Edhe ne

Shaip EMËRLLAHU

Ahmet SELMANI

Salajdin SALIHU

 

… edhe ne dëshmojmë

 

 

Manifestimi Letrar Ndërkombëtar „Ditët e Naimit“

Tetovë,2000

 

 

 

P A R A T H Ë N I E

 

Lufta e Kosovës (1998/99) shënon kulmin e një çmendurie njerëzore, e cila u karakterizua nga një gjenocid dhe pastrim etnik i planifikuar serb. Barbaria e saj u ngrit mbi dëbimin me përmasa biblike, të popullsisë shqiptare nga vatrat e veta, duke përdorur të gjitha llojet e dhunës që nga masakrimi i fëmijëve, pleqve, grave, dhunimi i femrave të moshave të ndryshme, ekzekutimi, varrezat masive, e deri te plaçkitja e djegia e shtëpive, helmimi i ujit të pijshëm, vrasja e bagëtisë, djegia e drithërave, e bibliotekave, rrënimi i kulteve fetare e të varrezave, grisja dhe zhdukja e dokumentacionit identifikues dhe atij të kadastrave etj.

Shqiptarët e pambrojtur, që përjetuan masakrat dhe dhunën, ishin personazhi kryesor i tragjedisë kosovare. Ata janë dëshmitarët më të mirë të shkallës së çmendurisë së një politike, e cila është krejt e kundërt me rrjedhat e politikës së rendit të ri evropian dhe botëror, që filloi të profilizohet pas disfatës komuniste. Atë që përjetuan shqiptarët, ishte një tmerr i paparë ndonjëherë, ndaj duhet me çdo kusht të regjistrohet dhe t’i prezentohet opinionit të sotëm dhe atij të nesërm, sidomos t’i prezentohet drejtësisë ndërkombëtare, Tribunalit të Hagës.

Tragjeditë që i sjell një politikë e këtillë duhet të ndriçohen në shkallën më të lartë me qëllim që ato të mos përsëriten.

Regjistrimi i përjetimeve të dëshmitarëve sot, kur ato janë të freskëta, është i një rëndësie të veçantë ngase, ata kanë më shumë realizëm, ndërkaq që dëshira e tyre për t’u rrëfyer është e madhe. Mjaft momente të prekshme dëshmitarët i rrëfenin me një gjakftohtësi të admirueshme.

Vdekjet, thonin se i takonin tokës së Kosovës, lirisë së saj.

Qëllimi i këtij projekti është që të dokumentohen dhe të ruhen disa prej rrëfimeve autentike të dëshmitarëve të masakrave dhe të dhunës serbe në Kosovë.

Autorë

 

Masakra e Studimes

Hasan Gërxhaliu (1933) Studime e Ulët, Vushtrri

 

Më 2 maj 1999, në fshatin Studime (Vushtrri) forcat policore dhe ato paraushtarake serbe bënë masakra mbi kolonën me njerëz, të cilët nga presioni i kishin braktisur shtëpitë e tyre.

 

Ishte 2 maj 1999. I braktisëm shtëpitë tona, për shkak të fushatës së egër që ndërmorën forcat policore dhe ato paraushtarake serbe. Në atë kolonë të gjatë refugjatësh shqiptarë, ndodheshim edhe ne duke ikur me një traktor, të cilin e ngiste im bir. Ecnim dhe nuk dinim se ku shkonim. Të gjithëve na kishte kapluar një frikë e madhe. Qëllimi ynë ishte që sa më parë të largoheshim për ta shpëtuar kokën, nga më e keqja. Dhe, nën këtë ankth të vazhdueshëm, befas dolën përpara traktorit disa policë. Tim bir e detyruan që ta ndalte traktorin.

­ “Na i jep një mijë marka!” ­ i thanë.

Im bir s’kishte ç’të bënte. I nxori paratë e ua dha, vetëm e vetëm që ta shpëtonim kokën. Kjo ndodhi ditën e diel, mes orës nëntë dhe dhjetë. Ndodheshim diku ndërmjet fshatrave Studime e Epërme dhe Studime e Ulët.

Të gjithë menduam se shpëtuam nga më e keqja. Djali nisi ta ngiste traktorin dhe ende pa i kaluar as 30 metra, sërish i doli përpara polici që ia mori paratë. Prapë i kërkoi ta ndalë traktorin.

­ “M’i jep edhe një mijë marka!“ ­ i thanë sërish.

Neve na urdhëruan të zbrisnim. I pari zbriti Kadriu, pastaj edhe Shabani. Posa zbritën i vranë. Pas tyre zbritën Nuhiu dhe Fahriu. Sejdiu mbeti në traktor… Këta të gjithë i vranë para syve tanë.

Policët ishin të maskuar e të veshur me gjithfarë uniformash… Ata bënë krim mbi familjen time, duke na i vrarë më të dashurit, pa bërë asnjë pikë faji. Thjesht, i vranë se ishim shqiptarë, për asgjë tjetër. Ne ishim duarthatë.

Ishim rreth 40 mijë njerëz në atë karavan refugjatësh. Të gjithë iknim nga sulmet e tyre.

Kur erdhëm në Studime të Epërme, na ndalën të gjithëve. Herë na thonin uluni, e herë nisuni. Në një moment, befas dolën një grup nga kodra dhe na i drejtuan tytat e automatikëve dhe filluan të gjuajnë me breshëri mbi ne. Pastaj, Studime së Epërme, ia vunë flakën. Pastaj, siç ju thashë, na kërkuan një mijë marka e djali im ua dha aq sa kërkonin. Më vonë i kërkuan përsëri të holla, kurse ai ua dha edhe 500 marka. Mandej, na i vranë pesë veta nga familja. Vëllain dhe djalin i gjeta poshtë në lumë, që të dy të vrarë.

2-Foto duke treguar me dorë vendin e masakrës

I nxorrëm pranë rrugës, ku  i shtrimë. E kërkonim edhe një të vrarë nga familja ime, por nuk e gjenim dot. Edhe ate e kishin hedhur në lumë, por ne nuk e kishim parë

Gjatë kërkimit të kufomave të familjes kam parë edhe dhjetë kufoma të tjera që ishin hedhur në lumë dhe përgjatë rrugës. Nuk e di kush ishin ata njerëz, e as prej nga ishin.

Ndërkohë, erdhën disa paramilitarë si të tërbuar.

­ “Ç’prisni ju këtu? Shpejt nisuni!” ­ na kanë bërtitur si të çmendur.

S’kishim ç’të bënim. U detyruam t’i linim djemtë e vrarë aty në rrugë dhe të niseshim andej nga na shpienin ata.

Të gjithëve na sollën në kooperativë. Aty kemi ndejtur tërë natën. Dikush fjeti në traktor, dikush…

Të nesërmen, në orën dhjetë, na përzunë duke na thanë që të shkonim në Shqipëri. S´kishte gjë më të tmerrshme sesa t’i lësh kufomat e anëtarëve të familjes në rrugë, pa varrosur.

Nga familja jonë u vranë; im bir, Kadriu, 41 vjeçar, që i la tre fëmijë. Pastaj Sejdiu, 30 vjeçar, student i vitit të katërt në Fakultetin e Stomatologjisë; Fahriu, djali i vëllait

tim. Atë natë, prej dhjetë meshkujve, sa numronte familja jonë, pesë na i vranë. Me vete e kisha gruan time, renë shtatzënë…

U nisëm për të ardhur këtej. Paramilitarët serb përsëri kanë ardhur dhe kanë kërkuar të holla. Disa prej nesh i urdhëruan të zbresin prej traktori. Një paramilitar e nxori një thikë dhe ia drejtoi shoqes së Hasanit, të cilën e preku në bark. Shanin me tërbim. Na tha se, ju doni të jeni UÇK dhe e doni NATO­n.

Kur i morën djemtë, gratë kërcyen nga vendi dhe zunë të bërtasin, duke thënë se, ne as nuk jemi UÇK e as NATO.

Të gjithë paramilitarët flisnin shqip. Kanë qenë nga katundi ynë. Thirren Todoroviqë. I vranë për shkak se njihnin. Djali im ka punuar këtu në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mblidhte paratë nëpër fshatra edhe punonte në dyqan te një kushëriri yni. E kanë njohur mirë, prandaj edhe e vranë.

Nga familja jonë e ngushtë u vranë: Kadri Gërxhaliu, Shaban Gërxhaliu, Nuhi Gërxhaliu, Sejdi Gërxhaliu dhe Fahri Gërxhaliu. Nga Gërxhalinjtë u vranë edhe shumë të tjerë si: Zejnullah Gërxhaliu, Fatmir Gërxhaliu, Haki Gërxhaliu, Xhevdet Gërxhaliu, Nexhip Gërxhaliu, Hajrullah Gërxhaliu, Avdyl Gërxhaliu, Ymer Gërxhaliu, Skënder Gërxhaliu dhe Sherif Sfarça.

 

Metie Gërxhaliu (1952), Studime e Ulët, Vushtri

 

­ Duke ecur rrugës me traktor, na dolën përpara policë të maskuar serb. Kërkuan para dhe na kërcënuan. Pastaj, pasi bënë çfarë deshën, urdhëruan të zbresë burrin tim, Shabanin.

­ Ku punon? ­ e pyetën.

­ “Në Llamarinë” ­ u tha ai.

Asnjë fjalë tjetër nuk kanë thënë. Menjëherë e shkrepën automatikun drejt tij dhe e rrëzuan. Pastaj ma zbritën nga traktori edhe djalin, Nuhiun.

­ Ti je në UÇK ­ i thanë.

Unë kërceva nga traktori dhe i dola përpara atij polici.

­ Jo, nuk është djali im në UÇK! ­ thash.

­ Është ­ nguli këmbë ai.

Edhepse u mundova me të gjitha forcat, duke u shtyrë me njërin prej tyre që të mos ma vriste djalin, megjithate ai e shkrepi automatikun dhe ma vrau para syve të mi.

Edhe sot, po t’ia shoh fytyrën atij serbi, do ta njihja se kush është. Po, jam e sigurt se kush ishte ai. E dinte shqipen mirë. Ndoshta edhe mund ta ketë njohur djalin tim që më parë. E di mirë se, ai e ka njohur edhe Shabanin… E ka ngacmuar burrin tim kur ishte në punë. Ai vazhdimisht kish shkuar dhe kish kërkuar harxh burrit tim. E Shabani i kish thënë: Merre nënshkrimin e drejtorisë, unë të jap menjëherë.

Dhe një ditë i kishte thënë Shabanit: “Ja unë, ja ti”.

Të nesërmen e ka kërkuar edhe në kooperativë. Ai, fqiut tonë i kishte thënë: “A është vrarë Shabani me njërin djalë apo me të dytë?”. Fqiu i ishte përgjigjur se nuk dinte asgjë për këtë punë. Ne dyshojmë se, këtë vrasje e ka bërë Bel Gërguri, i cili e kishte të ëmën serbe, si dhe Nikolla Dimiq, i cili ka qenë funksionar në komunën e Vushtrrisë. Kështu ka ndodhur kjo. I kanë zgjedhur njerëzit. Jo rastësisht na ndalën neve dhe sa i zbritën prej traktorit, i vranë pa një pa dy. E vranë para syve të mi. Vranë edhe disa të tjerë të familjes. E vranë djalin e Hasanit, Kadriun, të cilin ne as që kemi mundur ta njohim, ngase plumbat e kishin dëmtuar shumë. Po ashtu edhe Fahriun, e vranë aty. Sejdiu iku prej traktori, por plumbat e rrokën në kurriz. Pastaj paramilitarët i hodhën në lumë. Me duart e mia dhe me djalin e hallës i nxora prej lumit kufomat e tyre. Një natë fjetëm këtu, në kooperativë dhe të nesërmen na larguan për në Shqipëri…

Të mos harroj edhe diçka: Kur ne iknim, rrugës, në atë kolonë përplot njerëz, maxhupët rrinin anash dhe zgërdhiheshin. Ata i mprehnin thikat e mëdha para syve tanë, dhe shkive u bartnin lëngje aq sa mundnin… Tek i mbanin thikat në duar, neve na thonin: “E kemi dorën e lehtë, mos u frikësoni prej nesh”.

Tërë ditën na kanë qarë fëmijët për një pikë ujë, e serbët dhjetë marka e shisnin një litër.

 

Sinan Gërxhaliu, Studime e Ulët, Vushtri

 

­ Kanë ardhur forcat paramilitare e ato policore serbe dhe e kanë marrë krejt familjen Nexhbedin Gërxhaliut, dymbëdhjetanëtarëshe. Nën një kërcënim të tmerrshëm dhe para grykave të automatikëve, i kanë futur të gjithë në një dhomë. Vetëm babain e tyre e lanë që t’i shihte se si do t’i vrisnin. Mandej kanë hyrë brenda dhe të gjithë i kanë vrarë. Më në fund, pasi i kishte parë ato tmerre mbi familjen e tij, e morën edhe babain, me gjithë djalin e madh, dhe një kushëri të tyre, i dërguan diku në mes të fshatit ku edhe i likuiduan.

Në këtë masakër morën pjesë shtatë policë. Ata në mënyrën më barbare zhdukën një familje të tërë. Shpëtoi vetëm Nexhbedini, i cili ndodhej në Gjermani.

Në këtë familje u likuiduan: Zejnullah Gërxhaliu, Fatmir Gërxhaliu, Haki Gërxhaliu, Xhevdet Gërxhaliu, Nexhip Gërxhaliu, Hajrullah Gërxhaliu, Avdyl Gërxhaliu, Ymer Gërxhaliu, Skënder Gërxhaliu, Sherif Sfarça dhe Avdyl Gërxhaliu. Pra, u zhduk pothuajse e tërë familja e tyre.

 

Masakra e Maleve të Gropës

 

Masakra në fshatin Qirez ndodhi më 30 prill 1999. Megjithëse u bë me një fshehtësi të madhe, prapëseprapë kanë mbetur disa njerëz të gjallë, të cilët dëshmojnë për këtë krim. Njëri prej dëshmitarëve është edhe Avdyl Ymeri, nga fshati Qirez.

 

­ Në Drenicë, veçmas në Qirez, gjendja ishte e rënduar. Kishte përqëndrime të mëdha të forcave policore serbe, që vetëm pritnin komandën t’ia mësynin ndonjë vendbanimi për të kryer vrasje e masakra mbi popullatën shqiptare.

Pothuajse të gjithë e prisnim më të keqen, ngase forcat policore serbe provokonin me të gjitha mënyrat… I frikësoheshim ndonjë masakre eventuale. Unë një kohë të gjatë i kam përcjellë me sytë e mi këto lëvizje e koncentrime të policisë serbe, duke zënë pozicionet në pika strategjike dhe duke dhënë shenja të qarta se, herët a vonë, ata do të ndërmarrin ndonjë fushatë kundër popullsisë së këtushme.

Dhe shumë shpejt ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte: ata u vërsulën me të gjitha armët e mjetet që kishin dhe na goditën. Nga kjo pësuan shumë familje, të rinj etj.

Unë mund të dëshmoj për një masakër që e kam parë vetë nga një largësi fare e vogël, prej një vendi ku isha fshehur me disa shokë.

Më 30 prill 1999, forcat serbe, të cilat kanë qenë të koncentruara kryesisht në shtëpinë e Sherifit në fshatin Qirez, janë nisur me një tank në drejtim të Lagjes së Rripave, të fshatit Baks. Këmbësoria po ecte në drejtim të arave të kooperativës, pra në drejtim të maleve të Baksit. Një grup i veshur me tesha të zeza, zbritën nga kamioni dhe filloi të ecte përpara tankut. Prej Lagjes së Rripave këmbësoria ka dalë dhe ka ecur në drejtim të Lagjes Shaqiraj. Prej aty kanë kaluar në Lagjen e Ulët. Të gjitha këto lëvizje e zhvendosje të tyre atë ditë janë bërë me një qëllim të caktuar: më vonë të bënin atë që kishin planifikuar. Domethënë gjatë tërë ditës është bërë një rrethim i hekurt prej vendit të quajtur Doshevc, të maleve të Bungut në Baks e deri në Vërbofc dhe te Pishat e Gllobarit. Luftimet janë zhvilluar në të dyja anët. Brenda këtij rrethimi të hekurt ka qenë një masë prej 4000 deri 5000 veta civilësh. Rreth orës 17,30 minuta, me sytë e mi e pashë tankun tek shkonte drejt malit të lartë të Shtuticës dhe duke u lëshuar tatëpjetë.

Në një hendek zunë një numër civilësh, që ishin fshehur për të shpëtuar. Ishin rreth 40 veta. I vunë para tankut dhe i sollën në Shtuticë, te Livadhet e Breshëve. Pasi i sollën aty, dëgjoja si filluan t’i shanin dhe t’i rrihnin. U thonin që t’i dorëzonin armët, se ju jeni UÇK…

Si sot më kujtohet: pas gjitha atyre fyerjeve dhe rrahjeve që ua bënë, filluan mandje t’ua hiqnin edhe rrobat. Pastaj i morën me vete, dhe i shpunë në drejtim të Malit të Bungut. I sollën deri te shtëpia e Azemit. Posa i sollën aty, përnjëherë janë dëgjuar rafale të pandërprera të pushkëve automatike. Në njërin grup kanë qenë afër 24 veta. Edhe pse policia i ka vërejtur se ishin civilë, nisën të shtinin me rafale automatiku. Pra atë ditë, në atë vend vranë 17 civilë, kryesisht të rinj.

Unë ndodhesha në mal, por mali ishte i shtrirë dhe shihej mirë. Në vijë ajrore s’i ka as njëqind metra largësi. Disa u dorëzuan duke u lutur e përurlur që të mos i vrisnin se ishin thjesht civilë dhe se nuk kishin bërë asnjë të keqe. Dhe, pas kësaj, ata e kanë ndërprerë vrasjen.

Pra, pasi u dorëzuan, ata i ndërprenë rafalet, por i morën me vete nga pesë veta. Njëri prej të dorëzuarve ishte me plagë në trup. Të gjithë këta i nxorën para tankut si mburojë dhe i sollën në xhaminë e Qirezit, ku ndodhedhin edhe 176 veta të tjerë. Kjo quhet Masakra e Maleve të Gropës, sipas vendit ku u bë kjo masakër. Kufomat i lanë aty.

 Ne kemi shkuar në mbrëmje për të ndihmuar eventualisht ndonjë që kishte shpëtuar me plagë në trup. Dhe kur jemi afruar, kemi vërejtur se dy prej tyre ende ishin të gjallë, edhe pse të bërë shoshë nga plumbat. Aty ka qenë një serb i armatosur, duke e parë atë, s’kanë bërë zë fare, sepse kanë qenë të vetëdijshëm se mund t’i vriste edhe ata. Edhe ne nuk guxuam të afroheshim. Thjesht u detyruam të prisnim deri të nesërmen.

Kemi shkuar përsëri në orët e hershme të mëngjesit. Dy të plagosurit prapë i kemi gjetur të gjallë, duke u përpëlitur me gjysmë shpirti. Ne ishim një grup prej 10 ­ 12 vetash, në mesin e të cilëve ishte edhe im vëlla bashkë me disa kushërinj tanë. Kur e pamë se s’kishte njeri u afruam dhe ua dhamë ndihmën e parë, kuptohet brenda mundësive që kishim.

Të dy të plagosurit i tërhoqëm dhe kishim ndër mend që në mbrëmje t’i shpienim diku për t’i mjekuar. Por, nuk ndodhi kështu. Për fat të keq, para mbrëmjes, edhe ata vdiqën.

Më kujtohet njëri prej tyre, një djalosh që ishte afro 12­13 vjeç, emrin e të cilit nuk e di.

Ende pa dhënë shpirt, na tha se në këtë masakër i është vrarë babai, vëllai dhe xhaxhai. Mandej, më kujtohet edhe ai djali, që e kishte emrin Blerim, kur e tërhoqëm nga kufomat, na tha se aty i kishte të vrarë edhe dy vëllezër.

Kjo më ka mbetur në kujtesë nga ajo ditë kur ndodhi kjo masakër mbi ata njerëz të pafajshëm.

 

 

Maskra e Likoshanit , Sylë Hasani (1969)

Fushata vrastare pati edhe në fshatin Likoshan ku forcat siushtarake serbe, të maskuar e të pamaskuar, vranë e masakruan një numër të madh njerëzish. Një masakër e tillë u bë më 28 shkurt 1998 mbi familjen e Sheremet Sejdiut, Sefer Nebihut dhe mbi familjen e Ahmet Ahmetajt.

 

­ Më 28 shkurt 1998, forcat policore dhe ato paramailitare serbe ia mësynë fshatit Likoshan, për të bërë atë që kishin planifikuar. Ata ia mësynë një familjeje. Unë kam ndodhur këtu kur u masakrua e tërë familja e Ahmetit. Pra, të gjithë ata që i gjetën në shtëpi, të 24 anëtarët saj.

Atë ditë ne kemi patur ndër mend që me djemtë e Ahmetit ta rregullonim oborrin e shkollës. Përafërsisht rreth orës 11,15 minuta, duke i pritur djemtë e Ahmetit, befas erdhi një veturë e cila ishte me pjesëtarë të UÇK­së. Pas pesë minutash ka ardhur edhe policia serbe dhe është vërsulur në drejtim të Gjashtë Lisave.

 

(fute foton e Gjashtë Lisave)

 

Pjesëtarët e UÇK­së u ndalën te Gjashtë Lisat dhe filluan të gjuanin drejt policëve serbë, që ia kishin mësyrë fshatit tonë. Me të parë këtë konfrontim, unë me Samiun vrapuam drejt shtëpive tona që i kemi shumë afër. Mirëpo, policia na pa dhe pa u hamendur fare filloi të na gjuajë. Ne përnjëherë u larguam me vrap.

Pas një kohe të shkurtër dolëm në anën e kundërt të përroit, ku e takuam edhe djalin e Sefer Nebiut, Ilirin i cili kishte ardhur aty për të parë se ç’ndodhte. Atë e kishte rrokur një plumb në xhaketë. Pas pesë minutash erdhi edhe Xhemshiri, i vëllai i Ilirit, i cili i tha Ilirit që të shkonte në shtëpi se e kërkonte i ati i tyre.

