POETI ATHANASE DE THRACY – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

Athanase de Thracy

Athanase de Thracy

Laureat i Çmimit të madh letrar “Naim Frashëri” të Edicionit XVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti i madh bullgar Athanase Wantchev De Thracy, i cili prej kohësh jeton në Paris. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga kryetari i jurisë Agron Tufa (Shqiperi), dhe anëtarët e jurisë Salajdin Salihu (Maedoni) dhe Ndue Ukaj (Kosovë). Laureat të mëhershëm të këtij festivali janë emra të njohur si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Peter Poulsen (Danimarke), Fatos Arapi (Shqiperi), Ali Podrimja (Kosovë), Abdelatif Laabi (Marok/Francë), (Lionel Ray (Francë), (Ewa Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë) etj.

Edicioni i 17 i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 17 – 20 tetor në Tetovë, Frashër dhe në Tiranë.

Këtë e bëri të ditur në Konferencën per shtyp të mbajtur në Qendrën kulturore në Tetovë, drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu.

Në vazhdim, kryetari i jurisë, Agron Tufa lexoi motivimin e Jurisë, ku thuhet se, çmimi “Naim Frashëri” i jepet  poetit francez Athanas Vantchev de Thrasi, me motivimin:

“Për dehjen e kthjellët lirike me referenca dhe asociacione dë dendura verbale e joverbale nga traditat e lashta e moderne të kulturës botërore;

për ndjeshmërinë e pastruar të shqisës poetike në filtrimin e emocionit autentik të një heroi lirik të gjithëkohshëm, në komunikimin e tij permanent e të pandërprerë me natyrën dhe civilizimin;

për fluturimet pindarike nga ekstatizmi lirik, tek meditimet e pikëlluara dhe elegjiake mbi çështjet e përjetshme metafizike e transhendentale.

Poezia e Athanase de Thrasi, ruan si rrallëkush në poezinë bashkëkohore, higjenën e poezisë së madhe, që nga zanafilla e saj – me lutjet dhe hymnet, – deri tek procedetë moderniste e postmoderne të thelbit të freskët, të një poezie vitale, përjetësisht të gjelbër.

Sikurse në të shkuarën, edhe sivjet Drejtoria do te botojë antologjinë me poezi të poetëve pjesëmarrës. Sipas programit këtë vit poetët dë të vizitojnë vendlindjen e Naimit, Frashërin, ndërsa mbylljen e Festivalit do ta bëjnë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Mbështetës të Festivalit janë Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Komuna e Tetovës, Komuniteti bektashian etj.

Kush është Athanase Wantchev De Thracy? Ai është njëri nga poetët më të mëdhenj francezë të kohës sonë. I lindur më 1940 në Haskovo, Bullgari, është shkrimtar që mbështetet mbi një njohuri shumë të gjerë kulturore, që flet disa gjuhë dhe që ka bërë studime pasuniversitare për mbi 17 vjet në universitetet më prestigjioze evropiane, ku mori një njohuri të thella të poezisë botërore.

De Thracy është autori i 46 përmbledhjeve poezish edhe formale edhe me varg të lirë, që mbulojnë pothuajse gjithë spektrin e formës poetike. Ka botuar një seri monografish dhe një tezë doktorature: Simbolizmi i dritës në poezinë e Paul Verlaine-s. Ka shkruar edhe një studim në bullgarisht për epikureanin e madh Petroni, autori i Satirikonit, dhe një punim masteri në rusisht, Poetikat dhe metafizikat në veprën e Dostojevskit.

Si ekspert i botës së lashtë, Athanase Vantchev de Thracy i ka kushtuar artikuj të shumtë poezisë greke dhe latine. Gjatë qëndrimit të tij dyvjetor në Tunizi ka botuar tri vepra për qytetet tuniziane të kohës punike.

Në kuadër të vizitave të gjata në Siri, Turqi, Libi, Arabi Saudite, Jordani, Irak, Egjipt, Marok, Tunizi, Mauritani dhe Taxhikistan, u njoh me mrekullitë e kulturës islamike. Ka kaluar edhe shumë prej këtyre viteve duke studiuar fetë lindore. Nga kjo kohë vjen përshtatja e tij e shquar në frëngjisht të veprës historike të Mustapha Tlass-it, Zenobia, mbretëresha e Palmyrës.

De Thracy ka kaluar një pjesë të madhe të qëndrimit të tij dyvjeçar në Rusi (1993-4) me studimin e poezisë ruse. Përkthyes i një galaksie poetësh ndërkombëtarë, Athanase Vantchev de Thracy u nderua me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare letrare. Është laureat i Akademisë Franceze dhe ka marrë titullin e doktorit honoris causa nga Universiteti i Veliko Tarnovos në Bullgari dhe nga Akademia Braziliane të Letrave. Poezia e tij është përkthyer në shumë gjuhë.

Është anëtar i Akademisë Braziliane të Letrave, anëtar i Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Akademisë Ukraniane si dhe kryetar i lëvizjes ndërkombëtare “Poetas del Mundo” (Poetët e botës) me 8000 anëtarë në gjithë botën.

 

A. Arsllani

 

http://www.youtube.com/watch?v=sX5A-j1OAB8

http://www.institutcultureldesolenzara.org/ancien/athanase.html