Brenga për atdheun dhe filozofimi për jetën (apo dy çelsat e leximit të një përmbledhjeje)

A është letërsia pasqyrim i jetës, i problemeve kryesore që e shqetësojnë një mjedis, një popull? Kjo pyetje mund të bëhet kur lexohet përzgjedhja e poezive të librit “Ditët e Naimit 2000” bërë nga Ahmet Selmani, libër i cili ka pretendime antologjike. Ky libër, i cili përfshin nga një poezi të poetëve më të njohur bashkëkohorë shqiptarë, po të lexohej pa njohur krijimtarinë tjetër të poetëve të përfshirë në këtë libër, do të mund të thuhet se të gjithë këta poetë, 45 sish nuk shkruajnë poezi dashurie. E vërteta, kuptohet se është ndryshe, mirëpo kriteri i autorit të përzgjedhjes ka qenë i këtillë. Shumica e poezive të përfshira në libër, mund të përkufizohen si vjersha të cilat kanë në vete të shquar, madje shumë të shquar brengën për fatet e atdheut; poetët shqetësohen për fatet e popullit të cilit i takojnë. Ky është çelsi numër një që të jepë mundësi për të lexuar dhe komunikuar me poezitë e përfshira në përmbledhje. Çelësi numër dy, është mendimi e filozofimi për jetën.

Zgjedhja e poezive ekzemplar nga krijimtaria e çdo autori nga një përzgjedhës është fundi i fundit çështje e atij që e bën seleksionimin, pra fillimisht është zgjedhje subjektive. Po pyetja bërë në fillim të shkrimit, se a është letërsia pasqyrim i jetës, i problemeve thelbësore të saj duket se merr përgjigje pozitive, sidomos në këtë përzgjdhje. Së pari vetë poetët dhe mbarë letërisa kombëtare e kohës është mjaft e futur në problemet madhore të jetës shqiptare. Ajo vazhdon të merret edhe me tema e motive të cilat nuk kanë arritur të kryhen e zgjidhen në fushat e tjera e nga njerëz të tjerë. Së dyti, edhe autori që ka bërë këtë përzgjedhje i ka parë autorët më përfaqësues , duke u zgjedhur poezitë e këtilla të cilat shprehin idenë e rikrijimit të identitetit komëbetar e njerëzor, mbase përfundimisht si të gjithë etnitetet e tjera evropiane. Si rrjedhim, duke njohur një realitet të ashpër që nga aspekti historik, kombëtar, e deri në aspektin psikologjik, poezia bashkëkohore shqipe në këtë përzgjedhje na del si një krijimtari e cila do të japë përgjigje në formën e vet, do të hapë rrugë, po në formë e vet këtij realitetit që e rrethon, qoftë ai aktual apo i strëmoçëm, por në thelb i njëjtë, i ndryshëm vetëm në nuancat e paraqitjes. Mbase poezia e autorit arbëresh Mario Belici e nis këtë paradë të brengës për atdheun: “Rrënjët e atdheut, po s'i gjeta, si do të bëj unë për të jetuar”(poezia “Duke folur pranë tryezës”). Ky vlim dhe kërkim me ngulm i origjinës, i vetvetes është edhe më konkret, përballë realitetit që na rrethon, i cili kohëpaskohe ka marrë nuancat e tragjikës në vargjet “Atdheu s'është lojë kalamajsh. Atdheu është dhembje. O zot, dhembje! (Bardhyl Londo, poezia Atdheu është dhembja), apo te Ali Podrimja “Kur ka zi Kosova, edhe gurin e mundon zjarmia” (poezia “Kënga e ngrysur”).

Poezia e këtillë e cila në shikim të parë të duket se dëshiron të bëjë të pamundshmën, ndikimin për të zgjidhur problemet e mëdha, megjithatë, në shumcën e rasteve arrin t'i shpëtojë tejdekushmërisë së gjinive të tjera joletrare, falë kalibrit të autorëve. Po në anën tjetër ajo bën atë që duhet ta bëjë arti, e letërsia mbase në mënyrë më efikase; mbajtjen gjallë të shpritit njerëzor e shqiptar.Se ky realitet shqiptar i vrazhdë në poezinë shqiptare nuk është i shkaktuar vetëm nga të këqinjtë e të këqijat jashtë nesh si popull, por edhe nga vetë ne, mund të shihet nga poezia e Ismail Kadaresë “Bjeshkët e Nemuna: “Kulla të gurta, Dritare të vogla, Frengji të ngushta, Sikur kanë picërruar sytë nga kjo hapërsirë pambarim. Përse me sy kaq të vegjël e shikojnë vallë, Botën e e madhe, o vendi im”?

