Back to Top

"Skanderbeg books" merr të drejtën për botimin e parë në shqip të veprës së nobelistes Jelenic

lajme

 
lajmi
Vepra e parë në shqip nga nobelistja 2004, shkrimtarja austriake Elfriede Jelinek do të jetë romani "Pianistja" (Die Klavierspielerin), botuar në origjinal në Gjermani në vitin 1983. Shtëpia botuese gjermane "Rowohlt Verlag" në Hamburg preferoi që t'i japë të drejtën ekskluzive për botimin në shqip, Shtëpisë botuese "Skanderbeg Books", konfirmoi sot (e Enjte) , botuesja Flutura Açka. Romani i publikuar në shumë gjuhë është ekranizuar dhe cilësuar si një film i suksesshëm. Tema e seksit, sadizmit dhe autoritarizmit në Austrinë e ditëve të sotme ekzaminohen në romanin pjesërisht autobiografik, ku përshkruhen marrëdhëniet dashuri-urrejtje mes nënës de vajzës. Jelinek, për shkak të temave të dominimit e nënshtrimit, shpesh është parë si shkrimtare feministe.Veç çmimit Nobel 2004, ajo është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare që prej vitit 1986. "Skanderbeg books" ka përkthyer në shqip vepra të nobelistëve të njohur; Coetzee, Grass, Undset. Data e Publikimit: 24/02/2005 Autori i Lajmit: 24 ore

Kuvendi V-të i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shtyhet për në 12 Mars

lajme

 
lajmi
Dy anëtarë të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, njëkohësisht kandidatë për postin drejtues të kësaj organizate, Zyhdi Morava dhe Hysen Sinani, konfirmuan sot (e Martë) gjatë një konference për shtyp, shtyrjen e Kuvendit V-të të LSHA-së për në datë 12 Mars. Kuvendi, i planifikuar të mbahej në datë 18 Shkurt u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve të anëtarëve të Lidhjes me kryetarin aktual, Limoz Dizdari, i cili nuk pranoi mbledhjen e Kuvendit me anëtarësi të plotë, polemika që vazhduan edhe sot. "Jemi të detyruar të krijojmë grupin e punës, i cili do të përgatisë fazën e dytë të Kuvendit me përfaqësues të secilit kandidat, sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkohë që zgjedhja e kryetarit të ri, që ishte pika e fundit që duhet të zgjidhej nga Kuvendi V i Lidhjes së Shkrimtarëve më 18 Shkurt, tani renditet e para", tha Morava. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një organizatë e krijuar në vitin 1946 ka në anëtarësinë e saj 700 shkrimtarë dhe artistë. Data e Publikimit: 22/02/2005 Autori i Lajmit: 24 ore

