Back to Top

Fototeka “Marubi” - monument i vlerave kombëtare të popullit shqiptar

lajme

 
lajmi
Fototeka Kombetare “Marubi” është një nga instituicionet kulturore, me vlera kombëtare në Shqipëri. Aty ruhen disa mijëra fotografi, të realizuara nga fotografët më të njohur shqiptarë. Mes tyre, gjendet edhe negativi i fotografisë së parë shqiptare, realizuar nga fotografi Pjetër Marubi. Korespondenti ynë Pëllumb Sulo na sjell një reportazh nga kjo Fototekë, që është edhe e vetmja në Shqipëri. Fototeka Kombetare “Marubi” gjendet ne qendër të qytetit të Shkodrës, ku janë edhe disa nga institucionet më të rëndësishme të këtij qyteti, të njohur për traditat e pasura kulturore, me ndikim edhe në kulturën kombëtare shqiptare. Fototeka është krijuar në vitin 1970, por në fondet e saj ruhen negative të fotografive që i perkasin një periudhe gati 150 vjeçare, duke nisur nga viti 1858. Drejtoresha e Fototekës Kombetare “Marubi”, Semiha Osmani, thotë se Fototeka është e lidhur kryesisht me familjen e njohur Marubi, duke filluar nga fotografi i parë shqiptar, Pjetër Marubi e pas tij, me Kel e Gegë Marubin. Por ketu ruhet edhe puna dhjetra vjeçare e fotografëve të tjerë shkodranë te familjeve Pici, Jakova, Raboshta e Nenshati. “Gjithësej, në total në Fototekën “Marubi” bëhen rreth 500 mijë negativë, duke u futë edhe fondi i ri i Angjelin Nenshatit,” thotë zonja Osmani. Sipas drejtoreshes Osmani, dixhitalizimi i fotografive të Fototekës “Marubi”, do të ndihmojë për njohjen dhe ruajtjen më të mirë të vlerave të saj. Tashmë, në procesin e dixhitalizimit të këtyre fondeve është përfshirë edhe pasardhësja e fundit e familjes Marubi, Terezina Marubi. Profesor doktor Kahreman Ulqini është autori i albumit të parë “Gjurmë të historisë kombëtare në fototekën “Marubi”, të botuar në vitin 1982. Ai thotë se vlerat e Fototekës “Marubi” kanë përmasa kombëtare dhe se duhet të vazhdojë puna për seleksionimin dhe shfrytëzimin shkencor të këtyre vlerave. “Fototeka është një minierë, mund ta krahasojmë, dhe dallohet jo vetëm për sasinë e madhe por edhe shumëllojshmërinë, tematikat e ndryshme. Aty në xhamat e grumbulluar janë fiksuar veprimtari ekonomike, shoqërore, politike, administrative, ushtarake, etj., të cilat përbëjnë një material të pazëvendësueshëm për studiuesin. Fototeka pret të bëjë edhe një klasifikim të brendshëm të materialieve, që t’i shërbejë më mirë studiuesve. Këtu hyn edhe skedari ose aparati informativ, që do të jetë kronologjik, tematik dhe krahinor,” thotë profesor Ulqini. Vitet e fundit, me fotot që ruhen në Fototekën “Marubi”, janë publikuar edhe disa albume e botime të tjera në Shqipëri, Francë, Itali e Spanjë. Por fotot e kësaj fototeke janë shfrytëzuar edhe nga dhjetëra studiues shqiptare dhe të huaj, për botime të shumta shkencore rreth historisë dhe kulturës shqiptare dhe ballkanike. Duke vlerësuar pasuritë dokumentare, kulturore dhe historike të Fototekës “Marubi” muajt e fundit, qeveria shqiptare e shpalli atë si institucion kombëtar, nën kujdesin e Ministrisë shqiptare të kulturës. Pellumb Sulo 5 shkurt 2005