Ç elësi i dytë i leximit të poezive të këtij vëllimi përzgjedhës është filozofimi për jetën. “Në sofrën e shtruar të poezisë, Presin të marrin lugët të gjithë, Vështrojnë thelat dhe duan të hanë, Kurnacë, grykës, batakçinj, pehlivanë; Po historia u jep nga një kafe në këmbë, Dhe thotë e përmbajtur diçka në dhëmbë, Na falni, se presim në sofër të vijnë Ata që bëjnë vërtetë historinë” (Dritëro Agolli, “Sofra e historisë”). Megjithatë, bota e ulët e mizerive dhe të këqijava më të vogla, e lavrave të cilat bredhin në dy këmbë, në botën e njerëzve është shumicë.

Poeti Xhevahir Spahiu në poezinë e tij “Zoti i paditur” gjithkah vëren sanço, ndërsa të vetmuar vëren vetëm një Don Kishot. Mbase këtu jeta në këtë stad të filozofimit për të, në dyluftimin e tërthortë midis Sanços e Don Kishotit del në nivelin sikur njëherë e një botë kishte thënë Gëte se politikanët njohin vetëm armiq dhe shërbëtorë. Po jeta është edhe më e thellë se kjo kundërthënie jetësore, loja me funksionin e rolin e trupit të njeriut, vetë atij: “Dhe truri, ky djall magjik, tani po qan. Dhe sa gjynah që është, kur qanë një djall!” (Mimoza Ahmeti, poezia “Shqisë, shqisë”). Këto raporte të njeriut me vetën e tij, janë herë, herë të dyzuara jo vetëm përballë vetës po edhe përballë tjetrit, duke u kthyer prapë te vetja, e cila vërehet te poezia e Sabri Hamitit “Mbas leximit”.

Së fundi kjo përmbledhje me poezi e botuar edhe në anglisht përpiqet që të luajë edhe një rol të domosdoshëm sidomos për letërsinë tonë, njohjen e saj në botë, nga anglofolësit. Qarkullimi i saj në duart e këtij lexuesi, së paku në disa biblioteka të rëndësishme të regjionit të anglishtes, me ndonjë përurim eventual në bashkëpunim me ndonjë përfaqësi zyrtare të këtyre shteteve, qoftë në Maqedoni, Prishtinë, apo Tiranë, do të ishte hapi i parë i komunikimit me lexuesin e gjuhës angleze. Botimi i letërsisë shqiptare, në gjuhën angleze dhe në gjuhët e tjera të mëdha, kuptohet së pari mbi bazën e kriterit estetik, është një problem me të cilin duhet të ballafaqohen edhe botuesit shqiptarë.Madje ideja për krijimin e shtëpive botuese të cilat ekskluzivisht do të merren me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët kryesore botërore, që do të mbështetej financiarisht edhe nga shteti është e ardhmja e depërtimit të vlerave letare shqiptare në botë.

Haxhi Shabani


Edhe ne dëshmojmë

P A R A T H Ë N I E

 

edhe_ne_deshmojmeLufta e Kosovës (1998/99)shënon kulmin e një çmendurie njerëzore, e cila u karakterizua nga një gjenocid dhe pastrim etnik i planifikuar serb. Barbaria e saj u ngrit mbi dëbimin me përmasa biblike, të popullsisë shqiptare nga vatrat e veta, duke përdorur të gjitha llojet e dhunës që nga masakrimi i fëmijëve, pleqve, grave, dhunimi i femrave të moshave të ndryshme, ekzekutimi, varrezat masive, e deri te plaçkitja e djegia e shtëpive, helmimi i ujit të pijshëm, vrasja e bagëtisë, djegia e drithërave, e bibliotekave, rrënimi i kulteve fetare e të varrezave, grisja dhe zhdukja e dokumentacionit identifikues dhe atij të kadastrave etj.

Shqiptarët e pambrojtur, që përjetuan masakrat dhe dhunën, ishin personazhi kryesor i tragjedisë kosovare. Ata janë dëshmitarët më të mirë të shkallës së çmendurisë së një politike, e cila është krejt e kundërt me rrjedhat e politikës së rendit të ri evropian dhe botëror, që filloi të profilizohet pas disfatës komuniste. Atë që përjetuan shqiptarët, ishte një tmerr i paparë ndonjëherë, ndaj duhet me çdo kusht të regjistrohet dhe t'i prezentohet opinionit të sotëm dhe atij të nesërm, sidomos t'i prezentohet drejtësisë ndërkombëtare, Tribunalit të Hagës.

Tragjeditë që i sjell një politikë e këtillë duhet të ndriçohen në shkallën më të lartë me qëllim që ato të mos përsëriten.

Regjistrimi i përjetimeve të dëshmitarëve sot, kur ato janë të freskëta, është i një rëndësie të veçantë ngase, ata kanë më shumë realizëm, ndërkaq që dëshira e tyre për t'u rrëfyer është e madhe. Mjaft momente të prekshme dëshmitarët i rrëfenin me një gjakftohtësi të admirueshme.

Vdekjet, thonin se i takonin tokës së Kosovës, lirisë së saj.

Qëllimi i këtij projekti është që të dokumentohen dhe të ruhen disa prej rrëfimeve autentike të dëshmitarëve të masakrave dhe të dhunës serbe në Kosovë.

 

 


Për ta lexuar librin të plotë klikoni këtu