Nuk kaloi shumë kohë, ne që ishim tani në livadhe e pamë një njësi, e cila përpiqej t’i ndihmonte anëtarët e UÇK­së, por nuk e dinim fare se kush ishin. Meqë menduam se ndoshta ishin të huaj, u kthyen sërish në përrua. Derisa ne u ktheheshim pamë se si ata e ndezën edhe veturën e dytë të policisë serbe, pra një “Niva”.

Pas nja 10 apo 15 minutash nga Gradica ka ardhur një helikopter… Me të parë këtë, ne u fshehëm në një gropë. Helikopteri kaloi përmbi ne dhe shkoi tutje. Atëherë ne dolëm nga gropa dhe, duke vrapuar me shpejtësi, shkuam për t’u strehuar në bodrumin e shtëpisë së Sheremet Sejdiut.

Ne ishim katër veta. Kur kemi hyrë në bodrum, aty i gjetëm dy djemtë e Sheremetit, dy bineqtë, në mos gabofsha, Bedriun dhe Nazmiun. Jemi ulur aty dhe e kemi përcjellë çdo gjë që ndodhte në Likoshan.

Pas një kohe shumë të shkurtër helikopteri sërish nisi të sillej përmbi ne. Ne nuk e dinim se ishim të rrethuar nga forca të mëdha policore e të motorizuara. Pas nja 15 minutash aty erdhi edhe Beqir Rexhepi. (Krejt kjo ka ndodhur, rreth orës 12,30 minuta). Më kujtohet fare mirë se moti ishte shumë i mirë, me diell.

Beqiri erdhi duke qarë dhe na tha se i është vrarë xhaxhai, Rexhepi. Ne i shprehëm ngushëllime. Pastaj ai na tregoi se si ishte vrarë xhaxhai i tij. Na tregoi neve sesi përdorej bomba e dorës. Me vete e kishte një pushkë automatike dhe një karikator. Vetëm ai kishte armë. Një djalë i xhaxhait tim rrinte te dera e bodrumit. Dëgjuam një zhurmë përjashta. Kishte qenë policia që na kishte rrethuar. Ata thërrisnin që të dilnim dhe të dorëzoheshim.

Doli Samiu, i cili, pasi kishte kuptuar fare mirë se si qëndronte puna, u kthye menjëherë dhe na tha se policia na kishte rrethuar nga të gjitha anët. Atëherë Beqiri, që kishte edhe armë me vete, na tha se ne mund të vepronim si të donim, por ai donte të vdise aty.

Ne që ishim duarthatë u detyruam të dalim një nga një, ndërsa Beqiri u ndal për të rezistuar.

 

Oborri ishte i huaj, ne nuk e dinim terrenin. Samiu doli i pari, unë i dyti, djali i Sheremetit, Bedriu, i treti. Dhe, posa kemi dalë, Bedriun e rroki plumbi dhe vdiq në vend. Këtë e pashë me sytë e mi. Ndërsa unë dhe Samiu kemi ikur me vrap e kemi hyrë në ahurin e lopëve. Ne nuk e dinim se Beqiri i kishte vrarë disa policë. Policët serbë tentuan të hynin në bodrum me autoblindë, sepse nuk guxonin të hynin ndryshe, kishin frikë. Dhe autoblinda u afrua te gardhi i oborrit të Sheremet Sejdiut. Ne menduam se i ra shtëpisë. Derën e ahurit e lamë hapur, sepse e dinim që do të hynte dikush. Vetëm shikonim se ç’po ndodhte përjashta.

Pa kaluar as 15 minuta u afrua një autoblindë dhe një ushtar me maskë, i cili i ra derës. Shikoi mos kishte njeri brenda, por nuk pa asgjë. Ne ishim fshehur në grazhd te koka e lopës. Ne e shihnim atë, por ai nuk na shihte neve. Ia nisën të luftonin me Beqirin e rrethuar nga të dyja anët e bodrumit. Krismat dëgjoheshin pandërprerë. Këtë e shihnim me sytë tanë. Në ato momente dëgjoja si po e thirrnin mjekun, si shaheshin ndërmjet tyre. Të gjithë ishin të maskuar, ushtarë e paramilitarë. Një autoblindë filloi t’i binte ahurit atë skaj ku ishim ne. Herën e parë nuk u dëmtua, por kur autoblinda i ra për të dytën herë, atëherë muri u rrënua krejt. Andaj ne u fshehëm prapa derës. Nga goditjet e shumta, autoblinda u prish dhe mbeti në vend. Këtë e kuptuam në bazë të asaj që ata e thonin vetë. Unë i dëgjoja fare mirë se bisedonin serbisht dhe e kuptoja mirë se ç’thonin.

Pastaj, meqë nuk kishin se ç’të bënin, u detyruan ta linin autoblindën aty dhe të dalin në pjesën e sipërme të shtëpive. Te autoblinda mbeti vetëm një polic, i cili vazhdimisht i shante kolegët e tij, duke u thënë që të vinin tek ai, sigurisht nga frika që e kishte kapluar. Thjesht nuk kishte ushtar që kishte guxim të hynte në oborr, të gjithë ishin në panik të madh. Polici i shante me tërbim duke u thënë që të hynin brenda, por ushtarët nuk hynin dot, refuzonin me me këmbëngulje.

Në ato momente i nxorën nga shtëpia dy djemtë e Sheremt Sejdiut, Beqirin dhe Bekimin. I dëgjuam klithmat dhe britmat e grave dhe të fëmijëve, e dëgjuam nënën e tyre duke u lutur në Zot që të mos ia merrnin djemtë. Pas dy­tri minutash i pushkatuan para sye të saj. Pra, Sheremet Sejdiut ia pushkatuan katër djem. Në këtë fushatë u vranë : Beqir Sejdiu, Nazmi Sejdiu, Bedri Sejdiu dhe Bekim Sejdiu. Pasi bënë çka deshën, autoblindën e prishur u përpoqën ta nxjerrin me një autoblindë tjetër, por nuk mundën, andaj për këtë qëllim sollën një tank prej Lugut të Loxhës.

Kjo ishte një masakër e vërtetë mbi familjen e Sejdiut.

Unë atë natë me duart e mia i mblodha kufomat e tyre. Kufoma e Beqirit ishte e dëmtuar shumë keq. Nuk mund ta dëmtonte aq shumë vetëm një plumb, ai ishte dëmtuar me diçka tjetër. Pra nuk mund ta njihje dot, sikur ta kishin rrjepur ujqit. Unë e bëra edhe incizimin e kufomave të tyre. Pastaj, u tërhoqën policët, dhe ndërkohë, kur u bë terr erdhën pjesëtarët e UÇK­së nga Qirezi. Edhe përkundër kësaj ne vazhduam të qëndrojmë në fshatin tonë.

 

Masakra mbi familjen Nebiu

 

Unë gjithashtu mund të dëshmoj edhe për masakrën që është bërë mbi familjen Nebiu.

Xhemshiri dhe Iliri kanë qenë me mua. Ilirin e kam incizuar me kamerë. Ka qenë krejt i sosur sa nuk mund ta njihje. Unë nuk e di a ka qenë i djegur me cigare apo me diçka tjetër. Edhe Ismail Behrami nga fshati Baks i ka patur të dy sytë të nxjerrë. Ilirin, burrin e Rukies, po ashtu e kanë vrarë. Atë e kanë zënë të plagosur ose të gjallë. Ai ishte aq shumë i djegur, saqë nuk ma merr mendja se mund të digjet ashtu me cigare. Me gjasë me ndonjë shufër të nxehur. Ishte krejt i sosur në trup e fytyrë.

Iliri ishte me mua, por kur na rrethoi policia, ai u mundua të tërhiqet nga lagjja e tij dhe atëherë e kanë të gjallë ose të plagosur. Ndërsa, Xhemshirin e kanë kapur në shtëpinë e tij, te oxhaku.

Atë natë, kur kanë gjuajtur pjestarët e UÇK­së, policia është tërhjekur. Unë i merrja vesh mirë kur ata urdhëronin njëri­tjetrin; “Krenemo ovamo, ovamo, idemo nazad” ( Kthehemi këtej, këtej, po kthehemi).

Ne kemi pritur deri në orën 11 të natës, duke qëndruar në një vend. Ai djalë më thoshte të dalim. E dinim që ishim të rrethuar.

Aty nga ora 11 e natës, dikush ka ardhur dhe ka thirrur “Ooo Sheremet!”.

Ky ka qenë Sabiti, djali i Hasan Aliut. Na tha se, këtu paskeni shpëtuar. Filloi të na pyesë për ngjarjen. Ne i thamë, se kemi dëgjuar vetëm një zhurmë, asgjë më tepër nuk dimë.

Kur kemi shkuar në familjen e Sejdiut, pamë nënën e katër djemve të vrarë. Ajo rinte ulur në njërën dhomë. Asnjë zhurmë nuk dëgjohej. Nga ne, ajo e mori vesh se katër djemtë i kishte të vrarë.

Filluan të qarat dhe britmat. Na thirrën që t’i mbledhim kufomat. Megjithëse më dhimbte këmba se ma kishte lënduar trari i ahurit që e kishte rrëzuar autoblinda, unë iu përgjigja një kërkese të tillë. I gjetëm dy djemtë e tyre, bineqtë, dhe i futëm brenda në dhomë.

Na thanë të shkojmë në shtëpi se është tërhequr policia. Kur shkuam në bodrumin e shtëpisë së re, i gjetëm edhe dy vëllezër të tjerë të vrarë nga familja e njëjtë.

Ne nuk dinim se ç’kishte ndodhur me familjet tona, pasi që mu në dyert e shtëpive tona kërsiti pushka. Erdhëm për të parë tanët a ishin gjallë apo të vdekur. Erdhëm prapa shtëpive. Trokita në dritare. Askush nuk bënte zë, nuk lëvizte asnjeri. Nuk e dinim se rreth e përqark shtëpive tona kishte patur policë. Menduam se i kishin therur të gjithë anëtarët e familjeve tona.

E thirra nënën, gruan, fëmijët, por askush nuk lëvizi nga vendi. Djali i xhaxhait tim thirri me të madhe, ngase nuk e dinte se policët kishin qenë mu te dyert e shtëpive tona. Kur hymë brenda, doli nëna ime dhe na tha që të iknim, se policët janë te dyert e oborrit. Pikërisht kur ne dolëm përjashta, policët e ndezën dritën e autoblindës. Atëherë, ne ikëm dhe shkuam në një vend të sigurtë.

 

 

 

 

 

Masakra mbi familjen Ahmeti

 

Ndërkaq, për familjen Ahmeti e di këtë gjë: Kanë qenë në shtëpi dhjetë anëtarë të saj dhe një mik. Jam i sigurt se të gjithë këta nuk i vranë me plumba, por i masakruan një nga një. Dihet edhe vendi ku ka ndodhur kjo masakër. I kemi parë pasojat e masakrës: dhëmbë të thyer, copa eshtrash të kokës, eshtra… Të gjitha kufomat, kur i sollën atë ditë me kamion në oborrin e shtëpisë së tyre, unë i kam incizuar me videokamerë. Të gjitha kufomat ishin të lara, nuk pashë asnjë pikë gjaku në trupin e tyre. Ishin të masakruar. Keq kishin pësuar Ilmiu dhe Dritoni. Të gjithë ishin të masakruar, asnjëri s’kishte vdekur prej plumbi. Dritoni nuk e kishte një pjesë të nofullës dhe hundën. I kishte të hequra të gjitha eshtrat e kokës. Të gjithë këta i kanë mbytur me një gur, që e kemi gjetur në vendin e masakrës, te gardhi. Kur e patëm gjetur gurin dhe gjakun te ferrat, konstatuam se aty është kryer masakra, sepse aty gjetën gjurmët e gjakut: gjetëm flokët e dikujt, orën e dikujt, dhëmbët e dikujt, ashtin e dikujt, çorapet e dikujt… Ahmet Ahmeti kokën dhe gjoksin e kishte të prishur krejtësisht. Gani Ahmeti e kishte të prishur një pjesë të fytyrës; Ilmiut një pjesë të kokës dhe të syrit ia kishin shkulur. Ilmiu ishte ekonomist i diplomuar dhe disa vjet me rradhë kryetar i komunës. Po ashtu edhe Hamzë Ahmeti ishte i masakruar, ishte i sosur. Dritoni, që ishte një sportist shumë i mirë, e kishte të thyer tërësisht nofullën me gjithë dhëmbë dhe mjekër. Naim Ahmeti po ashtu ishte i masakruar në kokë. Me një fjalë, të gjithë këta njerëz ishin të masakruar në kokë. Basriu ishte po ashtu i dëmtuar mjaft në kokë. Edhe Elhami në kokë. Shemsiu… Këta të fundit, të tre ishin nxënës në shkollë të mesme.

Qëllimi i pushtuesve serbë nuk ishte të zhduknin kundërshtarët e rrezikshëm, sepse kjo familje nuk kishte armë. Thjesht, i zhdukën, sepse ishte një familje e shkolluar dhe përparimtare. Secili prej këtyre mund të ishte kryetar komune, madje edhe kryetar shteti, prandaj i masakruan.

Mua nuk ma merr mendja që shkijet t’i kenë ditur disa rrugica. Ato ua ka treguar dikush nga kjo anë. Por nuk mund të them emra konkretë, ngase nuk ma kanë parë sytë e mi. I morën për t’i masakruar pikërisht kur ishin duke ngrënë bukë në sofër. Kjo mënyrë e maskrës është diçka e paimagjinueshme, por një e vërtetë tepër tragjike.

Këto masakra i bënë paramilitarët serb. Ishin të maskuar, konsumonin edhe drogë. Pasi mernin drogë, bënin maskra të paimagjinueshme. Se kjo është e vërtetë dëshmon edhe fakti se, në oborrin e shtëpisë sime, unë i kam gjetur dy pako me shiringa.

Përveç këtyre, unë mund të dëshmoj edhe për shumë raste të tjera. E di edhe rastin kur forcat policore dhe ato paramilitare serbe, nga turma e njerëzve prej Çiçavicës e deri këtu në Likoshan kanë masakruar nja 70 deri 80 veta. Ata nuk e kanë çarë kokën a janë pleq apo të rinj. Atë që e zinin edhe e masakronin. Babain tim 63 vjeçar, Hasan Sylën e zunë dhe e mbytën. Pas katër ditësh ma mbytën edhe xhaxhain, Haxhi Smajlin.

Babai im kishte qenë në Krasmirovc, me gra e me fëmijë. Është ndërmarë një ofensivë shumë e shpejtë këtu dhe i kanë rrethuar burra e gra, të gjithë ata që ndodheshin aty, sepse nuk kanë mundur të iknin. Nga ky grup i ndajnë gjashtë veta dhe një nga një i masakrojnë. Nga një gjysmë arke me fishekë ua zbrazën në shpinë mu para syve të familjeve të tyre. Njëri nga të masakruarit ishte edhe babai im. Këtu, në mes të turmës së grave e mbysin edhe një femër. Kjo ka qenë vajza e Sokol Bunjakut. Pas katër ditësh, në Grana Sellë vranë 67 veta, të gjithë ishin pleq.

Në këtë fshat më së shumti u godit familja e Krasniqëve, e cila humbi shumë anëtarë. Nuk e di saktë se sa ka qenë numri i tyre, por vranë shumë veta nga kjo familje. Vetëm një lagje e tyre ka 20 veta të vdekur. I urdhëruan që të niseshin për në Gllogovc. Me t’u nisur i ndanë meshkujt nga gratë e fëmijët dhe përnjëherë i pushkatuan. Të gjithë këta ishin të vrarë me plumba. Këtë e bënë paramilitarët e maskuar. Këtë ngjarje e kemi parë nga largësia, me dylbi.

 

Masakra mbi familjen Ahmetaj

 

Njëri nga dëshmitarët më të drejtpërdrejtë të kësaj masakre është edhe djaloshi i strehuar nën çatinë e shtëpisë,  Mevledin Neziri

 

­ Atë ditë, kur është bërë masakrimi i familjes Ahmetaj, unë kam ndodhur aty krejt rastësisht. I pashë me sytë e mi kur erdhën policët te familja Ahmeti. I nxorën jashtë meshkujt dhe nisën t’i rrihnin në mënyrën më barbare. Në fillim vetëm i rrahën dhe i lanë aty përpara shtëpisë së tyre. Ndërkohë, një grup policësh shkuan në drejtim të

shtëpisë së  familjes Sejdiu dhe e sulmuan, duke vrarë e duke shkatërruar, pastaj sërish erdhën dhe nisën t’i rrihnin anëtarët e familjes Ahmeti një nga një. Rrahja është bërë në mënyrë shumë brutale deri sa e kanë humbur vetëdijen. Pas kësaj mbi ta e bënë edhe më të keqen, i masakruan një nga një. Në fund janë qëlluar me nga një plumb.

Unë isha afër, i strehuar nën çatinë e shtëpisë fqinje. Policia hyri edhe në shtëpinë ku isha strehuar unë, por fati deshi dhe nuk më gjetën ku ndodhesha. Ne prej çatie kemi dëgjuar çdo gjë, kemi dëgjuar zëra shumë të tmerrshëm, duke i mbytur një nga një. Në fund e kanë lënë vetëm një. Krejt kjo ka filluar nga ora 15,30 minuta dhe ka zgjatur deri në orët e mëngjesit. Ata i mbytën një nga një, me qëllim që ta shihnin me sytë e tyre njëri­tjetrin, dhe që sa më shumë të tmerroheshin. Në atë vend ka patur shumë policë, ishin të pajisur me tanke, me autoblinda, me pinzgauerë etj.

Të them të drejtën, nga vendi ku ndodhesha unë, pra nën çatinë e shtëpisë, herë pas herë me një kujdes të madh shikoja nëpër të çarat e saj se ç’ndodhte përjashta, sepse dihej se ç’më priste nëse më hetonin. Pra, më shumë kam dëgjuar sesa që kam parë, sepse nuk guxoja të lëvizja. Më kujtohet fare mirë që, kur policiët filluan t’i rrihnin një nga një, unë dëgjoja zëra të tmerrshëm. Dikush thoshte “Ou kuku nënë!”, dikush tjetër “Ou kuku babë!” etj.

Nuk kam mundur t’i shihja se me çka i masakronin, por e di se pas atij brutaliteti dhe masakrimi, më në fund ua jepnin edhe nga një plumb me revolver. Siç thashë, vetëm njërin e lanë të gjallë deri në mëngjes, duke e rrahur vazhdimisht. Nuk e di saktë se cili mund të ketë qenë ai, por e di se ishte i moshës më të vjetër. Atë e mbajtën ashtu që t’i shihte ato skena të tmerrshme, pastaj, kur i bënë të gjitha ato që patën ndër mend, në orët e mëngjesit e vranë edhe atë.

Kjo nuk ishte familje terroriste, siç e quanin shkijet, por ishte një familje e shkolluar dhe e njohur në këtë rrethinë. Pikërisht për këtë arsye i masakruan. Ç’është e vërteta, ata i masakruan me thika, me hunj të gardhit e me gjithfarë mjetesh të tjera. Në atë vend gjetëm tru, dhëmbë, copa eshtrash, gishtërinj të këputur… Krejt këtë e bënë para shtëpisë së tyre. Aty është edhe guri me të cilin i mbytën në mënyrë shtazarake.

Unë kam qëndruar një kohë të gjatë nën çati, pa bërë asnjë zë. Prej aty kam lëvizur pas 28 orësh. Pasi i masakruan, në mëngjes i morën kufomat dhe i dërguan tutje, sigurisht për në morg. Por policët mbetën aty deri të nesërmen (në orën 14,30 minuta). Bashkë me mua, nën çati ka qenë edhe një shok, Ilir Gjeli, i cili nuk dihet se ku është. Nuk di asgjë për fatin e tij. Pastaj kur i kanë sjellë kufomat, i kam parë ashtu siç kisha konstatuar nga ajo që dëgjoja një natë më parë. Të gjithë ishin të masakruar. Driton Ahmeti nuk e kishte fare nofullën. Ilmi Ahmeti ishte i masakruar tërësisht në fytyrë, me thikë. Të them të drejtën, të gjithë ishin të prishur në fytyrë dhe në trup, dhe nuk mundja as t’i shihja: nuk e përballoja dot atë pamje të tmerrshme.

Pasi i rrahën, mendova se i dërguan në Gllogovc, por kur u kthyen nga sulmet që bënë në Qirez, përsëri filluan një nga një t’i rrihnin, dhe menjëherë e kuptova se po i masakronin, sepse britmat e tyre dëgjoheheshin deri në kupë të qiellit. Bërtitnin “O, baba im!”, “O, nëna ime!”, “O, më theri me thikë!” e gjithfarë britmash tronditëse. Por ishte e pamundur t’ju ndihmoje. Ne vetëm dëgjonim me zemër të plasur nën çati. Unë nuk e di serbishten, por serbët ulëritnin dhe thonin gjithçka duke sharë e fyer. Por kanë folur edhe shqip kur kërkonin armë. Sigurisht ka qenë edhe ndonjë shqiptar, sepse serbi hetohet kur flet shqip.

Nuk mund të them saktë se sa policë kanë marrë pjesë në këtë masakër, por e di se numri i tyre ka qenë i madh. Së paku mund të kenë qenë 30 policë.

Meshkujt i nxorën nga shtëpia, femrat i futën të gjitha në oborr dhe i mbajtën ashtu.

Nga kjo familje u masakruan këta persona: Ahmet Ahmeti (50 vjeç), Gani Ahmeti (47 vjeç), Ilmi Ahmeti (44 vjeç), Hamzë Ahmeti (44 vjeç), Driton Ahmeti (23 vjeç), Naim Ahmeti (21 vjeç), Lumni Ahmeti (19 vjeç), Basri Ahmeti (19 vjeç, bineq), Shemsi Ahmeti (17 vjeç), Elhami Ahmeti (15 vjeç) dhe Behram Fazliu (60 vjeç, mysafir nga Gradica).