Kadare, hapet dosja e denoncimeve

lajme

 
lajmi
Shaban Sinani: Bomba e denoncimeve është çaktivizuar. Nuk është sjellë një armë tjetër, por një instrument kulture për t’u ndarë nga e kaluara. Elsa Demo Nuk është bomba e komentuar, sepse nuk është armë e drejtuar ndaj dikujt a shumëkujt. Eshtë një instrument kulture për t’u ndarë nga e kaluara. Libri “Një dosje për Kadarenë” i studiuesit të letërsisë dhe drejtorit aktual të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është shpërndarë dje pasdite në libraritë e kryeqytetit. Intervista e drejtorit Sinani, për botimin në fjalë, është pjesë e një interviste për rënien së pari në gjurmë të të quajturave “arkiva dhe dosje të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë”, pas zhdukjes, dhe së dyti për hapjen e tyre. Në librin “Një dosje për Kadarenë” ndryshe nga ç’pritej dhe pjesërisht nga ç’është lënë të kuptohej deri tani, është një sprovë e letërsisë dokumentare, një këndvështrim profesional i dr.Sinanit që nuk merret me “denoncimet ndaj personit”, por ndaj shkrimtarit Kadare dhe letërsisë së tij. Një denoncim dhe survejim hap pas hapi i bërë që nga fillimet e deri me rënien e regjimit komunist. Në këtë botim ky është gati-gati një survejim dhe një kontroll 35-vjeçar. Sinani thekson edhe një herë se ka bërë një klasifikim të dokumenteve duke respektuar etikën ndaj protagonistëve të asaj kohe që sot vazhdojnë të jenë në proces letrar ose të gjallë dhe se nuk nxit aspak zellin e denoncimeve “thashetheme”, por dëshmon se si regjimi në formë të prerë e të padiskutueshme ka ushtruar dhunë të frikshme psikologjike ndaj letërsisë dhe shkrimtarit Ismail Kadare. Sot pasdite (dje) pritet të hidhet në qarkullim libri aq shumë i komentuar në shtyp, për denoncimet bërë Kadaresë dhe letërsisë së tij. Mund të na shuani kuriozitetin, a do të kemi në duar po atë libër që keni premtuar? Pjesa më e rëndësishme e librit është koleksioni i dokumenteve që përmban afërsisht 40 dokumente. I takojnë një periudhe prej vitit 58-83. Dokumente kundër letërsisë së Kadaresë ka edhe mbas këtij viti, deri në 1990. Janë dokumente që nuk janë publikuar më parë, ose në formën e fragmenteve në shtypin shqiptar. Janë dokumente që bëjnë të ditur mbulimin e fshehtë të Ismail Kadaresë hap pas hapi, ku preken të gjitha stacionet e saj. Libri ka gjithashtu një trajtesë shkencore që nuk ka lidhje drejtpërdrejt me koleksionin e dokumenteve dhe është një sprovë se si mund të shihen ndryshe veprat e Ismail Kadaresë. Pra kemi një mënyrë të të shkruarit fshehtaz të kritikës dhe këtë parashtresë që unë jam përpjekur t’i jap karakter shkencor, për një mënyrë ndryshe të trajtimit të veprës së Ismail Kadaresë. Dhe një shtesë tjetër që lidhet me dokumentet: letërsia si çështje shtetërore, raportet mes letërsisë dhe politikës në periudhën komuniste, liria e shoqërisë dhe liria e letërsisë në veprën e Ismail Kadaresë. Ka një përpjekje për t’i klasifikuar tipologjikisht llojet e dokumenteve të përfshira në libër. Mendoj se është një dritare për të vështruar sa më realisht të kaluarën. Ka qenë një libër i mundimshëm dhe shumë i vështirë, sepse është një libër i lidhur me njerëz që për një kohë të gjatë kanë qenë protagonistë të procesit letrar, dhe sot në mos qofshin protagonistë janë pjesë e procesit letrar. Më është dashur të merrem me një lëndë e cila së paku në pikëpamje etike kishte shumë gjëra të botueshme dhe duke e zbardhur këtë lëndë vetë mbaja një qëndrim etik ndaj të gjithë atyre që përmendeshin në libër. Shpresoj të jem sjellë në mënyrë shumë teknokratike ndaj dokumentit. Pra gjithë ajo lëndë që përmbante libri mund të shërbente edhe si një “bombë”, në kuptimin figurativ, unë jam përpjekur që atë lëndë ta sjell tek lexuesi duke e çaktivizuar, në mënyrë që njerëzit të mësojnë prej së vërtetës, qoftë dhe prej të vërtetave që dhëmbin, sepse çdo e vërtetë e fshehur është një e vërtetë e mistifikuar, është më e keqe se sa një e vërtetë e ditur dhe e dhimbshme. Por njëkohësisht duke u njohur me këtë të vërtetë të mos kemi një armë në dorë, të kemi një instrument kulturor, për t’u hedhur hapa që janë të domosdoshëm për t’u ndarë nga e shkuara. Botimi i këtij libri përkon me rrëzimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve dhe ringjalljen e debateve për ekzistencën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si një institucion me memorje