lajmi |
---|
Z. Vahid Fermand është drejtor i Departamentit të Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit. Në Ballkan ka qenë i pranishëm që nga viti 1992 dhe është ambasador i parë i Republikës islamike të Iranit në Shqipëri. Nga punimet shkencore, vlen të përmendet përgatitja e librit “Ndikimi i kulturës dhe gjuhës perse mbi letërsinë shqiptare”, i cili pritet të dalë para lexuesve në vitin e ardhshëm. Në të janë përmbledhur disa shkrimtarë shqiptarë, duke filluar nga Naimi e Noli, deri te Vexhi Buharaja. Në Manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”, Vahid Fermand mori pjesë me kumtesën e tij në sesionin shkencor. Tema e tij kishte të bëjë me veprimtarinë e Naimit dhe titullohej “Në përkujtim të Naim Frashërit” Në manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”, në Tetovë u takuan një numër i madh i hulumtuesve, njohësve dhe punonjësve shkencorë që janë marrë vazhdimisht me Naimin, jetën dhe veprën e tij. Sesioni shkencor që u mbajt me këtë rast, kishte të bëjë me Naim Frashërin, bektashizmin dhe kombtarizmin, dëshmoi se Naimi sot e kësaj dite provokon me pikëpamjet e tij në sferën e letërsisë, kulturës, gjuhës, filozofisë, religjionit etj. e ku një vend të veçantë zënë pikëpamjet e tij bektashiane. Së këndejmi, është tejet e arsyeshme që në këto manifestime mëtohet që sa më shumë të hyhet thellë në personalitetin universal të Naimit, i cili ndrit me pikëpamjet e tij dhe është përherë aktual për shqiptarët e ndarë. Një sihariq i këndshëm në manifestimin e sivjemë na erdhi nga Irani. Bashkë me pullën postale me portretin e Naimit, të dhënë në qarkullim në postën iraniane me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së kolosit të Rilindjes sonë, në sesionin shkencor u paraqit edhe z. Vahid Fermand nga Irani. Kush është ky intelektual? Ishte pyetja që me kureshtje e parashtruan mjaft të pranishëm. Z. Vahid Fermand është drejtor i Departamentit të Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të REpublikës islamike të Iranit. Në Ballkan ka qenë i pranishëm që nga viti 1992 dhe është ambasador i parë i REpublikës islamike të Iranit në Shqipëri. Nga punimet shkencore, vlen të përmendet përgatitja e librit “Ndikimi i kulturës dhe gjuhës perse mbi letërsinë shqiptare”, i cili pritet të dalë para lexuesve në vitin e ardhshëm. Në të janë përmbledhur disa shkrimtarë shqiptarë, duke filluar nga Naimi e Noli, deri te Vexhi Buharaja. Në Manifestimin e katërt Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000”, Vahid Fermand, mori pjesë me kumtesën e tij në sesionin shkencor. Tema e tij kishte të bëjë me veprimtarinë e Naimit dhe titullohej “Në përkujtim të Naim Frashërit”. Z. Vahid Fermand, me këtë rast do të thotë: – Të gjithë ata që të paktën një herë kanë shikuar në qiellin e kulturës dhe të letërsisë shqiptare, me siguri se kanë vërejtur Naim Frashërin si yllin më të shndritshëm në atë qiell. Ai është poeti i fundit dhe më i madh që shkroi poezi në gjuhën perse. Cilat janë trajtesat e Naimit në kulturën iraniene? -Vendin kryesor në prezentimin e personalitetit dhe veprës së Naim Frashërit në shoqërinë iraniene e zë profesori bashkëkohor iranian, dr. Abdykerim Gulshani, i cili në sesionin e parë kërkimor që u mbajt në vitin 1970 në Universitetin e Teheranit u paraqit me ligjëratën e tij të titulluar “Ndikimi i letërsisë persiane në Ballkan dhe mbi poetin Naim Frashëri”. Sipas prof. Gulshanit, Naimi asokohe, për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe pjesëmarrjes