“Më 20-23 tetor mbahet manifestimi “”Ditët e Naimit 2004″” në Tetovë”

pres05

lajmelajme

 
lajmi
pres05Kanë konfirmuar ardhjen nja 30 poetë nga bota Në këtë festival ndërkombëtar të poezisë, i teti me radhë, do të vijnë edhe poetë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare. Në këtë edicion, çmimi “Naim Frashëri” do t’i jepet poetit të njohur irlandez Dezmond Egan Drejtoria e manifestimit letrar ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2004” mbajti të martën një konferencë shtypi në Tetovë, në të cilën drejtori Shaip Emërllahu, si dhe përfaqësues të komisionit për ndarjen e çmimit “Naim Frashëri”, prof. dr. Floresha Dado nga Tirana dhe kritiku letrar Ahmet Selmani, njoftuan se edicioni i tetë me radhë i festivalit ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit 2004” do të mbahet më 20-23 tetor të këtij viti, në Tetovë. Në natën e parë, do të mbahet akademia solemne, ku për jetën dhe veprën e Naim Frashërit do të flasë prof. dr. Dado, në të do të ketë recitale, pika muzikore klasike, kurse më pas edhe një orë letrare. Në atë të dytë, do të mbahet ora e madhe letrare, ku të gjithë poetët pjesëmarrës do t’i lexojnë krijimet e tyre, kurse në të tretën do të mbahet edhe një orë letrare, ku do të ndahen çmimet tradicionale të festivalit “Naim Frashëri”, “Menada”, “Oeneumi” dhe “Qiriri i Naimit”, si dhe do të shpallen anëtarët e nderit të festivalit. Ky festival është i karakterit ndërkombëtar, kurse sivjet kanë konfirmuar ardhjen afër 30 poetë nga vende të ndryshme të botës: SHBA-ja, Kolumbia, Portoriko, Koreja e Jugut, Algjeria, Kongo, Irlanda, Italia, Gjermania, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia, si dhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, tha Emërllahu, duke shtuar se në kuadër të festivalit do të bëhen edhe promovimet e këtij edicioni, si antologjia me poezitë e poetëve pjesëmarrës në këtë festival, libri i fituesit të çmimit “Naim Frashëri”, Fatos Arapi, me veprën “Dorë për dore me tragjedinë”, libri i Arian Lekës, fitues i çmimit “Qiriri i Naimit”, me titull “Strabizëm”, si dhe përmbledhja e poezive “Portali i yjeve” të poetit tetovar Artan Arsllani, i cili është anëtar i drejtorisë së manifestimit. Në këtë festival, tha Emërllahu, botohet edhe antologjia e poetëve pjesëmarrës, ku janë përfshirë poezitë e poetëve nga vende të ndryshme, e botuar vetëm në gjuhën shqipe. Këtu do të ketë edhe një projekt tjetër, që ka të bëjë me veb-faqen e festivalit (www.ditetenaimit.org.mk), e cila është në fazë të përpunimit. Aty do të inkorporohen të gjitha aktivitetet lidhur me këtë festival. Si risi e këtij festivali do të jetë edhe prezentimi i letërsisë italiane, në të cilin do të debatohet për këtë krijimtari, ndërsa atë do ta përfaqësojnë Pjerfranko Bruni dhe dekani i fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit të Maçerados. Në prag të hapjes së festivalit është edhe ekspozita me piktura të piktorëve ndërkombëtarë dhe ato shqiptarë. Sivjet me pikturat e tyre do të prezentohen Abdul Sadon nga Iraku, piktorja nga Tunisi Sabah Magadi, një nga Polonia, Vaslava Rudoviq, si dhe një nga Vlora dhe një fotograf nga Pogradeci. Fituesi i çmimit të sivjetëm i festivalit “Naim Frashëri” është poeti i njohur irlandez, Dezmond Egan, për të cilin folën anëtarët e komisionit Dr. Floresha Dado dhe kritiku Ahmet Selmani. Anëtarja e komisionit, dr. Floresha Dado, falënderoi për besimin që të referojë për figurën e Naim Frashërit, si dhe për të bërë vlerësimin e çmimit “Naim Frashëri”. Dezmond Egan është një poet i madh irlandez, tha Dado, i cili ka botuar mjaft vepra, ka 15 përmbledhje poezish, 2 në prozë, 2 përkthime nga dramaturgjia greke etj., është poet i vlerësuar me disa çmime në universitetet e Irlandës, ka marrë shpërblime nga Fondacioni kombëtar i poezisë në SHBA (1986), është poet i rezidencës në Universitetin e Kasajt në Japoni, si dhe i është dhënë titulli i doktorit të letrave në Universitetin e Kanzasit të SHBA-së. Më 1998 është emëruar anëtar i Komitetit për marrëdhëniet kulturore në Ministrinë e Jashtme irlandeze, kur është shpërblyer përmbledhja e poezive të tij me çmimin letrar të Bolonjës, si dhe është Drejtor i festivalit ndërkombëtar të poezisë në Dublin. Çmimi i “Naim Frashërit” i jepet këtij poeti, sepse ai përfaqëson elitën poetike, i cili vlerëson se poezia është arti i fjalës, i shpirtit të njerëzve dhe si e tillë ajo i bashkon të gjithë njerëzit kudo që janë, pa dallim kufijsh e nacionalitetesh, theksoi Dado, duke shtuar se gjithë poezia e tij i ka shërbyer kësaj ideje, idesë së bashkimit shpirtëror të të gjithë njerëzve, kurse me këtë ne dëshmojmë se jemi pjesë e këtij komuniteti të madh ndërkombëtar të artit të fjalës, që vë shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe të Diasporës në pozitë se dinë ç’janë vlerat e mëdha të poezisë. Për veprën e poetit të madh foli edhe kritiku letrar Ahmet Selmani, i cili tha se qëllimi i çdo festivali është afirmimi i kulturës dhe i vlerave të një populli, prandaj edhe ne bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të hapemi me anë të poezisë me botën, por njëkohësisht edhe botën ta sjellim te ne. Në mesin e poetëve nga bota që meritojnë, ne u përcaktuam për një poet irlandez, Dezmond Egan, i cili merret me poezi dhe ese, ndërsa janë të përmendura mjaft disa përmbledhje të tij të botuara “Shikimi i dyfishtë”, “Poezi për paqe”, “Një këngë për tim at”, “Gadishulli” etj. Ky poet sot në qarqet evropiane dhe botërore, sipas Selmanit, konsiderohet si një ndër poetët më avangardë të poezisë, është një hulumtues i madh i shpirtit njerëzor. Ai thotë në vargjet e vet se “vetëm shpirti është i vërtetë, të gjitha janë relative…” Për të parë afinitetin e tij dhe vlerat e tij, duhet thënë se ish-presidenti amerikan me bashkëshorten e tij, Bill dhe Hilari Klinton, sa herë që shkojnë në Irlandë, kërkojnë të takohen me këtë poet.