të zhdukur, arkivat e saj. Eshtë ky një inkurajim për të hetuar të kaluarën? Unë mendoj që nëse ia kam arritur qëllimit me këtë libër, kam lënë historinë të flasë me gojën e vet, pa u përpjekur që të ndërhyj për ta interpretuar. Kjo asnjëherë nuk është e sigurtë për një autor që bën një libër, sepse çdo njeri ka veten e tij brenda librit, po të paktën ka qenë qëllim imi që lexuesi të mos merret as me të mirë, po as të mos lëndohet, duke përfshirë dhe lexuesin që është vetë protagonist dhe të ruajë paanësinë ndaj të gjithë faktorëve që janë të pranishëm në jetën kulturore në Shqipëri ku ka shumë ngatërresa dhe shumë dëshirë për ngatërresa. Shpresoj se ky libër do të jetë një inkurajim për të hetuar edhe mbi ngjarje dhe personalitete të tjerë të historisë së letërsisë shqipe në gjysmëshekullin e dytë të shek.20, sepse ka mjaft për të kërkuar. Vetë libri është një përgënjeshtrim i një teze absurde që sundon në opinion se të gjitha gjurmët e procesit letrar dhe të kontrollit të politikës mbi letërsinë janë zhdukur, përkundrazi është një kundërpohim. Jo vetëm që nuk janë zhdukur gjurmët e raportit të politikës me letërsinë, por do të thoshja me shumë durim, me shumë impenjim për të zbuluar të reja të cilat janë tronditëse në përmbajtjet që kanë, por është më mirë që të kemi një proces të certifikuar, të dimë çfarë ka ndodhur dhe pastaj të diskutojmë. Sepse të gjitha diskutimet aprioristike, pa pasur një bazë të dhënash përpara, janë të rrezikuara për të çuar në përfundime të dështuara. Në parim dija shkon prej burimeve te historia. Burimologjia i paraprin historisë. Nuk mund të bësh histori, duke përfshirë dhe histori letërsie, pa pasur në dorë burimet. Atëherë ky libër u bë pikërisht për të manifestuar këtë fakt që burime ka, por duhet zell për të kërkuar. Në një arkiv nuk mund të gjenden aq lehtë burimet sa mund të gjenden në një bibliotekë. Në arkiv rendimenti është shumë më i ulët, duhet të kërkosh me qindra dosje për të mbërritur deri tek burimi që mund të vlejë për t’u paraqitur në një libër. Mendoni që një nga arsyet që nuk e ka lënë të qetë Kadarenë me qëndrimin e tij në këto 15 vjet, aq sa ka dominuar opinioni ndaj tij: “nuk i mjafton që është shkrimtari më i madh shqiptar?”, ka qenë dokumentimi i atij raporti të letërsië me regjimin? Sa e kam ndjekur unë mendimin e Kadaresë, për informacionin që ai kishte në të shkuarën për shqetësimet që atij i vinin në mënyrë të herëpashershme publikisht ose fshehtaz prej politikës mendoj se ai ka ditur vetëm të vërteta gojore, të thëna në konfidencë prej miqsh të tij të cilët shpesh ishin dhe afër pushtetit ose ka mësuar prej nënteksteve që kishin fjalimet e njerëzve që drejtonin politikën në Shqipëri, në shumicën e rasteve kur kishin aluzione dhe nëntekste, kur kishin aluzione dhe kritika për Kadarenë. Por vetë Kadare nuk e ka njohur këtë raport që shpall ky libër. Mund ta ketë ditur intuitivisht qoftë dhe prej një sjelljeje të zakonshme të kolegëve të tij me të, prej ftohtësisë apo ngrohtësisë në një mbledhje pune. Ka ditur të kuptojë se nuk ka qenë shkrimtar i dëshiruar, për këtë arsye ai dhe në ato autokritikat e tij e thotë në një mënyrë, gati si një luks: “unë jam armik, kam shkruar një vepër kundër diktaturës proletariatit, kundër komunizmit, kundër Partisë së Punës”, nuk është shumë e lehtë të thuash këto gjëra në mesin e viteve 70, por prapë është gjë tjetër t’i dish të vërtetat prej dëshmisë së shkruar. Gjithsesi mendoj se Kadare ka qenë në dijeni të opinionit që e rrethonte, të ftohtësisë, të qëndrimeve kritike, qoftë dhe për faktin se disa herë ka debate të drejtpërdrejta me shtëpitë botuese, brenda në Lidhjen e Shkrimtarëve, me aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, kryesisht me sektorin e shtypit, sektorin e edukimit, sektorin e kulturës, por jo deri tek kjo e vërtetë që dëshmohet prej librit. Mendoj se një shkrimtar i madh duhet të trajtohet dhe të pranohet në përmasat e veta jo vetëm në vlerat që i jep një kulture. Edhe në sjelljet e tij. Nuk mund të pritej që Ismail Kadare të ishte i kënaqur me lirinë që një shkrimtari mesatar i mjaftonte, nuk mund të pritej të ishte i kënaqur që në një kongres Lidhjeje që një udhëheqës i partisë e përshëndeste me kokë, gjë që do të ishte luks për një shkrimtar mesatar. Duhet të ketë qenë një prej faktorëve që e ka nxitur në rrugën që mori. I jeni referuar