Një pikturë e rrallë me Kupën e Shenjtë të Jezu Krishtit ekspozohet ne Tirane

lajme

 
lajmi
Një pikturë e rrallë e shekullit XVII-XVIII-të me titull "Shën Gral", me figurën e Kupës së Shenjtë të Jezu Krishtit u ekspozua sot ( e Martë) për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Piktura,që ruhej nga koleksionisti elbasanas,Vangjel Kapedani nuk ka qenë e kornizuar apo vendosur në formë ikone në ritualin e kishave. Ajo i është ofruar muzeut për blerje nga koleksionisti, i cili pohoi ta ketë gjetur pikturën në gjendje mjaft të dëmtuar në shtëpinë e prindërve të tij në Elbasan. "Eshtë një vepër unike dhe ka një subjekt ikonografik ndryshe nga teknika shumëshekullore e ikonës, që bëhet mbi dru dhe nga teknika e afreskut, që është pikturë murale të cilat përbëjnë traditën kryesore të kishave lindore e perëndimore" tha drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Moikom Zeqo. Sipas tij, "motivi i Shën Gralit nuk njihet në ikonografinë shqiptare por fakti që kemi një vepër të tillë mund të vërtetojë ndikimin prej subjekteve ikonografike të Evropës Perëndimore". Në këtë vepër me vlera të veçanta artistike paraqitet në kupa e verës së Krishtit, në anë të së cilës gjendet ëngjëlli Mihal dhe kryeëngjëlli Gabriel. Sipër kupës jendet figura hyjnore e Krishtit, mbi kokën e të cilit qëndrojnë katër kerubinë me krahë, që janë elementë figurativë të hirearkisë qiellore. Në figurë dallohet një mbishkrim në gjuhën greke që përkthehet "Kupa e shenjtë". Pikturimi është realizuar mbi një lëkurë keci ose disa copa lëkure të bashkuara në një sipërfaqe 145 cm X 99 cm. Kuptimi i emrit Shën Gralit lidhet me një traditë gnostike, sipas së cilës Kupa e Shenjtë është kupa të cilën përdori në darkën e fundit Jezu Krishti me apostujt e tij.

Krijimtaria e Kadaresë nën regjimin komunist pasqyrohet në një dosje

lajme

 
lajmi
Personaliteti i shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare dhe marrëdhëniet e tij disavjeçare me institucionet e regjimit komunist janë përmbledhur në librin e rof.Dr.Shaban Sinanit, "Një dosje për Kadarenë", që doli në treg sot (e Hënë) nga Shtëpia Botuese "Omsca 1". "I konceptuar në pesë kapituj, libri publikon për herë të parë rreth 38 dokumenta dhe një numër të konsiderueshëm faksimilesh, çka shpjegon marrëdhëniet e vështira që ka pasur Ismail Kadare me nomenklaturën e lartë", tha Sinani Visar Zhiti, autor i disa veprave i të ashtuquajturës "letërsi burgu" shprehet se "vepra i ngjan një triadhe. Pjesa hyrëse paraprihet nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike. Kjo pasohet nga disa intervista dhënë në shtypin e ditës, ku autori u përgjigjet çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim, e pastaj vazhdon me survejimet mbi letërsinë e Kadaresë". Disa nga veprat e Ismail Kadaresë të shkruara gjatë periudhës së regjimit komunist janë; "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1964), "Përse mendohen këto male" (poemë 1964), "Kronikë në gur" (1970) "Kështjella" (1975). Vepra të tjera me subjekt nga kjo periudhë veçohen "Pallati i ëndrrave", "Piramida", "Shkaba", "Spiritus", etj. Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe në mbi 30 vende të botës./ "24 ore"