 

Masakra mbi familjen Nebiu

 

Sefer Nebiu, Likoshan, Skënderaj

 

­ Policia dhe forca të tjera serbe erdhën në fshatin tonë për të ndërmarrë një fushatë. E rrethuan lagjen. Në ato momente e pashë një helikopter që fluturonte mbi shtëpinë time. Këtë e bëri dy herë radhazi. Me gjasë e hulumtonte terrenin sipas informacioneve që kishte paraprakisht.

Herën e parë vetëm fluturoi dhe nuk ndërmori asgjë, ndërsa herën e dytë kur erdhi dhe u përqëndrua sipër shtëpisë sime, me veshët e mi nga helikopteri i dëgjova të vinin këto fjalë: “Shtëpia e parë, në të majtë!”.

Pa zgjatur shumë, tanket u lëshuan teposhtë, domethënë nga  i komandonte personi nga helikopteri. Unë pashë se diçka po ndodhte, prandaj u përpoqa t’i japë vetes kurajë. U thashë anëtarëve të familjes që të mos frikësoheshin dhe të uleshin në kauç. Në dhomë  ishte ime shoqe, reja ime Rukia kishte zënë vend afër stufës. Befas u sul një autoblindë e policisë, e cila i rrëzoi dyert e oborrit dhe erdhi deri te dritarja e dhomës ku rrinim ne. Atëherë mora guxim dhe dola përjashta.

­ Kush je ti? ­ më pyetën ata gjithë tërbim.

­ “Jam Sefer Nebiu. Ngadalë se m’i çmendët njerëzit e shtëpisë” ­ u thashë.

Më shanë si më keq dhe m’u vërsulën me tërbim. Pastaj ma drejtuan automatikun dhe më qëlluan me katër plumba.

Kur e pa këtë akt të çmendur dhe kur gjaku filloi të më kërcente përpjetë, reja ime Rukia filloi të bërtiste: “Kuku, çka na gjeti!”. Ma shtrëngoi plagën në këmbë të mos më rridhte gjaku dhe kokën e vuri në prehrin tim. Atëherë, disa nga policët hynë brenda dhe nuk pritën fare. Njëri ia lëshoi rafalin mu në ballë resë sime. Kapaku i kokës i kërceu përtej. Ajo e kishte vajzën e vogël në kraharor. Për fat vajzën nuk e rrokën plumbat fare.     

Foto vajza e vogël

Nëna e saj u vra mizorisht, por vogëlushja mbeti gjallë, e larë nga gjaku i së ëmës. Me ato rafale që i zbrazën mbi ne, ma vranë edhe djalin, i cili ishte i mbështetur te dritarja. Pastaj u turrën brenda dhe më kapën për xhubën e lëkurtë, më hodhën jashtë.  Vetëm këtë djalë e kisha në shtëpi. Më thanë që ta nxirrja jashtë. Por, unë i luta që të na linin të qetë se mjaft na kishin vrarë.

Njëri nga ata që rrinte nga ana e djathtë më tha se po ta fali, ndërsa ai tjetri që rrinte në anën e majtë tha se do ta likuidojmë. E kapën djalin dhe u munduan ta godasin në nofull dhe e tërhoqën shkallëve teposhtë. Mua më hoqën zvarrë, megjithëse ende mundja të ecja.

Por, në ato momente i hodhën sytë nga garazha që gjendet në anën tjetër. Dhe kur panë se në garazhë kisha dy traktorë me të gjitha pajisjet e tjera të punës, si dhe veturat, atëherë më urdhëruan që të shtrihesha.

Nisën të hallakatnin çdo gjë që kishte në garazhë. Meqë nuk gjetën asgjë, aherë ua lëshuan rrafalet xhamave dhe dyerve të traktorëve, veturave dhe çdo gjëje që panë përpara, derisa i shkatërruan të gjitha.

Pastaj më kapën dhe më hodhën te djali i vëllait, përfundi një mullari që gjendej në oborr. Më urdhëruan që t’i çoja te shtëpia e vëllait tim. (Vëllai më kishte vdekur, dhe në shtëpi gjendej vetëm e veja me pesë fëmijët e vet). Më shanë si më keq dhe më morën zvarrë. Më ngritën në këmbë dhe më urdhëruan që ta hapja derën.

U detyrova të veproja ashtu siç më thanë.

Në shtëpinë e vëllait ishin strehuar 23 veta nga fqinjët dhe lagja ime, dmth. të gjithë ata që kishin mbetur jashtë.

Urdhëruan që një nga një të gjithë të dilnin përjashta dhe të shtriheshin në oborr.

Kështu, të gjithë dolën dhe u shtrinë. Mua më shtrinë te disa gurë që gjendeshin mbi baltë.

Ndërkohë, erdhi një polic nga shtëpia e kushëririt tim, Hasanit, dhe kur na pa të shtrirë, i tha kolegut të tij që të na vriste të gjithëve. Por, ai që ishte mbi kokat tona i tha kolegut të tij që të shkonte duke na sharë neve dhe duke i thënë atij se të gjithë janë gra e fëmijë. Kishte policë të maskuar dhe të pamasakuar. Të gjithë flisnin serbisht.

Ashtu, të dërrmuar, na kanë mbajtur deri në orën 21 të mbrëmjes. Unë dëgjova kur u dha një urdhëri që të sulmohej edhe shtëpia e Sheremet Sejdiut. Dhe pa vonuar fare, përnjëherë u sulën autoblindat drejt saj.

Nga familja ime vranë renë time shtatzanë, e cila edhe pak kohë duhej të lindte dhe njërin djalë timin. Pastaj ma vranë edhe djalin e katërt.

Tri aksione janë ndërmarrë kundër familjes sime. Dy herë ma dogjën e ma bënë hi shtëpinë. Meqenëse, unë e ngrita përsëri, ata erdhën edhe për së treti herë dhe vranë e shkatëruan çdo gjë. Ma vranë renë, Rukijen, e cila ishte shtatzënë, pak para lindjes, si dhe dy djemtë.

Masakra e parë në Kosovë u bë mbi familjen time. Unë nuk i kisha bërë askujt ndonjë të keqe, as që i kisha borxh ndokujt, por ja që ma bënë këtë të zezë.

Të gjitha urdhërat jepeshin prej helikopterit. Me vete kishin një njeri që e njihte terrenin dhe ai ua jepte informatat. Ai person u tha që të sulmonin edhe familjen time, shtëpinë time. Çdo gjë është bërë me plan.

Kjo është ajo që e pashë atë ditë dhe për të cilën mund të dëshmoj.

 

Zahir Nebihi, djali i Sefer Nebihut

 

­ Në momentin kur ka filluar sulmi, unë isha në dhomë. Kur i dëgjova krismat mbi babain tim, atëherë e kuptova se po ndërmirrej një sulm i tmerrshëm. I shihja fare mirë policët që na kishin rrethuar. Pasi shtinë dhe vranë disa, na mblodhën grumbull të njëzet e katër sa ishim e na urdhëruan që të shtriheshim. Katër orë e gjysmë kemi qenë rob para tankeve e autoblindave. Dy policë që na rrinin mbi kokë, na shanin në mënyrën më të rëndë. Pastaj mua më goditën në gjoks.

Unë kam qenë në shtëpinë tjetër, nuk kam ditur se kush ishte plagosur e kush ishte vrarë. Kur u larguan policët, atëherë unë kam ardhur në shtëpi dhe e kam parë babain e plagosur dhe vëllezërit e nusen e vëllait të vrarë. Vajza e Rukijes, për fat, kishte shpëtuar. Kjo është ajo për të cilën mund të dëshmoj.

 

Masakra e Poklekut të Ri

 

Besim Misini nga fshati Koroticë e Ulët, Gllogovc

 

­ Masakrën në Poklek të Ri e kam parë në një afërsi prej 500 metrash. Të them të drejtën, ne nuk kemi mundur dhe as që kemi patur guximin të afrohemi, sepse ishim duarthatë, ndërsa forcat policore serbe ishin të armatosur gjer në dhëmbë dhe me

mjete të motorizuara ushtarake. Ata ua mësynë shtëpive si dhe popullatës.  Vranë, dogjën e therën, pastaj u larguan qetë prej aty.

Kur ka ikur policia nga fshati, jemi afruar me xhaxhain dhe me disa shokë. Pamë se ishte bërë masakër. Kemi gjetur pjesë të shkëputuranga trupat e njerëzve, tru, veshë,  shumë gjak. Në një bodrum kemi gjetur edhe të vrarë.

Ndërkaq, pak më vonë, në shtëpinë e Sahit Qorrit kemi gjetur një sëpatë të përgjakur, të cilën e kishin lënë ose e kishin harruar mu para pragut. Shtëpia ishte duke u djegur.

Ishte shumë vështrië t’i zbuloje krimet, sepse kishin vrarë, kishin masakruar dhe ua kishin vënë flakën shtëpive. Fshati digjej. Nga të katër anët dilte vetëm tym e flakë.

Në këtë masakër janë zhdukur nëntë persona. Nuk dihet se ç’ka ndodhur me ta. Ka mundësi të jenë vrarë apo masakruar dhe pastaj të jenë hedhur në ndonjë varrezë masive. Tash për tash ende nuk dimë asgjë. Nuk kemi mundur t’i gjejmë. Në mesin e të zhdukurve është Fazli Berisha, Sahit Qorri, Ardian Veliu. Ndërsa të tjerëve nuk ua di emrat.

Këtë masakër e bëri njësia speciale serbe, e cila kishte ardhur enkas që të përhapte tmerr e frikë te popullata jonë për t’i braktisur shtëpitë. Pra, krejt kjo ndodhi me një qëllim të caktuar.

Për këtë aksion të tyre çnjerëzor është shfrytëzuar një pretekst: një makinë e policisë kishte qenë duke ardhur nga Komarani për në Gllogovc dhe rrugës ajo e kishte humbur orientimin. Ka të ngjarë që policët të kenë qenë të dehur ose… Makina ka goditur diku dhe është praptuar. Menjëherë e kanë lajmëruar policinë në Gllogovc, se i kanë sulmuar “terroristët”. Dhe ka mjaftuar kjo gënjeshtër që policia të vrapojë me tërbim dhe të ndërmarrë një fushatë kundër banorëve të pafajshëm. Pikërisht për këtë qëllim kanë ardhur policët dhe e kanë bërë këtë masakër të tmerrshme.

 

Masakra e Makocit

 

Zeqir Krasniqi, anëtar i Këshillit të Zhvarrosjes dhe Rivarrosjes së Kufomave, fshati Makoc, Prishtinë

 

Në pjesën periferike të Prishtinës, një kolonë e madhe njerëzish që iknin nga sulmet e artilerisë serbe dhe që kërkon strehim në qytetin e Prishtinës, e pësoi nga forcat siushtarake të Arkanit, që kishin qenë të përqëndruara në fshatin Makoc. Aty i nxorën nga kolona shumë njerëz dhe i vranë ose i masakruan

 

Kufomat e të masakruarve dhe të vrarëve shqiptarë janë varrosur nga policia serbe në katër varreza masive: një në fshatin Llukare, dy në fshatin Makofc dhe një në fshatin Grashticë. Gjatë zhvarrosjes për herë të parë kemi parë njerëz të prerë, të masakruar, të mbytur me dru. Zhvarrosjen e kemi bërë pas dy- tre muajve, madje në disa vende edhe pas katër muajsh.

Masakra është bërë në mbrëmje të datës 18 dhe vazhdon më 19, 20, 21, 22 dhe 23 prill 1999. Kjo rrugë që shpie për në Prishtinë ka qenë e mbushur plot me njerëz. Mund të them se kanë qenë 250 ­ 300 mijë njerëz, të cilët ishin të uritur, të etur, të zbathur, me fëmijë të vegjël, në mesin e tyre kishte edhe shumë gra shtatzëna… Ne arritëm t’i ndihmojmë me ushqim, por nuk arritëm t’i mbrojmë nga pushtuesi që bëri masakra mbi ta, duke i mbytur, duke i vrarë e duke i plaçkitur. Unënë këtë masakër kam humbur katër anëtarë të familjes, vëllain Nexhbedinin 41 vjeçar; babain, të cilin ma dogjën, xhaxhain me gjithë të shoqen, të cilin po ashtu e dogjën.

Pasi përfundoi lufta  ne i zhvarrosëm. Konstatuam se si kanë vdekur dhe i rivarrosëm.

Unë me sytë e mi, më 19 prill 1999 rreth orës 16.oo e kam parë një rast në fshatin Sharban të Prishtinës kur u vra një person të cilin nuk e njihja. Polici e nxori prej veture atë njeri dhe para familjes së tij e ekzekutuan me pushkë automatike. Kjo ndodhi në rrugën “Xhemal Ibishi” të qytetit të Prishtinës.

Unë jam kthyer për një kohë të shkurtër, në fshat.  Së pari, e kam varrosur babain, pastaj e kam zhvarrosur vëllain tim për t’u bindur se a është ai apo ndokush tjetër. Në fshat kam gjetur shumë gjurmë të masakrës: këpucë, tesha të shpuara nga plumbat, orë, gjurmë të shumta të gjakut etj. E kemi gjetur një garazhë përplot gjak.

Kur ne vendosëm të ikim, babai nguli këmbë që të mos dilte nga shtëpia. Unë e ndeza veturën dhe i thashë babait që të hipte, sepse anembanë dëgjoheshin krisma. Por ai ishte kategorik, vendosi të mbetej aty, të mos e braktiste shtëpinë. U detyrua edhe vëllai të rrinte bashkë me të. Të njëjtën gjë bënë edhe xhaxhai me të shoqen e tij. Në fillim u hamenda, por kur filluan t’i ndezin shtëpitë në lagjen e Nelajve, të shtinin me automatik, vendosa që të ikja. Pas njëzet minutash ma kishin vrarë vëllain, pastaj edhe babain, xhaxhain dhe të shoqen e tij. Kjo qe një tragjedi të madhe.

Në fshatin Llukare kemi zhvarrosur 15 veta.  Në fshatin Makofc në njërin varr kemi gjetur 15 veta, kurse në varrezën tjetër kemi gjetur edhe 17 veta. Në fshatin Grashticë kemi gjetur 12 veta. Më pas kemi gjetur edhe nja pesë varreza individuale nëpër ara. Të gjithë të varrosurit i kemi identifikuar. Vetëm një na mbeti pa e identifikuar. Kur i kemi zhvarrosur, kemi parë që shumica i kishin gjymtyrët e thyera, kokat e thyera. Së pari janë torturuar e masakruar e pastaj formalisht ua kanë dhënë edhe nga një plumb, gjoja se janë ekzekutuar me plumb. Pas dy muajsh ishte vështirë të konstatoje se cilat pjesë të trupit u janë shkëputur, sepse kufomat kishin filluar të prisheshin. Njërit ia kemi gjetur vetëm kokën, pa trup. Në një varr e kemi gjetur vetëm pjesën e poshtme të trupit të një njeriu.

Të gjitha këto masakra e krime i kanë bërë forcat e Arkanit, që kanë qenë të vendosura në shtëpinë e Sabitit. Njerëzit e kanë parë me sytë e tyre edhe vetë Arkanin. Një prej atyre që e ka parë Arkanin është edhe Rrahim Prestreshi. Ky e ka të humbur djalin.

Kjo është e vërtetë: Krimet e tyre kanë qenë shumë të rënda. Kanë qenë masakra të vërteta. Një mashkulli ia gjetëm vetëm pjesën e epërme të trupit. Dyshojmë se është prerë me sharrë.

Ka të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Madje, në fshatin Makofc, janë bërë edhe dhunime. Sipas disa gjurmëve dyshohet se dhunimet janë bërë në shtëpinë e Ganiut, në lagjen e Dikajve. Aty kemi gjetur tesha femrash, gjak, brekë, sutjena. Por nuk kemi arritur të mësojmë se kush është dhunuar aty… Vajzat merreshin nga kolona dhe dërgoheshin diku.

 

Masakrat e Lybeniqit

Gani Bushati (1942), fshati Lybeniq, Pejë

 

Është njëri nga tetë dëshmitarët që përjetoi masakrën e 1 prillit 1999, kur u vranë 60 bashkëfshatarë të tij. Nga 36 plumba sa pat marrë, ai tre ende i ka në trup. Ganiu dëshmon për tri masakrat që ndodhën në Lybeniq dhe rrethinë.

 

Më 1 prill 1999, ushtria dhe policia serbe e kanë rrethuar fshatin Lybeniq të Komunës së Pejës. Më vonë ata kanë hyrë në fshat me këmbësori dhe autoblinda. Në fillim, para dyerve të shtëpive i kanë nxjerrë të gjithë fshatarët. Para derës së shtëpisë së vet policia serbe, së pari ka pushkatuar Adem Bushatin ( 65 vjeç).  Më pas fshatarët i kanë grumbulluar dhe i kanë çuar drejt e në fund të katundit. Gratë dhe fëmijët i kanë ndarë nga meshkujt prej moshës 15 deri më 90 vjeç. Këta të fundit i kanë ndalur në një udhëkryq në të dalur nga fshati, bri rruge.

Në ndërkohë, dy udhëheqësit e fshatit Adem Haredinaj dhe Ukë Bushati kanë shkuar që të bisedojnë me drejtuesit e ekspeditës policore. Mirëpo, ata pa një pa dy u janë kërcënuar. “Ne nuk jemi policë, por ushtarë serbë. Kush i ka ndezur shtëpitë në këtë fshat, më 25 maj 1998?”,  ( në ditën e masakrës së parë të Lybeniqit, ku u vranë nga pushtuesit serbë 8 shqiptarë).

Pastaj Adem Haradinajn e Ukë Bushatin, i kanë pushkatuar aty pranë nesh. I kemi parë me sytë tanë, se sa me gjakftohtësi e kanë kryer ekzekutimin.

Menjëherë pas ekzekutimit të tyre, është dëgjuar një zë urdhërues në gjuhën serbe: “Lezhite!” (shtrihuni). Ne, të 70 vetat u shtrimë si mundëm e si dijtëm në atë hapsirë të vogël. Nuk ka shkuar shumë dhe një me automatik dhe një tjetër me pushkomitraloz kanë gjuajtur në turmë me rafalle të gjata. Trupat kërcenin nga plumbat, si uji nga pikat e shiut. Rrënkime dhimbjesh dhe më pas është shtrirë një qetësi absolute. Disa prej ushtarëve dhe policëve serbë për të verifikuar se a kanë vdekur të gjithë kanë hypur mbi trupat tanë, duke na goditur me shqelma. Ai që jepte shenjë jete, vritej me qetësinë dhe kënaqësinë më të madhe. Masakra ka filluar 10 -15 minuta pasi na kanë grumbulluar.

Në këtë masakër besoj të kenë marë pjesë nja 300 policë e ushtarë.

Se sa veta  kanë kryer ekzekutimin dhe kush kanë qenë ata policë e ushtarë serbë nuk jam në gjendje të dëshmoj. Ne, të gjithë fshatarët, ishim në dijeni se fshati ishte i rrethuar në të katër anët. Në çdo rrugicë të fshatit kanë qenë të vendosur nga tre-katër policë.

Nja tri orë pas pushkatimit, unë jam zgjuar nga kllapia. Kam hapur sytë. Çka të shoh! Të gjithë ishin paluar njëri mbi tjetrin. Unë isha mbuluar në gjak. Trupin e kisha shoshë. Më kishin rënë 36 plumba. Edhe sot e kësaj dite ende i kam tri plumba në trup.

Nga 70, vetëm 9 veta mbetëm gjallë. Unë, Sadik Jahja Murati, Demush Ukshinaj, Isuf Avdullahu, Ali Shoshi, Xhevdet Aliçkaj, Sadik Berishaj, Tafil Huskaj dhe një që s’më kujtohet tash për tash. Jemi tërhequr ashtu të plagosur zvarrë nga vendi i ngjarjes dhe kemi shkuar në një mal 200 metra pranë fshatit, ku kemi qëndruar deri në orën 9 të mbrëmjes së ditës së masakrës.

Fshati Lybeniq ishte në flakë. Prej andej dëgjoheshin krisma të shumta. Tafil Huskaj, djal i ri rreth 18 vjeç, gjysëm ore pasi arriti në mal, vdiq nga plagët. Tafilin plumbat e pushkomitralozit e kishin bërë shoshë. Katër veta prej nesh të plagosur i kemi lënë aty, ndërkaq të tjerët jemi nisur për në Strellc të Ulët të njoftojmë mbi ate që ka ndodhur në Lybeniq. Një pjesë të mirë të rrugës e kemi bërë zhagas nëpër baltë. Pasi na kanë parë plagët, strellcjanëve u kemi kërkuar të gjejnë ndonjë mjek. Prej aty, me qerre kuajsh banorët e Strellcit na kanë dërguar deri në fshatin Isniq. As atje nuk gjetëm mjek. Na kanë nisur menjëherë për në Zhebel, në Shtabin ushtarak tonin, ku jemi mjekuar dy ditë e dy netë.

Unë, Sadik Jahja Murataj dhe Sadik Berishaj ende pa marrë veten kemi marrë rrugën në këmbë për në fshatin Broliq. Atje kemi takuar karvanin e refugjatëve që kishin marrë rrugën për në Shqipëri. Kemi hypur nëpër traktora dhe jemi nisur. Kur kemi arritur në qytetin e Deçanit, kam parë se si djalin e ri që voziste traktorin me rimorkio, ku ndodhesha unë dhe afër 30 anëtarë me gjasë të familjes së tij, e marrin policët dhe ta zbresin me forcë prej traktorit. “Çohu dhe vozit ti, më janë kërcënuar policët”. Qysh me lanë djalin në duart e tyre e me vozit traktorin me familje të huaj?! Boll rëndë ishte.

Meqë e kundërshtova një urdhër të tillë, policët serbë më kanë kapur për setre e më kanë zbritur te një kanal në Deçan, duke më rrahur me shufra hekuri në kokë. Atëherë, kanë parë se sa thellë kishin shkuar me mua, e kanë kthyer djalin, të cilin në ato çaste e kishin larguar nga ne afro 20 metra.