ndonjë modelit të letërsisë dokumentare për këtë libër, a ka një model të tillë për një vepër apo shkrimtar të Lindjes që ka shkruar nën presionion e regjimit? Me sa kam kërkuar, sepse më është dashur të kërkoj se si shkruhet një libër i tillë, në vendet e Lindjes nuk ekziston një lloj modeli, edhe pse nuk mund ta quaj model, por një letërsi e tillë dokumentare. Nëse do të merrnim vendin më të madh komunist të periudhës komuniste, Bashkimin Sovjetik, të paktën pas vdekjes së Stalinit, BS zbatonte politikën e përjashtimit në letërsi, jo politikën e kufizimit. Pra gjithsesi kishte një alternativë dhe ishte po ajo alternativë që ka ekzistuar që në letërsinë antike greke dhe romake. Një shkrimtar sovjetik nuk kishte vetëm alternativën të botonte ose të mos botonte. Kishte dhe një alternativë tjetër: të linte vendin, të pranonte ostracizmin i cili është i njohur që në peridhën helenike. Viktima e parë e ostracizmit është vetë Sokrati. Atij iu ofruan dy zgjidhje: njëra që të qëndronte në vendin e tij dhe t’i nënshtrohej gjyqit dhe vendimit të tij dhe tjetra të linte Greqinë, të shkonte ku të donte, dhe të krijonte sipas dëshirës së tij. Sokrati vetë ishte akuzuar se kishte trazuar shpirtrat e rinisë. Duke pasur besim se gjyqi do të ishte pro tij, ai nuk e la vendin e vet dhe gjyqi e dënoi që ai të pinte kupën e helmit. E kundërta ka ndodhur me Ovidin, në letërsinë romake, i cili vdiq në ostracizëm, në territorin e sotëm të Rumanisë dhe sot e kësaj dite nuk ka një dosje se në ç’kushte u dënua Ovidi prej perandorisë romake dhe si vdiq në ekzil. Ostracizmi ka ndodhur në periudhën e krishtërimit të hershëm. Shën Gjon Gojarti, një prej katër reformatorëve më të mëdhenj në 20 shekuj krishtërim, ka qenë i dëbuar nga Kostandinopoja dhe i internuar në Egjipt. Pikërisht kjo politikë, politika e dëbimit jashtë, është ndjekur me shkrimtarët sovjetikë. Kjo alternativë iu la Pasternakut, kur iu dha çmimi Nobel. Ai kishte mundësinë që ta refuzonte çmimin dhe të vazhdonte të jetonte në Rusi ose ta merrte këtë çmim dhe të mos kthehej më në BS. Pak a shumë, të njëjtat rrethana, për të mos thënë më liberale, kanë qenë dhe në pjesën tjetër të kampit komunist. Çekia kishte një kartë të shpallur të një letërsie tjetër që në vitin 1977. Akti final i Helsinkit bëri një efekt të padiskutueshëm në liberalizimin e mendimit edhe në Hungari, Poloni, Rumani. Për shembull në Rumani ka pasur një letërsi të çuditshme, një letërsi mëse brohoritëse, pro komunizmit, por duke qenë një letërsi e tillë ajo kthehej në letërsi joserioze, humoristike. Mirëpo shkrimtari ishte krejtësisht në rregull me atë që shkruante, shkonte më në skaj se vetë pikëpamja e pushtetit. Në njëfarë mënyrë e hyjnizonte konduktorin e komunizmit më shumë se sa ai vetë e dëshironte dhe kështu prej efektit zmadhues vepra kthehej në një humor të fshehtë, në një lloj disidence, në një tallje me sistemin komunist. Kam pasur rastin të takoj një prej shkrimtarëve të dënuar që më pas u bë president i Hungarisë Harpard Gënz, që mund të krahasohet me Pjetër Arbnorin në Shqipëri, por Gënz nuk kishte bërë 28 vjet burg. Kishte bërë një dënim shumë të shkurtër, sepse nuk kishte qenë i dashur për partinë komuniste të Hungarisë. Pra kanë qenë kushte të pakrahasueshme me kushtet në të cilat është zhvilluar letërsia në Shqipëri. Letërsia në Shqipëri ka qenë shumë më e kontrolluar dhe ajo që ndodhi këtu, nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Lindjes. Letërsia quhej letërsi e realizmit socialist dhe kjo do të thotë se duhej të ishte së pari letërsi realiste dhe pastaj më frymëzim socialist. Por në Shqipëri ndodhi e kundërta së pari duhej një letërsi socialiste dhe pastaj vinte realizmi. Madje në momente të caktuara realizmi edhe u zhvlerësua, sepse nga veprat kërkohej të kishte optimizëm, optimizëm edhe të fabrikuar, të pabesueshëm që shkonte larg së vërtetës, mburrje të vlerave komuniste në Shqipëri, mundësisht paraqitjen e Shqipërisë si një qendër ndërkombëtare të lëvizjes komuniste. Realizmi është një drejtim letrar që u zhvillua për tre shekuj, ka pasur realizëm kritik po së pari ishte realizëm, ka pasur neorealizëm po së pari ishte realizëm. Ka pasur edhe libra të realizmit socialist tek të cilat ka peshuar më shumë realizmi se sa frymëzimi socialist. Kurse në Shqipëri për fat të keq epiteti mori peshë më të madhe se sa termi. 22/02/2005