Rritet bashkepunimi kulturor ne mes Shqipërise dhe Maqedonise

lajme

 
lajmi
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi dhe homologu maqedonas, Blagajo Stefanovski, zhvilluan një takim në fundjavë në Shkup (Maqedoni), ku evidentuan mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve në fushën e teatrit, librit dhe kulturës. Zëdhënësja për shtyp e MKRS-së, Anila Leka, bëri të ditur sot (e Hënë) ë se "dy ministrat morën pjesë në promovimin e projektit të Fondacionit "Ballkani pa kufi" në Shkup, ku Shqipëria çeli aktivitetin Festivali ballkanik i teatrove të operas" Gjatë takimit, z.Klosi dhe z.Stefanovski vlerësuan rëndësinë e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, si në marrëdhëniet bilaterale ashtu edhe rajonale. Pjesë e rëndësishme e bisedimeve në këtë takim ishte dhe iniciativa e MKRS-së për krijimin e Këshillit Ballkanik të Ministrave të Kulturës, e cila do të finalizohet në 31 Mars të këtij viti, gjatë takimit zyrtar të ministrave të kulturës të vendeve të Ballkanit. "24 ore"

Ne Zagreb u perkujtua Gjergj Kastrioti Skenderbeu

lajme

 
lajmi
Me 14 shkurt ne sallen e konferencave te Bibliotekes Shqiptare ne Zagreb u mbajt nje simpozium per te perkujtuar 600 vjetorin e lindjes se Heroit Kombetar Shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skenderbeu. Simpoziumi ishte organizuar nga Biblioteka Shqiptare ne Kroaci, Unioni i Bashkesive Shqiptare ne Kroaci dhe Shoqata e Miqesise Shqiperi-Kroaci . Ne kete simpozium merrnte pjese dhe Ambasadori i Republikes Shqiperise ne Kroaci, dr.Arben Cici, ambasadori i FYROM ne Kroaci, M.Nesimi kryetari i Shoqates se miqesise Kroaci-Shqiperi, prof.pr. Aleksander Stipcevic , profesor Zef Mirdita e shume e shume personalitete te artit dhe kultures shqiptare ne Kroaci dhe banore shqiptare ne Kroaci. Gjithashtu, merrnin pejse shume shqiptare me banim ne Kroaci, si dhe shume miq e te ftuar te tjere. Ne fjalen e saj te hapjes, Zonja Dorotea Kerni, duke folur per rendesine e kesaj ngjarjeje ,ju kujtoi pjesmarresve se presidenti i Kosoves, dr.Ibrahim Rugova ka shpallur vitin 2005, si viti qe shenon perkujtimin e Skenderbeut. Te pranishmit e priten me duartrokitje kete lajm. Pastaj fjalen e morri Ambasadori shqiptar ne Kroaci, Dr.Arben Cici,i cili duke iu referuar pyetjeve te gazetares e TV Kroat per rendesine e Skenderbeut edhe pas 600 vjetesh, kujtoi se 600 vejt ne Historine e nje populli nuk jane shume. Duke i bere nje pershkrim te shkurter historise Shqiptare, ai theksoi rendesine e Heroit tone Kombetar dhe vlerave te tij si vlera kyce ne historine e Popullit Shqiptar. Referatin "Skenderbeu-mbrojtes i civilizimit