzit kanë frikë nga dikush

mirëpo, më shumë frikë nga askush

 

Kafshët vdesin për shkak të kafshëve të tjera

mirëpo, madje zhduken për shkak të asnjë kafshë tjetër

 

Njëgjuhësh paraqet një vikamë vetjake

mirëpo, shumëgjuhësh shfaqet më zhurmshëm

 

Bota e turbullt bën që të gjithë të ndihen pak rehat

mirëpo, shoqëria e heshtur është më e paaftë për t'u përshtatur

 

Stina e mirë e vjeshtës është e përshtatshme për t'iu ngjitur malit

mirëpo, të ecësh në dimër në shi është më mirë për ta kuptuar jetën

 

                           1996

 

 

 

 

TI JE MUSHKONJË

 

 

Hajde dhe thith gjakun tim

hajde dhe kafsho pjesën më të mirë të trupit tim

duke shijuar kënaqësinë tënde të plotë

në natën e heshtur

 

Kur të ushqej me gjakun tim

nuk jam koprac fare

përderisa nuk ma prish gjumin

dhe ma bën mendjen të turbullt dhe të hutuar

 

Por sa e padurueshme qenka

që pasi hëngre me t'u ngopur

ti ende bën zhurmë

ditë e natë

 

                           1995

 

 

 

 

FAKTE REALE

 

 

Kur mund të thuash jo

nuk ke zë

 

Kur mund të mbetesh pa zë

preferon të këndosh lavdi

 

Kur mund të këndosh lavdi

ngurrosh ta vlerësosh natyrën

 

Kur mund ta vlerësosh natyrën

pret të dëgjosh duartrokitje

 

Kur mund ta shijosh duartrokitjen

verbërohesh për faktet reale

 

                           1994

 

 

 

MËRGIM

 

Pasi u mërgua statuja e bronztë

baza ende ndodhet e ngritur

qetësisht para shtabit të KGB-së

në një pozë të dëshpëruar

Kurorat elegante të së kaluarës

zëvendësohen tash nga lozet

Rojët seriozë perandorakë në uniformë të hijshme

zëvendësohen tash nga degë të vyshkura

 

U mërgua statuja e bronztë

ndërsa baza ekziston

Medalja e nderit u mërgua

ndërsa historia ekziston

Puna e dashurisë u mërgua

ndërsa vjersha ekziston

Jeta qytetare u mërgua

ndërsa stuhia e dëborës ekziston

 

Oh, oh

u mërgua në qiell

veç ekzistojnë psherëtimat e kobshme të patave të egra

 

 

 

 

I BURGOSURI DHE ÇLIRIMI

 

 

Një luftëtar është vetëm një i burgosur

pasi u burgos

por gjysma e popullatës botërore do të burgosej

pasi u burgos një ushtare femër

 

Bie një luftëtar

nuk është gjë veç ta emancipojë veten

por gjysma e popullatës botërore do të çlirohej

pasi ra një tiran

 

                           1991

 

 

 

 

NJË POEZI PËR TY

 

 

Shkruaj një poezi për ty

asnjë trëndafil, asnjë bilbil

por rrahja urgjente e daulles bubullime

në valën e ftohtë të fundvitit

 

Në valën e ftohtë të fundvitit

shkruaj një poezi për ty

në kuptimin e thellë të pranisë sate

kurse ti je jashtë shikimit tim

 

Kurse ti je jashtë shikimit tim

duke menduar për realitetin e vendjetimit tonë

shkruaj një poezi për ty

në besim të mbaj premtimin tonë

 

Në besim të mbaj premtimin tonë

duke pritur të vijë era e dashurisë

prapa trarëve të hekurt burgu

shkruaj një poezi për ty

 

                           1992