Presidenti Rugova priti botuesin Skënder Blakaj dhe studiuesin Musa Ahmeti

lajme

 
lajmi
Prishtinë, 22 shkurt - Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova priti sot drejtuesin e shtëpisë botuese "Arbi", Skënder Blakaj dhe studiuesin Dr.Musa Ahmeti. Me këtë rast ata ia dorëzuan Presidentit Rugova ekzemplarin e parë të ribotimit në nëntë vëllime të veprës "Illyricum Sacrum" që sapo doli nga shtypi nga kjo shtëpi botuese. Presidenti Rugova e çmoi si një moment me rëndësi botimin e kësaj vepre të madhe për historinë e kulturën e Kosovës dhe të shqiptarëve. Me këtë botim, tha Presidenti, ky libër po kthehet në vendin e vet, në Ilirinë qendrore, duke shtuar se studiuesit do të kenë mundësi ta kenë në dorë këtë vepër të madhe, si dhe brezat e rinj të studiuesve. Ai përgëzoi botuesin për punën e vyeshme që ka bërë, duke thënë se ky është një kujdes i vogël i shtetit për botimin e veprave kapitale për gjuhën dhe kulturën tonë. Zoti Blakaj e falenderoi Presidentin për kujdesin e treguar dhe për mbështetjen që kjo vepër kapitale të shohë dritën për historikun e Ilirisë. Ai uroi që kjo vepër tash e tutje ta kryejë misionin e vet në duart e historianëve. Kjo vepër, tha ai, është pak e njohur nga studiuesit tanë, duke bërë të ditur se kjo shtëpi botuese ka edhe projekte të tjera që pritet ta shohin dritën. Studiuesi Dr. Musa Ahmeti tha se, në emër të intelektualëve, historianëve dhe studiuesve, e falenderon Presidentin Rugova për kujdesin e treguar për albanologjinë, kulturën, traditën dhe veçanërisht për historinë kombëtare shqiptare, duke thënë se vepra "Ilyricum Sacrum" mund të quhet edhe një enciklpedi ilirike që mund t'u shërbejë historianëve shqiptarë dhe të huaj.

Ne Pallatin e Kulturës në Tetovë Filloi manifestimi letrar ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000"

lajme

 
lajmi
-Manifestimin e hapi drejtori i Drejtorisë së Manifestimit "Ditët e Naimit 2000", Shaip Emërllahu, kurse të pranishmit i përshëndeti kryetari i komunës së Tetovës prof.dr. Murtezan Ismaili.-Shtatorja e Naim Frashërit u përurua provizorisht në aulën hyrëse të Pallatit të kulturës në prani të të gjithë pjesëmarrësve të Akademisë solemne Tetovë, 19 tetor 2000 - Në Pallatin e kulturës sot me intonimin e himnit kombëtar nga korri i përzier i Tetovës e nën dirigjimin e Arifiknet Xhemailit filloi manifestimi i katërt letrar ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000". Në këtë manifestim marrin pjesë më shumë shkrimtarë, hulumtues e njohës të mirë të veprës së Naimit, ndërsa në Akademinë solemne që është duke u mbajtur në këtë moment marrinp jesë intelektualë nga të gjitha hapësirat shqiptare, udhëheqës shtetëror, partiakë të institucioneve të ndryshme etj. Këtë manifestim e hapi drejtori i Drejtorisë së Manifestimit "Ditët e Naimit 2000", Shaip Emërllahu, i cili tha: "Jemi takuar për të katërtën herë me radhë në qytetin e Tetovës, ku Naimi ka ardhur dhe është vendosur në shtëpi. Ka ardhur në 100 vjetorin e vdekjes, i lartë, ashti siç ishte i lartë me dije, atdhetari, dashuri, urtësi ..." "Prania jonë këtu dëshmon se klima e Sharrit për mushkëritë e tij të sëmura nga tuberkulozi, është i mirë. Nga maja e këtij mali ilir, mesazhi i tij bartet pa penguar në gjithë hapësirën shqiptare, të cilës ai me tërë qenien i këndoi me atdhedashuri dhe mall. Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin Shqipëtar.". Vendbanimi i tij i ri, Tetova, për çdo vit e më shumë merr profil pelegrinazhi. Takohen pasardhës të tij të letrave dhe ai në mes digjet si qiri. Që t'u ndinj mir' e të shihni. Njëri tjatrin të njihni.-pëshpërit zëshëm në këtë kohë, ku na mungojnë rrugët për bashkim, mirëkuptim, mirësi. Në këtë orë qëndrimi, në këtë orë ku gjeografia jonë e goditur po merr sinjale drite, le të vazhdojmë t'i kuptojmë vlerat e Naimit tonë të Madh një ndihmesë për të ardhmen. Të nderuar mysafir, Drejtoria e Manifestimit Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit" ka punuar për 9 muaj rresht që një përvjetor i rëndësishëm siç është ky, të dalë me tërë portretin që thotë vlerësimin dinjitoz për figurën e madhe kombëtare, Naim Frashëri dhe organizimin e mirë të Manifestimit Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000". Shtatorja që patë në hyrje të Pallatit e që do të vendoset në qytetin e Naimit, e punuar nga vëlezërit Lokaj, është njëri segment, ndërsa kjo akademi solemne dhe aktivitetet tjera letrare, shkencore, artistike e muzikore që do të zhvillohen në vazhdim, përbëjnë tërësinë vlerësuese të Drejtorisë. Ashtu siç e përbëjnë edhe numri e gjeografia e pjesëmarrësve dhe ju të pranishëm në sallë e në ekranet televizive. Pastaj të pranishmit i përshëndeti kryetari i komunës së Tetovës prof. dr. Murtezan Ismaili, i cili pos tjerash tha: Se 100 vjetori i vdekjes të këtij kolosi të rilindjes tonë, paraqet një rast të volitshëm për takime të këtilla kulturore, të cilët ka rëndësi të madhe dhe vlerë shumë dimensionale, si për popullin shqiptar ashtu edhe për mbarë kulturën e rajonit. Manifestimet e këtilla paraqesin momente festive, si për organizatorët pjesëmarrësit në to, po ashtu edhe për mbarë popullatën e vendit ku ata mbahen. Ky nder tani tre ditë do t'i takojë Tetovës dhe tetovarëve, për çka jemi krenar dhe me këtë rast do të më lejoni që të shpreh kënaqësinë time, duke u përshëndetur të gjithëve dhe duke u dëshiruar punë të mbarë. Manifestimi "Ditët e Naimit" i katërti me radhë nëqytetin tonë ku marrin pjesë shumë emra të kulturës, shkencës dhe artit shqiptar, por edhe të tjerë tregon rëndësinë e kësaj figure të shquar të historisë sonë, por njëkohësisht edhe garanci se ky tubim do të jep kontribut të veçantë në qarqet komplementare të studimeve të deritashme, të koncepteve dhe dimensioneve të reja që do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shkencës, kulturës dhe artit shqiptar dhe atij mbarë njerëzor, tha Murtezan Ismaili. Pastaj me pikë muzikore të pranishmit i argëtoi pianistja Lule Elezi dhe sopranja Dëshira Ahmeti. Më vonë filloi ora letrare në të cilën lexuan poezitë e tyre Fatos Arapi, Din Mehmeti, Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, Dhumitër Majon etj. REcitim nga "Bagëtia e bujqësi" bëri Rikard Larja, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo etj. Derisa po raportojmë pritet që të pranishmëve t'iu drejtohet prof. dr. Aurel Plasari, i cili ka përgatitur referatin në temë: "Naimi si Shqipëri bërës". Ky manifestim nesër do të vazhdojë me sesionin shkencor "Naim Frashëri-bektashizmi dhe kombëtarizmi", që do të mbahet në një nga lokalet e Pallatit të Kulturës në Tetovë. Pasdite do të shkohet në Kodrën e Diellit ku të gjithë pjesëmarrësit do t'i argëtojë SHKA "Xheladin Zeqiri". Surpriza e këtij manifestimi pritet të mbahet nesër në mitingun e poezisë në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë në orën 19,00 ku do të marrin pjesë të gjithë poetët e ftuar nga të gjitha viset shqiptare. Me këtë rast do të ndahen çmimet "Naim Frashëri" dhe çmimi "Qiriri i Naimit". Parashihet që anëtar nderi i këtij manifestimi të shpallen dr. Aurel Plasari, Rexhep Ismaili, Aleksandër Zoto dhe Robert Elsie. Njëqind pjesëmarrësit e manifestimit të katërt të "Ditët e Naimit" pritet t'i përfundojnë punimet pasnesër. Sa i përket shtatores të Naim Frashërit ajo sot u përurua provizorisht në aulën hyrëse të Pallatit të Kulturës në prani të të gjithë pjesëmarrësve të Akademisë solemne. Çështja e vendosjes së shtatores është e hapur dhe për të do të vendosin organet kompetente në ditën e ardhshme. Enver Shala