Gjaku më ka rrjedhur rrugës deri në qytetin e Prizrenit. Udhëtimi na ka zgjatur tri ditë e tri net. Prej Prizrenit kemi shkuar në qytetin e Kuksit, në Shqipëri, ku kemi ndejtur 5 ditë. Me makina të ushtarëve të huaj na kanë çuar në spitalin e Tiranës.

Në Kosovë jemi kthyer pas futjes së trupave të NATO-s.

Të vrarët e masakrës së 1 prillit 1999, të fshatit Lybeniq janë: Shaban I. Alimehaj, Haxhi M. Alimehaj, Rrustem M. Alimehaj, Hazir M. Alimehaj, Shaban L. Alimehaj, Bajram S. Alimehaj, Fadil Sh. Alimehaj, Ilir S. Lokaj, Zeqë H. Bobi, Bajram R. Bobi, Bekë R. Bobi, Muharrem B. Bobi, Muharrem B. Bopi, Abdyl B. Bobi, Dinë J. Huskaj, Tafil D. Huskaj, Nekë S. Huskaj, Ramë A. Avdullahaj, Gëzim D. Avdullahaj, Naim H. Avdullahaj, Haxhi B. Avdullahaj, Metush D. Avdullahaj, Ramë S. Avdullahaj, Feim Sh. Avdullahaj, Rexhë C. Rexhaj, Fazli T. Ukshinaj, Ramë B. Ukshinaj, Ruzhdi Q. Ukshinaj, Hajdar U. Ukshinaj, Riza A. Morina, Çun A. Morina, Adem I. Bushati, Smajl I. Bushati, Bajram H. Bushati, Ukë H. Bushati, Ramiz I. Hamzaj, Jashar M. Hamzaj, Xhavit I. Hamzaj, Selim S. Hamzaj, Ali B. Shoshi, Gani D. Shoshi, Sefer S. Shoshi, Sali B. Rrustemaj, Nazmi B Rrustemaj, Zize Cacaj, Musli H. Haradinaj, Adem S. Aradini, Kadri S. Jahmurataj, Musa S. Jahmurataj, Smajl M. Jahmurataj, Ramiz S. Berisha, Selim Aliçkaj, Arif Tahiraj, Osman T. Alimehaj, Ferdane H. Alimehaj, Leonard O. Alimehaj, Hate O. Alimehaj, Fatmir A. Alimehaj, Qamil Rr. Ukshinaj, Shyhrete Rr. Ukshinaj, Muhamet Q. Ukshinaj, Rrustem S. Ukaj, Smajl S. Huskaj, Selam Sylaj, Haxhi I. Cakaj.

Kjo ishte masakra e dytë që serbët e bënë në këtë fshat. Masakra e parë ka ndodhur më 25 maj 1998, ku u pushkatuan shtatë veta të këtij fshati dhe një nga Deçani. Në orën 13.oo, në fshat ka hyrë policia, e cila më parë e kishte rrethuar fshatin. I kanë nxjerrë nga shtëpia meshkujt dhe menjëherë i kanë pushkatuar. Ata janë: Zeqë Misin Hamzaj (1931) me dy djemt Gani Hamzaj (1973) dhe Rifat Hamzaj (1974), Ymer Deli Hamzaj (1945), Bashkim Ymer Hamzaj (1974), Brahim Ukë Hamzaj (1934), Dervish Ukë Hamzaj (19b7) dhe Hysen Daut Alimehaj (1969) nga Deçani. Të gjithë këta janë vrarë me plumba “Dum-Dum”. Kokat i kishin të prishura, të deformuara. Atë natë i kemi mbajtur në xhaminë e fshatit dhe të nesërmen i kemi varrosur me gjitha tesha.

Masakra e tretë apo, siç njihet, Masakra e Belit, ka ndodhur në Stanin e Belit, një javë pas masakrës së dytë, me gjasë më 6 apo 7 prill 1999. Stani i Belit ndodhet  mbi fshatin Lybeniq në një largësi ajrore diku rreth tre kilometra. Atje policia masakroi 50-60 fshatarë refugjatë të strehuar nga fshatra të ndryshme, të cilët kishin ikur nga policia serbe pas masakrës së 1 prillit (Lybeniqit). Atje s’janë kursyer as njerëzit e paralizuar, siç ishin djali dhe e shoqja e Osman Alimehajt. Në Stanin e Belit janë masakruar, afër 10 veta të kësaj familjeje. Atje është ekzekutuar edhe Qamil Ukshinaj me djalë dhe me gruan shtatzënë në muajin e nëntë. Shumica prej tyre janë djegur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm eshtra dhe hi.

Këto janë tri masakrat e Lybeniqit të Pejës.

 

Masakra e Llabjanit

 

Fitore Kelmendi, fshati Llabjan, Pejë

 

Atë ditë që kanë hyrë policia dhe paramilitarët serbë në fshatin Llabjan të Pejës, menjëherë i kanë bastisur dhe i kanë nxjerrë njerëzit nga shtëpitë e  tyre. E kanë marrë tërë familjen time dhe e kanë çuar në një shtëpi këtu në Llabjan. Babain tim, Cenën, i cili më profesion ka qenë tregtar, e kanë ndarë prej nesh, e kanë futur në bagazh të makinës dhe e kanë dërguar në Gjakovë. Ndonjë tjetër nga burrat, nuk morën.

Neve, paramilitarët serbë, tërë natën na kanë keqtrajtuar, na kanë marrë në pyetje, na kanë rrahur me shkop gome dhe na kanë plaçkitur. Kunatës sime, Bahrie (Lajçi) Kelmendi, i ka pasë rënë të fikët nga mundimet e shumta. Asaj paramilitarët ja marrin arin nga qafa, si dhe 700 marka gjermane që i kishte patur me vete. Ndërkaq, nënës sime ia marrin 2000 marka gjermane që ia pat dhënë babai t’i gjenden rrugës. Së bashku me ne kanë qenë disa gra të fshatit. Neve na kanë mbajtur peng plot 24 orë mbyllur. Asnjë prej femrave që kanë qenë me ne nuk është dhunuar.

Babai im vuajti më së shumti. E mbajtën dhjetë ditë në arrest dhe e rrahën jashtëzakonisht shumë. Të gjithë policët që hynin e shikonin dhe i thonin “Ah Cena, Cena, ende gjallë je?!”.

Disa prej policëve dhe paramilitarëve serbë ishin me maska dhe flisnin një shqipe të çalë. Me gjasë ishin serbë të vendit.

Burrat i rrahën para syve tanë. Ishte mjaft keq të shihje se si ta rrihnin babain. Ata që pësuan ishin pesë burra, në mesin e të cilëve edhe babai im. Burrat e tjerë që i rrehnin ishin Kreshnik, Rifat e Musa Kelmendi dhe Muharrem Ferrizi.

Neve, femrave, na lëshuan në mëngjesin e ditës së pestë dhe na çuan në drejtim të Lutoglavës. Në këtë moment desha të kthehem e t’i jepja babait tim pak duhan, pa të cilin vështirë e kishte.

I pyeta policët, nëse mund ta bëja një gjë të tillë. Ata më thanë: “Nuk mundet ngase Cena është për pushkatim”. Në atë moment njëri prej policëve me atë ironinë e tij m’u kthye: “Shko ti, se i japim ne”.

Prej asaj dite për fatin e babait nuk mësuam gjë, ngase neve na nisën për në Shqipëri.  Kur jemi kthyer nga Shqipëria, në dy vende kemi gjetur eshtra të djegura. Disa prej banorëve të fshatit që u kthyen më herët, konfirmuan se këto eshtra që janë gjetur në shtëpinë tonë, janë të Cenë Kelmendit (54 vjeç). Ne, anëtarët e familjes, këtë konstatim e miratuam ngaqë në atë vend me të vërtetë ka qenë i ngujuar babai ynë, Cena. Në shtëpinë tonë është djegur edhe një fqinj i ynë, që quhej Musë Maloku.

 

Hyre Musaj,  fshati Ramun, Pejë

 

Në fshatin tim nuk ka pasur masakër, ndonëse 16 shtëpi janë djegur e mjaft kafshë janë vrarë. Në mesin e shtëpive të djegura është edhe shtëpia ime e re.

Një masakër është bërë në fshatin e familjes sime në Jabllanicë të Dushkajës, diku në muajin korrik të vitit 1998, gjatë ofensivës së parë mbi Jabllanicë. Kam dëgjuar se serbët kanë zënë në skaj të shtëpisë së vet nënën e ushtarit Lah Brahimaj, Azën rreth 60 vjeç dhe e kanë prerë. Ekziston dyshimi se e kanë grirë copa-copa, që nga këmbët e deri te koka. Kur kthehet djali i  saj nga lufta, e ka mbështjellë me batanije dhe e ka varrosur te varrezat e fshatit.

Ndërkaq, në fshatin Kusuriq të Pejës, Zymberi e ka gjetur të mbytur në një pus djalin e vet, Jusuf Fazliaj. Mbi të kishin hedhur tulla. Jusufi ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. 

 

Masakrat e Llukarit

 

Ali Berisha (1949), fshati Llukar, Prishtinë

 

Gjatë kohës sa kanë ndodhur bombardimet e NATO-s, Aliu ka qëndruar në Kosovë. Ai ka mbledhur shumë dëshmi për masakrat që kanë ndodhur në luginën e Llukarit. Ka marrë pjesë në disa akte rrivarrimi dhe identifikimi të të vrarëve. Ai është gazetar.

 

Unë vazhdimisht jam marrë me identifikimin e kufomave të vrara apo të masakruara nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Ka pasur shumë raste kur është dashur të bëhet riidentifikimi i kufomave. Gjatë këtyre akteve u bëra imun dhe thuajse nuk ndieja asgjë.

Gjatë zhvarrimit të viktimës, Shaban Krasniqi, në Mramur, gjetëm kufomën e tij të ruajtur tërësisht. Sytë nuk i kishte të humbur, vetëm të thelluar në kafkë, nga plaga e plumbit që e kishte marrë te veshi i djathtë i kishte dalë te ai i majti. Ai ishte ekzekutuar nga afërsia.

Raste të tmerrshme ishin kufomat që i gjetëm bri lumit, te kopshti i Sylës së Iljazit. Ata ishin dy djem të ri, të dy me koka të prera. Trupat e tyre ishin të paprekur dhe kokat ishin më poshtë. Traktorët, me të cilët kanë udhëtuar refugjatët për në Prishtinë, kishin shpuza dhe gjëra ushqimore. Kur shkova herën e dytë, i gjeta kufomat që I hanin qentë. Informova disa ekipe gazetarësh nga Holanda, Turqia, nga Brazili dhe Spanja, dhe i dërgova te kufomat, duke i shoqëruar dhe duke ua tërhequr vëmendjen që mos të shkelnin në ndonjë minë. Këta dy djem të  ishin Mujë Osmani dhe Remzi Kosumi, që mendohet se kanë kaluar atypari pikërisht gjatë masakrës në Makoc, Llukare dhe Grashticë, prej datës 19 – 23 prill 1999.

Njerëzit e mbetur në male vazhdonin të lëvizinin fshehurazi për të takuar familjet ose për të siguruar gjëra ushqimore. Gjatë kësaj lëvizje të zhvendosurit e kanë pësuar shumë rëndë nga paramilitarët serb, veçmas të rinjtë. Këto dy raste janë eklatante, sepse atyre u janë prerë kokat…

Është edhe një rast i një njeriu ende të paidentifikuar dhe të varrosur. Ai shenjë identifikimi ka vetëm një kapucë. Nuk e ka njërën këmbë dhe të dy krahët, që nuk dihet se me çka i janë prerë. Ky është vrarë në ndonjërën nga masakrat pas 30 marsit.

Obduksion u janë bërë vetëm viktimave civile të gjetura te Mulliri i Arifit nga disa patologë ndërkombëtarë. Sipas një patologu, i cili nuk ka dashur të identifikohet, mbase për shkaqe sigurie, këto të vrarë nuk janë të masakruar, por vetëm janë vrarë nga afërsia…

Edhe te Guri i Keq, sipas dëshmitarëve, ka pasur njerëz të therur me thikë në fyt. Njerëzit kanë qenë duke ecur në kolonë dhe i kanë parë rastet kur ata i kanë therrur me thika.

Te Mulliri i Isufit ndalet kolona. Serbët e vrasin burrin dhe gruan që mundohet t’i ndihmojë burrit. Fëmija i vogël mbetet duke qarë pranë prindërve të vdekur…

Ekzistojnë edhe raste tjera ekstreme: një nëne i vritet njëri nga bineqtë dhe i thuhet se “çfarë i duhen dy fëmijë, mjafton vetëm njëri!”.

Një masakër tjetër ka ndodhur në garazhën e Nebi Krasniqit. Serbët i kanë mbledhur shqiptarët në shtëpinë e Sabitit. Një numër i madh janë vrarë në oborrin e shtëpisë së Sabitit, në shtëpinë e të cilit gjetëm plot gëzhoja të shkrepura, kurse oborri ishte plot me kashtë, me të cilën është tentuar të mbulohet gjaku. Kishte plot rroba, djepe, jorgana etj, që ishin të përgjakura.

Në garazhën e Nebi Krasniqit binte në sy një pallto me ngjyrë të kaltër që më vonë u vërtetua se ishte i Enver Asan Vitisë, i cili ishte masakruar. Ky ishte i prerë në fyt, por kokën nuk e kishte të këputur. I mungonin gjymtyrët. Në garazhë kishte plot rrobe fëmijësh. Dyshemeja e garazhës ishte përplot me njolla gjaku. Aty shiheshin disa dërrasa plot gjak. Gjithashtu, gjak kishte edhe në kanalin e garazhës…

Gjatë zhvarrimeve të kufomave gjetëm shumë njerëz të masakruar. Gjetëm trupa pa kokë, si në varret e Hamzajve…

Kemi edhe rastin e Zahir Haxhollit. Ai është prerë me motosharë. Në trup ka pasur plot thika të ngulura. Gjatë zhvarrimit pamë se trupi  i tij, ishte i prerë në mes dhe ishte i ndarë më dysh. Kjo është verifikuar nga të gjithë ata që e kanë parë. Trupi i tij nuk është prerë drejt. Mishi ishte i shkapërderdhur. Zahiri është prerë në brinj mbi ato dërrasa. Për të ka pasur njohuri më parë. Sipas dëshmive të të afërmëve të tij, konkretisht vëllait të tij, Gani Haxhollit, ai është nxjerrë nga kolona dhe është marrë me disa të afërm të tij.

Zahir Haxholli ka lindur në vitin 1950 në Marec, lagjën e Haxhollëve. Kishte të afërm tjerë të vrarë: Naser, Sali dhe Refi Haxhollin (mësues në Marec) etj.

Zahiri kishte qenë një kohë kuzhinier në Shtabin e UÇK-së. Ditën kur është nxjerrë nga kolona (gjatë depërtimit nga Grashtica për në Makoc) ka qenë i veshur me rrobe civile. Atë e ka njohur Mile Rakoçeviqi, një paraushtarak me vendbanim në Makoc, që më parë kish pasur kontakte me të. Ky dhe Gorani i Lubishës i kanë njohur pothuajse të gjithë.

Njerëzit i kanë identifikuar këta kriminelë, siç e kanë identifikuar Zhelko Razhnjatoviq – Arkanin, sipas kokës së tij karakteristike. Ai atë ditë ka mbajtur këmishë të bardhë dhe i ka urdhëruar paramilitarët, duke ju thënë dhe duke bërë me gisht: “Ma sillni këtë!”.

Ai nga veranda e shtëpisë së Sabitit në Makoc ka urdhëruar bashkëpunëtorët e tij, për t’i nxjerrë njerëzit nga kolona. Kjo ka ndodhur në datën 21 dhe 22 prill 1999. Këtë e dëshmojnë mjaft njerëz, të cilët kanë qenë në këtë pjesë të kolonës. Gjithashtu, ka dëshmi edhe për prezencën e Ratko Mladiqit në Sofali.

Ka edhe shumë raste të përdhunimit, por shumica e të përdhunuarave nuk duan të identifikohen.

Plaka Zyle Musa, e lindur në vitin 1925, nga Sibovci i Podujevës, sipas dëshmitarëve, është gjetur e vrarë, por edhe e masakruar, në shtëpinë e Balisë, në Grashticë. Për këtë është dëshmitar vet Rexhep Balia me dy djemtë e tij.

Plakën Zyle e gjejnë me brekë të lëshuara deri në gjunj dhe me veshjen e sipërme deri mbi gjinj, kurse në organet gjenitale ka pasur prerje me thikë në formë kryqi. Ajo pas përdhunimit ka qenë e goditur me plumba. Ajo është varrosur në shtëpinë e Sadrisë, kurse më 18.09.1999, të afërmit e saj e zhvarrosën dhe e rrivarosën në varret familjare.

Një vajzë (e cila nuk ka pranuar të tregojë as inicialet) është zhveshur lakuriq nga ushtarakët serb dhe ashtu ka bredhur nëpër kolonë. Atë e kërcënojnë se do ta dhunojnë.

Ka edhe raste të djegies, siç është ai i shkrumimit të 3 pleqve, të gjithë mbi 70 vjeç, gjegjësisht Sadri Krasniqin, të shoqen e tij dhe një plak tjetër. Paramilitarët serbë e djegin në Siçevë, plakun Sylë Berisha.

Dëshmitarët tregojnë edhe raste kur njerëzit janë prerë me thika dhe kanë shpëtuar, siç është ai i Jakup Prapashticës.

Në Luginën e Llukarit janë gjetur disa varreza masive: brenda varrezave të Krasniqëve (15 kufoma), te varret e vjetra të lagjes Hamzaj (19 kufoma), te lagja e Hoxhajve (17 kufoma), te Mulliri i Arifit, në Grashticë dhe te Guri i Keq në Ogrijë si dhe te ujësjellësi i vjetër në Luginën e Llukares, afër Prishtinës.

Mosha e të vrarëve dhe masakruarve ka qenë prej 18 deri 74 vjeç.

          Në një shtojcë të monografisë “Bashkia e Llukarit”, Prishtinë, 1999, autori A. Sh. Berisha shënon se, një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, “forcat serbe nisën dëbimin masiv të shqiptarëve nga qytetet e Kosovës. Popullata e Prishtinës,

duke e ndjerë këtë rrezik, pjesërisht u zhvendos në Malësi të Gallapit, ku mendonte se do të mbrohej nga UÇK-ja. Zhvendosje nga qyteti pati edhe më 31 mars e 1 prill 1999. Prishtina ngjante në një qytet fantazmë, ku lëviznin vetëm paramilitarët serb me maska. Në Malësinë e Gallapit u strehuan mbi 100 000 banorë, të tjerët në Shqipëri dhe Maqedoni. Mbetën familje të pakta dhe individ si të burgosur në shtëpitë e tyre dhe ç’do ditë të ekspozuar kërcënimeve e plaçkitjeve. Më 24 mars 1999, tek Bunari i Ilazit në Llukar u vra nga paramilitarët e vendosur në Kazermën e Llukarit, Agim Osaj nga Braina, banor i lagjes Kulla të Llukarit, i cili po i shpiente ushqime e rroba familjes tek Cërvadikët në Stallovë. Kështu nisi seria e vrasjeve.

          Më, 30 mars 1999, bandat e Arkanit e Sheshelit të ndihmuar edhe nga vendësit serb po terrorizonin qytetin. Para dyerve të oborrit të shtëpisë së tij e vranë Amir L. Berishën nga lagja Berisha e Llukarit, me vendbanim në rrugën “Drenica” të Kodrës së Trimave. Popullata e zhvendosur nga shtëpitë si të Kolovicës së Re, Kodrës së Trimave e të tubuar në Ujësjellësin e Vjetër dhe në Rrugën e “Proleterit” u bindën nga aktivistët se duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Një pjesë u kthye, ndërsa një pjesë përmes Kolovicës e Butocit kaloi në zonën e kontrolluar nga UÇK. Zhvendosja vazhdoi edhe më 31 mars, por me dokumente të grisura apo me ndonjë qese najloni në dorë kryesisht nga Velania, Kodra e Diellit, Matiçani (Mirdita) e Sofalia në fshatrat e Gallapit, duke e ngarkur edhe më gjendjen e rëndë sociale Bashkisë së Llukarit dhe të bashkive tjera.

Shtëpitë kishin hapur dyert dhe prisnin njerëzit pa kufizime. Ndonjë shtëpi kishte edhe mbi 100 njerëz në përkujdesje. Për shkak të skamjes që pllakosi, ditët e mëpastajme u shënuan me lëvizje të njerëzve fshehurazi për në qytet dhe anasjelltas. Disa nga këta njerëz ranë pre e barbarëve serbë që kishin mbyllur çdo kanal të furnizimit nga qyteti.

Më, 14 prill humbën pa gjurmë Ruzhdi I. Krasniqi dhe Zeqir S. Krasniqi të lagjes së Muslijajve të Llukarit që kishin shkuar në qytet për të marrë pensionin dhe ushqime. Në mbrëmjen e po kësaj dite, në vendin e quajtur Fun Përronit të Popit të dy vranë pjesëtarët e forcave serbe që patrulonin me një “Golf” civil me ngjyrë të kuqe. Po atë ditë e njëjta patrullë vrau Gani Sijarinën dhe dy ushtarë të UÇK- së që po hynin në qytet, si dhe plagosën Zeqir H. Dabishecin te trafoja bri lumthit të Kolovicës.