Europian" ne shqip dhe ne kroatisht e mbajti Professor Zef Mirdita. Permes faktesh historike, citime leterkembimesh, citime nga materiale historike ne arkivat e ndryshme te shteteve te ndryshem,permes nje detajimi kohor te sakte , Prof.Mirdita dha nje pasqyre te rendesishme te fakteve me te rendesishme te Skenderbeut si shqiptar, si luftetar dhe diplomat, si Prijes dhe Hero. Ai permes ketij referati dhuroi nje dokument me vlera historike per Heroin tone Kombetar. Prof.Mirdita pershkroi se c'fare eshte thene per Skenderbeun qe ne ditet qe ai beri emer si prijes dhe deri ne ditet e sotme. Ai pershkroi me detaje kerkimin shkencor te studjuesve te huaj dhe atyre shqiptare. Ai u ndal gjeresisht ne c'fare kane shkruar Naim Frasheri dhe Fan Noli per Skenderbeun dhe shpjegoi rendesine e trashegimit brez pas brezi te vlerave qe kemi nga Skenderbeu si Prijes ,si Hero dhe si themelues i shtetit te pare shqiptar! Prof Mirdites iu bene disa pyetje nga te pranishmit ne te dy gjuhet per te treguar akoma me shume per vlerat e Heroit. Prof.Mirdita me pasion, me fakte historike dhe me deshire dha informacion plotesues per te pranishmit. Pastaj foli Prof.Dr. Stipcevic. Ai u perqendrua ne kulturen e vjeter mbartur nga shqiptaret e vjete rne Kroaci "Arbanas" dhe beri nje pershkrim te bukur dhe historik mbi shqiptaret e vjeter qe u vendosen fillimisht ne Zara te Kroacise e me pas u zgjeruan edhe ne qytete t etjera. Ai tregoi per mbartjen dhe trashegimin e vlerave ,traditave, kultures dhe emertimeve shqiptare ne keto treva. Ai tregoi se shume vende tashme quhen Sheshi Skenderbeu.,Rruga Gjergj Fishta etj... Ishte pikerisht Skenderbeu, permendi Prof.Dr.Stipcevic, ai person ku "Arbanas-it" u mbajten dhe iu referuan kur te tjeret nuk e dinin se nga vinte ky grup nejrezish.Ishte piekrisht ai emer i njohur ne gjithe Europen dhe boten qe na dha edhe ne shqiptareve identitetin qe ne kemi ende sot. Fjalimet e te gjithe folesve ne simpozium u priten me duartrokitje nga te pranishmit. Nen perkujdesjen e vecante, si gjithmone, dhe drejtimin profesional te drejtoreshes se Bibliotekes Shqiptare Zonjes Dorotea Kerni, cdo gje ishte organizuar profesionalisht dhe artistikisht. Salla ishte dekoruar me piktura nga jeta e Skenderbeut, ishin shperndare ne te gjitha anet dhe vende te dukshme foto dhe libra nga betejat dhe jeta e Skenderbeut. Zonja Kerni ishte perkujdesur per cdo detaj dhe te pranishmit u mblodhen ne nje atmosfere shume te ngrohte dhe miqesore, tipike shqiptare. Simpoziumi i filmua dhe individe te vecante u intervistuan nga Televizioni Kroat. Pas simpoziumit per te pranishmit u dha nje koktej. Merita Bajraktari McCormack