Edhe 100 vjet pas vdekjes Shqiptarët nderojnë Naim Frashërin

lajme

 
lajmi
Në tri qendrat kryesore shqiptare Tiranë-Tetovë-Prishtinë shënohet denjësisht përvjetori i Naim Frashërit. Ky vit është shpallur viti i Naimit të Madh, ndërkaq që muaji tetor është emëruar si Muaji i Naimit - Tërë këto aktivitete që do të zhvillohen në këto qendra kryesore të kulturës shqiptare flasin për përgjegjësinë dhe respektin që tregojnë shqiptarët ndaj figurës madhore të rilindasit, humanistit dhe poetit të madh Naim Frashëri Shkrimtari i njohur shqiptar i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri do të përkujtohet në 100 vjetorin e vdekjes përmes aktiviteteve të shumta kulturore, shkencore, letrare e muzikore në mbarë hapësirën shqiptare. Ky vit është shpallur viti i Naimit të Madh, ndërkaq që muaji tetor është emëruar si Muaji i Naimit. Kjo ndjehet në trekëndëshin Tiranë-Tetovë-Prishtinë, ku zhvillohen veprimtaritë qendrore. Kështu tash një kohë të gjatë në qytetin e Tetovës, nga Drejtoria e Manifestimit Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit" po bëhen përgatitjet rreth shënimit të këtij jubileu dhe mbajtjes së Manifestimit tradicional Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000". Siç është publikuar në këtë përvjetor në Tetovë do të bëhet zbulimi i shtatores së Naim Frashërit, vepër kjo e vëllezërve skulptorë nga Prishtina Asim dhe Xhavit Lokaj. Kjo është paraparë të bëhet në ditën e parë të Ditëve të Naimit 2000. Ndër veprimtaritë letrare artistike janë Akademia solemne dhe ora e madhe letrare që do të mbahen në Sallën e Madhe të Pallatit të Kulturës. REferatin kryesor për jetën dhe veprën e këtij kolosi të romantizmit shqiptar do ta mbajë studiuesi i njohur nga Tirana prof. dr. Aurel Plasari. Në orën qendrore poetike, pritet që poetët më të njohur shqiptarë të vendit dhe të huaj do të lexojnë krijimet e tyre. Ky përvjetor sjell përpara dashamirëve të artit letrar katalogun e poetëve pjesëmarrës në dy gjuhë (shqip-anglisht). Në kuadër të "Ditëve të Naimit 2000" do të mbahet edhe sesioni shkencor me temë "Naim Frashëri: bektashizmi dhe kombëtarizmi", ku studiues të njohur pjesa më e madhe e të cilëve kanë konfirmuar titujt e kumtesave, do të ndriçojnë edhe më thellë veprën e Naimit. Sesioni shkencor do të zhvillohet në dy seanca. Këto kumtesa Drejtoria më vonë ka paraparë që t'i botojë në një libër të veçantë. Gjithashtu, do të zhvillohet edhe një orë tjetër poetike, do të shfaqet një program recital me pjesë nga vepra e Naimit, që do të interpretohen nga aktorë të njohur shqiptarë në regji të Bujar Lumës, si dhe do të ndahen çmimet "Naim Frashëri" për vepër më të mirë të botuar brenda dy manifestimeve në prozë dhe në poezi, çmim që ka vlerën 1.000 DM gjermane. Përkujtimi i veprës së Naimit siç thamë edhe në fillim do të përkujtohet edhe në kryeqytetin shqiptar Tiranë dhe në Prishtinë. Kështu në Tiranë ky aktivitet do të drejtohet nga Komisioni i ngritur për këtë rast nën udhëheqjen e ministrit të shtetit, Ndre Legisit. Burime nga ky komision kanë bërë të ditur për ATSH-në se, "Aktivitetet do të nisin më 5 tetor me një takim jubilar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës". Në këtë takim do të jenë të pranishëm personalitete të larta të shtetit. Ndërsa, aktorë të njohur të skenës shqiptare do të recitojnë pjesë nga krijimtaria poetike e Naim Frashërit. Në këtë kuadër, Akademia e Shkencave do të organizojë më 20 tetor konferencën "Naimi dhe kultura shqiptare", ku do të marrin pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, etj. Referatin kryesor do ta mbajë prof. dr. Rexhep Qosja. Në konkursin për vepër shkencore dhe artistike më të mirë, shkruar për Naim Frashërin në dhjetë vitet e fundit, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka shpallur konkurs letrar. Ndërkohë, në Tiranë do të bëhet rehabilitimi i 3 busteve të vëllezërve Frashëri. Për rehabilitimin e tyre është dhënë një fond i veçantë nga Qeveria shqiptare. Ky komision ka propozuar që një nga sheshet e Tiranës të marrë emrin e poetit, si dhe shpalljen e konkursit për punimin e një monumenti të madh, kushtuar Naim Frashërit. Programet kushtuar poetit nuk do të mungojnë edhe në Televizionin Publik. Mbrëmja e fjalës naimiane, emisione si dhe shfaqja e një filmi të ri dokumentar kushtuar poetit kombëtar Naim Frashëri, janë disa prej programeve të planifikuara. Naim Frashëri është poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimar i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare. Në Prishtinë në organizim të Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës më 14 dhe 15 tetor do të mbahet Konferenca shkencore "Naim Frashëri-100 vjet pas". Tërë këto aktivitete që do të zhvillohen në këto qendra kryesore të kulturës shqiptaer flasin për përgjegjësinë dhe respektin që tregojnë shqiptarët ndaj figurës madhore të rilindasit, humanistit dhe poetit të madh Naim Frashëri. Nexhbedin Shaqiri

Bisedë me intelektualin iranian Vahid FermandNaim Frashëri- poeti i fundit i madh që shkroi poezi në persisht

