Prej 20-23 tetor në Tetovë Mbahet Edicioni i VIII i Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”

lajme

 
lajmi
Edicioni i VIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 20 – 23 tetor 2004 në qytetin e Tetovës. Në të janë ftuar të marrin pjesë poetë të huaj nga vende të ndryshme të botës. Si zakonisht, në të do të marrin pjesë edhe poetë nga e tërë hapësira etnike shqiptare, si dhe nga diaspora. Sipas programit, janë paraparë të zhvillohen një sërë aktivitetesh letrare, artistike, muzikore, shkencore e kulturore. Kështu, është paraparë të mbahet një akademi solemne, ku do të flitet për jetën dhe veprën e rilindësit të madh Naim Frashërit, do të recitohen vargje të zgjedhura nga ky poet, do të ekzekutohen disa pika muzikore, si dhe poetët pjesëmarrës do t’i lexojnë vargjet e tyre. Në kuadër të programit, janë paraparë të mbahen edhe disa përurime të librave të botuar nga “Ditët e Naimit”. Në qendër të aktiviteteve do të jetë edhe Ora e madhe poetike, me ç’rast, pas paraqitjes së poetëve me vargjet e tyre, do të ndahet edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” si dhe çmimet e tjera “Menada”, “Oeneumi” dhe “Qiriu i Naimit”. Edhe sivjet, ky festival do të shpallë disa anëtarë nderi, të cilët do t’u bashkangjiten anëtarëve të gjertanishëm siç janë profesori dhe studiuesi i nkjohur francez Aleksandër Zoto, pastaj ai kanadez Robert Elsie, shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, akademiku Rexhep Ismajli, poetët Ali Podrimja, Fatos Arapi, Abdylazis Islami dhe Din Mehmeti. Është bërë traditë që para festivalit të hapet edhe një ekspozitë me krijime të artit pamor. Gjatë këtij edicioni pjesëmarrësit do të vizitojnë edhe disa lokalitete, objekte muzeore dhe monumente historike.