Ne Bukuresht u botua libri i Luan Topçiut “Paradigmat e mallit në poezinë rumune dhe shqiptare”

lajme

 
lajmi
Fjala është për një libër erudit, metodik, dhe bindës, një studim i shkëlqyer, i letërsisë krahasimtare. Autori përmes kësaj vepre, demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore, në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune. Pas Fjalorit Shqip-Rumanisht, librit "Tekstualizem dhe stil" (mbi vepren poetike te Lasgush Poradecit) dhe librit më të ri të Halil Haxhosajt, kultura shqiptare në veri të Danubit, u pasurua edhe me një vepër të re. Fjala është për librin më të ri të dr. Luan Topçiut “Paradigmele dorului in poezia romana si albaneza” (Paradigmat e mallit në poezinë rumune dhe shqipe), botim i Editurës “Cartea Universitara” (Libri Universitar). I përfshirë në spektrin e veprave të kritikës letrare, libri i këtij studjuesi të mirënjohur shqiptar, del në gjuhën rumune, i shoqëruar me një parathënje nga akademiku bukureshtar, Alexandru Balaci, sipas të cilit, fjala është “për një studim të shkëlqyer, të letërsisë krahasimtare. Autori i tij na demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune”. Siç duket pra, edhe njëherë tërhiqet vëmendja ndaj kulturës shqiptare në Bukuresht, përmes librit më të ri, të këtij autori shqiptar. Libri është një studim i letërsisë krahasimtare tematike, ku sillen ngjashmëri dhe ndryshime midis dy letërsive, gjegjësisht midis lirikës rumune dhe asaj shqiptare, përmes një kufizimi gjeografik të dukurisë letrare. Dr. Luan Topçiu vështron fenomenin në një seri paralelesh nga pikpamja historike, socio-kulturore, gjeografike, filozofike, gjuhësore, folklorike, psikologjike. Autori i librit mbron idenë se popujt ballkanikë, kanë bashkëjetuar në një ndërvarësi, në të shumtën e rasteve dhe në të njëjtat sisteme: ekonomike, administrative dhe politike, duke qënë nën dominimin e dikurshëm trako-ilir, pastaj romak, bizantin apo turk. Duke praktikuar pandërprerje shkëmbime vlerash materiale dhe shpirtërore, ata kanë kapur përpos ndryshimeve specifike, karakteristika të përbashkta të një “familjeje të madhe”, e ndjeshme ndaj të gjitha manifestimeve historike. “Këto realitete, sipas parathënësit, i kanë imponuar botës ballkanike, pothuaj gjithmonë, ritmin e një frymëmarrje të vetme”. Libri përbëhet nga këta kapituj: Malli si gjendje shpirtërore. Konteksti socio-kultural; Malli në literaturën e lavruar rumune; Malli në poezinë e lavruar shqipe; Malli në letërsinë postbelike rumune dhe shqiptare. Ndjenja e mallit dhe e vetmisë nostalgjike hetohet si në poezinë gojore ashtu dhe në krijimtarinë e disa poetëve të rëndësishëm rumunë dhe shqiptarë: Mihai Eminescu, Asdreni, Lucian Blaga, Lasgush Poradeci, Viktor Eftimiu, Mitrush Kuteli, Nichita Stanescu, Ismail Kadare, Fatos Arapi, duke i vendosur në një kontekst ballkanik. Përmes analizës së veprës së autorëve që merr në shqyrtim, dr. Topçiu, sipas perspektivës së tij tematike, paraqet njëherazi dhe një imazh të peisazhit lirik rumun e shqiptar. “Autorët e analizuar janë shndërruar në transmetues të një tipi të ri ndjeshmërie, të një vizioni mbi jetën, me thekse të qarta kombëtare dhe rajonale (ballkanike) Poezia e tyre, përndryshe, poezia e ndjenjave më të stërholla njerëzore, të rivitalizuara në letërsitë e vendeve gjegjëse, transmeton një ndjenjë të lashtë, të trashëguar, të ruajtur, e pasuruar me nga më të beftat nuanca semantike... Në kopertinën katërt janë vënë fragmente nga konsideratat e botës akademike rumune rreth këtij libri. Prof. univ. dr. Mircea Muthu, prorektor i Universitetit të Kluzhit, do të theksojë: “Studimi me një nivel akademik i dr. Luan Topçiu, i inkuadruar në linjën e një komparatizmi tematik - jo vetëm që përmbledh vëzhgimet e mëparshme, por çel në të njëjtën kohë disa perspektiva të disa studimeve që, së bashku me ato të morfologjisë kulturore dhe të etnologjisë, do të thellojnë imazhin tonë për një segment karakteristik të kulturës letrare jug-lindore europiane.” Prof. Univ. Dr. Romul Munteanu do ta karakterizojë studimin në mënyrë lakonike: “Paradigmat e mallit ne poezinë rumune dhe shqiptare”, është një libër erudit, metodik, dhe bindës”. Sipas albanologut Grigore Brancus, ky libër sjell në vemendjen e lexuesit të specializuar, letërsinë shqiptare në një vështrim krahasimtar me atë të letërsisë rumune, një paraqitje e denjë e jona, një sukses i merituar i autorit, një ndihmesë e çmuar për njohjen e tjetrit, e atij që është pranë nesh. Ky studim i shkëlqyer, që deshifron ndjenjën e mallit te dy popuj të fisëruar përnga lashtësia, ka 178 faqe, del në kondita të shkëlqyera teknike, dhe kurorëzohet me një bibliografi të zgjedhur prej 126 burimesh. Pritet që përgjatë këtij viti, autori ta befasojë opinionin, edhe përmes botimit të Fjalorit Rumanisht-Shqip, të Antologjisë së Poezisë Shqipe në gjuhën rumune, dhe të një serë veprash të tjera, me karakter eseistik. Dr.Luan Topciu, u lind me 1962 ne Pogradec.Studimet e larta i kreu ne Fakultetin e Filologjise me 1987. Gjate vitit universitar 1989-1990 kryen nje kurs pasuniversitar per Gjuhesi e Statistike, Universiteti i Tiranes. Me 1995-'96 kryen nje Master prane Universitetit te Bukureshtit, Katedra e Teorise se Letersise dhe Letersise se Krahasuar. Eshte Dr. i shkencave Filologjike, Pedagog ne Universitetin e Bukureshtit, Kryeredaktor dhe Botues i revistes dygjuheshe "Albanezul" (Shqipetari) dhe Kryeredaktor i revistes "Shqiperia XXI".

