lajmi |
---|
Fjala është për një libër erudit, metodik, dhe bindës, një studim i shkëlqyer, i letërsisë krahasimtare. Autori përmes kësaj vepre, demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore, në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune. Pas Fjalorit Shqip-Rumanisht, librit “Tekstualizem dhe stil” (mbi vepren poetike te Lasgush Poradecit) dhe librit më të ri të Halil Haxhosajt, kultura shqiptare në veri të Danubit, u pasurua edhe me një vepër të re. Fjala është për librin më të ri të dr. Luan Topçiut “Paradigmele dorului in poezia romana si albaneza” (Paradigmat e mallit në poezinë rumune dhe shqipe), botim i Editurës “Cartea Universitara” (Libri Universitar). I përfshirë në spektrin e veprave të kritikës letrare, libri i këtij studjuesi të mirënjohur shqiptar, del në gjuhën rumune, i shoqëruar me një parathënje nga akademiku bukureshtar, Alexandru Balaci, sipas të cilit, fjala është “për një studim të shkëlqyer, të letërsisë krahasimtare. Autori i tij na demonstron aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore në fushën e interferencave kulturore, në lirikën shqiptare dhe atë rumune”. Siç duket pra, edhe njëherë tërhiqet vëmendja ndaj kulturës shqiptare në Bukuresht, përmes librit më të ri, të këtij autori shqiptar. Libri është një studim i letërsisë krahasimtare tematike, ku sillen ngjashmëri dhe ndryshime midis dy letërsive, gjegjësisht midis lirikës rumune dhe asaj shqiptare, përmes një kufizimi gjeografik të dukurisë letrare. Dr. Luan Topçiu vështron fenomenin në një seri paralelesh nga pikpamja historike, socio-kulturore, gjeografike, filozofike, gjuhësore, folklorike, psikologjike. Autori i librit mbron idenë se popujt ballkanikë, kanë bashkëjetuar në një ndërvarësi, në të shumtën e rasteve dhe në të njëjtat sisteme: ekonomike, administrative dhe politike, duke qënë nën dominimin e dikurshëm trako-ilir, pastaj romak, bizantin apo turk. Duke praktikuar pandërprerje shkëmbime vlerash materiale dhe shpirtërore, ata kanë kapur përpos ndryshimeve specifike, karakteristika të përbashkta të një “familjeje të madhe”, e ndjeshme ndaj të gjitha manifestimeve historike. “Këto realitete, sipas parathënësit, i kanë imponuar botës ballkanike, pothuaj gjithmonë, ritmin e një frymëmarrje të vetme”. Libri përbëhet nga këta kapituj: Malli si gjendje shpirtërore. Konteksti socio-kultural; Malli në literaturën e lavruar rumune; Malli në poezinë e lavruar shqipe; Malli në letërsinë postbelike rumune dhe shqiptare. Ndjenja e mallit dhe e vetmisë nostalgjike hetohet si në poezinë gojore ashtu dhe në krijimtarinë e disa poetëve të rëndësishëm rumunë dhe shqiptarë: Mihai Eminescu, Asdreni, Lucian Blaga, Lasgush Poradeci, Viktor Eftimiu, Mitrush Kuteli, Nichita Stanescu, Ismail Kadare, Fatos Arapi, duke i vendosur në një kontekst ballkanik. Përmes analizës së veprës së autorëve që merr në shqyrtim, dr. Topçiu, sipas perspektivës së tij tematike, paraqet njëherazi dhe një imazh të peisazhit lirik rumun e shqiptar. “Autorët e analizuar janë shndërruar në transmetues të një tipi të ri ndjeshmërie, të një vizioni mbi jetën, me thekse të qarta kombëtare dhe rajonale (ballkanike) Poezia e tyre, përndryshe, poezia e ndjenjave më të stërholla njerëzore, të rivitalizuara në letërsitë e vendeve gjegjëse, transmeton një ndjenjë të lashtë, të trashëguar, të ruajtur, e pasuruar me nga më të beftat nuanca semantike… Në kopertinën katërt janë vënë fragmente nga konsideratat e botës akademike rumune rreth këtij libri. Prof. univ. dr. Mircea Muthu, prorektor i Universitetit të Kluzhit, do të theksojë: “Studimi me një nivel akademik i dr. Luan Topçiu, i inkuadruar në linjën e një komparatizmi tematik – jo vetëm që përmbledh vëzhgimet e mëparshme, por çel në të njëjtën kohë disa perspektiva të disa studimeve që, së bashku me ato të morfologjisë kulturore dhe të etnologjisë, do të thellojnë imazhin tonë për një segment karakteristik të kulturës letrare jug-lindore europiane.” Prof. Univ. Dr. Romul Munteanu do ta karakterizojë studimin në mënyrë lakonike: “Paradigmat e mallit ne poezinë rumune dhe shqiptare”, është një libër erudit, metodik, dhe bindës”. Sipas albanologut Grigore Brancus, ky libër sjell në vemendjen e lexuesit të specializuar, letërsinë shqiptare në një vështrim krahasimtar me atë të letërsisë rumune, një paraqitje e denjë e jona, një sukses i merituar i autorit, një ndihmesë e çmuar për njohjen e tjetrit, e atij që është pranë nesh. Ky studim i shkëlqyer, që deshifron ndjenjën e mallit te dy popuj të fisëruar përnga lashtësia, ka 178 faqe, del në kondita të shkëlqyera teknike, dhe kurorëzohet me një bibliografi të zgjedhur prej 126 burimesh. Pritet që përgjatë këtij viti, autori ta befasojë opinionin, edhe përmes botimit të Fjalorit Rumanisht-Shqip, të Antologjisë së Poezisë Shqipe në gjuhën rumune, dhe të një serë veprash të tjera, me karakter eseistik. Dr.Luan Topciu, u lind me 1962 ne Pogradec.Studimet e larta i kreu ne Fakultetin e Filologjise me 1987. Gjate vitit universitar 1989-1990 kryen nje kurs pasuniversitar per Gjuhesi e Statistike, Universiteti i Tiranes. Me 1995-’96 kryen nje Master prane Universitetit te Bukureshtit, Katedra e Teorise se Letersise dhe Letersise se Krahasuar. Eshte Dr. i shkencave Filologjike, Pedagog ne Universitetin e Bukureshtit, Kryeredaktor dhe Botues i revistes dygjuheshe “Albanezul” (Shqipetari) dhe Kryeredaktor i revistes “Shqiperia XXI”. |