lajme

 
lajmi
Z. Vahid Fermand është drejtor i Departamentit të Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit. Në Ballkan ka qenë i pranishëm që nga viti 1992 dhe është ambasador i parë i Republikës islamike të Iranit në Shqipëri. Nga punimet shkencore, vlen të përmendet përgatitja e librit "Ndikimi i kulturës dhe gjuhës perse mbi letërsinë shqiptare", i cili pritet të dalë para lexuesve në vitin e ardhshëm. Në të janë përmbledhur disa shkrimtarë shqiptarë, duke filluar nga Naimi e Noli, deri te Vexhi Buharaja. Në Manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000", Vahid Fermand mori pjesë me kumtesën e tij në sesionin shkencor. Tema e tij kishte të bëjë me veprimtarinë e Naimit dhe titullohej "Në përkujtim të Naim Frashërit" Në manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000", në Tetovë u takuan një numër i madh i hulumtuesve, njohësve dhe punonjësve shkencorë që janë marrë vazhdimisht me Naimin, jetën dhe veprën e tij. Sesioni shkencor që u mbajt me këtë rast, kishte të bëjë me Naim Frashërin, bektashizmin dhe kombtarizmin, dëshmoi se Naimi sot e kësaj dite provokon me pikëpamjet e tij në sferën e letërsisë, kulturës, gjuhës, filozofisë, religjionit etj. e ku një vend të veçantë zënë pikëpamjet e tij bektashiane. Së këndejmi, është tejet e arsyeshme që në këto manifestime mëtohet që sa më shumë të hyhet thellë në personalitetin universal të Naimit, i cili ndrit me pikëpamjet e tij dhe është përherë aktual për shqiptarët e ndarë. Një sihariq i këndshëm në manifestimin e sivjemë na erdhi nga Irani. Bashkë me pullën postale me portretin e Naimit, të dhënë në qarkullim në postën iraniane me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së kolosit të Rilindjes sonë, në sesionin shkencor u paraqit edhe z. Vahid Fermand nga Irani. Kush është ky intelektual? Ishte pyetja që me kureshtje e parashtruan mjaft të pranishëm. Z. Vahid Fermand është drejtor i Departamentit të Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të REpublikës islamike të Iranit. Në Ballkan ka qenë i pranishëm që nga viti 1992 dhe është ambasador i parë i REpublikës islamike të Iranit në Shqipëri. Nga punimet shkencore, vlen të përmendet përgatitja e librit "Ndikimi i kulturës dhe gjuhës perse mbi letërsinë shqiptare", i cili pritet të dalë para lexuesve në vitin e ardhshëm. Në të janë përmbledhur disa shkrimtarë shqiptarë, duke filluar nga Naimi e Noli, deri te Vexhi Buharaja. Në Manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000", Vahid Fermand, mori pjesë me kumtesën e tij në sesionin shkencor. Tema e tij kishte të bëjë me veprimtarinë e Naimit dhe titullohej "Në përkujtim të Naim Frashërit". Z. Vahid Fermand, me këtë rast do të thotë: - Të gjithë ata që të paktën një herë kanë shikuar në qiellin e kulturës dhe të letërsisë shqiptare, me siguri se kanë vërejtur Naim Frashërin si yllin më të shndritshëm në atë qiell. Ai është poeti i fundit dhe më i madh që shkroi poezi në gjuhën perse. Cilat janë trajtesat e Naimit në kulturën iraniene? -Vendin kryesor në prezentimin e personalitetit dhe veprës së Naim Frashërit në shoqërinë iraniene e zë profesori bashkëkohor iranian, dr. Abdykerim Gulshani, i cili në sesionin e parë kërkimor që u mbajt në vitin 1970 në Universitetin e Teheranit u paraqit me ligjëratën e tij të titulluar "Ndikimi i letërsisë persiane në Ballkan dhe mbi poetin Naim Frashëri". Sipas prof. Gulshanit, Naimi asokohe, për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe pjesëmarrjes në lëvizjen çlirimtare rilindase, qe i detyruar ta braktiste vendlindjen dhe të vendosej në Stamboll. Gjatë qëndrimit atje, ai shfaqi talentin e vet në fushën e shkrimit origjinal dhe të përkthimit të veprave të huaja. Për shkak të kësaj aftësie emërohet si atashe pranë Ministrisë së Fesë në Perandorinë Osmane, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij në vitin 1900. Si ndahet veprimtaria e Naimit? -Veprimtarinë letrare të Naimit mund ta ndajmë në tri kategori: 1. Poezia kuptimore, lumturie, si p.sh. përmbledhja e poezive "Lulet e verës"; 2. Poemat senzitive si "Qerbelaja" dhe "Historia e Skënderbeut", dhe 3. Poezi edukuese, siç janë librat përgatitorë për bektashizmën. Duhet thënë se e tërë veprimtaria e tij politike dhe kulturore rrotullohej rreth një strumbullari, e që ishte dashuria e jashtëzakonshme për atdheun dhe arritja e lirisë dhe pavarësisë për atdheun e tij- Shqipërinë. Ai përpiqej ta ngrinte vetëdijen e popullit të vet duke krijuar letërsi autoreske dhe përgatitje kontekstuale, me qëllim që ta ngrinte gjuhën shqipe në nivel të një gjuhe letrare dhe botuese. Në këtë mënryë në të gjitha veprat e tij, qoftë si poet apo prozator, ai flet me gjuhë të thjeshtë dhe popullore. Sa ka ndikesë poezia persiane në veprën e Naimit? -Poezia persiane e Naimit ishte nën ndikimin e fuqishëm të poezisë dhe poetëve klasikë persianë si Attar Neishaburiut, Xhelaludin Rumiut dhe Saadi Shiriziut. Ndikimi të cilin e kishin ata mbi veprën e Naim Frashërit shihet edhe në faktin se brenda përmbledhjes "Lulet e verës" ka një poezi që titullohet "Fyelli", e cila është mjaft e ngjashme me poezinë e Mevlan Rumiut "tregimi i neit". Veprimtarët kulturorë dhe mjeshtrit e fjalës së shkruar persiane thonë se vështirë mund të gjendet në historinë e letërsisë dhe kulturës botërore poet i cili përmes studimit të një letërsie të caktuar të huaj të mund të përshkruajë atë dhe të shkruajë poezi cilësore në një gjuhë tjetër, e cila për nga tiparet e saj dallon shumë nga gjuha amtare. Çka e bën Naimin mjeshtër të pakapërcyeshëm të letrave persiane? -Bukuria dhe vlera e poezisë së Naimit, jo pse është shkruar nga një i huaj, mahnit nga vetë fakti se ai ka njohuri të thellë të teknikës së shkrimit të poezisë persiane dhe kjo e bën Naimin mjeshtër të pakapërcyeshëm të letrave persiane. Poezia e tij nuk është e përshkruar nga lavd për asnjë njeri, e aq më pak për vetveten. Poezia e tij është e thjeshtë dhe ka qëllim të lartë që e bën atë baba të urtisë. Ku janë ndërlidhjet e Naimit si mendimtar mes Ballkanit dhe Gadishullit Indian? -Poezia e Naim Frashërit në Perëndim dhe ajo e Muhamed Ikbal Lahoriut në Lindje kah fundi i shekullit 20, ishin lëndë studimi që nga Gadishulli Ballkanik e deri te Gadishulli Indian. Që të dy ata ishin ura për lidhjen e mendimtarëve të këtyre hapësirave, - thotë intelektuali i mirënjohur nga Irani z. Vahid Fermand. pikëpamjet e shtruara në këtë bisedë janë të ngërthyera tërësisht në referatin që ky mysafir nga një vend i largët, që e paraqiti në sesionin shkencor në kuadër të Manifestimit të katërt Letrar Ndërkombëtar "Ditët e Naimit 2000" dhe shënimit të 100 vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit që një ditë punoi në temën: "Naim Frashëri: bektashizmi dhe kombëtarizmi", referat ky që u mirëprit me kureshtje të veçantë si nga dëgjuesit, po ashtu edhe nga studiuesit pjesëmarrës në këtë sesion nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Rumania, Franca, Irani dhe Maqedonia. Bisedoi: Enver Shala