Ne Festivalin Nderkombetar te Filmit te Pavarur ne New York, edhe filmi shqiptar

lajme

lajme
lajmi
njujorkNga BEQIR SINA( Nju Jork - SHBA) Bensonhurst - Brooklyn NY: Në metropolin e botës, Nju Jork, qytetin e më se 12 milion banorëve, për 10 ditë me rradhë, prej datë 11 nëntorë deri më 21 nëntorë 2004, do të zhvillohet festivali i filmit artistik dhe dokumentar "Festivali Nderkombetar i Filmit te Pavarur" . Festiavali i filmit në Nju Jork, do të ndiqet nga specialistë, komentatorë, artsitë, regjizorë, kritikët, dhe gazetat e revistat më të njohuara të njujorkut, si dhe më të njohurat në botë, si :"The New York Post, New York Times, Daily News, LA Times, LA Weekly, Variety, Time Out NY, Wall Street Journal, Movie Maker dhe Screenwriter. Në këtë festival sipas organizatorit të "NYIIFVF", do të shfaqen të gjitha rangjet e filmave dhe dokumentareve, prej metrazhit të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë. Do të ketë sipas tyre filma vizatimor, spote komerciale të realizuar artistikisht, nga e gjithë bota. Qëndra e kinemave në "Village East Cinema" numër 181, në rrugën e dytë" 2nd Avenue" kryqëzim me të 12tën, "12th Street" në Manhattan, zona" NY 10003" është skena e madhe e shfaqjeve botërore, të të gjitha llojeve të filmave ku zhvillohet Festivali Nderkombetar i Filmit te Pavarur . Për 10 ditë me radhë, në multikompleksin "Village East Cinema" të qytetit të Manhattanit, shikuesit njujorkez, njërëz të kinematografisë botërore, kulturës e artëdashës vendas e të huaj, kanë rastin të ndjekin në "perden e bardhë" rreth 325 fillma, të të gjithë llojeve. Ky festival, do të çelet më datën 12 nëntor, ora 12:00 e mesditës, me shfaqjen e parë të filmit 91 minutësh, në kineman numër 7, me titull:" Cowell's & The New Millennium" me regjizor, Pat Farley, dhe do të mbyllet me dokumentaro - komendinë, e rregjizorit amerikanë, nga Kalifornia, Colin Trevorrow, 72 minuta me titull: "Reality Show". Ndërkaq, befasia ndoshta e këtij festivali, dhe kënaqësia e shqiptarëve, do të jetë për komunitetin tonë, artëdashsin e madh shqiptarë në Amerikë, data 14 Nëntor 2004 - ora 20:00 me kohën e qytetit tonë Nju Jork. Ditë kjo kur në kinemanë numër 7, do të shfaqet filmi shqiptar ,në këtë festival. Me shfaqjen e filmit "Lule të kuqe, lule te zeza" të regjisorit Mevlan Shanaj, kinematografia shqiptare, do të jetë prezente dhe konkurete duke promovuar njëkohësisht edhe vlerat e kinematografisë sonë, në metropolin e botës, Nju Jork. Ky prodhim, që në anglisht titullohet "Black flower", do të prezantohet në Festivalin Nderkombetar te Filmit te Pavarur, darkën e së Dielës, 14 Nëntor ora 20:00 pra ora 2:00 pas mesnate me kohën e Shqipëris. "Black Flowers" "Lule të kuqe, lule te zeza" të regjisorit Mevlan Shanaj, është drama e filmit me metrazh të gjatë 92 minutësh . Filmi i Shanajt, tregon se si personazhi kryesor" Liliana, një grua shpirt madhe, është e braktisur nga burri i saj dhe ajo jeton e vetme me të bijën e saj Ana. Ato jetojn në një fshatë të boshatisur i cili ballafaqofet me ngjarje dramatike deri sa atje mbërrijnë disa misonar religjoz. Mbasi babai i Anës largohet, Ana humbet. I gjithë filmi është i ndërtuar mbi marrëdhënje familjare dramatike. Ngjarje të cilat janë përjetuar në fshatrat shqiptare gjatë periudhës së ndryshimeve të sistemeve" Ndërsa, nëse banoni në Manhattan, ose jeni banorë i ndonjërs prej pesë lagjeve -"qyteteve",( Bruklin, Kuins, Bronks, Staten Island, Long Island) të këtij qyteti, ose banorë i shteteve federale që rrethojnë këtë shtet, si: Nju Jersi, Ketektiket dhe Pensillvenia, do të keni edhe perviligjen të ndiqini ndonjerin prej filamve të Festivalit Nderkombetar te Filmit te Pavarur, edhe pse jo? të dielen në orën 20:00 mund të ndiqni edhe filmin shqiptarë "Lule të kuqe, lule te zeza" të regjisorit Mevlan Shanaj . Për informacione të ndryeshme që ju interesojnë rreth këtij festiavli dhe prenotimin e biletave, kontaktoni në këtë numër tel. 866 468-7619 ose në adresen(domian) http://www.nyfilmvideo.com/ në internet, do të gjeni të gjitha detajet e këtij festivali.