          Më 18 prill 1999, afër 5500 ushtarë, policë dhe paramilitarë serbë të prirë nga serbët që kishin shërbyer më parë si postierë, elektricistë apo që kishin qenë në funksion të postblloqeve policore e që e njihnin mirë terrenin, ndërmorën ofensivë duke granatuar e pastaj me këmbësori u futën në territorin e Malësisë së Gallapit nga ana e Vitisë së Marecit, si dhe nga Suteska e Mramorit nga juglindja; nga veriperëndimi u futën në fshatrat Rimanishtë, Sharban, Bellopojë, Dyz, Batllavë; ndërsa nga verilindja, nga ana e Ballabanit, Nishecit e Prapashticës duke depërtuar nga Koliqi e Zllashi. Popullata e strehuar në Koliq, Keqekollë, Marec, Mramor, Grashticë, Radashec, Siqevë e Makoc nisi të lëvizte drejt Prishtinës përmes kanalit të vetëm Stallovë-Prishtinë, përmes Grashticës, Makocit e Llukarit. Kolona e njerëzve me traktorë, vetura, kamionë e në këmbë s’kishte fund. S’kishin fund as zullumet serbe ndaj kësaj popullate civile të mbetur pa mbrojtje, sepse UÇK u desh t’ua mbyllë gojën armëve të pakta që kishte në mënyrë që kolona e pafundme të kalonte me më pak pasoja.

Përkundër kësaj më 20, 21, 22 dhe 23 prill 1999 në Koliq u maskruan mbi 87 civilë. Pos kësaj paramilitarët krijuan ca postblloqe ekzekutimi: në Shkollën fillore “Teuta” të Grashticës, ku u dhunuan shumë të reja, të cilat pastaj u masakruan; në shtëpinë e Balajve tek Mullini i Isufit, ndanë shumë të rinj dhe i ekzekutuan; tek lagja Behramaj të Makocit, po ashtu ndanë u masakruan shumë të rinj në garazhin e Nebih Krasniqit, Fun Gobarit, te Kazermën ushtarake të Llukarit dhe në shtëpinë e Nezirit mbi Mulli të Xhaxhës, në hyrje të Prishtinës. Kasapët serbë pa marrë parasysh se u jepeshin apo jo paratë e kërkuara, ata e kryenin ekzekutimin me vrasje apo prerje në fyt, edhe këtë në sytë e prindërve, vëllezërve, motrave, fëmijëve e grave.

          Me të përfunduar këtë kasaphanë, kasapët serbë angazhuan Sipërmarrjen “Çistoça”, (punëtorët e së cilës ishin kryesisht romë) për t’i varrosur në Ugrija 7 shqiptarë, në Makoc në lagjen Hoxhaj, brenda varrezave 26 shqiptarë. Në Hamzaj varrosen brenda varrezave 24 shqiptarë dhe në varrezat e Krasniqëve të Llukarit 15 shqiptarë. Shqiptarë të vrarë përgjatë lumit Prishtinkë nga Ura e Ibishit e deri te Bunari i Ilazit u varrosën nga fshatarët e lagjes Berisha të Llukarit, ndërsa mbetën të pa varrosur:  një i ri i maskruar në shtëpi të Afrim Berishës, i paidentifikuar sepse thuajse i tëri ishte i djegur,  Remzi Riza Kosumi nga Halabaku dhe Mujë Osmani nga Sharbani të masakruar në Bahshçe të Sylës të Ilazit, një i paidentifikuar që e kishte sjellur lumi ose ishte vrarë e masakruar bri lumit Fun Arës së Zakutëve mbi Mulli të Xhaxhes; të vrarë e të varrosur: dy në Livadh të Manit bri lumit, dy Fun Vades së Ushtrisë, tre në Varret e Reja të Lagjes Berisha, dy pleq të gjetur të vrarë në lagjen Rexhaj, dy të rinj grashticas në Gobar.

          U vranë e u maskaruan këta banorë të Bashkisë së Lukarit: Grashticë-Balaj: Ilaz V. Krasniqi 69 vjeç, Fehmi R. Krasniqi 37 vjeç, Nysret S. Krasniqi, Ismail Krasniqi.  Grashticë-Tahiraj: Isa Xh. Krasniqi, Grashticë-Ugria: Ibrahim A. Krasniqi, 41 vjeç, Latif N. Krasniqi 18 vjeç dhe motra e tij Shqipe N. Krasniqi 18 vjeçe.

Në Radashec, më 20 prill 1999, në shtëpinë e tyre paramilitarët i vranë e pastaj i plaçkitën: Raif Sh. Berisha 42 vjeç, Esmahe R. Berisha, bashkëshortja e Raifit 40 vjeç, Besnik R. Berisha, fëmijë i tyre 13 vjeç si dhe Enver Maloku nga Batllava, dhëndër i familjes Shabani, 40 vjeç.

Në Siqevë: pleqtë Sylë Berisha 72 vjeç me gruan Vahide Berisha 72 vjeçe, Jahir M. Berisha 100 vjeç dhe Enver Sh. Berisha 28 vjeç. Nga Makoci-Behramaj: Sadri H. Krasniqi me gruan Azize N. Krasniqi dhe Feti Krasniqi, pleq mbi 70 vjeç, të sëmurë, i dogjën në shtëpinë e tyre, ndërsa i biri i Fetiut, Nexhmedin Krasniqi u vra në ikje; Makoc-Hoxhaj: Hajdin Krasniqi, Ibrahim Krasniqi dhe Zeqir Krasniqi që të tre të moshës mbi 60 vjeç. Në Llukar – Muslijaj: Zeqir S. Krasniqi dhe Ruzhdi I. Krasniqi mbi 60 vjeç, të vrarë më 19.V.1999 (mysafir). Pra, nga Bashkia e Llukarit u vranë 28 civilë të paarmatosur, të pambrojtur.

Në lagjen Berisha të Llukarit, në vendin e quajtur Te Arat n’Kodër është gjetur i vrarë dhe i varrosur aty Mustafë A. Deliu nga Koliqi, i lindur më 1933.  Më 25 prill 1999, te Baçja e Hazirit nën mulli është gjetur i vrarë një person mashkull i moshës 24-25 vjeç, i paidentifikuar, i varrosur në varrezat e reja në Fun Leçevishte. Në Lagjen Rexhaj të Llukarit u gjetën dhe u varrosën dy pleq të peidentifikuar.

          Të humbur konsiderohen këta persona: Grashticë-Ugria: Murat M. Krasniqi 47 vjeç, Fatmir T. Krasniqi 30 vjeç, Rasim D. Krasniqi 34 vjeç dhe Avdush H. Krasniqi 38 vjeç; Grashticë-Balaj; Hajriz B. Krasniqi 62 vjeç dhe Bashkim H. Krasniqi 25 vjeç; Grashticë-Tahiraj: Xheladin D. Krasniqi dhe i biri Isa Xh. Krasniqi.

          Kasapët serbë dogjën edhe shtëpi. Grashticë-Ugria: 19 shtëpi; Grashticë-Balaj, 6 shtëpi; Grashticë-Tahiraj, 7 shtëpi; Makoc-Hoxhaj: 2 shtëpi; Makoc-Behramaj, 1 shtëpi. Zyra e Bashkisë së Llukarit; Siqevë: tërë Lagja e Epërme; Llukar-Rexhaj, 2 shtëpi; Llukar-Berisha 5 shtëpi; Llukar-Kulla, 6 shtëpi; të gjitha shtëpitë shqiptare në Kolovicën e Vjetër, dhjetra shtëpi në Kolovicën e Re dhe të gjitha shtëpitë në Butocin e Epërm.

 

Nezir Sejdiu, fshati Koliq

 

Prej Koliqit dolëm për shkak se lufta hyri në mëhallë. Na sulmonin forcat serbe. Ushtarët që ishin vetëm 200 metra larg nesh ishin të veshur me tesha të larme dhe me nga një shenjë të kuqe të lidhur në krah. Në mëhallën tonë ata nuk kanë prerë, por kanë vrarë. Kështu kanë vrarë Ali dhe Adil Shabanin, shoqen dhe vajzën e Riza Shabanit dhe Shabanin, mikun e Rizaut. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e Ferajve në Koliq. Ne u detyruam me traktor të hynim në kolonë. Unë kam qenë vet i pesëmbëdhjeti. Një ditë kemi fjetur në Stallovë, se nuk kemi mundur të shkonim përpara. Më 19 prill afër shtëpisë së Rexhep Balisë, mbi Gurin e Baloniqëve na ka ndalur ushtria. Disa ishin me shamia në kokë, disa kishin një shirit të mbështjellë në krah. Ata ishin në të dy anët e udhës. Kolona jonë ishte shumë e gjatë, prej Mullirit të Isufit e deri  te Kodrat e Grashticës.

Siç thotë Eshtref Hasani, dhëndërr i Nezirit, paramilitarët kanë kërkuar para. “Unë i kisha vetëm 10 marka gjermane dhe 40 denarë. M’i morrën 10 markat, kurse për denarët thanë se, nuk na duhen”.

“Unë isha i ulur në kabinën e traktorit, së bashku me djalin Avni Nezir Sejdiun”- thotë babai i tij, Nezir Sejdiu. Ushtarët serbë na kërkuan para. Ua dhamë 600 marka gjermane. Djalit i tha: – Zbrit në tokë! Pastaj e futi nën urë dhe e qëlloi me 15 plumba. E kam marrë së bashku me nipat dhe dhëndrin dhe e kam vënë djalin në traktor. Djali në atë gjendje jetoi nja 20 minuta e dha shpirt. E kemi zbathë, e kemi mbuluar dhe jemi nisur. Kemi shkuar nja 20-30 metra. Kemi hypur në një traktor tjetër, kurse dhëndri ka shikuar pas. Djalin tjetër, Nexhbedinin, e kanë rrëzuar në tokë dhe i kanë kërkuar para. Ai u ka thënë se nuk ka para. Vërtet ai nuk kishte para. E kapi për gjoksi dhe 3 herë i ra me automatik. Ai mbeti i vdekur në vend. Atë ditë e kemi marrë nusen për djalin e vrarë në Cervadik. Kemi ardhur me gjithë nuse aty. Ushtria filluan t’i shkojnë rreth e rrotull traktorit, filluan të shajnë e fyejnë femrat, kurse najllonit, me të cilin ishte mbuluar rimorkioja, filluan t’i bien me thikë. Ata kërkuan ar nga nusja, Ilmije Gashi. Ajo kishte me vete dukat që e kishte fshehur, prandaj nuk mundën t’ia marrin.  Atë e qëlluan me thikë në krah dhe në pjesën e mbigjurrit. Poashtu, në krah dhe këmbë e qëlluan edhe vajzën, Edlirën.

“Ata kërkonin marka dhe ar. Vetëm njëri nga ta fliste pak shqip, i cili thoshte “dukat” dhe “pare”- rrëfen Edlira.

“Njëri më tha edhe mua që të hyja ndër urë, ku i vranë Avniun dhe Nexhbedinin, por më pas u habit me një traktor tjetër, kurse unë u ktheva dhe me një pjesë të familjes u ktheva për në Koliq, kurse pjesa tjetër u nis për në Prishtinë«, thotë Eshtref Hasani.

“Kur ma vranë djalin e parë, – thotë Nezir Sejdia – asnjë zë nuk kam nxjerrë as kam klithur. As unë e as fëmija. Vetëm kam kërkuar gurëz në tokë për t’i goditur vrasësit, por më është rrotulluar toka.

Djemtë nuk i kanë pyetur për asgjë. Vetëm kanë kërkuar para. Edhe pse i morrën paratë, i vranë. Ata e kishin qëllimin t’i vrisnin.

Nexhbedini u gjet më pas në varrin masiv brenda varrezave të vjetra të Krasniqëve, të Llukarit, kurse Avniu ishte varrosur te Guri i Keq në Grashticë. Që të dy u bartën në varret familjare në Feraj të Koliqit.

Plaka, Rabije Sejdiu, 70 vjeçare, mbetet në traktor, sepse ishte e palëvizshme. Të tjerëve na urdhëruan të largohemi nga aty. Askush nuk mundi ta voziste traktorin. Plaka Rabije u gjet e varrosur te Guri i Keq në Ugrijë dhe më vonë u rrivaros në Peraj të Koliqit.

Masakra e Matiçanit

 

Ramë Cubaj

Më 28 mars 1999, policia speciale dhe ushtria serbe rrethuan shtëpitë e fshatit Matiçan, Komuna e Prishtinës. Në orën gjashtë të mbrëmjes, ata kanë hyrë nëpër shtëpi dhe kanë demoluar gjithçka që kanë gjetur aty, kurse neve na kanë mbyllur nëpër dhoma. Shumë njerëz kanë marrë me vete, në mesin e të cilëve edhe vëllain tim, Zijadinin, të cilin e vranë pas një jave. Të tjerët i kanë marrë në polici, si p.sh. disa nga familja Pacolli, gjegjësisht Liman, Gjylazim, Muhamet, Sylejman, Rahim, Azem, Naser dhe Veli Pacollin, Ismet Ismailin, Halit Fazliun etj., të cilët janë mbajtur me orë të tëra në polici, ku janë maltretuar brutalisht. Preteksti i maltretimeve të mëdha ka qenë gjoja prezenca e ushtarëve të UÇK-së në lagjen tonë. Më 28 mars është vrarë Kushtrim Gashi, kurse është plagosur rëndë Agim Ismaili dhe Mejdi Bekteshi.

Disa nga sërbët kishin në kokë maska. Me siguri ata kanë qenë serbë vendas. Për t’u  ikur keqtrajtimeve shumë matiçanas atë ditë morën arratinë, për t’u kthyer disa ditë më vonë.

Atë ditë, (28 mars) nëpër Matiçan janë dëgjuar krisma të shumta nga armë të ndryshme.

 

Osman Krasniqi

Atë ditë ishte festa e Bajramit. Serbët aty diku rreth orës 14 kanë filluar të gjuanin me lloj-lloj armësh. Pas disa minutash serbët erdhën në Matiçan. Kam parë shumë njerëz që kishin marrë rrugë nga Zllatari, që më pas kanë marrë drejtimin e Mramuerit. Te varrezat uahstarakët serb kanë filluar të shtynin në civilët shqiptarë, me ç’rast aty u vra kushëriri im Ramë Krasniqi, me të cilin ishim bashkë. Janë plagosur edhe Qazim Murseli, nipi i Jasharajve nga Prekazi, refugjatë nga Drenica, dhe Bislim Sejdiu.  Serbët nga ajo që morrëm vesh kishin vrarë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Afër “Përparimit”, që gjendet në dalje të Prishtinës, ishte plagosur Ismet Sinani, i cili lajmëroi matiçanasit që të iknin për në fshatin Zllatar. Atë ditë plumbat vinin nga të gjitha anët. Njëri nga ta më kishte kapur në palltë, por nuk më kishte qëlluar në trup. Më 28 mars janë vrarë edhe disa matiçanas tjerë që kanë qenë duke ardhur me veturë: Avdi Makolli, Zijadin Cubi dhe Haki Buzuku. Po atë ditë është vrarë edhe Adem Sekiraqa.

Për krimin kanë qenë në dijeni gjithë serbët vendas. Për këtë jam shumë i sigurtë. Pak para se të ndodhte masakra e Matiçanit ku u vranë shumë njerëz i kam parë serbët vendas si qëndronin para dyqanit dhe shihnin orën. Me siguri ata e kanë ditur edhe kohën e saktë kur do të ndodhti sulmi i policisë serbe. Ose duke shikuar orët ata kanë dhënë sinjale njëri tjetrit. Gjithë serbët vendas kanë qenë të armatosur.  Ata shtinin në njerëz. I kam parë me sytë e mij, si Sllavisha Ristiqi (Caci), vëllau i tij Dragan Ristiqi, Sasha, Zhika, Dushko e Misha Arsiqi, Zoran Stankoviqi etj.

Atë ditë shumë matiçanas arritën të iknin në fshatrat e afërta, si në zllatar dhe Mramuer. Shumë të tjerë mbetën në Matiçan. Të tjerë, në lagjën e Devodeleve, policia i zu dhe i mbajti tërë natën mbyllur duke i rrahur dhe kërcënuar, por nuk i vranë.

 

Ali Rama

Gjithë ngjarjen e kam parë me dylbi. Nga larg kam parë se si i kanë vrarë Haki Buzukun, Zijadin Cubin dhe Avdi Makollin. Pasi i kanë vrarë veturën e tyre e kanë tërhequr me pizgauer. Snajperistë të shumtë ishin të vendosur në shtëpinë e inspektorit të policisë Ukë Balaj. Atë ditë kam parë edhe vrasje tjera. Afër orës 15, kam parë një njeri të vrarë afër veturës së tij. Më vonë mësova se ai ishte Aden Sekiraqa. Snajperistët që qëndronin në shtëpinë e Ukës gjuanin në civilë. Ata kanë qëndruar aty deri ditën e nesërme. Krimit i kanë prirë edhe shumë serb vendas, ndër të cilët edhe Bora Llaziqi.

 

Ismet Sinani

Më 28 mars, ditë Bajrami, kam rënë në pritën serbe dhe jam plagosur. Me gjithë kujdesin që pata nuk kisha parë pritën. Pas një xhipi të bardhë ishte fshehur një veturë ushtarake. Para meje ishte një veturë ku kishin qenë Hakiu,  Zijadini dhe Avdiu, të cilët nga gjuajtja e tanksit dhe rafaleve tjera u vranë. Në veturë, së bashku me mua, ishte edhe djali im 14 vjeçar. Filluan të shtyjnë edhe në veturën time. Një plumb më ra në gishtin e dorës me të cilën e mbaja timonin, kurse dy plumba të tjerë më ranë në krah. Me dorën tjetër e shtypja vazhdimisht djalin tim që të mos e goditnin plumbat. Në gjendje të plagosur jam larguar disa qindra metra. Ushtarakët serb vazhdimisht gjuanin në drejtim tonë. Isha përgjakur i tëri. Kur mendova se rrezikun do ta përballoja, për dreq mu fik vetura. . Dolëm shpejt e shpejt me djalin dhe filluam ta shtyjmë atë. Plumbat fluturonin mbi kokat tona dhe rreth nesh. Për fat, ose për çudi, u ndez vetura dhe arritëm të ikim drejt fshatit dhe i lajmëruam fshatarët që të mos niseshin për në Prishtinë se i priste e keqja. Atë natë mbeta në fshat ashtu i plagosur. Ndenjëm në bodrumin e  shtëpisë së Nazmi Sinanit së bashku me dhjetëra të tjerë. Atë natë shumë veta që janë kapur nga serbet janë maltretuar tmerrësisht.

 

Sejdi Mehmeti

Atë natë nuk mundja të ik së bashku me familjen time, prandaj u vendosëm në një bodrum. Nga të katër anët dëgjoheshin krisma. Duke ndenjur e pamë rrezikun dhe vendosëm diku pas orës tre të niseshim për në Mramuer. Duke ikur fshehtas kemi kaluar afër varrezave të Matiçanit, por nga zëri i një foshnje që e kishim marrë me vete, serbët që ishin të strehuar në shtëpinë e Ukës, na diktuan dhe filluan të shtinin në drejtimin tonë, me ç’rast u vra vajza ime 17 vjeçare, Hasan Mehmeti, arsimtar, Vezire Fazliu, 30 vjeçare, nuse e sapomartuar, kurse burri i saj Hazir Fazliu u plagos. Atë natë u plagosën edhe vajzat e vogla Elhame Rafuna 13 vjeçare dhe motra e saj Salija, 15 vjeçare. Vajza ime nuk vdiq menjëherë. Ajo vdiq pas një orë e gjysmë, pasi e dërguam në shtëpinë e Azem Gashit, këtu në Matiçan, ku bujta atë natë. Me mua ishin edhe dy vajzat e plagosura, të cilat të nesërmen i kanë marrë Mujë e Skënder Gashi dhe i kanë dërguar në Mramor. Gruaja ime, me të cilët shkaku i situatës së krijuar u ndamë, atë natë ka bujtur në shtëpi tjetër.

Vajza e vrarë ishte gjuajtur me plumba dum-dum. Katër plumba të tillë e kishin qëlluar në këmbë, kurse të tjerët në bark

 

Naile Mehmeti

Ajo natë kurrë nuk do të harrohet. Ishte e kobshme. Pasi filluan serbët të gjuajnë me armë të gjithë filluam të iknim. Familja ime kishte ikur në drejtim tjetër. Kam menduar se gjithë familjen ma kanë vrarë. Unë u vendosa në shtëpinë e Hasanit deri të nesërmen në orën 8 të mëngjesit, prej ku, nga kati i sipërm kam shikuar vendin, ku na kishin gjuajtur. Nuk shihja asgjë veç sorrave dhe qenve. Më pas u nisëm për në Mramur, ku morra vesh për vdekjen e vajzës sime 17 vjeçare. 

 

Masakra e Kotlinës

 

Masakra ka ndodhur më 24 mars, pra ditën kur kanë filluar sulmet ajrore të Natos ndaj caqeve ushtarake serbe.  Janë masakruar 22 veta, prej të cilëve 21 kanë qenë banorë të Kotlinës, kurse 1 nga fshati i afërt Ivajë. Këta i kanë torturuar për vdekje dhe pastaj i kanë hudhur në dy puse (njëri 9 e tjetri 7 metra i thellë) që i ka hapur disa vite më parë Adem Kuçi, për të nxjerrur ujë. Më pas në puse është hudhur eksploziv për të shkatërruar trupat e të masakruarve. Po atë ditë janë vrarë para familjeve të tyre  edhe 3 banorë tjerë të këtij fshati.

Gjatë ofanzivës së parë serbe në këtë fshat, siç e quajnë banorët, që ka ndodhur më 8 mars, janë vrarë edhe dy banorë tjerë nga Kotlina.

