U lind më vitin 1937, në Taipe. Aty mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Teknologjisë. Më 1976 u bë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Poezisë në Angli. Më 1987, iu bashkua PEN-it tajvanez dhe u zgjodh zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i tij. Për një kohë ishte kryetar i Fondacioni Kombëtar për Kulturë dhe Art ne Taivan. Momentalisht është zëvendëskryetari i Lëvizjes Poetët e Botës (Movimiento Poetas del Mundo).
Filloi të shkruaj poezi më vitin 1953. Veprat e tij të botuar përfshijnë “Poezi të përmbledhura” në gjashtë vëllime(2001, “Ese të përmbledhura” në dhjetë vëllime(2002, “Poezi të përkthyera” në tetë vëllime(2003, ”Antologjia e poezisë evropiane” në 25 vëllime(2001~2005), ”Koleksioni Poezi elite” (në 22 vëllime) dhe të tjera, duke përfshirë “Thesar i artë i poezisë moderne indiane” (2005), që përmban poezitë nga presidenti A.P.J. Abdul Kalam.
Poezitë e tij u përkthyen dhe u botuan në Japoni, Kore, Kanada, Zelandën e Re, Holandë, Rumani, Indi, Greqi, Spanjë, Rusi, Mongoli etj.
U shpërblye me çmime të ndryshmetë rëndësishme si, çmimi “Poet Meritor Aziatik”, Kore(1994, me çmimin tajvanez të poezisë “Rong-hou”(1997, çmimi “Poeti botëror i vitit 1997”, çmimi “Poeti ndërkombëtarë”, Indi(1998, çmimin “Poeti i mijëvjeçarit”, i Akademisë Ndërkombëtare e Poetëve , Indi(2000, çmimin e letërsisë “Lai Ho” dhe çmimin kulturor “Premier”, të dy në Tajvan (2001). Ka marrë edhe çmimin “Michael Madhusudan” nga Akademia “Michael Madhusudan”(2002, çmimin “Wu San-lien” për letërsi(2004)dhe Medaljen e Poetit nga Fondacioni Mongol i Kulturës(2005.
Tri herë nominohet kandidat për çmimin Nobel për letërsi nga Akademia Ndërkombëtare e Poetëve, Indi (2002, 2004, 2006).
Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare poezie në vende të ndryshme të botës, si në SHBA, Japoni, Kore, Indi, Turqi, Mongoli, El Salvador, Nikaragua etj.
PAPAGALLI
“Zoti im është i dashur me mua!”
Zoti im më mëson vetëm këto fjalë
“Zoti im është i dashur me mua!”
Këto fjalë i ushtroj ditë e natë
Po të vijë ndonjë mysafir
Bërtas
“Zoti im është i dashur me mua!”
Zoti im është aq i kënaqur
që më jep ushqime dhe pije të mira
dhe fton shumë mysafirë që vlerësojnë
mençurinë dhe zgjuarsinë time
Nganjëherë zoti im
i mbushur me gëzim më thotë
“Fol si të shkon mendja!”
Gjithsesi vazhdoj të përsëris
“Zoti im është i dashur me mua!”
1972
TRANSFUZION
Gjak tërhiqet nga trupi im
dhe i transfuzohet diellit të një tjetri
për t’u bërë një rrjedhë e re plot harmoni
Gjaku im fillon të qarkullohet në një tjetër trup
brenda trupit të ndonjë të panjohuri
diku në ndonjë vend të panjohur
Ashtu si lulet e freskëta
që lulëzojnë në kodrinën e fshehur
një bukuri e papërshkrueshme lulëzon në zemrën time
Diku në ndonjë vend të panjohur
ka edhe një transfuzion në shkallë të madhe
nga trupat e masakrës kolektive
Të transfuzosh gjak në dhe të shkretë
në vend pa dritë dielli është kot
për të ngjyrosur hartën e fragmentuar në të kuqe
Nga Azia, Lindja e Mesme, Afrika deri në Amerikën Latine
një pikë gjaku e spërkatur
paraqet një petale të ikur në erë
1983
ISHULLI I TAIWAN-IT
Ti shfaqesh si ishull
nga dallgët e mëndafshit të bardhë
Pylli i dendur prej flokësh të zinj
zhvendoset me nostalgji të përmalluar
Plazi prej rëre të bardhë të butë
mban mbresat e puthjeve të panumërta guackash
Nga pamja e syrit të një zogu në qiell
bukuria e teksturës sate është aq tërheqëse
saqë ulem mbi trupin tënd i etur
Ti je një sirenë
në Oqeanin Paqësor
sinori i vendlindjes sime të përhershme
1992
KËMBANA E PAVARËSISË NË PHILADELPHIA
Këmbana e bronztë u thye
Në Filadelfia
këmbana e lirisë
është pikaloshe në historinë
e braktisur.
Po mendoj se kur
do të kumbojë
liria jote
nga larg
Po pres
dashurinë tënde ta kumbojë këmbanën
historia jehuese e lirisë
të gjejë jehonë
në secilën qoshe të botës
1985
JETA THËRRET NË EGËRSI
Ai hedh thikën me dhunë
prapë e prapë,
gradualisht duke iu afruar qendrës
Vështron verën e dhunshme
në një ushtrim të tillë
derisa ta marrin mendtë.