Prej 4-10 nëntor në Zagreb u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë Prej 4-10 nëntor në Zagreb u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë poeti Shaip Emërllahu u prezentua para publikut kroat

lajme

 
lajmi
sh_zagPër një javë rresht në Zagreb (4-10) u zhvillua Festivali i vetëm Ndërkombëtar i Poezisë në Kroaci i organizuar nga PEN-i kroat dhe Shoqata e Shkrimtarëve Kroat. Merrnin pjesë 30 poetë të vendeve të ndryshme në mesin e të cilëve edhe emrat e njohur të letërsisë botërore si Herta Myller (Gjermani), Francine Prose, Kevin Mc Enenaney (SHBA) Casimoro de Brito (Portugali), Jean – Luc Ëauthier (Belgjikë), Sylveser Clancier dhe Daniellë Auby(Francë), Gjacumu Thyers (Corsika), Hans van de Vaarsenburg (Holandë), Stevart Cann dhe Jo Schapcot (Angli), Vaino Kirstina (Finlandë), Iztok Ostojnik (Slloveni), Yang Lian (Kinë) etj. Në mesin e tyre ishte edhe poeti shqiptar Shaip Emërllahu. Festivali i cili kishte modelin e të prezentuarit të poetit përmes intervistës u zhvillua nëpër ambiente të ndryshme të institucioneve kulturore të Zagrebit. Shaip Emërllahu prezentimin e tij e bëri më 8 nëntor në ambientet e bibliotekës Multimedia, ku lexoi gjashtë poezitë e tij të prezentuar nga Festivali me titull “Poezia” të perkthyer kroatisht nga Vanda Mikshic, si dhe iu lexua nje kritike mbi poezine e tij nga kryetarja e PEN –it kroat, njëherit dhe drejtori i festivalit Sibila Petleski. Cdo poeti pjesëmarrës i është botuar nga një libër me nga 6 poezi në kroatisht dhe në gjuhën e autorit, pastaj një biografi e shkurtër dhe një fotografi e tij. Poetët i priti Kryetari i Zagrebit. Festivali është mbuluar nga mediume të ndryshme kroate. Shaip Emërllahu i dha edhe një intervistë të gjatë gazetarit Denis Derk, të gazetës “Vecerni list” të Zagrebit me një tirazh prej 100 mijë kopje, ku i është përgjigjur interesimeve të tij për cështje të ndryshme kulturore e politike në Maqedoni dhe Ballkan.