në lëvizjen çlirimtare rilindase, qe i detyruar ta braktiste vendlindjen dhe të vendosej në Stamboll. Gjatë qëndrimit atje, ai shfaqi talentin e vet në fushën e shkrimit origjinal dhe të përkthimit të veprave të huaja. Për shkak të kësaj aftësie emërohet si atashe pranë Ministrisë së Fesë në Perandorinë Osmane, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij në vitin 1900. Si ndahet veprimtaria e Naimit? -Veprimtarinë letrare të Naimit mund ta ndajmë në tri kategori: 1. Poezia kuptimore, lumturie, si p.sh. përmbledhja e poezive “Lulet e verës”; 2. Poemat senzitive si “Qerbelaja” dhe “Historia e Skënderbeut”, dhe 3. Poezi edukuese, siç janë librat përgatitorë për bektashizmën. Duhet thënë se e tërë veprimtaria e tij politike dhe kulturore rrotullohej rreth një strumbullari, e që ishte dashuria e jashtëzakonshme për atdheun dhe arritja e lirisë dhe pavarësisë për atdheun e tij- Shqipërinë. Ai përpiqej ta ngrinte vetëdijen e popullit të vet duke krijuar letërsi autoreske dhe përgatitje kontekstuale, me qëllim që ta ngrinte gjuhën shqipe në nivel të një gjuhe letrare dhe botuese. Në këtë mënryë në të gjitha veprat e tij, qoftë si poet apo prozator, ai flet me gjuhë të thjeshtë dhe popullore. Sa ka ndikesë poezia persiane në veprën e Naimit? -Poezia persiane e Naimit ishte nën ndikimin e fuqishëm të poezisë dhe poetëve klasikë persianë si Attar Neishaburiut, Xhelaludin Rumiut dhe Saadi Shiriziut. Ndikimi të cilin e kishin ata mbi veprën e Naim Frashërit shihet edhe në faktin se brenda përmbledhjes “Lulet e verës” ka një poezi që titullohet “Fyelli”, e cila është mjaft e ngjashme me poezinë e Mevlan Rumiut “tregimi i neit”. Veprimtarët kulturorë dhe mjeshtrit e fjalës së shkruar persiane thonë se vështirë mund të gjendet në historinë e letërsisë dhe kulturës botërore poet i cili përmes studimit të një letërsie të caktuar të huaj të mund të përshkruajë atë dhe të shkruajë poezi cilësore në një gjuhë tjetër, e cila për nga tiparet e saj dallon shumë nga gjuha amtare. Çka e bën Naimin mjeshtër të pakapërcyeshëm të letrave persiane? -Bukuria dhe vlera e poezisë së Naimit, jo pse është shkruar nga një i huaj, mahnit nga vetë fakti se ai ka njohuri të thellë të teknikës së shkrimit të poezisë persiane dhe kjo e bën Naimin mjeshtër të pakapërcyeshëm të letrave persiane. Poezia e tij nuk është e përshkruar nga lavd për asnjë njeri, e aq më pak për vetveten. Poezia e tij është e thjeshtë dhe ka qëllim të lartë që e bën atë baba të urtisë. Ku janë ndërlidhjet e Naimit si mendimtar mes Ballkanit dhe Gadishullit Indian? -Poezia e Naim Frashërit në Perëndim dhe ajo e Muhamed Ikbal Lahoriut në Lindje kah fundi i shekullit 20, ishin lëndë studimi që nga Gadishulli Ballkanik e deri te Gadishulli Indian. Që të dy ata ishin ura për lidhjen e mendimtarëve të këtyre hapësirave, – thotë intelektuali i mirënjohur nga Irani z. Vahid Fermand. pikëpamjet e shtruara në këtë bisedë janë të ngërthyera tërësisht në referatin që ky mysafir nga një vend i largët, që e paraqiti në sesionin shkencor në kuadër të Manifestimit të katërt Letrar Ndërkombëtar “Ditët e Naimit 2000” dhe shënimit të 100 vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit që një ditë punoi në temën: “Naim Frashëri: bektashizmi dhe kombëtarizmi”, referat ky që u mirëprit me kureshtje të veçantë si nga dëgjuesit, po ashtu edhe nga studiuesit pjesëmarrës në këtë sesion nga Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Rumania, Franca, Irani dhe Maqedonia. Bisedoi: Enver Shala |