Përfundoi Edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

perf1

Përfundoi Edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

DITËT E NAIMIT  E HAPËN SIPARIN NË TETOVË DHE E MBYLLËN NË PRISHTINË

 

perf1

Konferencierja e Festivali, Verjana Abazaj

Prej 18–21 tetor, në Tetovë, në Prizren dhe në Prishtinë u mbajt Edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky shenjues kulturor u zhvillua në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe me PEN Qendrën e Kosovës. Brenda tri ditëve u mbajtën një sërë aktivitetetesh letrare, artistike dhe kulturore. Në te morrën pjesë mbi 30 poetë nga vende të ndryshme të botës si: SHBA, Argjentinë, Finlandë, Norvegji, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Itali, Francë, Spanjë,  Marok, Indi, Ukrainë, Algjeri, Bullgari, Turqi, Slloveni, si dhe nga e gjithe hapsira shqiptare.


perf2

Anëtarët e SHKA ‘Jehona e Sharrit’ me flakadan në duar para Qendrës së Kulturës

Çelja festive e siparit të Edicionit të XVI u bë me anë të ndezjes së fishekzjareve para Qendrës së Kulturës ‘Naim Frashëri’ në Tetovë, ku ndodheshin dhjetra dashamirë të poezisë dhe kulturës. Në fillim, drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, laureatja e këtij edicioni Tua Forsstrom, kryetari i LSHK-së Adem Demaçi, nga rektori i USHT-së prof. dr. Vullnet Ahmeti, u vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar  Naim Frashëri, që ndodhet në qendër të Tetovës, e të cilin Drejtoria Festivalit e pat ngritur në 100 vjetorin e vdekjes së tij. Pastaj, në foajenë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita “100 Vjet Pavarësi” e piktorit Miftar Mehmeti.

perf3

Poetët dhe publiku në sallë

Hapja solemne e Edicionit të XVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë nga drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, tha se, ‘Në rrugëtimin 16 vjeçar të Festivalit, janë ngritur dhjetra ura diologimi brenda njerëzve të letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare, por edhe të kësaj bote shpirtërore shqiptare me ate të huaj. Ndërkomunikimi përmes një infrastrukture të një shënjuesi të këtij formati kulturor dhe letrar, me letërsitë e tjera, ka bërë që shikimi shqiptar për letërsinë, për poezinë, pra për artin dhe kulturën në përgjithësi të formulojë edhe qasje të tjera që qarkullojnë me kohën.

perf4

Drejtori Shaip Emërllahu hap Edicionin e XVI të FNP ‘Ditët e Naimit

Këtë edicion, me një fjalë përshëndetëse iu drejtua të pranishmëve edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, shkrimtari dhe atdhetari, Adem Demaçi, i cili pasi uroi organizatorët vlerësoi rolin e Festivalit në krijimin e urave të komunikimit me botën, u ndal edhe në disa çështje që e tangojnë sot mbarë hapësirën shqiptare.

perf5

Rektori i USHT-së, prof. dr. Vullnet Ahmeti

Ndërkaq, rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ahmeti, në fillim të fjalës së tij përgëzoi Drejtorinë e Festivalit, për punën vetëmohuese dhe theksoi se, duke nderuar për çdo vit prijësin më emblematik të Rilindjes Kombëtare, nderojmë edhe veten tonë, pasi ky festival prestigjioz, tani më njihet jo vetëm në vendin tonë dhe rajon, ku pjesëmarrja e poetëve të njohur nga të gjitha kontinentet e botës, ka bërë që manifestimi letrar ,,Ditët e Naimit” të shndërrohen në ngjarje kulturore ndërkombëtare. Ai, nga të gjithë ne, meriton vëmendjen e duhur dhe respektin e veçantë. USHT, edhe në të ardhmen, do t’i mbështesë aktivitetet e kësaj natyre e sidomos ata që kanë të bëjnë me historinë, shkencën dhe kulturën shqiptare.

perf6

Mohammed el Amroui (Marok / Francë)

Ndërkaq, në orën letrare ‘Globi poetik’ poetë të shumtë lexuan poezitë e tyre. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, ia dorëzoi çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ dhe ia ndau titullin Anëtar Nderi të Festivalit, laureates nga Finlanda, Tua Forsstrom

.perf7

Adem Demaçi shpallet Anëtar Nderi i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘Ditët e Naimit’

Po ashtu, Drejtoria e Festivalit në këtë jubile të 100 vjetorit të kurrorëzimit të përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi i dha titullin Anëtar Nderi të Festivalit, shkrimtarit dhe atdhetarit, Adem Demaçi. Të kujtojme se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit deri me sot, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray,  (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA) etj .

Në ditën e dytë të Programit, në amfiteatrin e USHT-së, u përurua laureatja, Tua Forsstrom. Për veprën e saj foli kryetari i Jurisë, prof. dr. Ymer Çiraku, ndërsa rektori Vullnet Ahmeti ia ndau asaj logon e Universitetit.

perf8

Moment nga përurimi i laureates, Tua Forsstrom në  USHT

Sipas programit, poetët vizituan Teqen Arabati Baba në Tetovë, ku drejtuesit shpirtëror të kësaj teqeje shtruan një drekë për nderë të poetëve.

Në pasditen e ditës së dytë të Festivalit poetët shkuan në Prizren, ku mbajtën orën letrare ‘Poetë dhe vargje’ dhe vizituan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e monumentet tjera kulturore e historike të tij.

Ndërkaq, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë u mbajt nata finale e Festivalit, ku ata i përshëndeti Zv.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Hajdin Abazi dhe kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi.

perf9

Poetja Hearth H.Thomas (SHBA) në Teatrin Kombëtar në Prishtinë

Në orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’ u ndanë çmimet tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi  i rëndësishëm për karriere letrare ‘Ditët e Naimit’ iu nda poetit shqiptar, Rudolf Marku, çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetit maroken, Mohammed el Amroui, çmimi letrar për ciklin më të mirë të poezive, ‘Oaeneumi’, e mori Donika Dabishevci dhe ‘Qiriu i Naimit’ shkoi në duart e poetes ukrainase, Anna Bagriana.

Drejtoria e Festivalit, edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës ‘Ëndërr e shituar’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu dhe librin poetik të poetit algjerian Nouar Abidi, me titull ‘Tetova, kjo grua e bukur’. Këtë libër e ndihmoi Logos A, të cilin Drejtoria gjen rastin që ta përshëndes.

Hapja e Edicionit të XVI të FNP “Ditët e Naimit” u transmetua drejtëpërdrejtë në Televizionin shtetëror të Maqedonisë – Programi në gjuhën shqipe, kurse mbyllja e Festivalit, u transmetua nga Radiotelevizioni i Kosovës.

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, T mobile, Euro Proekt, Dino, Emka, Arbi, Hit Oil.

Festivalin e ndihmuan edhe agjensia tursitike ‘Euroturist’ dhe SHKA ‘Jehona e Sharrit’.

Artan Arsllani