Impresionet e Shaip Emërllahut nga Festivali i poezisë në Medellin të Kolumbisë

Shaip

lajme

 
lajmi
ShaipPrej 18-25 qershor, në Medellin të Kolumbisë së Amerikës Latine, u mbajt Festivali i 14-të Ndërkombëtar i Poezisë, ku morën pjesë 70 poetë nga të gjitha kontinentet e botës, në mesin e të cilëve edhe poeti Shaip Emërllahu. Pas kthimit të tij nga ky festival, poeti Emërllahu paraqiti mbresat e tij nga ky tubim i madh ndërkombëtar të poetëve. “Orët letrare të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë u mbajtën në Medelinin tremilionësh dhe në kryeqitetin Bogota në arena të hapura, biblioteka, teatro, pallate kulture, universitete, parqe, stacione, ku në të kaluarën është zhvilluar një terror i paparë ndaj popullit kolumbian “, shprehet Emërllahu, duke rrëfyer edhe për disa detaje të tjera. Sipas programit, ai ka pasur pesë prezentime përpara një publiku të madh, ku ka lexuar mbi 20 poezi të tij. Shaip Emërllahu është prezentuar në orën letrare të titulluar “Katër poetë evropianë”, që është mbajtur në një sallë biblioteke, së bashku me tre poetët e njohur Stefan Hertmans nga Belgjika, Ingibjorg Haralsdottir nga Islanda dhe Aleksander Gillet nga Zvicra. Gjithashtu, ai ka lexuar edhe në mbylljen e Festivalit, i cili u ndoq nga 7 mijë dashamirë të poezisë. Sipas Emërllahut, ky është festivali më i madh i poezisë në botë dhe e gjithë veprimtaria e tij ndiqet nga një publik prej 150 mijë dashamirësh të poezisë, ndërsa hapja dhe mbyllja e tij transmetohen drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. Në natën e parë dhe të fundit mijëra të pranishëm marrin pjesë aktive në leximin e krijimeve nga ana e poetëve. Poeti i njohur gjerman Encensberger, do të shprehet se “ajo që është impresive në këtë festival, është publiku, i cili nuk është pasiv në dëgjimin e poezisë, por reagon në mënyra të ndryshme, duke shprehur ndjeshmërinë dhe gjykimin për të”. Në këtë takim ndërkombëtar të poezisë, Shaip Emërllahut i janë përkthyer 21 poezi në gjuhën spanjolle nga poetët Rafaello Patinjo dhe Nikole Kaghë Florentiny. Katër prej tyre në gjuhën spanjolle dhe nga një në gjuhën angleze e në gjuhën shqipe, së bashku me një biografi, i janë botuar në revistën voluminoze të festivalit “Prometheu”.