 

Haziz Loku, 55 vjeçar, nga Kotlina. Është shërbëtor në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Kotlinë. Ai është dëshmitar okular i ngjarjeve makabre që kanë ndodhur në këtë vend. Ai rrëfen:

 

“Gjatë ofensivës së parë të forcave serbe, që ka ndodhur më 8 mars të vitit 1999, që ka filluar diku kah ora 10 e ka zgjatur deri ora 15, kur edhe janë larguar nga fshati, kam parë në fshat se si kanë hyrë 14 automjete të blinduara ushtarake: tankse dhe pizgauerë. I kam parë së bashku me Cenë dhe Shaban Lokun, me të cilët kam qenë në mal, te vendi i quajtur Lugu i Fierit. Familjen më parë e kisha dërguar në Glloboçicë.Pasi e dërgova atje, gjithë natën, kam qenë në mal. Në mbrëmje e kam takuar Cenin dhe Shaban Lokun, me të cilët e kam parë ofanzivën e parë. Gjatë bombardimeve dhe sulmeve atë ditë janë vrarë Milaim Loku dhe Emërllah Kuçi. Të parin e kishin kapur 5-6 plumba, kurse të dytin 1 plumb në gjoks. Kufomat e tyre i kemi gjetur pas nëntë ditësh. I pari i ka gjetur kufomat e tyre Hazbi Loku dhe vëllau i Milaimit, Eset Loku. Po atë ditë i varrosëm te varrezat e fshatit. Gjatë kësaj ofanzive, policia serbe ka vrarë vetëm këta të dy. Policia, siç duket erdhi vetëm për të sulmuar dhe për t’u tërhjekur. Atë ditë ka djegur mëhallën e Cenës në Drashec.  Kam parë se si dogjën 11 shtëpi dhe një plevicë. Kanë vjedhur një veturë të tipit NIVA dhe kanë thyer një shitore, që e vodhën.

Ofanziva e dytë, kur u bë masakra, ka ndodhur më 24 mars. Kur jam zgjuar në mëngjes, ora 8, kam dëgjuar krisma mitralozësh dhe tanksesh që vinin nga ana e Kashanit. Si i kam dëgjuar krismat menjëherë kam tentuar të strehohem diku për të shpëtuar nga kjo ofanzivë. Pas pak, pasi e kanë pastruar terrenin me breshëri krismash, këmbësoria serbe ka hyrë në fshat. Gratë, fëmijët dhe pleqtë i ka grumbulluar të gjithë dhe i ka nxjerrur në fushën që quhet Ograde. Policët serb e kishin rrethuar gjithë fshatin. Këmbësoria ka ardhur nga disa drejtime: nga Guri i Zi, Ivaja dhe nga ana e Laçëve. Kanë qenë rreth 400-500 ushtarë, policë dhe paramilitarë serb. Plumbat dhe projektilet e mjeteve të blinduara vinin nga të gjitha anët. Jam fshehur pas gurëzve për t’u shpëtuar gjuajtjeve të tannkseve që kanë zgjatur prej mëngjesit deri në mbrëmje. Gratë, fëmijët dhe pleqtë, që ishin tubuar në fushë, policia i ka ngarkuar në dy kamionë, kurse disa të tjerë kanë hecur më në këmbë. Gratë dhe fëmijët janë dërguar në Kaçanik, kurse burrat në Ferizaj. Disa meshkuj janë çuar në stacionin policor të Kaçanikut ku janë maltretuar brutalisht. Atë ditë në fshat në fillim janë vrarë 3 pleq: Zymer Loku, 70 vjeçar, Idris Kuçi, 55 vjeçar dhe Vesel Vllashi, 55 vjeçar. Ata u rrahën brutalisht me shkelma përpara familjeve të tyre. U janë thyer dhëmbët. Pastaj janë vrarë. Nga larg ku isha strehuar, e kam parë Idrizin, se si e morrën nga turma dhe e dërguan te shtëpia e Liman Lokut ku, pasi i nxorrën fëmijët nga shtëpia duke i rrahur me shkelma dhe pushkë, dhe pasi i kërcënonin se do t’i vrisnin,  e vranë në oborr. E vranë me një plumb pas koke. Veselin e kanë gjetur në shtëpi, e kanë futur në një dhomë dhe pastaj e djegin shtëpinë. Kam parë vetëm zjarrin kur i ka hipur shtëpisë. Të gjithë këto më parë janë rrahur përpara familjeve dhe fëmijëve të tyre. Bile, fëmijët e Veselit i kanë nxjerrur nga shtëpia duke i rrahur me shkelma dhe me pushkë.

Nga vendi ku isha fshehur dëgjoja sharjet e policëve dhe ushtarëve serb. Kam dëgjuar britmat e Zymerit që ka qenë i plagosur për vdekje  në këmbë dhe në krah. Ka pasur shumë gjakderdhje. Plumbat e kanë kapur ora 8-9 e mëngjesit. Ka ndenjur i plagosur deri ora 1 e natës, pa asnjëp ndihmë mjekësore. Policia ka filluar të tërhiqet aty ka ora 19 nga Kodra e e Bjeshkës.

Po atë ditë u masakruan edhe 22 të rinj, prej moshës prej 16 deri 48 vjeç. Këta janë larguar nga fshati për t’u strehuar në mal. Kanë qenë mbi 40 veta. Disa kanë ikur nga vendi i kobshëm dhe kanë mbetur gjallë, kurse ata që nuk kanë dashur të ikin, sepse prej aty kanë mundur t’i shohin anëtarët e familjes, të mbledhur në fushë, janë kapur nga ushtarakët serb. Unë kam qenë 100 metra larg vendit ku ata në fillim i rrihnin me dru të cilit i kishin ngulur gozhda. Dëgjoja britmat e tyre, por nuk mund t’i ndihmoja asnjërin. Kjo ishte shumë e vështirë. Isha shtrirë afër një guri dhe çdo ëast prisja të më kapnin. Dëgjoja krisma pushkësh nga të gjitha anët. Nuk e dija nëse vinin edhe nga vendi i dy puseve apo nga ndonjë anë tjetër. Besoj se ata janë mbytur nga rrahjet barbare. Disa nga to mbase kanë qenë të gjallë kur i kanë hudhur në puse, ku më vonë kanë hudhur eksploziv. Ata janë rrahur barbarisht prej orës 12 deri në orën 14, kur është dëgjuar edhe eksplodimi.

Vendi rreth dy puseve ka qenë i minuar. Të gjithë viktimave ua kanë nxjerrur portfolet nga xhepi dhe ua kanë marrë të hollat që ata i kanë pasur me veti. Pas ekplodimit kam parë se si kanë fluturuar tesha në ajër, që mbetën nëpër degë të drunjve. Kam ndjerë një erë të rëndë mishi të djegur.

Mendohet të kenë qenë të vrarë 30 veta. Vetëm 22 veta ishin të husdhur në pus.

Pas kësaj ngjarje ata kanë djegur fshatin , gjithsejt 26 shtëpi. Kanë ngelur pa u djegur vetëm 4 shtëpi.

Policia nuk ka mundur të gjejë 48 veta që kanë qenë të fshehur afër përroit të fshatit, te Kalaja, që sot e quajmë Përroi i Shpëtimit. Nga mali kam zbritur pas orës 19 dhe kam qenë tërërsisht i traumatizuar. Kam shetitur nëpër fshat ku jam takuar me disa bashkëfshatarë. Shkuan te i plagosuri Zymeri. Ai kërkonte ndihmë, lypte ujë.

Në vendin e masakrës kemi shkuar të nesërmen sepse kemi dyshuar se vendi ka qenë i minuar. Kam shkuar së bashku me Vebi Lokun dhe Ismet Kuçin. Ora ka qenë 10. Kemi parë përreth dorëza, kapucë, portfole. Kufomat nuk dukeshin sepse ishin mbuluar me dhe pas eksplodimit. Në njërin pus kanë qenë 6, kurse në tjetrin 16 viktima. Viktimat i kemi nxjerrur më 4 shtator, pasi të huajt na premtuan se do ta çminon vendin e krimit”.

 

Vebi Kuçi, i lindur më 1967, nga fshati Kotlinë. Edhe ai punon si shërbëtor në të njëjtën shkollë. Në masakrën e Kotlinës e ka të vrarë vëllaun, Sherif Kuçin, 28 vjeçar. Ka qenë ushtar i UÇK-së.

 

“Ne, si ushtarë, ishim të strehuar në një shtëpi veç. Kishim roje që na lajmëronin për gjithçka që ndodhte rreth nesh. Pas disa informatave dolën nga shtëpia ku ishim strehuar dhe u fshehëm në mal. Kemi qenë 16 veta. Pastaj na janë bashkangjitur edhe disa civilë. Jemi bërë gjithsejt 36 veta. E vërejtëm se nuk kishim mundësi të tërhiqeshim. Kam parë se si u plagos Zymeri. Neve ushtarët serb na kanë parë se si kemi lëvizur dhe kanë filluar të gjuanin në drejtim tonin. Unë jam larguar nga ata, edhe përkundër vërejtjeve të tyre se mund të vritesha, për të parë se ç’po ndodhte. Janë ndarë edhe disa të tjerë. 22 veta kanë rënë në pritë. Prej tyre 11 veta kanë qenë me armë, tjerët kanë qenë civil.  Ne si ushtarë nuk kemi gjuajtur sepse kemi parë civilët dhe e kemi dëgjuar se si thoshin se nëse vetëm një gjuan do t’i vrasim të gjithë civilët, gra, fëmijë dhe pleq, që i kishin grumbulluar në Ograde. Kam parë nga mali se si i rihnin burrat para familjeve të tyre. Vendi ku ndodhesha i fshehur ishte rreth 20 metra larg vendit ku ka ndodhi masakra. Aty kam ndenjur rreth një orë. Ndërkohë afër meje erdhën tre veta, vëllau im, një tjetër dhe një vajzë. që po shkonin në drejtim të forcave ushtarake dhe policore. I kam ndalur dhe i kam kthyer në drejtim të kundërt që të mos u binin në dorë serbëve. Nga aty dëgjoja klithmat e atyre që kishin rënë në dorë të serbëve, ndër të cilët edhe vëllau im, Sherifi. Pas britmave të mëdha kam dëgjuar eksplodimin e përnjëhershëm në të dy puset. Besoj ka pasur dy eksplodime që kanë ndodhur në të njëjtin çast. Kishim vendosur të mos sulmonim sepse kishim frikë se do t’i vrisnin të gjithë civilët. Pastaj kam filluar të lëvizja nëpër mal, por ata nuk na kanë parë. Jam takuar me dy shokë: Abas Lokun dhe Naser Kuçin. Jemi strehuar në mal deri në orën 18 sa ra terri. Pastaj i jemi afruar fshatit. Kemi ndenjur të fshehur deri në orën 22 kur jemi futur në fshat, sepse nuk e dinim nëse ishin larguar serbet nga fshati ose jo. E dija se të gjithë i kishin masakruar. Kemi shkuar pastaj në Drashec, në shtëpinë e Cen Lokut, ku kemi qëndruar deri ora 4 e mëngjesit. Prej aty kemi shkuar te shtëpia e Nebi Kuçit. Aty jemi takuar me Aziz dhe Rexhep Lokun dhe Nebi Kuçin, ku morrëm vesh se grupi prej 48 vetash që ka qenë i fshehur te përroi i fshatit, te Kalaja, janë nisur për  në Maqedoni. Të nesërmen duke ecur nëpër fshat kemi gjetur vetëm një fëmijë, Çelik Lokun, 13 vjeçar, i cili kishte qëndruar vet në fshat.  Çeliku gjatë gjithë ofanzivës ka qenë i fshehur në minaren e xhamisë së fshatit, prej ku e ka parë gjithë atë që ka ndodhur. (Çeliku nuk dëshiron të flasë assesi për atë që ka parë. Ndjehet i traumatizuar. Prej asaj ngjarje ka vështirësi në të folur- shënim i autorëve). Dy ditë sa ka qëndruar me ne Çeliku ka thënë vetëm disa fjelë. Ishte tërësisht i bllokuar. Ai na tregoi se të gjithë bashkëfshatarët tanë (gratë, pleqtë dhe fëmijët), i kanë marrë me vete me kamione.

Çeliku ka qenë i strehuar në podrumin e shtëpisë së vet, afër xhamisë, ku s’e ka parë policia. Pastaj pasi ka dëgjuar policët se si kanë thënë se do t’i vrasin të gjithë, nga frika është strehuar në minaren e xhamisë. Ai na foli edhe për masakrën që kishte ndodhur te dy puset.

Te vendi i masakrës kam shkuar të nesërmen në ora 7 të mëngjesit.

Të masakruarit më 24 mars 1999 janë: Garip Loku (1951), Sherif Kuqi (1971), Minan Kuqi (1982), Danush Kuqi (1982), Ismet Loku (1978), Beram Loku (1971), Naser Loku (1982), Ibush Loku (1979), Agim Loku (1968), Ismail Loku (1971), Naser Loku (1975), Cen Loku (1964), Adnan Loku (1978), Sabit Loku (1979), Sabri Loku (1971), Nexhadi Kuqi ( 1968), Xhemal Kuqi (1977), Ismail Kuqi (1978), Mahi Loku (1978), Zija loku (1976), Sali Vllashi (1955) dhe Neshat Rexhaj (1970) nga Ivaja.

 

Dhunimet


L.G. 23 vjeçare nga rrethi i  Pejës

Mua më ka dhunuar një fqinji im serb, me të cilin më parë kemi pasur marrëdhënie të mira. Me të, si familje kishim rënë dakord që të mbronim njëra-tjetrën në rast se rrezikoheshim. Ne nga ushtria jonë të mbronim familjen e tij, kurse ai të na mbronte nga paramilitarët serb. Por ai nuk e mbajti fjalën. Ishte inkuadruar në formacionet paramilitare serbe.

Më 3 prill, rreth mesnatës, ai erdhi në shtëpinë tonë së bashku me 8 paramilitarë tjerë, tre nga të cilët ishin të maskuar, ndër ta edhe ai. Ate e kam njohur nga zëri. Të tjerët kanë qenë pa maska. Paramilitarët posa kanë hyrë në shtëpi kanë kërkuar armë. Ndërkohë, motra ime ka tentuar të kërkojë ndihmë nga fqiu serb, por nga ajo shtëpi nuk ka marrë asnjë përgjigje.  Fqiu paramilitar më ka tërhequr në dhomën tjetër dhe pasi m’i ka lidhur duart me pranga më ka dhunuar për 40 minuta. Ai kundërshtimit tim iu kërcënua me vrasje. Edhe pse e dija se është ai, nuk mundja t’i tregoj se kisha frikë se do të më vriste. Atij i vinte era alkool. Disa herë më ka kërcënuar me vrasje. “Nëse këtu gjendet ndonjë burrë të gjithëve do t’ju vrasim si qen”, më thoshte.

Ai gjithashtu më tha se do të kthehej këtu saherë që të kishte nevojë dhe nëse do të tentoja të ikja do të më vriste. Posa ata janë larguar, ne së bashku me motrën dhe një të afërme tjetër, jemi larguar nga shtëpia dhe e kemi kaluar natën në mal. Ato të dyja nuk i kishin dhunuar. Ato e dinin se ç’më kishte ngjarë mua. Fqinji serb ka ikur prej se forcat e KFOR-it hynë në Kosovë.

 

S.H. është 26 vjeçare, me profesion infermiere. Është nga Prishtina

 

Ngjarja ka ndodhur me 5 prill 1999, kur disa paramilitarë serbë kanë hyrë në shtëpinë tonë me pretekstin se mos janë strehuar ushtarë të UÇK-së. Ata pasi kanë kuptuar se jam infermiere, më kanë detyruar të shkoja me ta kinse t’ia mjekoja plagët një ushtari serb. Në banesën ku më çuan pashë edhe dy femra shqiptare, njëra nga të cilat ishte mjeke, kurse tjetra infermiere. Ato të dyja kanë qëndruar aty me vetëdëshirë. Unë u kamë thënë ç’mos për atë që kanë bërë. Ato si duket u kanë treguar paramilitarëve serbë. Ata pastaj më kanë urdhëruar të zhvishem dhe më kanë dhunuar dy paramilitarë. Pastaj më kanë liruar.

Kjo ka qenë shumë e tmerrshme për mua. Tani shoh ëndrra të këqija. Familjes nuk i kam treguar për atë që më ka ndodhur. Gjatë gjithë kësaj kohe jam duke u interesuar të mësoj diçka për atë mjeken dhe infermieren që më kanë bërë rengun. Nuk di se si do të sillesha me to. Ka edhe shumë femra të tjera që janë dhunuar. Unë njoh disa prej tyre. Ato kanë frikë të tregojnë, sepse druajnë se do të jenë të degraduara. Shumica e tyre kanë pësuar trauma. Ato e dinë se nuk kanë bërë akte të pamoralshme, por nuk mund të tregojnë publikisht për atë që u ka ndodhur, sepse druajnë se do të jenë të nënçmuara.

 

A.R. është një vajzë e mitur nga rrethi i Lipjanit, e cila ka qenë e dhunuar nga militarët serbë. Ajo  ka qenë e vendosur në kampin e Stenkovcit 1. Ajo është dhunuar  së bashku me kunatën.

 

Katër serbë të armatosur na kanë urdhëruar të hynim në stallën e kafshëve. Në fillim ata e rrihnin kunatën time dhe pastaj e dhunonin. Mua më kanë tërhequr për krahu dhe më kanë çuar në anën tjetër të stallës. Në fillim më rrahën. Pastaj nuk di se çfarë ka ndodhur, sepse e kam humbur vetëdijen.

Pas një kohe të gjatë kam ndjerë të ftohtë në ballë. Kunata më freskonte ballin dhe sytë. Ajo ishte e tëra e përgjakur, e humbur. Ajo nuk pranonte se e kanë dhunuar. E di se ka ndodhur më e keqja me të. Jemi marrë vesh që të mos i tregonim askujt për atë që na ndodhi. Atë ditë prilli në fshatin tonë serbët kanë dhunuar edhe shumë gra tjera. I gjithë aksioni i çmendur i tyre është bërë në bashkëpunim me serbët vendas.

 

Masakra e Rahovecit

Fetie Iska


Më 9 maj, i gjithë Rahoveci vendosëm të dilnim nga shtëpitë tona dhe të niseshim për në Shqipëri, por shkitë na kthyen prapë, na thanë se nuk mund të largoheshim prej këtu. Dhe unë, atë ditë i bëra disa punë në shtëpi dhe u nisa për ta vizituar familjen time. Aty ishin nëna, babai dhe motra e madhe, Zamina, me tre fëmijët e saj: Visarin, Azrën dhe Venharin, si dhe vajza e vëllait tim, Egzona. Kur u afrova te dera pashë diçka të pazakonshme, sepse ajo ishte e hapur. Zakonisht dera përherë rrinte e mbyllur me dry, duhej së pari të trokisje që të hyje brenda. Ndaj kur e pashë të hapur, të them të drejtën nisa të dyshoja. Në atë moment isha me djalin tim të vogël, Benjaminin shtatëvjeçar, të cilin e mbaja për dore. Dikur vendosa të hyja brenda, dhe pasi e hapa

derën në shtëpi e pashë se kishte rënë një terr i madh. U shtanga në vend duke e pyetur veten, vallë a janë këtu apo nuk janë. Kur u futa në oborr dhe u nisa të hyja brenda në shtëpi, edhe aty e pashë se të gjitha dyert ishin të hapura, edhe ajo e korridorit edhe ato të dhomave. U futa brenda, por askush nuk lëvizte. Në atë çast im bir më tha: Mami, të gjitha paskan rënë të flenë. Unë e shikova orën, ishte njëmbëdhjetë. Jo, mor bir, i thashë të birit, nuk është e mundur të flenë në këtë kohë të gjithë. Dhe ngadalë u afrova pranë tyre, të gjithë ishin të shtrirë. Së pari iu afrova Visarit, e pashë të mbytur. Nuk u besova syve të mi. Kjo s’është e mundur, thashë me vete në atë çast. Mandej iu afrova edhe Egzonës. Atë e kishin goditur me një plumb në ballë, krejt fytyrën e kishte të përgjakur. Venharin po ashtu e kishin goditur me dy plumba në kokë dhe një në trup.

Edhe tri ditë Venhari duhej t’i mbushte shtatë vjet. Egzona kishte shtatë vjet e pesë muaj e nëntë ditë. Azra, që i kishte njëmbëdhjetë vjet, po ashtu ishte e vrarë, gjuha i kishte dalë përjashta. Këta i gjeta të vrarë në shtëpi, ndërsa babain, nënën dhe motrën nuk i pashë. Dhe me vete thashë se i paskan marrë me vete dhe i paskan dërguar ndokund. Nuk e dija se ku ndodhen. Në atë rast e kam humbur vetëdijen dhe kam nisur të qaj me të madhe. Pastaj me vrap kam shkuar te halla, e cila ishte aty afër. E thirra atë që të shihte se ç’kishte ndodhur. Ajo erdhi nxitimthi me mua, ndërsa djalin e kisha lënë në oborr duke qarë me tërë fuqinë e tij, e kisha harruar se e kisha me vete. Së bashku me hallën time, prapë u afrova te fëmijët e vrarë. Halla shkoi t’i njoftonte të tjerët, e unë dola në sokak dhe kam qarë e kam qarë aq sa kam mundur. Atëherë ka kaluar një patrullë e policisë, e cila u ndal. Njëri prej policëve ishte Lulëzimi nga Prizreni, që ishte maxhup. Tjetri ishte një serb, Brankoja nga Rahoveci. I njoha përnjëherë. U thashë që të vinin e të shihnin se ç’kishte ndodhur. Dhe u drejtuam brenda, unë përpara, ata pas meje me armë në duar.