Doli ne qarkullim antologjia e poeteve pjesemarres ne Ditet e Naimit 2002, “Fshehtësia e lirisë”

lajme

 
lajmi
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në kuadër të Edicionit të Gjashtë të Manifestimit Letrar Ndërkombëtar Ditët e Naimit, që u mbajt në Tetovë prej 17 – 21 tetor 2002, doli edhe libri me titull “Fshehtësia e lirisë”, libër ky me poezitë e autorëve pjesëmarrës. Përmbledhjes në fjalë i prin parathënia që mban titullin “Poezia – një mundësi e komunikimit ndërkulturor”, të shkruar nga Ahmet Selmani, i cili njëherësh është edhe përpilues i librit. Në të janë përfshirë gjithsej 62 autorë, me nga tri poezi, si dhe me nga një jetëshkrim të shkurtër. Pra, aty renditen poetë shqiptarë dhe të huaj, por edhe poetë nga nacionalitetet e tjera që jetojnë në Maqedoni. Në këtë mënyrë brenda librit “Fheshtësia e lirisë” i gjejmë poetët siç janë: Flutura Açka (Shqipëri), Abd El-Karim Al-Khalqi (Tunis), Fatos Arapi (Shqipëri), Teuta Arifi (Maqedoni), Mario Belici (Itali), Silke Blumbach (Gjermani), Eqrem Basha (Maqedoni), Flora Brovina (Kosovë), Sali Bashota (Kosovë), Ibrahim Berisha (Kosovë), Sigrun Casper (Gjermani), Basri Çapriqi (Mali i Zi), Latif Demir (Maqedoni), Alberto Estima de Oliveira (Portugali), Skiro di Maxho (Itali), Shaip Emërllahu (Maqedoni), Ioan Flora (Rumani), Nikolë Kazhë Florentini (Martinik – Ishujt e Karaibeve), Adem Gashi (Kosovë), Ivan Golubnici (Federata Ruse), Myftar Gjana (Shqipëri), Demir Gjergji (Shqipëri), Lulëzim Haziri (Maqedoni), Klodinë Helf (Francë), Mun Çung Hi (Koreja e Jugut), Biba Ismail (Maqedoni), Abdylazis Islami (Maqedoni), Murat Isaku (Maqedoni), Dushica Ilin (Serbi), Svetllana Hristova Jociq (Maqedoni), Anders Johanson (Suedi), Kama Kamanda (Kongo), Ismail Kadare (Shqipëri), Milianov Kallupi (Shqipëri), Milazim Krasniqi (Kosovë), Bardhyl Londo (Shqipëri), Natasha Lako (Shqipëri), Maria Lenti (Itali), Pavlina Klimkar Meanxhieva (Maqedoni), Roberto Markoni (Itali), Zyhdi Morava (Shqipëri), Din Mehmeti (Kosovë), Shazim Mehmeti (Maqedoni), Vojsava Nelo (Shqipëri), Paulina Popa (Rumani), Hristo Petreski (Maqedoni), Ali Podrimja (Kosovë), Radhia Riahi (Tunis), Kasian Maria Spiridon (Rumani), Vanja Shterju (Maqedoni), Sara Mathai Stinus (Indi), Erik Stinus (Dnaimarkë), Salajdin Salihu (Maqedoni), Luan Starova (Maqedoni), Rizah Sheqiri (Suedi), Haxhi Shabani (Mali i Zi), Vasil Tocinovski (Maqedoni), Agron Tufa (Shqipëri), Kate Xukaro (Itali), Metin Xhelal (Turqi), Puntorie Muça Ziba (Maqedoni) dhe Visar Zhiti (Shqipëri). Përgjithësisht, në suaza të këtij libri gërshetohet një botë e gjerë motivore e poetike, e cila ndonëse vjen nga sfera të ndryshme shpirtërore e gjeografike, madje edhe ekzotike, prapëseprapë qëndron si një tërësi e natyrshme dinamike, e cila megjithatë rrezaton drithma dhe shqetësime lirike. Në fakt, libri “Fshehtësia e lirisë” dëshmon qartë se poezia, pavarësisht se ku krijohet dhe ku botohet, komunikon natyrshëm në çdo pjesë të botës, sepse gjuha e saj është specifike, kuptohet një gjuhë që bart peshën shpirtërore të njeriut. Prandaj, si i tillë ky libër paraqet një sintezë artistike interesante, një mundësi të hapur për ta receptuar lexuesi etj.

Feniks" nga Shkupi botoi në gjuhën maqedone "Endër obortare" të poetit Shaip Emërllahu

lajme

 
lajmi
Kohë më pare Shtëpia botuese "Feniks" nga Shkupi botoi në gjuhën maqedone vëllimin me poezi "Endër obortare" të poetit Shaip Emërllahu. Poezitë i zgjodhi dhe përktheu në maqedonishte poeti dhe kritiku letrar, Ahmet Selmani. Libri permban 46 poezi të vendosur në 6 kapituj, si Dromca jete, Projekti i thyer, Endër obortare, Kronika oeneumiane, Zeri i largët dhe Pranverë dashurie. Publiku maqedonas për disa decenie me rradhë u ushqye me mendimin se poezia bashkëkohore fillon dhe mbaron me një apo dy poet të gjeneratës më të vjetër. Ky portret në një farë mënyre te disa qarqe u kthye në një qëndrim byrokrat. Kohëve të fundit vërehet një reaksion pozitiv ndaj letërsisë bashkëkohore shqiptare, pra kemi një realitet tjetërfare. Në poezitë e Shaip Emërllahut vërehet një dinamikë specifike e cila vjen pikërisht prej prezencës së metaforës si arketip poetik. Duke dhënë një strukturë tjetërfare që fokusohet në kornizat e një kondenzimi të madh të artit të fjalës, metafora bëhet thuajse figura e vetme përmes së cilës ai hyn dhe del nëpër fshehtësitë e fjalës… Shikuar kontekstualisht kjo poezi gjithsesi me pak fjale sugjeron shumë, asocon ne shumçka, ndërsa në vetëdijen e lexuesit paraqet një fotografi të qartë. Shaip Emërllahu me metaforen gjen strehë të sigurtë për mendimin. Metafora e tij është lëvizëse, transformohet në trajta të ndryshme të fjalës. Sëbashku me disa emra të tjerë të gjeneratës së vet opusi tij meriton të paraqitet gjithandej ku fjala poetike është gjithnjë e nevojshme - thotë në mes tjerash kritiku Ahmet Selmani në pasthënien "Modusi i metafores poetike shumdimensionale" të librit "Endër obortare" të Shaip Emërllahut. Libri ka 70 faqe, nje biografi dhe nje fotografi te autorit. A.A.