Jeta thërret në egërsi
çdo herë që ulet dora e tij
jeta thërret në egërsi
E përqëndron veten sikur thikë
hedh shigjetën e fundit me fuqi të plotë
drejt qendrës së nxehtë mbi mur
1969
ZOGJ KALOJNË FLUTURIMTHI
Fëmija gjashtëvjeçare
përsërit në makinën time
ki kujdes nga
zogjtë që kalojnë fluturimthi
Pas ca kohe thotë përsëri
ka flutura
ki kujdes nga fluturat
mos u përplas me to
Përgjigjem mos ki merak
edhe unë i vë re milingonat
do ta ndal makinën
t’i lë të kalojnë dalëngadalë
Po bakteret
pëshpërit me ankth
po bakteret
si t’u shmangemi
2005
LIQENI NË VJESHTË
Kur fryn era
peshku fluturon verbërisht
në liqen
Peshku ngjyrashumë
pluskon mbi ujë
duke vështruar qiellin
Në fund të fundit
a duhet të hedhë poshtë
formën në botë
që lë
damarët e hollë të gjetheve
në një model halash
si historia
e vendosur tejdukshmërisht
në fund të liqenit
2003
RITMI I DETIT
Duke biseduar në telefon
dëgjoj dallgët që papritmas llokoçiten
dhe thyhen mbi mua
2000
DUKE PYETUR QIELLIN
Pasi që shemben shtëpitë
ka çadra
ç’do të jetë pas çadrave
Pasi që plagosen dhe vdesin të rriturit
ka fëmijë
ç’do të jetë pas fëmijëve
Pasi që fajësohet qeveria
ka partinë e opozitës
ç’do të jetë pas opozitës
Pas katastrofës nga tërmeti
ka tajfun
ç’do të jetë pas tajfunit
1999
KUNDËRSHTIM
Njerëzit kanë frikë nga dikush
mirëpo, më shumë frikë nga askush
Kafshët vdesin për shkak të kafshëve të tjera
mirëpo, madje zhduken për shkak të asnjë kafshë tjetër
Njëgjuhësh paraqet një vikamë vetjake
mirëpo, shumëgjuhësh shfaqet më zhurmshëm
Bota e turbullt bën që të gjithë të ndihen pak rehat
mirëpo, shoqëria e heshtur është më e paaftë për t’u përshtatur
Stina e mirë e vjeshtës është e përshtatshme për t’iu ngjitur malit
mirëpo, të ecësh në dimër në shi është më mirë për ta kuptuar jetën
1996
TI JE MUSHKONJË
Hajde dhe thith gjakun tim
hajde dhe kafsho pjesën më të mirë të trupit tim
duke shijuar kënaqësinë tënde të plotë
në natën e heshtur
Kur të ushqej me gjakun tim
nuk jam koprac fare
përderisa nuk ma prish gjumin
dhe ma bën mendjen të turbullt dhe të hutuar
Por sa e padurueshme qenka
që pasi hëngre me t’u ngopur
ti ende bën zhurmë
ditë e natë
1995
FAKTE REALE
Kur mund të thuash jo
nuk ke zë
Kur mund të mbetesh pa zë
preferon të këndosh lavdi
Kur mund të këndosh lavdi
ngurrosh ta vlerësosh natyrën
Kur mund ta vlerësosh natyrën
pret të dëgjosh duartrokitje
Kur mund ta shijosh duartrokitjen
verbërohesh për faktet reale
1994
MËRGIM
Pasi u mërgua statuja e bronztë
baza ende ndodhet e ngritur
qetësisht para shtabit të KGB-së
në një pozë të dëshpëruar
Kurorat elegante të së kaluarës
zëvendësohen tash nga lozet
Rojët seriozë perandorakë në uniformë të hijshme
zëvendësohen tash nga degë të vyshkura
U mërgua statuja e bronztë
ndërsa baza ekziston
Medalja e nderit u mërgua
ndërsa historia ekziston
Puna e dashurisë u mërgua
ndërsa vjersha ekziston
Jeta qytetare u mërgua
ndërsa stuhia e dëborës ekziston
Oh, oh
u mërgua në qiell
veç ekzistojnë psherëtimat e kobshme të patave të egra
I BURGOSURI DHE ÇLIRIMI
Një luftëtar është vetëm një i burgosur
pasi u burgos
por gjysma e popullatës botërore do të burgosej
pasi u burgos një ushtare femër
Bie një luftëtar
nuk është gjë veç ta emancipojë veten
por gjysma e popullatës botërore do të çlirohej
pasi ra një tiran
1991
NJË POEZI PËR TY
Shkruaj një poezi për ty
asnjë trëndafil, asnjë bilbil
por rrahja urgjente e daulles bubullime
në valën e ftohtë të fundvitit
Në valën e ftohtë të fundvitit
shkruaj një poezi për ty
në kuptimin e thellë të pranisë sate
kurse ti je jashtë shikimit tim
Kurse ti je jashtë shikimit tim
duke menduar për realitetin e vendjetimit tonë
shkruaj një poezi për ty
në besim të mbaj premtimin tonë
Në besim të mbaj premtimin tonë
duke pritur të vijë era e dashurisë
prapa trarëve të hekurt burgu
shkruaj një poezi për ty
1992