Kur hymë në shtëpi dhe kur e panë atë skenë të llahtarshme, më pyetën a ka patur edhe ndonjë tjetër këtu. U thashë që ka qenë babai, nëna dhe motra ime. Eja të ngjitemi lart, më thanë, në katin përsipër. Dhe unë u nisa përpara, ata me armë pas meje. Kur i pashë edhe ata të vdekur, nisa të qaja me të madhe. Së pari e gjeta babain të vrarë (58 vjeç), pastaj motrën 36 vjeçare dhe në fund edhe nënën (58 vjeç). Babasin e kishin goditur në gojë dhe në dy­tri vende të tjera, ishte i përgjakur. Edhe motren e kishin goditur në kokë. Ndërsa nënën e gjeta të dërrmuar, si duket së pari e kishin rrahur mizorisht, dhëmbët ia kishin thyer, e pastaj e kishin qëlluar me një plumb në gojë. Krejt këtë krim e bënë për shkak se prindërit e mi ishin tregtarë të shquar, kanë punuar me ar. Ata kanë ardhur t’i plaçkisin, prandaj edhe i kanë vrarë. Pasi e panë edhe vetë policët këtë ngjarje, ndërkohë thirrën në qendër. Dhe pas tri orësh kanë ardhur edhe nja 12 apo 13 policë të tjerë, të cilët panë çdo gjë dhe fotografuan. Më pyetën mua se mos dija gjë për këtë vrasje, duke më thënë se i kishte vrarë UÇK­ja. Ishte aty zëvendësgjykatësi Ilija Mojsiq, Brankoja që ishte një kriminel i njohur në Rahovec. Krimi është bërë me armë pa zë, në mënyrë që të mos i shihte askush nga fqinjët. Askush nuk di të tregojë asgjë. Krimi është bërë në orët e vona të natës.

 

Masakra e Bella Cerkës (Fortesës)

Sefer Ibrahim Zhuniqi (1937)


Atë natë që nisi të bombardonte NATO­ja, më 25 mars 1999, ne ishim nëpër shtëpitë tona. Vetëm familjet i patëm larguar me kohë, dy­tri ditë më parë. Në orët e pasdrekës, herë pas herë djemtë tanë dilnin dhe vëzhgonin përjashta që të mos na hynin brenda. Dhe ndërkohë im bir na tha se ngrihuni prej këtu se u mbush i tërë fshati me ushtarë, tanke, polici. Ne u ngritëm nga vendi dhe dolëm në një përrua, në lumin e Bellajës. Aty ecnim nga nja dhjetë apo pesëmbëdhjetë metra dhe ndaleshim, sepse nuk dinim ku të shkonim. Kështu jemi zvarritur deri në orën nëntë, deri atëherë kur kalonte treni për në Prizren. Pra ne kemi qëndruar nën urën e trenit, sepse vendi ishte më i gjerë. Aty ishim mbledhur të gjithë, burra e gra, fëmijë e pleq. Në rrugën që shkon për në Gjakovë e kishin zënë pritën policia, ishin përqëndruar një numër i madh tankeh e mjetesh të motorizuara. Kështu, ne s’kishim nga të shkonim, herë venim në atë drejtim e herë ktheheshim prapa. Në këtë grup njerëzish ishim mbi njëqind veta. Në këtë mënyrë janë afruar dhe mbi urën e trenit së pari kanë shtënë me disa rafale, por për fat të mirë nuk u vra asnjë. Pas të shtënave na thanë që të dorëzoheshim. Dhe ne u ngritëm nga vendi, ngaqë nuk dinim se ku të shkonim. Na nxorën lart nga bregu në ara, gratë dhe fëmijët i ndanë veç dhe i dërguan për në Xërxë.
Aty i futën edhe nja dy­tre pleq. Ndërsa të tjerëve na thanë që të shtriheshim për toke. Pasi bëmë ashtu siç na thanë, na i nxorën dokumentet. Së pari na i mblodhën të hollat që i kishim me vete. Atëherë na thanë që të ngriheshim të gjithë në këmbë dhe të zhvisheshin. U detyruam edhe të zhvisheshim. Unë e prisja që të na pushkatonin, por ata na mbajtën një copë herë dhe na thanë që të visheshim. Ne ia nisëm të visheshim. Unë as që jam lodhur të përthekohem, vetëm teshat i kam vënë në trup. Mandej na kanë futur në lumë dhe menjëherë ka filluar pushkatimi nga të gjitha anët. Në atë çast, unë që isha buzë lumit krah për krah me disa djem të axhës tim, vetëm kam rënë në lumë, por nuk e di se a më ka rënë të fikët apo kam rënë kështu. Nuk e mbaj mend pastaj sesi i kanë pushkatuar. Më kujtohet vetëm një detaj, kur unë isha i shtrirë në lumë, i dëgjoja vetëm plumbat tek binin në ujë, rreth kokës sime, trupit. Më kujtohet mirë se kur binin në ujë bënin “çup”, “çup”, “çup”. Ura e trenit ishte nja 15 ose 20 metra larg. Unë s’i kam lëvizur as duart e as këmbët. Uji më ka bartur deri nën urën e trenit. Më kujtohet momenti kur nën urë gjunjtë më kanë prekur në gurët e lumit. Atëherë e kam ngritur kryet njëherë lart dhe kam shikuar se ç’po ndodh, e kam parë vetëm një djalë të katundit tim i cili ishte mbështetur për ure. Kur e pyeta se kush ishte, ai m’u përgjigj se është djali i Fadilit të Shaqës. I thashë që të mos lëvizte njëherë. Pastaj edhe njëherë e kam zhytur kokën nën ujë. Dhe kur e kam ngritur kokën për së dyti, e kam parë vetëm edhe një polic, me gjasë ishte i fundit, tek dilte nga përroi. Kur ai u ngjit në breg, unë atëherë jam ngritur nga vendi ku isha. Meqë isha bërë qull nga uji i lumit, u detyrova që t’i zhvishja teshat, ngase më vinte tepër rëndë nga uji. U ngrita në këmbë, por mezi rrija, sepse isha mërdhirë nga uji i ftohtë. Pastaj pak nga pak jemi mbledhur ata që shpëtuam nga plumbat, edhe ata që s’i kishte rrokur plumbi, por edhe të plagosurit. Dikush ishte plagosur në kokë, dikush në trup, dikush në këmbë. Nuk e di saktë, por ishim nja shtatë apo tetë veta. Dhe aty kemi ndejtur nja një orë. Atëherë i kam parë të vrarët në lumë, në brigje e gjithkund, gjithsej 36 veta. Pas një kohe kanë ardhur nja dy gra prej Xërxe, të cilat i kishin detyruar policia të shkonin. Njëra aty i kishte të vrarë dy djemtë e vet, Shëndetin dhe Agonin, dhe dy kunetër. Aty ka qenë edhe një djalë i plagosur rëndë. Ishte ai Albani i cili vdiq pastaj në mbrëmje, në Xërxë. Kur ato u kthyen prapë në Xërxë, ne që ishim aty, u shpërndamë. Unë me Zenel Popaj nga fshati ynë, u nisëm tutje, ishim të hutuar, nuk dinim as nga shkonim. Ecnim përroit përpjetë. Gjatë rrugës e kemi parë edhe një të vrarë. Ishte ai Halim Fetushi. Atë e nxorëm nga uji dhe lamë në barë. Kur erdhëm më lart, i kemi parë edhe 12 të tjerë të vrarë. Njëri e kishte krejt familjen të vrarë ty. Është ky kushëriri im, Çlirim Zhuniqi me të shoqen dhe me shumë të tjerë. Vetëm një djalë dy vjeç kishte mbetur gjallë, i kishte hipur nënës së vet përsipër, uji i kalonte përskaj. Atëherë me atë shokun tim vendosëm që ta merrnin atë djalë që rrinte mbi të ëmën e vet të vrarë. Atëherë e morëm atë dhe ia hoqëm ato tesha, i veshëm të tjera, dhe ashtu bashkë me të kemi ecur përroit përpjetë. Ishte ky vogëlushi Dibran Zhuniqi. Kur u afruam pranë fshatit, vërejtëm dy shtëpi, njëra ishte e ndezur, ndërsa tjera jo. Atëherë jemi futur në atë shtëpinë e padjegur dhe e kemi lënë djaloshin. Dhe prapë kemi hyrë në përrua dhe kemi ecur teposhtë. Thjesht nuk dinim as nga të shkonim. Kështu jemi endur derisa nisi të terrohet në mbrëmje. Prapë kemi shkuar në vendin e pushkatimit. Pastaj të gjithë kemi shkuar në Xërxë, ngaqë ndiheshim më të sigurt.

 

 

Masakra e Bella Cerkës (Fortesës)

Isuf Zhuniqi


Edhe unë e përjetova atë krim te ura e Bellajës. Atë që e tha Sefer Zhuniqi është plotëisht e saktë. Nuk kam se ç’të shtoj. Mund të them vetëm një gjë se në atë rast mua më ka goditur një plumb në krahun e djathtë. Sot jetoj me plagë në trup. Duke u larguar prej fshatit, më 2 prill kam shkuar edhe në fshatin Nagafc, aty jam plagosur nga predhat e aeroplanëve të Serbisë. Në atë turmë ka patur rreth 25 ose 26 mijë veta. Gjatë bombardimit aty kanë humbur jetën 36 veta, unë i mora tetë plagë. Pastaj nuk e kam ditur veten se ku e kam, prandaj më kanë marrë prej aty dhe më kanë dërguar në Kukës.

 

 

Masakra e Bella Cerkës (Fortesës)

Sefer Popaj (1957)


Në ngjarjen tragjike te ura e Bellajës, kam qenë edhe unë bashkë me shumë të tjerë. Nuk kam se ç’të shtoj më tepër, atë që e tha zoti Sefer Zhuniqi, është shumë e saktë. Këtë mund ta dëshmoj edhe unë në çdo kohë. Mund vetëm të shtoj se deshi fati që unë të shpëtoja i gjallë nga rafalet e plumbave të policisë serbe e cila ua mori jetën shumë njerëzve të pafajshëm. Aty unë i kam marrë dy plumba, pra jam plagosur në krahun e majtë dhe në këmbën e djathtë.

 

Masakra e Celinës

Nerxhivane Rexhepi (1962)


Ne kemi qenë duke ndejtur në një shtëpi tjetër. Përafërsisht kemi qenë nja 100 veta. Ditën e parë, kur kanë ardhur na kanë kapur në bodrum, kanë qenë ushtarë të maskuar. Na nxorën nga bodrumi përjashta. Kur e panë se të gjithë ishin fëmijë, gra e pleq, na thanë që të rrinim.
Ne nuk do t’u ngacmojmë, por as ju mos na ngacmoni, na thanë. Dhe kështu vazhduam të rrinim në bodrum ashtu siç kishim qenë. Gjatë ditës së parë djali im vajti bashkë me babain e vet në fushë, ndërsa ditën e dytë e ndala në bodrum. Në të vërtetë deshi të rinte vetë, kishte qejf të rrinte edhe me ne. Me vete i kisha të dy djemtë edhe vajzën. Ata rrinin me mua ngase kishin edhe moshatarët e tyre, shkokë e shoqe të klasës. Ashtu siç ishim duke ndejtur, kur u bë ora diku njëmbëdhjetë, befas dikush na tha se po vinte policia. Zura të pyesja se ku e kisha djalin. Pasi e gjeta i thashë se a donte që ta nxirrja jashtë nga bodrumi. Më pyeti përse. Kur unë i tregova se po vinin policia, atëherë ai u pajtua që ta dilnim prej aty. I thashë që të dilte nga dritarja e bodrumit, dhe bashkë me disa të tjera, le të iknin ndokund. Por ai më tha se nuk mund të ikte, s’kishte ku të shkonte. Aty ishte edhe Din Rexhepi, i cili tha se do të fshiheshin në bodrum. Unë prapë u thashë që ta largoheshin se policia mund të vinin e t’i ndiznin edhe bodrumet. Atëherë të dalim përjashta, më tha im bir. Por nuk guxoja ta nxirrja ashtu. Ia nxorra shaminë time në kokë, edhe fundin tim, që të mos dallohej. Por djali u ndie keq. Jo, më tha, nuk mund ta mbajë shaminë në kokë. Dhe e zgjidhi atë, e hoqi nga koka. Merri këpucët dhe nxirrmi përpara. Në xhep i kishte patur edhe disa të holla. Moj nënë, më tha, merri këto të holla. Jo, ia ktheva unë, mbaj në xhepin tënd paratë, mos i hiq. Të them të drejtën, m’u dhimbs

shumë në atë çast, ndaj nuk ia mora ato. Atëherë i futi përsëri në xhep të hollat. I mora këpucët e tij, ia nxorra përpara dhe pastaj i mbathi. Më kapi për dore dhe më tha që të dilnim bashkë prej aty. Por në atë moment e luta që të fshiheshim se nuk kisha guxim që të dorëzoheshim në duart e policisë, më dhimbsej djali. Dhe duke ecur e pa vintjagën e vet, të cilën e kishte zhveshur dhe e kishte lënë diku në bafçe. Ja ku e kam lënë vintjagën, më tha duke ecur andej. Ashtu ecëm rrugës teposhtë gjithë frikë. Djali kishte hedhur shtat, sado që ende nuk i kishte mbushur 14 vjet. Kisha frikë të mos e dallonin, ndaj disa herë e lusja që ta ulte kokën që të mos e hetonin policia. Kur shkuam atje, e pashë tek i ndanin meshkujt veç. Ule kokën, i thashë edhe njëherë, por ai nuk u pajtua. Aty ishin plot siushtarakë me shirita të bardhë, të cilët flisnin serbisht. Ashtu siç ishim duke ecur në kolonën e njerëzve, të gjithë me zemra të ngrira, njëri nga siushtarakët e pikati djalin tim. Dhe përnjëherë e thirri që të shkonte tek ai. Pastaj briti edhe njëherë me të madhe. Dikur u fut vetë në kolonë dhe u përpoq të ma rrëmbente djalin. Megjithëse unë nuk e lëshova, kur im bir e kuptoi se mund të ndodhte edhe më e ekqja, atëherë më tha: “Nënë, lëshomë!”. Në këtë mënyrë ma kapi djalin dhe ma mori me vete. Në atë moment e pashë të birin tek u shkëput prej meje, as pa i ngritur duart, as pa u dorëzuar, as pa u përulur fare. Siushtaraku serb e mori dhe e mbështeti për muri në anën tjetër. Kështu i ndau të gjithë meshkujt nga kolona e madhe e njerëzve. Të gjithëve ua dha në duar nga një shami të kuqe për t’i lidhur sytë. Ndrsa neve na bërtiste që të ecnim dhe të largoheshim prej aty, por ne ishim kureshtare se ç’do të ndodhte me djemtë tanë, ndaj nuk lëviznim nga vendi, rrinim aty me këmbëngulje. Unë bërtisja aq sa kisha fuqi. Tek më pa ashtu tek bërtisja, im bir më tha që të ecja. Në atë rast më pyeti se ku ishte Alberti (vëllai i tij), si dhe për gjyshin e vet, të cilin e kishin ndarë pak më përpara nga kolona. Dikur e lashë aty dhe vendosa të ecja tutje me kolonën. Duke u zvarritur ngadalë, nuk u bëra e qetë, herë pas herë e ktheja kokën prapa që të shihja se ç’do të ndodhte me djemtë tanë. Dikur u shkëputa për një çast dhe hyra në një derë të huaj dhe thashë me vete që të mos ecja më, por të piskatja me atë qëllim se ndoshta mund t’i lëshonin. Por s’na lanë as aty, na detyruan që të ecnim. Sa kemi arritur prapa disa shtëpive, kemi dëgjuar krisma pushkësh, dy rafale automatiku. Atëherë jam ndalur në rrugë, jam ulur për toke. Ndaluni këtu, ju thashë atyre që ishin me mua. Pastaj më kanë marrë me vete, nuk më lanë që të rrija aty. Më kanë shpënë në mal dhe nuk e kam parë tim bir. Kemi ndejtur dy ditë në mal. Atëherë na kanë lajmëruar se çka ndodhur, por mua nuk donin që të ma jepnin lajmin për djalin tim që e kishin vrarë. Në atë grup i kanë vrarë 13 veta, të gjithë kanë qenë pleq, vetëm djali im ka qenë 13 vjeçar. Në mesin e tyre ka qenë edhe gjyshi i tij. Mandej na kanë kapur edhe në mal dhe na kanë përzënë për në Shqipëri. Gjatë tërë rrugës kam vënë re se të njëjtët policë që ma morën djalin, ata na kapën edhe në mal. Ai që ma kishte rrëmbyer djalin, gjithë kohën më përcillte derisa u larguam për në Shqipëri. Ai donte të fliste me mua. Disa herë, tek më shikonte ai, doja që ta pyesja se ku ma kishte lënë djalin, por fëmija nuk më linin, më thonin që të mos flisja. Dhe vendosa që të mos flisja fare, ngase kisha frikë mos ma merrte edhe djalin tjetër të cilin e kisha me vete. Vazhdimisht duke ecur rrugës, ai vetëm më dilte përpara, nuk fliste fare, por më shikonte në sy djallëzisht. Kështu u larguam për në Shqipëri.

 

Masakra e Celinës

Selman Zeqiri


Më 25 mars të vitit 1999 mua m’i kanë vrarë dhjetë anëtarë të familjes dhe gjashtë të xhaxhait tim, pra gjithsesj 16 anëtarë: babai im Miftar Zeqiri (60 vjeç), shoqja ime Sebahatja (30 vjeç), vëllai im Bajram Zeqiri (30 vjeç), vajza e Bajramit, Albulena (10 vjeç), djali i Bajramit, Albani (5 vjeç), po ashtu një vajzë dy vjeç e Bajramit, Alma, pastaj dy djemtë e mi, Altini (10 vjeç) dhe Bledari (8 vjeç), mandej vajza e xhaxhait, Suzana (21 vjeç), Elbasanja (19 vjeç), Nazlia (17 vjeç), Burbuqja (14 vjeç), Besarti (11 vjeç) etj. Domethënë, prej 18 anëtarëve, sa kanë qenë atë ditë në shtëpi, të gjithë janë vrarë, përveç xhaxhait, Agimit dhe djalit tim, Valonit. Xhaxhai im ka qenë i rrahur brutalisht. Tani është gjallë, por ndodhet në një gjendje shumë kritikë. Është i detyruar të shkojë në dializë.

 

Maskra e Celinës

Valon Zeqiri (1987)

 
Më 25 mars, në fshatin Celinë pushtuesit serb kishin hyrë për të masakruar banorët e tij. Meqë i kishin hetuar me kohë, banorët e tjerë të këtij fshati ishin larguar prej fshatit dhe ishin strehuar diku më larg, vetëm familja jonë kishim mbetur këtu poshtë. Kur policia u lëshua teposhtë, ne ndodheshim në një luginë të vogël. Burrat ishin veç, po ashtu edhe gratë veç.
Unë isha me burrat. Aty nga ora tre policia serbe ia kishte mësyrë teposhtë për të ardhur në shtëpinë tonë. Kishin hyrë në një shtëpi, atje lart dhe e kishin gjetur Bajram Salihun, i cili ishte ndarë nga ne. Në atë rast policia serbe shtiu me automatik dhe e vrau. Ndërkohë ne ikëm në një luginë tjetër. Dhe aty kemi qëndruar prej orës tre deri në orën tetë. Pas orës tetë jemi nisur prej aty dhe kemi ardhur në shtëpinë tonë. Pra në shtëpi erdhën: Bajram Zeqiri, Ahmet Bajrami, Naip Fazliu, Bari Fazliu dhe Gëzim Salihu. Por ne nuk e dinim se a kishte njeri. Kur ne u futëm brenda, atëherë e pamë se policia serbe kishte qenë aty. Me të parë neve, menjëherë shtinë me armë, dhe ne nuk patëm nga të ikim, prandaj u detyruam të dorëzohemi. Na pyetën se a kishim në duar diçka. Kur e vërtetuan se s’kishim asgjë në duar, atëherë zbritën poshtë dhe u afruan drejt nesh. Na kapën të gjithëve dhe na sollën te një mur. Kështu nisën t’i rrahnin brutalisht e unë i shkreti qeshë i detyruar t’i shihja tek i mundonin në mënyrë mizore, i godisnin me armët e tyre, me shqelma, me çizme, i kapnin për flokësh, i shanin etj. Pas dyzet minutash torture tepër brutale, i morën dhe i nxorën pas murit dhe i pushkatuan. Ndërsa mua më morën me vete dhe më futën në shtëpi. Aty kam ndejtur tërë natën bashkë me 140 policë, të cilën pandërprerë pinin raki, birra etj. Diku nga ora shtatë e mëngjesi, ashtu siç isha i lidhur për karrikje, më erdhi një polic, më shau, e nxori thikën duke më thënë se do të më therte. Mandej një polic i gjatë, më zgjidhi dhe më tha që të shkoja për në Xërxë. Ashtu jam nisur rrugës vetë. Por duke ecur rrugës për në Xërxë, diku kishte qenë një grup prej nja 40 policësh. Kur më panë mua, njëri prej tyre shtiu me armë nga këmbët e mia për të më frikësuar. Unë u dorëzova. E këtu, më thanë. Ata flisnin shqip. Më pyetën se kush më kishte thënë që të vija këndej. Unë ju thashë se më kishin thënë policia. Aty më shanë e më munduan, pastaj më nxorën për të më pushkatuar. Derisa njëri jepte urdhër që të më vrisnin, tjetri thoshte jo se është fëmijë. Pas një mundimi të këtillë dikur më thanë që të ecja për në Xërxë. Aty nga gjysma e rrugës më është afruar një njeri nga Hoça, që quhet Kadri Berisha. Ishte me një veturë. Ai më ka marrë dhe më ka çuar deri në Xërxë, dhe ia di për nder atij. Pastaj prej Xërxe kam shkuar për në Shqipëri. Atje e kam marrë vesh se m’i kanë vrarë edhe anëtarët e tjerë të familjes.

