Krijimtaria e Kadaresë nën regjimin komunist pasqyrohet në një dosje

lajme

lajmi
Personaliteti i shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare dhe marrëdhëniet e tij disavjeçare me institucionet e regjimit komunist janë përmbledhur në librin e rof.Dr.Shaban Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”, që doli në treg sot (e Hënë) nga Shtëpia Botuese “Omsca 1”. “I konceptuar në pesë kapituj, libri publikon për herë të parë rreth 38 dokumenta dhe një numër të konsiderueshëm faksimilesh, çka shpjegon marrëdhëniet e vështira që ka pasur Ismail Kadare me nomenklaturën e lartë”, tha Sinani Visar Zhiti, autor i disa veprave i të ashtuquajturës “letërsi burgu” shprehet se “vepra i ngjan një triadhe. Pjesa hyrëse paraprihet nga një studim interesant e me kompetencë për Kadarenë, risinë e tij si shkrimtar dhe simbolet e tij ballkanike. Kjo pasohet nga disa intervista dhënë në shtypin e ditës, ku autori u përgjigjet çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë botim, e pastaj vazhdon me survejimet mbi letërsinë e Kadaresë”. Disa nga veprat e Ismail Kadaresë të shkruara gjatë periudhës së regjimit komunist janë; “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), “Përse mendohen këto male” (poemë 1964), “Kronikë në gur” (1970) “Kështjella” (1975). Vepra të tjera me subjekt nga kjo periudhë veçohen “Pallati i ëndrrave”, “Piramida”, “Shkaba”, “Spiritus”, etj. Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe në mbi 30 vende të botës./ “24 ore”