Festivali Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit 2003"

lajme

 
lajmi
0941Për pesë ditë të mbajtjes së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit 2003", Tetova ishte një qytet peligrinazhi të poetëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Kishin ardhur mbi 40 poetë nga Italia, Zvicra, Tunizia, Gjermania, Martinike (Karaibet), Bullgaria, Kroacia, Greqia, Estonia, Gjeorgjia, Serbia, Mali i Zi, Paraguaj, Shqipëria, Libani, Rumania, Kosova, Suedia, Polonia etj. Për here të pare në te merrnin pjesë edhe dy poetë arbëreshë të Italisë. Brenda këtyre ditëve sa zgjati festivali u zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore, letrare, artistike, muzikore…, si dhe u organizuan vizita objekteve kulturore në qytetin e Tetovës dhe atyre në Tiranë dhe në Krujë (Shqipëri). Para hapjes së festivalit në breshërinë e fishekzjarreve dhe tingujve e valleve të Ansamblit "Iliria" të Korçës, para Pallatit të Kulturës u bë inaugurimi i shtatores së poetit kombëtar Naim Frashëri, e cila qe ngritur në 100 vjetorin e lindjes së tij nga ana e Drejtorisë së Festivalit, ndërkaq, në foajenë e Pallatit të Kulturës u hap ekspozita e piktorëve shqiptarë dhe të huaj. Hapjen e festivalit e bëri drejtori i MLN "Ditët e Naimit" Shaip Emërllahu, ndërsa fjalë përshëndetëse lexuan zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi dhe prefekti i Tetovës, Murtezan Ismaili. Referatin për jetën dhe vdekjen e Naim Frashërit e mbajti Akadmeik Jorgo Bulo. Pjesë nga poezia e Naim Frashërit dhe poetëve të tjerë të traditës dhe atyre bashkëkohorë recitoi aktori Dhimitër Orgocka. Artistë korçarë ekzekutuan pika muzikore në flautë dhe luajtën valle të ndryshme shqiptare. Në këtë edicion u promovua vëllimi voluminoz "Poezia" e poetit Murat Isaku, ndërsa për vlerat letrare e artistike foli kritiku Ahmet Selmani. Fitues i çmimit të madh letrar "Naim Frashëri" u shpall poeti Murat Isaku. Çmimi "Menada" iu dha poetit kroat, Drazhen Katunariq, çmimin "Oeneumi" e mori poeti zviceran Gilberto Isella, ndërsa çmimin letrar "Qiriu i Naimit", iu dha poetes arbëreshe Kate Xukaro. Drejtoria sivjet shpall edhe dy Anëtarë Nderi: poetët Din Mehmeti dhe Abdylazis Islami. Edhe këtë vit, Drejtoria nxori antologjinë voluminoze në gjuhën shqipe të poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni. Ky festival për here të dytë gjatë historisë së saj u transmetua drejtëpërsëdrejti në televizionin shtetëror të Shkupit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit" tani më kanë bërë një traditë të karakterit ndërkombëtar. "Ditët e Naimit 2003" tregoi edhe njëherë përmes pjesëmarrjes masive, vlerësimin që din t'i bëjë publiku shqiptar fjalës së shkruar artistike, poetëve të shumtë të huaj dhe atyre shqiptar, artit pamor, atij muzikor… Ai dëshmoi edhe njëherë vendosmërinë e organizatorëve për t'i dhënë një profil serioziteti këtij festivali të vetëm ndërkombëtar ndër shqiptarë që tashmë ka ngritur relacione të shumta bashkëpunimi me festivale ndërkombëtare të poezisë.