 

 

Masakra e Krushës së Madhe

Nebi Sejfullahu (1961)


Atë natë, kur ka filluar bombardimi i NATO­s, në orën tre të mëngjesit ne kemi qenë të rrethuar nga policët, siushtarakët dhe ushtarakët serbë. Unë kam qenë në lokalin tim, ndërsa familja ime ka qenë në shtëpi. Ndërkohë familja ime ka shkuar sipër fshatit te disa kushërinj të afërm. Në mëngjes, aty nga ora pesë apo gjashtë, ka filluar bombardimi. Sulmi është bërë me qëllim që të tërhiqet popullata. Kështu jemi tërhequr nga shtëpitë dhe jemi strehuar në disa male. Aty nga ora 14, 30 minuta veç kanë filluar të zbresë edhe këmbësoria, dy autobusë dhe një kamionë me policë. Këta ia filluan t’i ndiznin shtëpitë, që nga e para deri te e fundit. Pra e ndezën gjithë katundin. Kështu vepruan deri në mbrëmje. Disa prej nesh kemi qenë nëpër fshat duke e përcjellë situatën. Por pastaj jemi tërhequr dhe u jemi bashkangjitur familjeve tona. Gjatë natës pushuan sulmet, nuk gjuanin më. Të nesmërmen, aty nga mesdita, kanë ardhur policia e kanë kapur një person dhe i kanë thënë se ju ka përshëndetur B. Klintoni, e kanë pyetur se ku e keni NATO­n etj. Këta janë larguar dhe kanë ardhur ushtria. Një grup njerëzish kanë i kanë pyetur se a mund të dalim prej këtu, por ushtarët ju kanë thënë që të mos dalin se mund t’i vrasë ndokush. Kështu kanë qëndruar deri në mbrëmje, diku nga ora pesë. Por, meqë mbetëm pa ushqim, fëmija qanin me të madhe, jemi detyruar të ngrihemi prej aty dhe të dalim. Përafërsisht kemi qenë nja 500 deri në 600 veta. Duke ecur na kanë dalë policia përpara. Një kushëri i im, që ka qenë profesor shkoi të merret vesh me ata, por ata na urdhëruan që të bëheshim rresht për dy. Me vete e kisha edhe djalin tim trevjeçar. Kur më panë më urdhëruan që t’ia jepja shoqes. S’kisha ç’të bëja, u detyrova që djalin t’ia jepja shoqes. Pastaj filluan të na kontrollonin një nga një. Na ndanë meshkujve nga gratë. Por nuk u mjaftoi as kjo, meshkujve na ndanë edhe në grupe.
Me vete mendoja se do të na burgosnin. Grave u thanë që të shkonin në fermat e lopëve. Vetëm një plakë ka qenë me to, askush tjetër. Dhe atëherë nuk na lanë të lëviznim nga vendi. E dëgjova kur dhanë urdhër që njërin grup ta çonin për në xhami. Edhe mua më urdhëruan që të shkoja në xhami, por një ploc tjetër më tha që të ndalesha. Pastaj i ndanë edhe një grup tjetër, në të cilin më futën edhe mua, gjithsej ishim 18 veta. Na morën dhe na dërguan nja njëqind metra më poshtë prej varrezave të romëve, në një vijë vreshte. Të gjithë zbritën në vijën e vreshtës, vetëm unë u ndala në lëndinë dhe nuk zbrita atje, ngase e mbaja për krahu një kushëri timin që ishte i sëmurë. Pastaj na urdhëruan edhe neve që të zbrisnim atje. Në atë çast kushëriri im u ul dhe i rrëshqiti batanija të cilën e kishte hedhur krahëve. Kur unë u përpoqa ta mbuloja sërish, në atë çast e kam kthyer kokën dhe i kam parë policët se ishin vetëm pesë metra larg nesh. Dhe ashtu pas shpine menjëherë kanë filluar të shtiejnë me rafale automatiku. Kur i kam dëgjuar krismat, ashtu siç kam qenë afër kushëririt tim, përnjëherë jam hedhur në vreshtë. Në të vërtetë gjatë kërcimit tim më kapi një plumb në anën e majtë, por unë nuk u ndala fare, vazhdova të iki nëpër vreshtë me sa fuqi që kisha. Gjatë ikjes i kam dëgjuar edhe tri krisma të tjera, pra vetëm me nga një fishek. Por nuk e di a më kanë gjuajtur mua, apo grupin në vijën e vreshtës. Kështu kam ikur deri afër fshatit te disa kushërinj të dajëve të mi. Aty jam takuar me ata dhe më kanë dhënë ndihmë, më kanë mjekuar. Ata më kanë strehuar në stallën e dhenve. Tërë natën kam qëndruar aty, të nesërmen kam ngelur vetëm. Aty e kam përcjellë çdo lëvizje të policisë, ata kanë bërë çmos në fshat. Të dielën e kam parë një kombi me policë të cilët janë futur brenda. Por nuk më kanë hetuar fare se ku ndodhesha. Pastaj, pasi janë larguar ata, unë kam shkuar në fshatin Nagafc. Mandej jemi larguar edhe për në Shqipëri. Kur jemi kthyer aty e kemi gjetur vetëm një kufomë, të tjerat nuk i kemi gjetur, i kishin zhdukur. Pra, prej atij grupi, deshi fati që vetëm unë të shpëtoja i gjallë, të tjerët u vranë dhe nuk u dihen as kufomat. Në Krushë të Madhe gjithsej u vranë 207 veta.

 

Masakra e Krushës së Vogël

Mehmet Krasniqi (1967)


Më 25 mars, këtu në Krushë të Vogël vërshuan njësi të mëdha të motorizuara serbe. Ato erdhën nga Prizreni dhe e bllokuan rrugën e asfaltuar këtu afër, gjë që ishte e pamundur të lëvizje andej. Me të parë këtë bllokadë, ne ia mësymë maleve. Meqë na hetuan se po iknim, edhe ata dolën në mal. Gjatë tërë ditës kemi ndejtur në mal, duke na granatuar nga të gjitha anët. Kjo ka zgjatur deri në mbrëmje. Pastaj disa prej këtyre ndejtën aty e disa të tjerë ikën në një shtëpi, në atë të Sejdi Batufës. Të nesërmen, herët në mëngjes, kur filloi granatimi dhe djegia e shtëpive, u rrethua i tërë fshati, kështu që të gjithë ata që ishin strehuar u ndodhën nën bllokadë. Pastaj i morën edhe ata që kishin mbetur në mal dhe i sollën aty. Pas një kohe na nxorën edhe në rrugë, grave ju thanë që të iknin për në Shqipëri, ndërsa burrat të gjithë i ndalën aty, duke na urdhëruar që të rrinim me duar prapa kokës. Na i morën dokumentet, kuletat dhe të gjitha gjërat që kishim me vete. Aty na mbajtën nja një orë, mandej na morën dhe na çuan në një shtëpi dydhomëshe dhe me një korridor. Gjithsej ishim 112 veta. Pasi na futën brenda, brenda një kohe të shkurtër nisi pushkatimi me mitraloz të rëndë. Në atë rast, unë që isha përballë murit, përnjëherë kam rënë poshtë. Mbi mua u përplas njëri që e kishte vetëm krahun të këputur. Ishte ai Muharrem Asllani. Mandej, një tjetër që e kapi plumbi, u përplas po ashtu mbi mua, por me kokë. E pashë tek nisi të nxirrte gjak nga goja. Meqë ata ranë mbi mua, unë i tëri u lava me gjakun e tyre. Pasi ia dhanë rafalet nga të gjitha anët, duke i shtrirë të gjithë në atë shtëpi të ngushtë, dikur njëri e çoi kokën. Ishte ky Shefqet Shehu i cili i tha njërit nga policëve: “Fqinj, ti e bëre këtë”. Menjëherë e vranë edhe atë. Kështu, kur pandehën se e kishin përfunduar pushkatimin e tyre, nga kopshtet përreth morën kallamishte të misrit dhe i hodhën mbi njerëzit, e pastaj ua vunë zjarrin. Shefqeti e njohu policin që ishte një serb nga fshati ynë. Në të vërtetë kishte edhe shumë të tjerë policë serbë nga Krusha e Vogël. Unë i njoha mirë, ata ishin: Dimitrije Nikoliq, Sava Nikoliq, Cveta Tasiq, Zvezdan Nikoliq, Momçillo Nikoliq, Gjorgji Petkoviq etj.
Këta i pashë me sytë e mi, ishin të veshur me uniforma të policisë, me armë në duar. Ata shtinë që të na vrasin të gjithëve, por e deshi fati që nga 112 veta të shpëtonim vetëm gjashtë. Gjatë tërë kohës, çuditërisht kam qenë i vetëdijshëm dhe e kam përcjellë çdo veprim të policëve. Kam dëgjuar lloj-lloj britmash e klithmash të llahtarshme. Unë kam qëndruar i shtrirë derisa kanë pushuar krismat dhe britmat e njerëzve. Kur ato pushuan, atëherë i pashë policët duke hedhur mbi ne kallamishte të misrit, të cilat i ndezën. Kur tymi ra poshtë, ishte vështirë të merrje frymë. Por unë tri herë kam marrë frymë nëpërmjet gjakut derisa ishte i njomë, kurse herën e katërt nuk munda të merrja as frymë, ngase ishte krijuar një shtresë. Atëherë e vendosa që të ngrihem prej aty, duke thënë me vete që më mirë të dilja e të vdisja nga plumbi sesa të digjesha nga zjarri. Ashtu u ngrita ngadalë, dhe për fat të mirë, anash ishte një dritare nëpër të cilën shikova me kujdes. Dhe kur u binda se s’kishte asnjë polic, atëherë kam dalë nëpër të dhe pastaj menjëherë jam futur në bodrumin e një shtëpie tjetër, e cila ndodhej menjëherë aty afër. Në të vërtetë, ajo ishte shtëpia e xhaxhait tim. Pasi u strehova mirë, aty kam qëndruar heshturazi deri në orët e vona të mbrëmjes, duke përcjellë çdo lëvizje dhe çdo veprim të policëve. Atëherë i pashë serbët e fshatit tonë, të cilët sa mund bartnin kallamishte të misrit dhe hidhnin mbi kufomat e njerëzve, të cilat janë djegur deri në orët e hershme të mëngjesit. Erdhën edhe në oborr të shtëpisë së xhaxhait dhe ia morën veturën. Pastaj tri herë i ranë përroit rreth e përqark duke e kontrolluar mos kishte ndonjë njeri. Dikur, kur e kam vërejtur se ishin larguar policët, atëherë ngadalë kam dalë prej aty dhe kam ikur në mal. Atje kam qëndruar nja dy ditë, pastaj kam ikur për në fshatin Nagafc. Atje, po ashtu kemi përjetuar edhe një krim tjetër. Ishte 2 prilli, ditë e premte, ora 14,05 minuta. Në atë moment kanë bombarduar aeroplanët e Serbisë. Ishte e tmerrshme ajo skenë që u krijua pas bombardimit të atyre njerëzve duarthatë. Aty kam

parë lloj-lloj njerëzish me plagë të shumta. Me sytë e mi e pashë një njeri me këmbë të këputur. Më ka ardhur shumë rëndë dhe nuk kam mundur të duroj më. Mandej më kanë futur në një kamion. Rrugës më kanë pyetur se kush ka qenë komandant për Krushën, si dhe shumë pyetje të tjera. Pas një ore më liruan dhe ashtu nëpër Qafë të Morinës dola në Shqipëri.

 

Masakra e Reçakut


Ymer Gashi (1933)

Atë ditë ne jemi tubuar në odën e Sadik Xhemës. Policia kishte ardhur dhe e kishte rethuar tërë katundin. Ashtu kanë hyrë edhe aty ku ishim ne, na kanë kapur në ahur ku ishin strehuar dhe na kanë nxjerrë përjashta në oborr. Pastaj na kanë rrahur aq sa kanë mundur. Mua më kanë goditur në kokë, ende më dallohen shenjat, të cilat më pengojnë edhe sot. Megjithëse aty bënë tortura të tmerrshme, ne prapë qëndruam. I kapnin njerëzit për goje, i shanin në gjuhën shqipe. Ata ishin të maskuar. Mandej na nxori prej aty dhe na urdhëroi që të ecnim përpjetë. Duke na sharë na tha që të shkonim atje në breg, mbi katund. Ecni se atje ju prej Ibrahim Rugova, na tha duke e sharë atë edhe neve. Ju jeni prindërit dhe djemtë e iredentistëve, na fajësoi tërë mllef e tërbim. Aty ishin afër 50 veta, me gjithë disa fëmijë. Në atë rast fëmijët i ndanë veç. Pastaj foli me dikë me toki­voki, duke i pyetur se a mund të fliste tani serbisht. Ai bisedoi me dikë që ndodhej këtu poshtë. E pyeti ai se sa veta ishim ne, e ky i tha se janë nja 50 veta. Por ai i urdhëroi që të mos i dërgojë fëmijë, por njerëz të rritur. Në atë moment me vete kam menduar se na shpiejnë në stacionin e policisë. Por kur na drejtoi drejt bregut, duke na sharë neve dhe Ibrahim Rugovën, atëherë nisëm të dyshonim. Nja tre veta, Nefail Mehdiu, Lutë Hasani, Sadik Xhema (profesor), kanë qenë të dërrmuar nga torturat që ua bënë qysh sa ishim poshtë. Gjymtyrët pothuajse i kishin të këputura, vetëm shpirti që u pat mbetur. Megjithatë mblodhën forca dhe u nisën deri lart. Gjaku u shkonte rrëke. E ne të tjerët, sado që të rrahur, ishim më ndryshe. Pasi na çuan deri lart, ata u kthyen poshtë. Aty rruga është si lug. Ne kemi hyrë në të duke shkuar njëri pas tjetrit, 30 veta. Me ne ishte edhe Bilall Sadriu, Ali Qazimi. Në atë moment unë përnjëherë e kam parë se nga tri anë kishte policë serbë, me helmeta në kokë. Meqë e kisha me vete edhe djalin, i thashë që të ecte pas meje, duke e kapur për krahu. Dhe menjëherë kam rënë për toke. Sa çel e mbyll sytë aherë janë dëgjuar krismat nga të tri anët. Rafalet ushtonin. Unë kam ecur zvarrë nja shtatë metra duke e futur kokën nën disa rrënjë. Aq shumë kanë gjuajtur mbi atë turmë, sa dikur u nxehën edhe tytat e armëve, saqë nuk i shpienin më plumbat larg, i lëshonin afër tyre. Në atë rast e kam parë kur një plumb e ka rrokur djalin tim në sy. Kështu, pasi e goditi, ai u përplas për toke. Unë ika tutje duke e futur kokën nën rrënjë. Me vete thashë se edhe në më kapshin plumbat, le të më kapin nëpër trup, jo nëpër kokë. Aty ndejta nja shtatë apo tetë minuta. Lart fishkëlloi pipi, dhe policët u tërhoqën. Megjithëse të gjithë ranë për toke, një numër i tyre ende ishin gjallë. Atëherë kanë ndërhyrë për herë të dytë, duke i goditur me automatik, dhe duke i masakruar me thikë. Kur u larguan ata, unë ngadalë kam shkuar te kufomat të shihja se ç’kishte ndodhur me to. Në atë gropë i gjeta të vrarë 24 veta. I kishte mbuluar gjaku të gjithë. Nuk mund t’i dalloja as kufomat se kujt ishin, ngaqë ishin të dëmtuara. Krejt kjo ndodhi në Kodrën e Bebushit. Aë natë unë kam vajtur në bjeshkë. Të nesërmen, kur kam zbritur teposhtë, e kam parë Uokerin i cili kishte marrë vesh se ç’kishte ndodhur. Bashkë me të shkuam në vendin ku ishte bërë masakra. Ai më pyeste gjithçka për të vrarët. Masakrën e bënë serbët e kësaj ane, jo ata nga Beogradi. Tri orë para se të ndodhte masakra, Ragip Jahiri ishte te ne në ahur, por ai nuk ndejti dhe doli përjashta. Duke u ngjitur lart, diku afër vendit të masakrës, atë e kanë qëlluar me plumba. Unë kur jam afruar te kufomat, Ragip Jahirin e kam gjetur larg nja 20 metra. Atë e kishin masakruar tmerrësisht, zemrën e kishte të varur, ngase ishte i prerë kryq.

 

Masakra e Reçakut


Bilall Abdiu (1947)

Në mëngjes herët, kam qenë në shtëpi. Kur u zgjuam, së bashku me tim bir, kemi hyrë nën dyer dhe jemi strehuar në shtëpinë e vëllait tim. Atëherë filloi lufta. Këmbësoria ka ardhur këndej malit dhe nga ana tjetër. Te ne kanë ardhur nja tre fqinj dhe një pak më vonë. Ata erdhën nga lagjja e poshtme dhe u futën në shtëpinë e vëllait tim. Atyre u thashë që të rrinin aty, por doja të shkoja te fqinji tjetër për t’i parë se a ishin zgjuar prej gjumit. Kur kam hyrë aty, i pashë se ishin strehuar në ahur. Posa më panë ata më pyetëm se ç’do të bënim. Por ishte vështirë të merrje ndonjë vendim kur nga të gjitha anët ishim të rrethuar, andaj nuk u përgjigja fare. Në atë moment aty ka ardhur djali im, për të hyrë brenda në ahur. Pikërisht kur ai është përpjekur që njërën këmbë ta fusë në ahur e kanë qëlluar me snajper mu në këmbë. Kështu ma plagosën djalin, Hamdi Abdiun. Atëherë kemi ikur nga njëri oborr në tjetrin dhe kemi shkuar te një shtëpi tjetër, te ajo e Xhemë Nebiut në të cilën ishin strehuar nja 30 veta. Në atë moment, pasi u fshehëm në ahur, i kemi dëgjuar krismat nga të gjitha anët. Në njërën anë gjuanin autoblindat dhe topat prej kodrinës, e nga ana tjetër edhe këmbësoria, e cila kishte hyrë nëpër fshat. Në kët mënyrë këmbësoria pasi ua kishte mësyrë shtëpive me radhë, ngadalë u fut edhe aty ku ishim fshehur ne dhe aty nga ora 12 e mesditës na kapi të gjithëve. Ishin diku nja 30 policë të maskuar dhe të armatosur. Na nxorën nga ahuri dhe pastaj na shtrinë të gjithëve. Filluan të na kontrollonin dhe na i morën dokumentet personale. Atëherë nisën të na rrihnin në mënyrë brutale. Pastaj na thanë që të ngriheshim në këmbë. Na urdhëruan që një nga një të shkonim përpjetë drejt kodrës, duke na u kërcënuar se nëse ndonjëri tentonte të shmangej një hap nga rendi, do ta vrisnin. Pra policia mbeti poshtë, e ne nisëm të ecnim drejt lëndinës, në kodër. Kur kemi arritur atje në breg, jemi renditur të gjithë. Atje kemi hasur në polici. Me të parë neve, ata kanë brofur nga vendi. Unë kam qenë i fundit. Një plak kishte mbetur në gardh, sepse s’kishte patur fuqi të lëvizte, prandaj ishte ulur aty. Pas meje kanë qenë Ramë Shabani, Nusret Shabani, Ymeri Gashi. Kur i ka parë ata, menjëherë policia i ka thirrur duke i sharë dhe duke i quajtur terroristë. Në atë rast ua kanë lëshuar rafalin e automatikut. Të gjithë binin një nga një për toke. Ndërsa këta të tre, Rama, Ymeri dhe Nusreti e kanë kërcyer gardhin. Mua ma kanë humbur plumbat orientimin, kam mbetur midis rrugës. Një plumb më ka rrokur mu në xhep të palltos. Atëherë kam rënë për toke. Nja dhjetë metra më tej e pashë djalin e Ymerit. Ashtu i shtrirë, pesë orë kam ndejtur me kufomat pa bërë zë fare, derisa u terrua. Kur ra errësira, atëherë jam ngritur në këmbë. Kam filluar t’i rrotulloj nja shtatë a tetë kufoma. Pastaj, kur kam shkuar te një kushëri i imi, te Lutfi Billali, atëherë kam filluar ta ndiej veten keq. Dhe më nuk kam ditur më tej se ç’dodh, më ka rënë të fikët. Pastaj në shtëpi ka ardhur Rama. Kur më ka parë mua, më ka thirrur me emër dhe më ka kapur. Në atë moment unë jam trembur duke menduar se më kapi policia. Atëherë më tha që të mos frikohesha se nuk ishte policia, por Rama. Më pyeti se a isha i plagosur, unë i thashë që jo. Por ai më kishte parë duke rënë për toke, prandaj kishte menduar se më kishte rrokur ndonjë plumb. Më tha që të rrija aty, e ai të dilte deri te bregu për të parë se a ishte dikush. Unë nuk mundesha të ngrihem, më ishin këputur të dy këmbët. Kur kam bërë të ngrihem, prapë jam rrëzuar. Dikur kam ecur zvarrë dhe kam shkuar deri te ai. Një kushëri i imi, Mehdi Halimi kishte qenë me gjithë fëmijët në oborr. Në atë rast kanë ardhur ata të OSBE­së. Kur i kam parë dritat tek i lëshuan në rrugë, mendova se ishte policia. Kështu kemi ikur të gjithë në mal. Atje e kemi ndezur një zjarr dhe kemi qëndruar deri të nesmërmen në orën dhjetë. Mandej kemi zbritur teposhtë. Kur kemi hyrë në fshat, e pashë se kishte ardhur  Uokeri. Ai kishte qenë duke hyrë në shtëpinë e Bajram Cakolit. Përkthyesi i tregoi edhe për mua që kisha shpëtuar, por Uokeri m’i hodhi sytë dhe më shikoi mirë. Atëherë më tha që të shkoja, duke i thënë përkthyesit se nuk isha në gjendje që të flisja për rastin që kishte ndodhur, ngaqë isha i tronditur krejtësisht. Atëherë, jam kthyer në shtëpi. Djalin tim 16 vjeçar ma kishin marrë policia dhe, pasi e kishin rrahur pak, e kishin futur te gratë. Nuk e kishin hetuar se ishte plagosur, ngase plagën e kishte patur të lidhur. Atëherë Uokeri na ka thënë që të ikim prej aty dhe të strehohemi në mal, sepse Serbia kishte vendosur që me të gjitha forcat e veta të hynte në Reçak dhe t’i merrte kufomat e të masakruarve. Atëherë kemi ikur. Kufomat kanë qenë të dëmtuara mjaft, ishin të goditura me plumba, të therura me thika, madje Ragip Bajramit ia kishin nxjerrë edhe zemrën. Atë e kanë kapur dhe i kanë nxjerrë për së gjalli zemrën. Dikujt ia kishin prerë veshët, ndonjë e kishin goditur me thikë aty ku kishin mundur, i kishin plaçkitur nga xhepat etj.